RS pas Millosheviqit: Strehë për të dyshuarit?
Banjallukë, 03.07. 2001
Dorëzimi i Millosheviqit në Tribunalin e Hagës ka shqetësuar zyrtarët në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) po aq sa edhe zyrtarët në Republikën Serbe (RS). Të parë kanë frikë se RS mund të bëhet një rezervat për të dyshuarit për krime lufte, kurse të dytët gjenden para dilemës: ta arrestojnë Karaxhiqin dhe Mladiçin apo të ballafaqohen me izolimin dhe humbjen. Për të dytët të dy variantet janë të barabarta me vetëvrasjen politike.
Frika e zyrtarëve ndërkombëtar në BeH më së miri u shpreh nga shefi i misionit të OSBE në BeH Robert Bikfort. "Asnjë nga ato që duhet të dorëzohen në Tribunalin e Hagës nuk guxon të mendojë se do të gjejë strehë në RS", porositi Bikroft, duke bërë me dije se edhe Kroacia edhe RFJ-ja do t'ia "dalin në krye me zgjidhjen e këtij problemi". Edhe Përfaqësuesi i Lartë për BeH Volfgang Petriç në reagimin e parë porositi
qartë udhëheqësinë e RS se "RS nuk mund të jetë vendi i vetëm që nuk do të bashkëpunojë me Tribunalin dhe të shetisin në territorin e saj të akuzuarit për krime lufte".
Frika se vendosmëria e Beogradit për të bashkëpunuar me Tribunalin mund ta shndërrojë RS në vatër të të dyshuarve, siç janë ata nga RS, që deri tani u fshehën në Serbi, nuk është e pa bazë. Është e njohur se shumica e të dyshuarve për krime lufte pas përfundimit të luftës u shpërngulën nga RS në RF të Jugosllavisë, ku llogarisnin në mbrojtjen e Millosheviqit. Ndërrimi i kahjes në Beograd për ta hapi derën e fundit për ikje - kthimin e sërishëm në RS dhe shpëtimin e mundshëm nën ombrelën e SDS-së, që ka fjalën kryesore në strukturat e pushtetit. Streha do të kërkohet në komunat që janë nën kontrollin e rreptë të nacionalistëve, kurse numri i tyre pas zgjedhjeve të fundit është shtuar dukshëm. Edhe sikur të vijë deri te bashkëpunimi i pushtetit qendror me Tribunalin autonomia e pushtetit lokal edhe mëtej është aq e fuqishme sa nuk mund të pritet bashkëpunimi. Për këtë shkak Petriqi dhe Bikrofti me të drejtë janë të shqetësuar shkaku i pasojave që mund të dalin në BeH pas dorëzimit të Millosheviqit.
Reagimet në RS ndaj dorëzimit të Millosheviqit nuk janë shumë shpresëdhënëse se mund të ndiqet politika e Beogradit ndaj Tribunalit. Ngjarjet në Beograd u pritën në RS me shumë çudi. Këtë e vërtetojnë reagimet e para politike të autoriteteve të këtushme, por edhe heshtja që pasoi pas kësaj.
Anëtari i Kryesisë së BeH nga RS Zhivko Radishiç, sipas vendit, i iku pyetjes se çdo të thotë për RS dorëzimi i Millosheviqit në Hagë. Megjithatë, nuk lëshoi rastin të theksonte se si ky akt nënkupton edhe 'përgjegjësi për ata që e dorëzuan'. Kryetari i RS Mirko Sharoviç tentoi që gjithë problemin ta paraqiste si problem të ligjit për bashkëpunim me Tribunalin. Ai e pranoi se janë të mundshme arrestimet edhe në RS dhe nuk përjashtoi mundësinë e miratimit direkt të Statutit të Tribunalit, dhe se, gjithashtu, do të angazhohej për sjelljen e ligjit për bashkëpunim me Tribunalin.
Më i prerë në komentimet e tij për dorëzimin e Millosheviqit ishte kryeministri i RS Mladen Ivaniç. "Udhëheqësia e RS gjatë dy - tre ditëve
doemos duhet të marrë qëndrim të prerë rreth bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës dhe dorëzimin e të akuzuarve për krime lufte", tha Ivaniç. Ai shprehu shpresë se rreth kësaj së shpejti do të marrë qëndrim edhe Kuvendi popullor dhe partitë politike relevante.
Për dallim nga të luhatshmit Radishiç dhe Sharoviç, Ivaniçi kishte porosinë për opinionin se dorëzimi i Millosheviqit e vu përpara një sprove të madhe politike Republikën Serbe. Iu kumtua qartë se problemi i hapur i bashkëpunimit me Tribunalin dhe dorëzimi i të akuzuarve për krime lufte, RS i krijon pozicione afatgjate politike.
Porosinë alarmante Ivaniçi ia adresoi së pari Kuvendit popullor në RS, ku shumicën e përbën SDS, partneri i koalicionit të partisë së tij politike (PDP). Megjithatë, nga kabineti i kryetarit të Kuvendit Popullor nuk doli asnjë reagim për dorëzimin e Millosheviqit, që mund të jetë një sinjal shumë i keq, veçmas nëse kemi parasyshë se Kaliniçi, kryetari i SDS me siguri edhe mëtej gjendet nën kontrollin dhe ndikimin e Radovan Karaxhiqit.
Veprimi i parë i Ivaniçit do të jetë vizita në Gjykatën e Hagës (e paralajmëruar për 5 korrik), ku do të bisedojë me nëpunësit e Gjyqit për
modalitetet e bashkëpunimit, për të cilët zëdhënësi i Tribunalit Florens Hartman tha se nuk ekzistojnë. Në delegacionin e RS do të gjendet edhe ministrja e drejtësisë Biljana Mariç dhe këshilltari i kryeministrit për bashkëpunim me Tribunalin Sinisha Gjorgjeviç, prej të cilëve pritet që në Hagë të ofrojnë format konkrete të bashkëpunimit. Ky mund të jetë rasti i fundit i udhëheqësisë së RS problemin e bashkëpunimit me Tribunalin ta lëvizin nga pika e vdekur dhe ta nxjerrin nga kuadrati juridik vendimin për ndalimin e ekstradimit dhe mungesës së tekstit ligjor për bashkëpunim.
Pataten e nxhehtë të Hagës Ivaniçi më nuk ka kujt t'ia hudh. Varianti më i keq i shthurrjes së nyjes gordiane të Hagës mund të krijojë konflikt në relacionin PDP dhe SDS. Në këtë rrjedhë të ngjarjeve mund të vijë deri tek kriza parlamentare dhe konfrontimet në relacionin qeveri-parlament. PDP e Ivaniçit në rast të kësaj ndarjeje mund të kërkojë partner koalicioni socialdemokratët e Dodikut dhe disa parti të vogla parlamentare, me çka SDS politikisht do të alivanosej për vdekje, por nuk do të vdiste.
Pra, dorëzimi i Milosheviqit mund të lëviz gjërat në skenën politike në RS në rast se SDS, nga frika e të ardhmes së funskionerëve të dikurshëm dhe ndikimit të tyre edhe mëtej do të pengojë bashkëpunimin me Tribunalin. Qëndrimi i SDS do të dihet gjatë ditëve të ardhshme kur do të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit. Nëse bashkëpunimi me Tribunalin nuk gjendet në rend dite ose nëse shqyrtohet vetëm në nivelin deklarativ, atëherë kjo do të jetë shenjë e hyrjes së RS në një krizë të thellë politike.
BRANKO PERIÇ