Bllaca po "ringjallet" përsëri!

Pristina Jun 30, 2001

Prishtinë, 29.06.2001.

Abdylislam Bexheti, plak rreth 70 vjeç, po hiqte zvarrë një valixhe të madhe, ndërsa pas saj po zvarrisnin këmbët pesë nipat e tij, e shoqja dhe e reja, derisa po hynin në dyert e kampit tranzitor të Komesariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara në afërsi të Kaçanikut, një qytezë në Kosovën jugore jo fort larg kufirit me Maqedoninë. Në orët e hershme të mëngjesit, ai ishte nisur për në Kosovë duke lënë shtëpinë e mbyllur ne Shkup, ku për të më nuk kishte siguri. Derisa aktivistët e Kryqit të Kuq të Kosovës i marrin shënimet personale për ta futur në listat e gjata të të shpërngulurve, plaku kërkon pak ujë, meqë ka ende shumë rrugë për të bërë. Caku i fundit i tij është një familje shiqptare diku në një fshat të Kosovës lindore, e cila dy vjet më parë ishte strehuar në shtëpinë e tij në Shkup, ndërsa tash radha ishte për të kthyer "borxhin", një borxh që as njëra e as tjera familje nuk do të kishin dëshiruar ta përmbushnin ansjëherë.

Qindra të zhvendosur të tjerë zbresin nga autobusët e Organzitës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), e cila merret me trasnportimin e tyre nga kufiri për në kampin tranzitor që ka kapacitet për të pritur 4 mijë perona. Pjesa më e madhe pohojnë se janë nga kryeqyteti i Maqedonisë, ndërsa vendimi i tyre për t'u larguar ishte vulosur me trazirat e dhunshme që kishin përfshirë kryeqytetin. Mëngjesi i natës më të turbullt të Shkupit kishte zbardhur bashkë me kërcënimet e organizatës që veten e quan "Paramilitarët e Maqedonisë 2000", të cilët u kanosen qytetarëve shqiptarë me likuidim fizik. Frika kishte shtrënguar shumë syresh të mësyjnë rrugën për në Kosovë. Të gjithë duken të lodhur e të rraskapitur, ndërsa gjatë rrugës nuk kanë munguar as keqtrajtimet fizike e plaçkitjet nga forcat maqedone të sigurimit, të cilët, thonë ta, në shumë raste kanë ndarë meshkujt e moshës ushtarake dhe personat që nuk kanë dokumente të identifikimit. Pamjet e tyre në vendkalimet kufitare janë po aq të ngjashme me ato që kosovarët i kanë përjetuar dy vjet më parë, vetëm tani në anë të kundërt. Bllaca sërish është aktivizuar, veçse për dallim nga dy vjet më parë, në pjesën kosovare të kufirit nuk është askush që do të pengonte hyrjen e të ikurve në Kosovë, apo që do të kërkonte "subvencione" për pritjen e tyre.

Që nga fillimi i konfliktit të armatosur në Maqedoni në muajin shkurt të këtij viti mbi 72 mijë qytetarë shqiptarë kanë hyrë në Kosovë duke kërkuar strehim, ndërsa vetëm gjatë muajit qershor kanë arritur mbi 50 mijë persona. Të zhvendosurit vazhdojnë të arrijnë nëpër vendkalimet zyrtare, por edhe ilegalisht, duke e shtuar numrin dhe shqetësimin e organizatave humanitare lokale e ndërkombëtare. Në shumë vende ka mungesë ndihmash, të cilat në shumë raste ose janë të pakta ose të vonuara. Për të strehuarit në fshatrat e Prizrenit, me tri javë vonesë, ka filluar shpërndarja e racionit të tretë ushqimor njëmujor, të cilin e bën Programi Botëror i Ushqimit (WFP), por organizatat vendore që bëjnë shpërndarjen e tyre raportojnë për një sasi që nuk i përgjigjet numrit të të strehuarve. Në Shoqatën Bëmirëse Humanitare "Nëna Tereze" në këtë qytet pohojnë se "sasia e ushqimit që ka arritur mjafton vetëm për 1,850 persona, ndërsa pa ushqim do të mbeten rreth 500 persona". Kjo ka ndodhur për shkak se kërkesat janë bërë para një muaji, ndërsa prej atëherë numri i refugjatëve të ardhur duke u rritur. Por, gjendja është më e rëndë në rripin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Rëfugjatët përpiqen që të vendosen në vendbanimet që janë më afër Maqedonisë, meqë kësisoji ata pohojnë se janë më afër "shtëpive të tyre", nëse krijohen kushtet për kthim sa më të shpejtë atje. Mirëpo, kjo e ka ngarkuar gjendjen sociale, meqë ta zëmë vetëm në qytetin e Kaçanikut janë vendosur mbi 13 mijë të zhvendosur. Në fshatin Glloboçicë, ku edhe ndodhet njëri nga dy vendkalimet kufitare me Maqedoninë, janë vendosur mbi 6 mijë refugjatë, ndërsa numri i përgjithshëm i banorëve është afro 4 mijë. Në Kryqin e Kuq të Kosovës pohojnë se një pjesë e madhe e vetë banorëve të këtyre zonave është nën asistencë sociale.

Megjithatë, organizatat humanitare po përgatiten për skenare edhe më të rënda. Komesariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara pohon se janë duke u bërë përgatitjet për pritjen e një vale të re të mundshme të rreth 100 mijë shqiptarëve nga Maqedonia dhe për këtë arsye ata kanë këkruar nga donatorët një shumë prej 17.5 milionë dollarësh për të përballuar gjendjen që mund të krijohet.

Politikanët kosovarë kanë tërhequr vërejtjen se valë të reja refugjatësh mund të priten në Kosovë, meqë siç pohojnë ata "maqedonët janë duke ndjekur politikën e tokës së djegur, një formë e njohur e luftës në Kosovë". Ata kanë akuzuar regjimin e Shkupit se po synon zbatimin e spastrimit etnik dhe në këtë funksion janë parë edhe sulmet e organizuara kundër shtëpive dhe pasurisë së shqiptarëve në qytetin jugor të Manastirit e më pastaj edhe turbullirat e dhunshme në kryeqytetin e Maqedonisë, të cilat sipas tyre janë organizuar drejtpërsëdrejti nga strukturat e pushtetit. Në këtë kuadër veprimtarët shqiptarë njoftojnë se në fshatrat e Gorës, një rajon në trekëndëshin ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, dita-ditës po kthehen edhe zejtarët goranë që kanë punuar një kohë të gjatë nëpër qytete të ndryshme në Maqedoni, por që për shkak të djegies së dyqaneve të tyre nga civilët e armatosur maqedonas, ata po ikin nga Manastiri, Prilepi, Shkupi, Strumica. Aktivistët e Kryqit të Kuq pohojnë se deri më tash janë evidencuar 38 familje gorane me gjithsej 200 persona. Një pjesë e tyre thuhet se kthehen edhe për t'i ikur mobilizimit në radhët e forcave maqedone.

Sido që të jetë, hija e Bllacës po peshon mbi supet e organizatave humanitare e më së shumti të vetë shqiptarëve të Kosovës, të cilët as dy vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk mund të çlirohen nga imazhet e katastrofës humanitare.

AIM Prishtinë, Besnik BALA