Ekonomia e përkohshme dhe rezoni politiko-diplomatik

Pristina Jun 30, 2001

Prishtinë, 29.06.2001.

Shërbimi doganor i Kosovës i mbledh mbi 90 për qind të mjeteve të pjesës kosovare të buxhetit të konsoliduar të Kosovës. Përveç doganës dhe akcizës, në kufi mblidhet edhe tatimi në qarkullim prej 15 për qind të vlerës së mallit. Vetëm rreth 7 për qind e kësaj pjese të buxhetit e mbledh Shërbimi Tatimor i Kosovës në qarkullimin e brendshëm. Në vendet më të zhvilluara raporti i burimeve të mjeteve të buxhetit të shtetit është i kundërt. Në ato vende dogana është shumë selektive. Ose mbrohen prodhimet e vendit me doganë dhe taksa të tjera, ose prodhimi stimulohet duke i liruar elementet e tij nga dogana dhe taksat tjera importuese.

Ka një kohë të gjatë që biznesmenët dhe ekspertët kosovarë kërkojnë që edhe për ekonominë kosovare të zbatohen dogana dhe taksa selektive. Insistohet që lëndët e para dhe pajimet e importuara për prodhim t'u nënshtrohen ngarkimeve sa më të ulëta ose të lirohen fare nga taksat importuese, siç veprohet në viset më të zhvilluara. Ndërkombëtarët e këtushëm që vendosin për këto çështje, parimisht e pranojnë arsyeshmërinë e kërkesave të tilla. Por, thonë se Kosova është në gjendje jonormale ekonomike. Sado qofshin bindëse dhe të logjikshme, këto kërkesa nuk mund të realizohen për arsye se duhet të sigurohen mjete për buxhetin e Kosovës, nga i cili varet funksionimi i disa segmenteve jetike të shoqërisë kosovare: shëndetësia, arsimi, shërbimet tjera publike, duke përfshirë edhe institucionet demokratike që janë në zhvillim e sipër.

Edhe pse të pakënaqur, biznesmenët dhe ekspertët kosovarë kanë mirëkuptim për këto qëndrime të administratës ndërkombëtare (UNMIK). Por, njëherësh ata nxjerrin në shesh moskonsekuenca të thella në zbatimin praktik të rregulloreve (ligjeve) të UNMIK-ut, që e dëmtojnë rëndë edhe buxhetin edhe ekonominë e Kosovës. Dëshmojnë me të dhëna se, nga njëra anë, nuk lirohen nga dogana dhe nga tatimet mallrat për investime në Kosovë, kurse Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë eksportues më të mëdhenj të mallrave për Kosovë dhe gëzojnë privilegje absurde, që nga pikëpamja ekonomike nuk mund të arsyetohen me asgjë. Aq më keq, privilegjet e tyre kanë hapur mundësi të gjera për keqpërdorime të mëdha fiskale dhe për kontrabandë.

Në pikat e kontrollit me Serbinë dhe me Malin e Zi, që për shkak të demonstratave të serbëve lokalë më shpesh nuk funksionojnë, mbledhet vetëm tatimi. Madje, shërbimet në ato pika quhen shërbime për mbledhjen e tatimeve. Kjo do të thotë se në ato pika nuk mbledhen dogana dhe akciza për mallrat që hyjnë nga ato dy vende, madje as për mallrat që janë prodhuar në vende të treta. Ka elemente për të konkluduar se doganën dhe akcizën e mbledhin kontrabandistët serbë, që kanë kontroll të plotë mbi lëvizjen e mallrave në pjesën veriore të Kosovës. Kështu, Kosova bëhet thjeshtë një treg për plasimin e mallrave të huaja.

Kjo është e mundshme pasi ka një administratë që është në hamendje të vazhdueshme, jo vetëm në ekonomi, por edhe në fushat tjera. Prandaj, nuk duhet të habisë fakti se Kosova nuk ka politikë ekonomike, as globale e as të operacionalizuar dhe diçka që quhet strategji zhvillimore. Zbraztësitë në këto fusha lidhen drejtpërdrejt me dilemat për statusin përfundimtar të Kosovës. Kështu, qartësohet se pse në fushë të ekonomisë veprohet me masa gjysmake dhe sot për nesër. Ata që vendosin për këto çështje mendojnë se kështu do të mund të ishin të kënaqur ose të pakënaqur edhe Beogradi me aleatët e tij edhe kosovarët. Gjoja se u bëhen koncesione të dy palëve dhe arrihet një lloj kompromisi. Por, kur është fjala për ekonominë, kosovarët nuk mund ta pranojnë logjikën e tillë dhe as të jenë të kënaqur, pasi kjo logjikë në rastin më mirë shkakton vendnumërim, kurse realisht duhet të shpiejnë kah fundosja e ekonomisë. Në fund, çdo gjë do të përplaset mbi kurrizin e kosovarëve. Beogradi është në pozitë tjetër, do të ishte i kënaqur të nxjerrë çkado qoftë nga Kosova, madje me një fundosje ekonomike mund të llogarisë se do të nxjerrë shumë më tepër.

Një lagje e ekspertëve, sidomos ata të Institutit Riinvest të Prishtinës, që nga viti i kaluar tërheqin vërejtjen për pasojat negative të një qasjeje të tillë ndaj ekonomisë që, pa marrë parasysh dëshirat, ka për pasojë ruajtjen e privilegjeve kolonialiste të Beogradit. Përveç moskonsekuencave të mëdha në politikën fiskale dhe shtimin e madh të kontrabandës dhe të keqpërdorimeve të ndryshme në tregti, këta marrin shembull negativ edhe qëndrimin e UNMIK-ut ndaj privatizimit. Siç dihet, UNMIK-u ka refuzuar privatizimin e ish objekteve në pronësi shoqërore dhe në vend të saj, pa asnjë alternativë zbaton politikën e dhënies me qira. Ata që vendosën kështu në pranverën e vitit të kaluar dhe edhe tash e refuzojnë çdo nismë për privatizim, thonë se jo privatizimi, por dhënia me qira është rruga më e mirë për aktivizimin e atyre objekteve në rrethana kur nuk janët të qartë statusi i ish pronës shoqërore dhe statusi i Kosovës. U referohen ligjeve të Beogradit që me dhunë shtetëzoi dhe serbizoi çdo gjë, përveç ajrit, dyqaneve, shtëpive që i rrënoi dhe tokës private. Edhe pse këta që vendosin thoshin se dhënia me qira është një metodë e përdorur edhe në vendet tjera në tranzicion, ishte e qartë se fjala është për arsyetime para opinionit të painformuar, madje edhe para atyre-politikanëve, partive dhe gjoja ekspertëve vendorë që patjetër duhej të ishin të informuar dhe t'i dinin këto gjëra, por që, për fat të keq, nuk i kuptojnë as sot. Ekspertë kosovarë që i njohin mirë këto gjëra thonë se dhënia me qira është përdorur edhe në vendet tjera në tranzicion, por vetëm si masë plotësuese dhe në kombinim me shumë masa të tjera të privatizimit. Njëherësh, shtojnë se në asnjë vend ajo nuk është dëshmuar si ndonjë mënyrë e suksesshme e privatizimit. Në Kosovë dhënia me qira zbatohet prej mesit të vitit të kaluar. Nga rreth 300 objekte në ish pronësi shoqërore, me qira janë dhënë gjithsej nja 10, ndoshta deri 15, dhe nuk mund të thuhet ende se dhënia me qira ka ndryshuar diçka në gjendjen e atyre objekteve ose ka sjellë në Kosovë kapital të freskët që vlen të përmendet. Me muaj gazetat e këtushme mbushin faqe me tenderë për dhënie me qira, kurse interesimi është gjithnjë e më i vogël. Kohëve të fundit është shtuar interesimi i disa firmave private kosovare që garanci për posedim të kapitalit paraqesin pronësi mbi sipërfaqe të mëdha të tokës. Por, Kosovës i duhet kapital i freskët. Sikur toka të konsiderohej diçka e tillë, atëherë së pari duhet të vërtetohet pronari i vërtetë, e në munges të dokumenteve elementare kadastrale, në Kosovë diçka e tillë është e pamundshme.

Drejtori ndërkombëtar për komercializim, siç quhet në mënyrë zbukuruese dhënia me qira, në Departamentin e Industrisë dhe të Tregtisë, Vojtek Mloxhiejevski deklaroi kohë më parë se dhënia me qira u zgjodh si rrugë e dytë e aktivizimit të ish kapaciteteve në pronësi shoqërore, pasi e lë të hapur çështjen e pronësisë dhe pse, tash, për shumë arsye, privatizimi nuk mund të zbatohet. Pastaj, ai shton, si njëfarë arsyetimi, se ne nuk mund të presim derisa do të krijohen kushte për miratimin dhe për zbatimin e privatizimit, pasi nuk dihet se sa do të zgjasë gjendja e përkohshme. Nuk mund të jepet një vlerësim më i qartë që sugjeron se në këtë dhe në çështjet tjera ekonomike që kushtëzohen nga rezone politike dhe diplomatike, gjatë gjithë periudhës së përkohshme do të veprohet me masa gjysmake dhe prej rastit në rast. Në qoftë se ky nuk është ndonjë kërcënim, atëherë qysh tash mund të thuhet se në vjetët e ardhshëm të gjendjes së përkohshme, ekonominë e Kosovës e presin sfida shumë më të rënda se në dy vjetët e deritashëm të administratës ndërkombëtare. Derisa mund të merret me mend jeta me kompromise në rrafshin politik, në ekonomi kjo nuk është e mundur. Do të dukej edhe si politikë që ka qëllim sigurimin e përkohshëm të ekzistencës fizike të njerëzve.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI