Kontraverzat rreth pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet kosovare

Pristina Jun 29, 2001

Prishtinë, 28.06.2001.

Mundësia që partitë politike të Serbisë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës e turbulloi jetën e këtushme publike shqiptare. Shefi i OSBE-së në Kosovë, Dan Everts, në fund të javës që shkoi ishte në Beograd ku bisedoi për këtë çështje me qeveritarë të lartë serbë. Në vlerësimet e para ai shfaqi shpresën se serbët ndoshta do të marrin pjesë në zgjedhje. Gazetarëve të atjeshëm ua përsëriti qëndrimin e njohur se bojkotimi eventual për ata është zgjedhja më e keqe politike. Vetëm sa do t' i margjinalizonte edhe më shumë nga rrjedhat kosovare. Zgjedhjet do të mbahen edhe pa pjesëmarrjen e tyre. Vetëm duke marrë pjesë në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës, sipas mendimit të Evertsit, serbët do të mund ta mbanin të hapur agjendën e tyre politike. Siç dihet, agjenda serbe është mbetja e Kosovës ndër Serbi dhe Jugosllavi.

Nuk duket që në Beograd Evertsi të ketë arritur ndonjë marrëveshje. Prandaj, shumë çështje për pjesëmarrjen eventuale të partive politike të Serbisë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, që do të mbahen më 17 nëntor të këtij viti, në Prishtinë nuk duken të qarta. Përfaqësuesit e këtushëm të OSBE-së dhe të UNMIK-ut thonë se fjala është për serbë të Kosovës dhe të partive të tyre, dhe pas insistimeve të drejtpërdrejta për qartësim, ata shpjegojnë se disa parti të serbëve të këtushëm janë degë të partive politike të Serbisë dhe se po të duan të marrin pjesë në zgjedhje, duhet të regjistrohen edhe në Kosovë dhe t'i plotësojnë kushtet, si të gjithë të tjerët. Por, ende mbetet e paqartë nëse ato në Kosovë duhet të regjistrohen për së dyti, ashtu siç janë regjistruar edhe në Beograd, apo degët e tyre duhet të regjistrohen si parti të veçanta të Kosovës. Refren-arsyetimi i zyrtarëve ndërkombëtarë është se nënshkrimet e nevojshme për të marrë pjesë në zgjedhje duhet të jenë të serbëve të Kosovës, kandidatët po ashtu, kuptohet edhe votuesit. Në pyetjen e një gazetari se a do të mund të merrte pjesë në zgjedhjet kosovare dega e ndonjë partie nga Shqipëria, një zyrtar ndërkombëtar deklaroi se fjala është për një shtet tjetër. Sugjerimi është i thjeshtë dhe plotësisht i kuptueshëm: Shqipëria është shtet tjetër, Serbia jo. Kjo logjikë u përdor edhe atëherë kur UNMIK-u dhe KFOR-i e organizuan dhe e siguruan votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet në nivel të federatës serbo-malazeze dhe në nivel të Serbisë.

Për t'i joshur serbët të dalin në zgjedhje, Dan Everts u tha gazetarëve në Beograd se serbët mund të fitojnë 20, madje 25 për qind të përbërjes së përgjithshme të parlamentit të ardhshëm të Kosovës. Njëherësh, i këshilloi që në zgjedhje të dalin sa më të bashkuar në mënyrë që në llogaritjen përfundimtare të rezultateve të votimit të kenë sa më pak vota të humbura. Por, duket sikur përfaqësuesve të serbëve të Kosovës këto llogari nuk u lanë asnjë përshtypje. Duket se as në Beograd nuk janë të interesuar për mbarëvajtjen e proceseve demokratike, që do të krijonin rrethana të favorshme të përgjithshme për shqyrtimin dhe negociimin e raporteve Prishtinë-Beograd dhe të statusit përfundimtar të Kosovës. Përfaqësuesit e serbëve synojnë gjëra dhe garanca të tjera. Duke llogaritur në insistimin ndërkombëtar për të marrë pjesë në zgjedhje, përfaqësuesit e serbëve të këtushëm dhe Beogradi përpiqen t'i hapin rrugë sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Kërkesat për siguri, liri të lëvizjes dhe për kthimin e të larguarve nga Kosova para dy vjetësh, që janë probleme të vërteta të serbëve dhe të Kosovës, dalin si argumente në funksion të qëllimeve të tjera. Asgjë nuk mund të thuhet ende për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Por, një gjë dihet: ata nuk do të votojnë në qoftë se nga Beogradi nuk marrin rekomandim për të votuar. Një përfaqësuese serbe, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se serbët nuk do të dalin në zgjedhje pa u kthyer ata që janë larguar, pa u ndriçuar fati i të zhdukurve dhe pa u përmirësuar siguria. Po u plotësuan këto kushte, ne dalim në zgjedhje, ka thënë ajo. Por, ky nuk duhet të merret si qëndrim tipik i përfaqësuesve të serbëve të Kosovës. Qëndrimet serbe luhaten prej kushtëzimeve të buta e deri te refuzimi pa marrë parasysh plotësimin eventual të kushteve të caktuara.

Partitë dhe liderët shqiptarë nuk kanë dëshmuar se kanë farë përgjigjesh serioze për ta lehtësuar kapërcimin e këtyre problemeve. Reagimet e tyre janë të përgjithësuara në stilin: pjesëmarrja e serbëve është shumë e nevojshme, edhe ata duhet të integrohen në jetën kosovare, nuk duhet të lejojnë të drejtohen dhe të manipulohen nga Beogradi. Nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha, ka qenë diçka më i përcaktuar duke theksuar se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje varet edhe nga ata vetë. Duhet të shkarkohen nga e kaluara dhe t'i pranojnë realitetet e reja të krijuara pas luftës. Sa i përket mundësisë që partitë e Serbisë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme kosovare, reagimet kanë qenë sporadike dhe të papërcaktuara. Në ndonjërën nga partitë e mëdha mund të dëgjojehet se nuk duhet të marrin pjesë, por tërthorazi këtë mundësi e lënë të hapur. Më të vendosura në këtë pikëpamje kanë qenë disa nga partitë e vogla. Ato e kanë kundërshtuar dhe kanë deklaruar se në qoftë se u lejohet partive të Serbisë të marrin pjesë në zgjedhjet kosovare, atëherë zgjedhjet e tilla shqiptarët duhet t'i bojkotojnë.

Por, pjesëmarrja eventuale e partive politike të Serbisë në zgjedhjet kosovare është vënë në dyshime të mëdha nga analistë të ndryshëm. Me këtë rast, nuk kursehet as administrata e këtushme ndërkombëtare (UNMIK). Përgjithësisht, konkludohet se me koncesionet që ua bën serbëve, UNMIK-u edhe në praktikë i vërteton dyshimet e shumta se nuk është neutral dhe konsekuent dhe se vepron duke e konsideruar Kosovën pjesë të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Me veprime të këtilla ai e vë në dyshim qëndrimin e vet se është neutral ndaj statusit përfundimtar të Kosovës, e në anën tjetër lejon rrugë për ta lidhur Kosovën me Serbinë dhe me Jugosllavinë. Me këtë rast theksohet se sovraniteti i Jugosllavisë është i suspenduar. Të gjithë pushtetin e ka ose duhet ta ketë administrata ndërkombëtare, kurse Serbia askund, as tërthorazi nuk përmendet në Rezolutën 1244. Në këto analiza vlerësohet se ky koncesion që do t'u bëhej serbëve do të ketë pasoja largvajtëse dhe qysh tash mund t'i acarojë raportet në Kosovë. Mundësia që në parlamentin e ardhshëm të Kosovës të ulen viktimat dhe xhelatët është paralajmërim se ai parlament nuk do të funksionojë. Vetëm dy vjet e gjysëm pas përfundimit të luftës, kur ende nuk janë hapura të gjitha varrezat masive, vështirë mund të paramendohet bashkëpunimi i shqiptarëve me radikalët e Sheshelit, Arkanistët, socialistët e Millosheviqit, me ata të Koshtunicës që ky u jepte zemër me kallashnikov në gjoks, as me të tjerët që edhe pas lufte mëkëmbin dhe e nxisin vazhdimin e politikës së Millosheviqit. Këtu është shënuar se njësoj, si në kohën e sundimit, ashtu edhe pas përmbysjes së tij, serbët e Kosovës me shumicë të madhe u deklaruan për Millosheviqin dhe për partinë e tij.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI