Kidnapim ose mashtrim?
Në prag të festës së dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë -më 25 qershor1991 praktikisht u hap procesi i shpërbërjes së shtetit të dikurshëm dhe luftërave në RSFJ-së së dikurshme - opinioni vendas u befasua me lajmin e që para pesë muajve se majori i Ushtrisë sllovene Ladislav Troha ishte gjetur i gjallë dhe shëndoshë afër një rruge në rajonin e Vrhnikut.
Lubjanë, 25.06.2001.
Trohën e zhdukur, më 23 qershor, në gjashtë e gjysmë të mëngjesit, në një rrugë malore që shpie përmes Logatçit, e kishin gjetur dy vendas dhe menjëherë kishin lajmëruar policinë. Troha i tha policisë kriminalistike se nga 18 janari i këtij viti në paralagjen e Lubjanës (Podutik) e kishin kidnapuar tre burra të uniformuar (më vonë tha gjashtë).
Sipas dëshmisë së Trohës ata e kishin futur në veturë, rreth një-dy orë e kishin vozitur në një drejtim të panjohur dhe me sy të mbyllur e kishin dërguar në një shtëpi, ku kishte kaluar në bodrum pesë muaj. Del se kidnapuesit asgjë nuk kishin kërkuar nga Troha, as kishin biseduar me të, e kishin ushqyer me patate dhe makarona derisa më në fund u kishte thënë se "kështu më nuk shkon", prandaj "le ta vrisnin apo lëshonin". Dhe kidnapuesit ditën e nesërme e kishin lëshuar! Mëtej Troha nuk e di se kush ishin kidnapuesit dhe as që kishte njohur ndonjërin.
Ky rrëfim me hepiend u prit me ftohtësi nga mediumet dhe opinioni publik. Mediumet, siç e do rendi, treguan përmbajtje dhe dyshim duke aluduar në mundësinë se Troha mbase ishte "vetëkidnapuar", për çka "majori këngëtar" refuzon të japë deklarata për mediume të caktuara. Veçmas e kishte hidhëruar deklarata e njëri nga inspektorët e policisë që vërtetoi se policia në mënyrë sporadike ishte informuar se Troha ishte parë këtu dhe atje, herë në detë (Izola), herë në male, kurse në mënyrë shokante ndikoi edhe aluzioni se policia kishte dëgjuar nëpër çarshi, veçmas ditëve të fundit, se Troha do të paraqitej në kremten e dhjetëvjetorit të shtetësisë. Nga ana tjetër, mbeti e paqartë pse policia, nëse e kishte ditur se ku gjendej Troha, kishte heshtur kaq gjatë.
As rrëfimi i Trohës, as ai mediumeve dhe policisë nuk zbuluan diçka të re. Si variante mbetën tre obcionet - Troha vërtet ishte kidnapuar, që t'i shpërlahej truri ose të frikësohej (se tashmë është kthyer gjallë e shëndoshë), gjegjësisht kidnapimin e kishte menduar vet që të fshehej nga miqtë fajtorë dhe të tërhiqte vëmendjen e opinionit. Se bëhet fjalë pikërisht për të fundit e vërtetoi edhe Pavle Çelik, një profesionist me mjaft përvojë që ishte kryeshef i policisë së uniformuar sllovene deri në fillimin e viteve nëntëdhjetë.
Ka shumë detaje që e bën të dyshimtë rrëfimin e Trohës. Në vendin ku herët në mëngjes dy ditë para kremtes së pavarësisë Troha ishte hudhur nga furgoni, kriminalistët kishin gjetur në rrugë edhe në litar të papërdorshëm, i ngjashëm me atë që i ishin lidhur duart dhe këmbët Trohës. Sipas një versioni, bëhet fjalë për të ashtuquajturën kabëll montazhi, sipas të dytit, versionit më të ri, bëhet fjalë për lidhëse të njëjta që përdor edhe policia, që ndryshe kanë emrin zyrtar vetvëzhgim. Troha menjëherë u mbart në Qendrën Klinike, ku e kontrolluan mjek specialistë por nuk hetuan diçka të veçantë, përveç se ishte i ngatërruar dhe i paqethur (me flokë dhe mjekërr që fare nuk të kujtonte oficerin e ruajtur dhe të qedhur siç ishte më parë); prandaj u mbajt vetëm një ditë për "pushim".
Të përkujtojmë se rasti i Trohin është i ngatërruar dhe ndërlikuar. U bë i njohur për opinionin shkaku i kritikave në adresë të ushtrisë (kushte të vështira) për çka erdhi në konflikt me të apostrofuarit. Vendosi të bënte një protestë publike. Disa muaj, për çdo mëngjes, valëviste flamurin slloven para parlamentit slloven, e më vonë ngelte në të njëjtin vend duke bërë grevë nën tinguj të kitarës. Kështu edhe llagapi "majori këngëtar". Shpejt "shkaku i sjelljeve të pahijshme" u përjashtua nga puna. Deri sa zgjaste suspendimi, Troha nuk humbi kohë - shkruan libër dhe kërkonte shumë para nga disa politikanë të fuqishëm që të mos rrëfente atë që dinte. Libri doli, kurse Troha sërish u pranua në shërbim, por në një vend tjetër, në Ministrinë e Mbrojtjes. Pason momenti tjetër kyç - "Veçeri" i Mariborit e botoi intervistën e gjatë të Trohës ku ai akuzon rëndë tre kolegë të dikurshëm nga Ushtria Sllovene se me urdhërin e ministrit të atëhershëm të mbrojtjes Janez Jansha kishin kurdisur bombën në veturën e deputetit të Partisë Nacionale Sllovene Zmag Jelinçiç. I njëjti rrëfim, për çdo rast, i ishte dërguar edhe një notari për vërtetim. Me vonesë prej disa vitesh Troha i tregoi opinionit se si ishte kryer sulmi ndaj autos së Jelinçiçit dhe kush ishin porositësit, si ishte përzier vet në këtë rast - me urdhër të të lartpërmendurve kishte falsifikuar librin e rojes që policia të mos mund të zbulonte asnjë gjurmë.
Kështu kishte ndodhur. Gjurmët e kishin orientuar policinë deri në kazermë, por këtu ngeci puna se eprori i dyshuar i njësisë elite të Ushtrisë Sllovene MORIS, kishte alibi - ishte në roje. Troha gjatë rrëfimit të vet pranoi se i vinte keq që i kishte mashtruar kriminalistët.
"Këto ishin metoda teroriste. Mbase do të pyeteni, si unë - kush ishte ose kush është në rradhë. Mbase do të jem unë, mbase ti..." përfundoi në mënyrë profetike në letrën e vet të dëshmisë, të deponuar gjatë janarit te notari. Është e qartë se nuk ishte e lehtë për Trohën që pas tetë vjet heshtjeje të fliste haptas. Ajo që e bën të rëndësishme dëshminë e tij është nxitja që u bëri edhe disa tjerëve që vërtetuan rrëfimin e Trohës, por vetëm Troha ishte i gatshëm që Janshës dhe të tjerëve t'ua thoshte haptas. Në fillim të janarit situata bëhet më dramatike - Troha shkon te gazetari i Veçerit që e shënoi dëshminë e tij.
"Më tha rrezikohet me vdekje dhe më luti që rrëfimin ta botonim sa më parë. Vendosëm që ta botonim sa më parë rrëfimin, posa ai të kishte fituar mbrojtjen e opinionit publik," sqaroi më vonë gazetari i Veçerit.
E gjithë tjetra dihet. Intervista botohet, kurse pas dy ditësh Troha humb pa asnjë gjurmë. Kishte nga ata që gjatë zhdukjes misterioze thanë se bëhej fjalë edhe për një gaf të ri të "majorit këngëtar". Megjithatë kaluan dy, tre muaj dhe shumica menduan se ai nuk ishte më në mesin e të gjallëve. Befas Troha paraqitet dy ditë para festës më të madhe sllovene në këtë dhjetëvjeçar.
Ai tha se nuk kishte kuptim se çfarë dite ishte, se kishte menduar që ishte fundi i majit ose qershori. "Çka kam thënë kam thënë. E di se çka më ka ndodhur dhe këtë e kam rrëfyer. Ata që shkruajnë gjithçka - u ndihmoftë Zoti, nuk dijnë çka bëjnë," përfundon Troha.
Para kamerave flet me pasiguri, aspak nuk është i hidhëruar shkaku fatit që e gjeti. Lëshohet shpejt nga spitali edhe pse mezi fliste nga lodhja.
Informatat e disa dëshmitarëve që thoshin se e panë në rrethinën e tyre burrin "mjekërrosh" i përgjigjeshin pamjes së tij të jashtme. Është fakt se Troha edhe tre ditë pas daljes nga "paraburgimi" pesëmujor nuk u qeth kurse e gjithë kjo hudh dyshim në versionin e tij.
Më e keqja që mund të ndodhë është nëse teoria e "vetëkidnapimit" dëshmohet si e vërtetë. Atëherë do të hudhet në të njëjtin kontejner edhe rrëfimi për vendosjen e eksplozivit nën veturën e Jelinçiçit (Jelinçiçi gjatë kohës së eksplodimit ishte kundërshtar i ashpër i Janshës dhe mënyrës se si e kryente funksionin e ministrit të mbrojtjes). Nëse ndodh kështu, Troha do të do të jetë viktimë e lojtarëve me përvojë. E sa i përket Trohës do të ishte mirë sikur të ripërsëriste rrëfimin e Ezopit për bariun dhe ujkun. Për djaloshin që bërtiste "Ujku!" dhe nuk e morrën seriozisht edhe kur ujku u shfaq sërish. Një është e sigurtë - nëse Ladislavi sërish "humbet", me gishtat e njërës dorë do të mund të numërojë ata që do shqetësohen.
IGOR MEKINA