Ivan Kostov jep dorëheqje nga posti i kryetarit të LFD-së
Humbja në zgjedhjet parlamentare e tronditi mjaft partinë në pushtet, për herë të parë pas katër vitesh e këtej.
AIM Sofje, 25.06.2001.
Humbja e Lidhjes së Forcave Demokratike (LFD) në zgjedhjet parlamentare në Bullgari nuk kaloi pa tronditje. Kritikat e dendësuara një kohë të gjatë në adresë të qeverisjes së Ivan Kostovit erdhën në shprehje gjatë shpalljes së rezultateve zgjedhore - LFD fitoi diç më shumë se 18 përqind të votave. Opozita brenda partisë nuk dëshironte të kuptonte, por kërkoi përgjegjësi për organizimin e saj.
Këtë e pagoi lideri Ivan Kostov. I pari kryeministër që deri në fund e plotësoi mandatin e vet, pas ndryshimeve dempkratike të 1989, ishte i detyruar të jepte dorëheqje nga posti i liderit partiak. Kështu janë rregullat e lojës - kur humbish ik. Por ndërrimi nuk ishte i lehtë. Pavarësisht nga thirrjet që kreu partiak të hapte dyert për persona dhe ide të reja, Kostov mbeti person me ndikim, sepse u zëvendësua nga dora e tij e djathtë - drejtuesja e deritanishme e grupit parlamentar të LFD-së Ekaterina Mihajlova. Ndërrim i liderit, por jo edhe i politikës - ky është përfundimi i bazuar në ndryshimet postzgjedhore. Kostovi edhe mëtej mbetet njeri i fuqishëm, por vetëm në hije.
Humbja zgjedhore ishte katalizator i asaj që kishte munguar gjatë brenda partisë - zëri i opozitës së brendshme në LFD. Gjatë viteve të fundit, partia e cila ishte simbol i ndryshimeve demokratike në Bullgari, u bë kult i një discipline të brendshme dhe ankth për ata që mendonin ndryshe. Sekretari kryesor i deridjeshëm i LFD-së Hristo Biserov dhe anëtari i Këshillit Kombëtar Ekzekutiv (KKE) Jordan Conev e hetoi fuqinë e cenzurës politike. Të dy ishin dëbuar sepse kishin tentuar të shprehnin mendim të kundërt me Ivan Kostovin për politikës e LFD-së.
Tani, kur anëtarët e LFD-së përjetuan humbjen më të madhe prej se kishin marrë pjesë në skenën politike, u krijua mundësia reale për tu dëgjuar mendimi tjetër. Qarqet rreth prefektit të Sofjes Stefan Sofijanskit dhe kryetarit të shtetit Petar Stojanovit u ngjallën të parët me kërkesën për dorëheqjen e liderit të kaltërt. Të dy u bazuan në rejtingun e tyre dhe angazhimin për fatin e LFD-së.
"Nëse ju kujtohet viti 1994, që ditën e parë pas zgjedhjeve, e gjithë udhëheqësia e atëhershme - Filip Dimitrov, Evgeni Mihajlov, Asen Agov dhe unë u tërhoqëm", tha i motivuar prefekti i Sofjes. Gati njëkohësisht, por nga një tjetër vend kryetari Stojanov përsëriti tezën e Sofijanskit për ndërrimin e udhëheqësisë së tanishme partiake. "Nëse flasin për dorëheqje sipas principeve, sipas mendimit tim, LFD-ja tash ka një model moral i formuluar më 1994", komentoi kryetari.
Këto deklarata ishin mesazhe direkte për Ivan Kostovin se patjetër duhej të tërhiqej nga pozicioni i liderit partiak. Përkundër sukseseve të Bullgarisë në viteve të fundit që lidheshin me të, qëndrimi negativ i zgjedhësve ishte nxitur pikërisht nga politika e tij, sepse nuk arriti të mposhte korrupsionin dhe klientelizmin në LFD. Që në natën e zgjedhjeve ai pohoi se "do të bënte të domosdoshmen, por në vend të caktuar dhe në kohë të duhur". Megjithatë, pasi e vonoi pak dorëheqjen, simbolet tjerë të kaltër, siç janë Sofijanski dhe Stojanov patjetër duhej t'ia kujtonin.
Fushata u nxit gradualisht nga qendra e LFD-së dhe filloi të kërkohej dorëheqja e udhëheqësisë partiake. Madje edhe Këshilli i Sofjes, i udhëhequr nga kundërshtari fillestar i Kostovit - Evgeni Bakardxhijev - përkrahu ndërrimin e kryetarit.
Kur dorëheqja e Kostovit ishte vetëm çështje kohe, shtrohej pyetja se kush do vinte në vendin e tij. Emri më i përmendur ishte ai i ministres
së punëve të jashtme Nadezhda Mihajlova, një figurë karizmatike dhe e kompromisit brenda LFD-së. Partisë i duhej një fytyrë tjetër, konsideronin shumica e liderëve të kaltër, dhe ajo është simbol i sukseseve.
Konferenca e Këshillit Nacional vendosi ndryshe - në krye të partisë të vendoste Ekaterina Mihajlovën. Ajo njihet si njeri nga rrethi më i ngushtë i Ivan Kostovit, së bashku me ish-kryetarin e parlamentit Jordan Sokolovin. Mihajlova nuk ka aq shumë përkrahje, ajo ende thirret si "eprorja kujdestare" e LFD-së. Nga ana tjetër Nadezhda Mihajlova do të bëhej udhëheqëse e grupit parlamentar të LFD-së, në rast se Lidhja nuk arrin deri tek një marrëveshje për koalicionim me fituesin e zgjedhjeve - Lëvizjen Nacionale të Simeon II dhe sërish të zgjidhej si ministre e punëve të jashtme.
Ivan Kostov luajti në kartën sipas thënies "edhe ujku i ngopur edhe dhentë në vend". Ai iu përgjigj kërkesës së opozitës së brendshme për ndryshime në kreun e LFD-së duke dhënë dorëheqje. Njëkohësisht ruajti privilegjet e pushtetit, të cilat edhe tani i gëzon.
Ky zhvillim i ngjarjeve nuk është aspak i çuditshëm. Ivan Kostovi kontrolloi gjithë kundërthëniet dhe koalicionimet brenda LFD-së. Kierarkia e rreptë dhe disciplina sollën deri te krijimi i aparatit të kaltër partiak që ishte nën kontrollin e liderit. Kostovi eliminoi nga udhëheqësia gjithë kundërshtarët dhe afroi njerëzit e besueshëm. U pa se ishte vështirë ndonjë figurë e popullarizuar e LFD-së të përzihej në betejën për pozitën e liderit. Aparati i kaltër absolutisht nuk pranoi kurfarë përzierje nga jashtë edhe kur ishin në pyetje pjesëtarët "eminent" të LFD-së. Ky ishte
një problem i madh në LFD, i dëshmuar, veçmas gjatë dy viteve të fundit.
Mungesa e politikanëve të ri me ide të freskëta solli deri te multiplicimi masovik i tezave të Kostovit. Kurse këta, siç u dëshmua, nuk ishin mesazhe të drejta për trupin votues. Për votuesin e rëndomtë Stefan Sofijanski dhe Petar Stojanov nga LFD-ja ishin politikanë tipik popullo.
Ky është një fakt që edhe mëtej do të jetë ngarkesë e veçantë e partisë dhe udhëheqësisë së re.
Megjithatë, a dëshirojnë Stojanovi dhe Sofijanski që përmes një flirti me lëvizjen mbretërore ta ndryshojnë situatën në skenën politike? Përgjigja do të dihet pas përfundimit të bisedimeve për qeverinë e re.
GEORGI FILIPOV