Dëshmitë e viktimave!
Prishtinë, 02.07.2001.
Shaqir Gashi, nga fshati Vojnikë i komunës së Skënderajt, në Kosovën qendrore, dëshmitar i gjallë i mizorive në fshatin Izbicë të këtij rajoni, nuk përmbahet derisa rrëfen për vrasjen e 146 personave në njërën nga maskarat më të rënda në Kosovë, të kryer nga forcat serbe në muajin mars të vitit 1999. Afër varrezave pa trupa në fshatin Izbicë, ai rrëfen për tmerrin e 28 marsit, kur fati e kishte shpëtuar nga plumbat e mitralozëve që kishin vrarë nga afërsia meshkujt e ndarë nga një turmë e madhe e të zhvendosurvë që ishin tubuar në qendër të fshatit. Ai po shikonte emrat e të vrarëve në një tabelë në fillim të varrezave, derisa në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë po hynte në fazën e "adaptimit" Sllobodan Millosheviq. Dërgimi i Sllobodan Millosheviqit në këtë Gjykatë, thotë Shaqiri, do të mund të ishte një lehtësim i vogël për të dhe familjarët e të vrarëve. Ai vazhdon të ketë makthe të rënda tash e dy vjet pas masakrës. Lotët i përvijohen nëpër rrudhat e thella të fytyrës, derisa shpreh dhembjen e pakufishme për shokët e vrarë, dhe në fund fajëson veten pse "nuk ka vdekur bashkë me ta."
Në fillim të prillit të vitit 1999, avionët e NATO-s kishin fotografuar qindra varre të freskëta në fshatin Izbicë të komunës së Skënderajt, në Kosovën Qendore. Zbulimi i masakrës së Izbicës ishte ndër momentet kryesore që nxiti Gjykatën Ndërkombëtare të ngrisë akuzën kundër Sllobodan Millosheviqit. Forcat serbe, për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre, kanë zhvarrosur kufomat e të vrarëve, të cilat janë dërguar në drejtim të panjohur. Fshatarët besojnë se ata mund të jenë në ndonjë varrezë tjetër masive, apo edhe se mund të jenë djegur në shkritoret e kombinatit Trepça në Mitrovicë. Avdi Osmani, i cili ka humbur një pjesë të familjes, pohon se forcat serbe janë përpjekur të fshijnë faktin se nuk i kanë zgjedhur asnjëherë viktimat e tyre. Duke treguar tabelën me emrat e të vrarëve ai thotë se "viktimat ishin prej foshnjës 6 muajshe e deri te plaku 95 vjeçar". Fshatarët e kanë ëndërruar ditën e dërgimit të Millosheviqit në Hagë, por ata nuk kanë dëshiruar rrethana të tilla të dorëzimit të tij. Adem Osmani, i cili ka humbur pesë anëtarë të familjes, thotë se "kjo nuk është fitore për drejtësinë, kjo është fitore e Beogradit, prandaj kjo nuk mund të jetë shpagim për tragjedinë e Izbicës e as të tërë Kosovës".
Izbica është vetëm njëra nga rreth 500 varrezat masive që lanë pas vetes forcat e Millosheviqit pas tërheqjes nga Kosova në fund të fushatës së bombardimeve të NATO-s. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, si dhe veprimtarë të tjerë humanitarë, besojnë se forcat serbe të udhëhequra nga Sllobodan Millosheviqi, kanë vrarë e masakruar mbi 11 mijë shqiptarë, gjatë fushatës hakmarrëse kundër popullatës civile në pranverën e vitit 1999. Rreth një milion veta janë deportuar jashtë kufijve të Kosovës, ndërsa mijëra të burgosur janë transferuar në burgjet serbe. Sllobodan Millosheviqi është përgjegjësi kryesor, por jo i vetmi, për vuajtjet e tmerrshme që u ka shkaktuar popujve joserbë në Kosovë, por edhe në tërë hapësirat e ish Jugosllavisë.
Agjencitë e lajmeve kanë theksuar se kur i është komunikuar njoftimi se do të transferohet në Hagë, ai u ka përkujtuar gardianëve se "ky është Vidovdani". Fillimi dhe fundi i tij. 12 vjet më parë, Sllobodan Millosheviqi kishte paralajmëruar në një tubim në Gazimestan afër Prishtinës fillimin e serisë së luftërave të tij të përgjakshme në hapësirat e Jugosllavisë. Mbi një milion serbë, siç pohohej në atë kohë, ishin mbledhur atëbotë për ta pritur "vozhdin", i cili pasi kishte rrënuar autonominë e Kosovës dhe kishte shtypur me gjak demonstratat shqiptare, po udhëhiqte kremtimin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës. Kjo betejë e popujve balkanikë (siç pohojnë historianë shqiptarë dhe të tjerë) me perandorinë osmane, e cila shënoi edhe disfatën e tyre të thellë dhe fillimin e sundimit 500 vjeçar të otomanëve në Ballkan, ishte "përvetësuar" nga serbët që e nxirrnin si "letër të fortë" sa herë që u nevojitej për të dëshmuar "të drejtën historike mbi Kosovën". Histeria që zuri fill me Kosovën, përfundoi me të. Në të njëjtën ditë, më 28 qershor, Sllobodan Millosheviqi duket se e mbylli kapitullin e përgjakshëm e luftërave të tij që synonin "bashkimin e serbëve në një shtet". Pas vetes la rreth 250 mijë të vrarë dhe miliona të shpërngulur.
Fshatarët e Izbicës thonë se duan të shohin në Hagë edhe bashkëpunëtorët e Sllobodan Millosheviqit, me shpresë se kjo do të parandalojë përsëritjen e tragjedive të tilla, kudo në Ballkan. Ndonëse të pakënaqur, edhe liderët politikë shqiptarë në Kosovë reaguan duke e "përshëndetur dërgimin e tij në Hagë", por kjo sipas tyre ishte punë e vonuar... Njëri pas tjetrit ata thanë se Beogradi "po bën tregti me kriminelët e luftës, meqë Sllobodan Millosheviqi nuk është dorëzuar për hir të drejtësisë, por për shkak të miliona dollarëve që duhet të marrin autoritetet në Beograd si shpërblim". Në këtë kuadër ata i shohin edhe "zbulimet" e varrezave masive në Serbi, për të cilat janë të bindur se kanë qenë të zbuluara edhe më heret, por është pritur çasti i volitshëm që do t'u konvenonte autoriteteve. Familjarët e të vrarëve në Kosovë pohojnë se të afërmit e tyre janë viktima të dyfishta. Ato sërish janë vënë në "lojën e qërimit të hesapeve ndërmjet liderëve serbë". Të vjetrit i lanë pa varre të denja për të zhdukur gjurmët e krimeve, të dytët po i zhvarrosin për të shpëtuar nga izolimi ndërkombëtar, pohohet këtu.
Prania ndërkombëtare në Kosovë, ndërkaq, u shpreh e kënaqur me dorëzimin e Millosheviqit në Hagë, të cilin e vlerësuan si një hap shumë të rëndësishëm që do të ndikojë edhe në Kosovë e rajon, për të filluar një proces të pajtimit në mes bashkësive etnike. Administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Hans Haekkerup, tha se "për më tepër se një dekadë, veprat e tmerrshme të Millosheviqit dhe të bashkëpunëtorëve të tij kanë shkaktuar vuajtje të panumërta në këtë rajon." Sipas tij, një nga pengesat më të mëdha për pajtimin "aq të duhur këtu" ka qenë fakti se ata që mbanin pozicionet e përgjegjësisë derisa tragjedia po ndodhte nuk janë përgjigjur për atë çfarë ka ndodhur. "Populli i Kosovës, së bashku me të tjerët në Ballkan, kanë nevojë të shohin se drejtësia po vepron, me qëllim që të fillojë pajtimi me njëri-tjetrin", ka pohuar Haekkerup.
Por, shqiptarët duken të rezervuar ndaj kësaj "shprese" të njeriut të parë të administratës ndërkombëtare. Ndikimi i Millosheviqit te serbët e Kosovës duket ende shumë i fuqishëm, ndërsa dërgimi i tij në Hagë nga pjesa më e madhe e tyre u cilësua si "tradhti kombëtare.".
AIM Prishtinë, Besnik BALA