Kush i fito zgjedhjet ne Shqiperi

Tirana Jun 28, 2001

Kush i ka fituar zgjedhjet e javes se kaluar në Shqipëri dhe kush do të ndërtojë qeverinë e ardhshme në Tiranë? Kjo pyetje cfilitëse që përmbledh brenda vetes kureshtjen, shqetësimin për të ardhmen dhe përgjegjësinë normale qytetare, duket se nuk po merr një përgjigje të saktë në shtypin shqiptar. Kaosi shtohet akoma më shumë jashtë kufijve, në Kosovë dhe Maqedoni, ku për hir të gjendjes së tensionuar, zhvillimet politike të qeta dhe normale në Shqipëri, marrin një vlerë të shumëfishuar. Në të vërtetë edhe pse me shumë pikëpyetje, zgjedhjet shqiptare kanë ravijëzuar qartë tashmë forcën politike që duket se i ka fituar ato dhe raportin e forcave në parlamentin e ardhshëm. Por përpara se të arrihet deri tek kjo, duhet bërë një analizë e shkurtër, por e qartë e sistemit elektoral në Shqipëri dhe e mënyrës se si zgjidhen deputetët.

Sipas kushtetutës së aprovuar më 28 Nëntor 1998, parlamenti i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistemin mazhoritar (të drejtëpërdrejtë) dhe atë proporcional (sipas listave paraprake të hartuara nga partitë politike). Mazhoritari parashikon zgjedhjen e 100 deputetëve me votë të drejtëpërdrejtë, sipas një ndarje të Shqipërisë në 100 zona elektorale. 40 deputetë të tjerë futen në parlament, sipas votave që partitë politike marrin në sistemin proporcional. Pra në ditën e votimit një shqiptar duhet të plotësojë dy fletë. Në të parën renditen kandidatët me emra dhe me partinë që përfaqësojnë dhe në të dytën të gjitha partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje. Që kandidati të ketë fituar zonën e tij elektorale duhet të fitojë 50 % + 1 të votave të vlefshme në atë zonë. Në rast se ai nuk e arrin këtë shifër, është i detyruar t'i nënshtrohet një raundi të dytë, pra balotazhit , në të cilin marrin pjesë vetëm kandidati që ka dalë i pari me atë që ka dalë i dyti. Nga ana tjetër, përqindjet e partive llogariten që në votimin e parë dhe pas pak kohe, partitë e dinë fare mirë se cila është përqindja e tyre në rang vendi.

Në këtë sistem disi të komplikuar, zgjedhjet e 24 qershorit kanë dhënë rezultate të paralajmëruara, por jo aq të qarta sa mendohej në fillim. Pas raundit të parë është vërtetuar se Partia Socialiste (PS) ka fituar 35 zona; Partia Demokratike (PD) ka fituar 18 zona; në një zonë zgjedhjet do të zhvillohen në datën 8 Korrik, ndërsa në 46 zona do të kemi balotazhe në po këtë datë. Problemi qëndron sidoqoftë në një tjetër llogaritje. Nga rezultatet e raundit të parë del se në 45 balotazhe do të ndeshen kandidatët e PS me ata të PD, ndërsa në një zonë, ai i PS me kandidatin e PBDNJ (partia e minoritetit grek në Shqipëri). Por 46 zonat që do të votohen në datën 8 korrik kanë dhënë rezultate të ndryshme më 24 qershor. Në 40 zona kandidatët e PS kanë marrë më shumë vota dhe janë përpara kandidatëve të PD, ndërsa në 6 zona, PD është në avantazh ndaj socialistëve. Diferenca e votave është shumë e ndryshme, por bie ne sy qe ne Jug te vendit socialistët kanë një avantazh prej 2 – 3 mijë vota ndaj kundërshtarëve demokratë.

Në votat e proporcionalit, PS ka fituar gati 44 %, PD 37 %, ndërsa Partia Demokrate, e drejtuar nga ish Nënkryetari PD, Genc Pollo, llogaritet të ketë marrë 5 – 6 % të votave dhe Partia Socialdemokrate rreth 3.5 perqind te votave. Në vështirësi janë Partia Aleanca Demokratike që ka pak me shume se 2 % të votave dhe Partia e Minoritetit Grek me 2 – 2.5 % të votave. Sipas ligjit shqiptar, ajo parti që nuk fiton më shumë se 2.5 % nuk përfaqësohet në parlament. Ndërsa duke filluar nga 2.5 % një parti mund të regjistrojë një deputet për çdo 0.8 % të votave, me kusht që asnjë deputet i saj të mos ketë fituar drejtëpërdrejtë në zonë.

Po si shpjegohet atëherë që të dyja partitë kanë deklaruar fitore dhe kush ka fituar realisht? Një matematikë e thjështë të bën të kuptosh se PS i ka fituar zgjedhjet dhe se një fushatë normale në dhjetë ditët e ardhshme do t'i japë asaj numrin e nevojshëm të vendeve në parlament për të qeverisur vendin. Socialistët kanë fituar në raundin e parë 35 deputetë. Ata do të përballen në 46 balotazhe, ku në 40 prej të cilave kandidatët e saj janë në avantazh ndaj kandidatëve të PD. Nga ana tjetër, përvojëapolitike shqiptare e dhjetë viteve të fundit ka treguar se ajo forcë politike që fiton raundin e parë merr edhe 90 % të zonave që janë në balotazh. Nga ana tjetër, votat e PSD, PAD, PBDNJ dhe Partisë Agrare janë deklaruar që tani në favor të PS, duke i dhënë asaj shansin të fitojë nga 38 – 42 zona në balotazh. Pra në çdo llogari, PS do të fitojë 73 deri në 77 deputetë. Në këtë llogjikë asaj i duhen vetëm 71 deputetë për të krijuar e vetme dhe pa aleanca qeverinë.

Në llogaritjen e proporcionalit PS nuk ka më shanse. Ajo merr mbi 70 deputetë ndërkohë që ka fituar 45 % të votave proporcionale. Pra nuk ka të drejtë të fusë asnjë deputet nga lista e saj shumëemërore. Ndërsa PD që llogaritet të fitojë pas raundit të dytë në total nga 22 deri në 24 deputetë ka edhe 36 % të votave proporcionale. Sipas një llogaritje tjetër, PD do të fusë edhe 22 deri në 23 deputetë nga proporcionali, duke çuar numrin e tyre në parlament nga 53 në 54 deputetë. Por pa arritur asnjëherë të bllokojë krijimin e qeverisë nga socialistët.

Atëherë pse Berisha deklaroi se ka fituar dhe ku e mbështeti këtë deklaratë? Në të vërtetë Berisha asnjëherë nuk ka deklaruar se fitoi “Bashkimi për fitore” koalicioni i partive që drejtohet nga PD. Në një konferencë shtypi 48 orë pas zgjedhjeve Berisha deklaroi se në Shqipëri forcat liberaldemokrate kanë mazhorancën e mbështetjes popullore karshi forcave të majta. Berisha deklaroi se votat e marra nga PD së bashku me ato të Partisë së Pollos, të Partisë Aleanca Demokratike dhe të Partisë së Minoritetit Grek, janë më të mëdha se sa votat e marra nga socialistët. Kjo nuk mund të zgjidhë asgjë, nisur edhe nga fakti se Partia Aleanca Demokratike dhe ajo e Minoritetit grek janë në aleancë me PS, ndërsa Pollo duket më i gatshëm për t'u marrë vesh me socialistët se sa me Berishën. Nga ana tjetër, edhe në një rast të tillë, të gjithë deputetët që mund të kenë këto forca nuk mund të pengojnë 72 ose 75 deputetët që PS duket se do të zgjedhë drejtpërdrejtë në zonat.

Deklarata e Berishës ka pasur tjetër qëllim. Ai e bëri këtë për të motivuar militantët dhe mbështetësit e partisë së tij, komisionerët e PD dhe gjithë infrastrukturën që merret me zgjedhjet. Hezitimi që ai shprehur në fillim, kur deklaroi se mund të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve provokoi indiferentizëm tek votuesit e PD. Nuk është çudi që shumica e tyre, duke bërë llogarinë se kanë humbur, të mos shkojë fare në votime më 8 korrik, duke i lënë PS avantazhin e të fituarit të 46 zonave në balotazh. Nga ana tjetër, duke folur me tone entusiazte për partitë që deri dje i sulmonte ashpër, Berisha kërkoi që edhe votuesit e tyre të rënditen me të. Berisha e ka të qartë se ai i ka humbur zgjedhjet dhe se ai nuk mund të ndalojë socialistët që të krijojnë qeverinë. Por Berisha kërkon që të ndalojë krijimin e një koalicioni me 84 vende në parlament, i cili do të lejojë socialistë të zgjedhin Presidentin vitin e ardhshëm dhe ta shpëtojnë vendin nga kriza parlamentare. Sipas kushtetutës, Presidenti zgjidhet me 3/5 e vendeve në parlament dhe nëse konsensusi nuk arrihet pesë herë rresht, parlamenti shpërndahet dhe vendi hyn në zgjedhje të parakohshme. Pra Berisha synon të fitojë 57 deputetë, duke lënë shanse për një vit më pas dhe duke kërcënuar socialistë se pushteti i tyre nuk do të jetë i qëndrueshëm dhe nuk do të zgjasë më shumë se 12 muaj. Nëse ai fiton më pak se 57 deputetë, gjithçka ka marrë fund. Partia e Pollos, Socialdemokratët, Aleanca Demokratike, Partia e Minoritetit Grek apo edhe ajo Agrare janë shprehur se në rast se do të përfaqësohen me deputetë në parlament janë të gatshëm të gjejnë një kompromis dhe të mos bllokojnë procesin e zgjedhjes së Presidentit. Në këtë rast, PD mbetet e vetme, praktikisht pa asnjë peshë dhe do t'i duhet të rishihet me socialistët vetëm pas tre vjetësh, në zgjedhjet lokale të dhjetorit

  1. Deri në atë kohë, praktikisht ajo mbetet jashtë politike. Për të gjitha këto, Berisha është fiksuar tek numri magjik 57, me të cilin shpreson të manovroje vitin e ardhshem. Pra nëse qeveria e ka tashmë në një llogari paraprake fituesin, parlamenti nuk i ka dhënë ende fund dilemës për kohëzgjatjen e tij. Një mandat i plotë katër vjeçar, apo një parlament që do të shpërndahet pas një viti në pamundësi për të zgjedhur Presidentin.

BLENDI FEVZIU