Millosheviqi në Hagë - implikimet e mundshme lidhur me Kosovën!

Pristina Jul 3, 2001

Prishtinë, 01.07.2001.

Për dërgimin e Millosheviqit në Hagë përfaqësuesit e shqiptarëve reaguan me vonesë dhe, ashtu siç mund të pritej, si instrument i çakorduar. Komunikatat, deklaratat e partive dhe të politikanëve ishin të vonuara, rutinore, pa ndonjë tezë të menduar mirë për ndikimin e aktit të dorëzimit mbi fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës. Për dallim nga partitë dhe politikanët, mediat radiotelevizive reaguan menjëherë, qysh atë natë. I ndryshuan programet e zakonshme dhe filluan ta bombardojnë opinionin me emisione dokumentare që shikuesit dhe dëgjuesit i kishin parë kush e di për të satën herë. Radiot i hapën mikrofonët për mendimet e dëgjuesve. Edhe të parët edhe të dytët mezi pritën ta thyejnë monotoninë e shabloneve të përditshme, por nuk u pa dhe nuk u tha diçka e re ose, së paku, interesante për çastin. Në gjithë këtë zhurmë të madhe vështirë ishte të dallohet ndonjë mendim që do të vlente të veçohet, çka nuk do të thotë se mendime të tilla nuk pati.

Nga të gjitha qëndrimet e shfaqura më heret dhe tash mund të konkludohet se qëndrimet shqiptare, edhe pse të çakorduara, dolën madje mjaft të uniformuara. Millosheviqin e kërkoi Gjykata e Hagës pikërisht për shkak të krimeve në Kosovë. Por, të gjithë këtu vlerësuan se ai u dërgua atje pas kushtëzimeve dhe presioneve të fuqishme të Perëndimit, ku interesin e vet e gjeti edhe shoqëria e tashme serbe. Bëhet fjalë për shuma të mëdha të parave pa të cilat nuk mund të ngritet ekonomia e rrënuar serbe. Në mendime të shkëputura përvijohet edhe vlerësimi se dërgimi i Millosheviqit në Hagë do ta fitojë kuptimin e vërtetë kur të hapet një faqe e re në marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe popujve të Ballkanit, njëherësh edhe në raportet e brendshme të tyre. Në këtë pikëpamje, këtu shfaqen dyshime të mëdha që nga përmbysja e Millosheviqit nga pushteti në vitin e kaluar. Shpjegimet tejet pragmatike të kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, dhe mospajtimet brendaserbe për aktin e dorëzimit të Millosheviqit i vërtetojnë dyshimet shqiptare se shoqëria dhe shteti serb nuk janë ende të gatshëm për ndryshime që do t'i sillnin në dyshim objektivat e politikës së Millosheviqit dhe të ballafaqohen me zbatimin praktik të kësaj politike, që u shkaktoi aq shumë të zeza popujve të ish-Jugosllavisë.

Këtu me arsye konsiderohet se provë e parë dhe më e rëdësishme për ndryshime eventuale në Beograd janë shqiptarët dhe Kosova. Në këtë pikëpamje nuk është vërejtur as ndryshimi më i vogël. Prandaj, nga kthesat e fatit të Millosheviqit, në qarqet shqiptare, së paku në një të ardhme të afërt, nga Beogradi nuk pritet diçka pozitive që do t'i ndihmonte proceset e qetësimit dhe të konsolidimit në Kosovë. Përkundrazi. Që nga arrestimi i Millosheviqit në prill të këtij viti, një lagje e tërë e analistëve dhe e intelektualëve konsiderojnë se tash, me përkrahje edhe më të madhe ndërkombëtare, Serbia do të jetë më këmbëngulëse në kërkesat për integrimin e Kosovës në kuadër të saj. Shqiptarëve tash kjo u duket e pamundshme. Por, kush e di se si mund të zhvillohen proceset në një periudhë relativisht të gjatë të sundimit të administratës ndërkombëtare (UNMIK).

UNMIK-u dhe diplomacia botërore nuk fshehin se do të kishin dashur ta shohin Kosovën demokratike në Serbinë demokratike ose, siç thonë në mënyrë të zbukuruar, në kuadër të Jugosllavisë demokratike. Prandaj, shumë masa të UNMIK-ut në kuadër të veprimit të vet, sidomos në fushë të ekonomisë, çojnë ujë në mulli të ruajtjes së lidhjeve të Kosovës me Serbinë dhe të kthimit të ndikimit të saj. Në fushë të politikës, shembulli më ilustrativ është ndarja faktike e Mitrovicës, ku UNMIK-u tash dy vjet e toleron vazhdimin e sistemit juridik serb me polici të posaçme, pa marrë parasysh uniformën dhe emërtimin, të cilët e vazhdojnë zbatimin e politikës së Millosheviqit. Njësoj është edhe në enklavat tjera serbe. Në qarqet shqiptare shfaqen dyshime të mëdha se në to kanë gjetur strehim edhe shumë kriminelë të luftës. Në anën tjetër, faktori shqiptar nuk ka treguar aftësi organizative, vepruese, kreative dhe të tjera se di të kërkojë dhe të hapë rrugë për jetësimin praktik dhe hap pas hapi të projektit të pavarësimit të Kosovës nga Beogradi. Pa marrë parasysh se çka mendojnë shqiptarët, derisa përfaqësuesit e tyre nuk tregojnë pjekuri për ta udhëhequr shoqërinë kosovare në pajtim me parimet demokratike dhe të miqësisë me fqinjët, projekti i pavarësisë është dhe mbetet i pasigurt.

Këto probleme në një masë të madhe lidhen edhe me dërgimin e Millosheviqit në Hagë dhe sidomos me gjykimin e tij. Për këto çështje në reagimet e para shqiptare u paraqitën dy mendime karateristike. Njërin, do të mund të thuhej diçka më optimist, e shtroi Adem Demaçi, kurse tjetri, diçka më pesimist, u paraqit në komentin e redaksisë së të përditshmes "Koha Ditore". Demaçi shtron dy teza. Pasi pajtohet me vlerësimet se Millosheviqi u dërgua në Hagë për shkak të parave që i duhen kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, për të mbetur në pushtet dhe ekonomisë së rrënuar sërbe, Demaçi thotë se gjykimi i Millosheviqit do të ketë pasoja të mëdha, pozitive për Kosovën. Sipas tij, .Haga do të dëshmojë se Serbia e ka humbur çdo të drejtë, madje edhe morale mbi Kosovën. Pikërisht proceset që do të zhvillohen kundër kriminelëve të luftës me Millosheviqin në krye do të dëshmojnë se synimet e shqiptarëve për pavarësi nga Serbia janë reale dhe fundamentale për stabilitetin e Ballkanit dhe të Evropës." Teza e dytë e Demaçit është se me ". dorëzimin e Millosheviqit do të zbardhen synimet dhe veprimet hegjemoniste, fashiste dhe kolonialiste të shtetit serb në Ballkan. Kjo çjerrje e maskës do të jetë një shans për përmirësimin e disa gabimeve të bashkësisë ndërkombëtare që po bën ndaj Kosovës, pasi vetëm pavarësimi i saj është zgjidhje që siguron paqe në Ballkan."

Në komentin e redaksisë së gazetës "Koha Ditore" përvijohet një frymë që sugjeron se nuk duhet të pritet që këto çështje të shtrohen shpejt. Madje, shfaqet qëndrimi se shoqëria serbe do të përpiqet që asnjëherë të mos ballafaqohet me pasojat e politikës së mëparshme, për çka ka pasur konsensus në shoqërinë dhe në politikën serbe. Sipas komentit, mendimi përgjithësisht i pranuar për "shitjen" e Milosheviqit mund të jetë vetëm një pjesë e të vërtetës. Edhe pse paraja mund të ketë qenë shkaku kryesor, megjithatë ".demokracia e re serbe po provon që me dorëzimin e tij ta mbyllë edhe një kapitull të errët të historisë të kombit serb. Prandaj, nuk duhet kush të habitet kur, së shpejti, serbët të fillojnë të heshtin (sërish) për trupat e masakruara të fëmijëve dhe të nënave shqiptare që gjenden nëpër Serbi dhe procesin e gjykimit në Hagë ta shikojnë si një film."

Teza tjetër e komentit është se pa marrë parasysh se çka do të bëjnë serbët lidhur me krimet që janë bërë në emër të tyre, shqiptarët, së paku, nuk duhet asnjëherë të harrojnë se çka kanë pësuar dhe nga kush. "Nuk është detyrë jona, e ish viktimave, t'u tregojmë fqinjëve serbë se çka duhet të bëjnë. Por, është detyrë jona të mos e harrojmë datën 28 qershor (kur u dorëzua Millosheviqi në Hagë) dhe, po ashtu të mos harrojmë se kjo është e vërteta. Pasi nuk na takon të flasim se çfarë duhet të mësojnë fqinjët serbë, atëherë, së paku, fëmijët tanë duhet t'i mësojmë që kurdoherë ta dinë se kë e kanë fqi."

Fare në fund, edhe për disa fakte që po ashtu duhet të kihen parasysh me rastin e dërgimit dhe gjykimit të Millosheviqit në Hagë. Në qoftë se nuk pason edhe ndjekja dhe gjykimi i të tjerëve dhe i kriminelëve konkretë, këtu vlerësohet se gjykimi i tij do të jetë vetëm një hap i vogël për zbatimin e ligjit dhe të drejtësisë. Vlerësohet se në Kosovë mund të jenë vrarë deri në 11 mijë njerëz dhe të jenë rrënuar nga themeli ose dëmtuar deri në 250 mijë shtëpi. Individualizimi i krimit nuk mund të bëhet pa i nxjerrë para drejtësisë ata qindra dhe mijëra millosheviqë që me duart e veta i kanë bërë këto krime. Pa këtë as formalisht nuk mund të vendoset drejtësia. Ndjekja e kriminelëve konkretë, sidomos fqinjëve të dikurshëm të shqiptarëve, qysh nga përfundimi i luftës është burim i tensioneve të përditshme dhe i bën të kota përpjekjet për vendosjen e fijeve të komunikimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Nuk do të ishte as e moralshme të pritet se gjykimet spektakolare do t'i rrafshojnë krimet dhe do t'i qetësojnë shpirtrat e të vdekurve dhe të gjallëve në Kosovë.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI