Shkupi - në mes të luftës dhe paqës

Skopje Jun 27, 2001

AIM Junior Shkup, 27.06.2001

"Ura e gurit" në Shkup është një nga vendet ku ndeshet realiteti multietnik i Maqedonisë. Dhe ku qartë pikturohet se ne çfarë relacioni janë ato marrëdhënje ndëretnike. Sepse, atëherë kur atmosfera është e relaksuar mbi të dëgjohen të gjitha gjuhët që fliten në këtë shtet si edhe britmat e shitësve Rom të cilët ofrojnë mall të lirë të ardhur nga turqi si dhe orë të modeleve të ndryshme, kuptohet si "falsifikate origjinale". Edhe sot kur Maqedonia ndodhet buzë humnerës së luftës qytetare, kjo urë është ai vendkalim që me zbrazëtirën e vet të panatyrshme, si asgjë tjetër shpjegon se urat ndëretnike në këtë shtet multietnik nëse nuk janë rrënuar tërësisht me siguri janë në derdhjen e sipër.

Shumica e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm po ndjekin sekuencat trishtuese nëpër TV ekranet dhe storjet e shtypit të vendit që rrëfejnë realitetin e ri në kryeqytetin e Maqedonisë. Në autobuset urban, bulevardet dhe në ndonjë tavernë mund të vëreni tek qytetarët e pakët të kryeqytetit panikun, frikën dhe anomalitë e tjera të përcjellura nga ethet e luftës. Dhe kuptohet, shtohet numri i atyre që nuk kalojnë nga ana veriore e tije ku kryesisht janë lagjet e banuara me shqiptarë dhe anasjelltas. Dhe shikojne herë pashere matanë urës së gurit duke u habitur se si ndodhi që kështu përnjëherë t'u duket i largët bregu i kundërt i lumit Vardar.

Tani për tani shkupjanët nuk shprehin ndonjë urrejtje të theksuar etnike, edhe pse ndodhi një miting trishtues i maqedonasve etnikë i cili i shqetësoi të gjithë paqëdashësit. Sepse në atë miting erdhën edhe policë të armatosur, thyen dyert e Kuvendit republikan dhe disa duqane në qendër të Shkupit duke kërkuar që lufta "kundër teroristëve te vazhdojë deri në çvarosjen e tyre". Dhe nuk doli asnjë nga politikanët t'u tregojë se pse dhe si ndodhi tërheqja e pjestarëve të UÇK-së nga Haraçina, fshati i cili ndodhet disa kilometra largë qendrës së Shkupi.

Pra, Shkupi nga dita në ditë ndahet në dy brigje të largëta. Ura e gurit mbi të cilën kan kaluar armata të ndryshme, që ka parë luftëra dhe trima të kategorive të ndryshme, të cilën e kan pështyrë dhe shkelur llojë lloj kokash dhe njerëzish, këto ditë duket si hije e largët e një vendkalimi që lidh dy brigje të afërta. Aty kalojnë edhe B.K, shqiptarë dhe S.N , maqedonas, dhe thonë se edhe përkundër krizës dhe rrezikut nga një luftë e përgjakur ndëretnike ata vazhdojnë jetën e tyre të zakonshme ndërfqinjësore. Dhe ende urën e kalojnë bashkë, shkojnë në të njejtat kafene. Dhe pranojnë se shumëçka nuk është si dikur, se u pengon kjo pritje trishtuese për atë se çka do të sjellë e nesërmja. " Ne nuk e duam këtë luftë që na e sollën politikanët e papërgjegjshëm në pushtet, të cilët me vite të tëra kanë grabitur shtetin dhe pasurinë e popullit ", thonë dy bashkqytetarët , të cilët kanë arsye të kërkojnë të mbeten anonim. Sepse nuk dihet ç'sjellë e nesërmja dhe dikush mund t'i akuzoj për mendimin e përbashkët në këto kohë kur çdo gja ndahet.

Ata shkojnë mëtutje, mirëpo pasiguria mbetet të qëndrojë pezull mbi kryeqytetin buzë Vardarit. Avdiu, pensionist 63-vjecar, nga lagja Veri, thotë se është i dëshpëruar nga pjestarët e rendit dhe sidomos rezervistët, të cilët në vend të kujdesit ndaj qytetarëve, janë bërë shkaktarë të vërtetë që sjellin ndarje, urrejtje dhe pasiguri totale. Dhe ai komenton ndarjen e armëve maqedonasve etnikë në lagjen e tijë, "mobilizimin" në njësitë policore të njerëzve të dyshimtë dhe thotë se e gjithë kjo nuk paralajmëron gjëra të mira. Edhe një grup pleqësh në afërsi të xhamisë " Jahja Pasha ", pohojnë se për më shumë se dy muaj nuk guxojnë të dalin në parqet e qytetit që sipas tyre, tanimë janë të boshatisura edhe nga bashkmoshatarët e tyre maqedonas.

Të rinjtë në vend të shëtitjeve dhe ndejave nëpër kafene preferojnë shtëpinë dhe TV-në. Artani, student i vitit të katërtë të juridikut në Universitetin e Shkupit, thotë se tanimë pas atmosferës së krijuar të luftës nuk din ku të kalojë kohën dhe se preferenca e tij është ekrani televiziv dhe stacionet e huaja televizive. Këto stacionet tona lokale as që mundem më t'i duroj, shton ai. Ai thotë se tanimë dhjetë ditë nuk është takuar në ndonjë lokal me shokët e tij në qendrat e njohura të kryeqytetit, si "Beverli Hills", "Bunjakovec" dhe " Qendra e vjetër tregtare " . "Nuk kemi siguri të dalim në anën tjetër të kryeqytetit, pasi kemi përjetuar këtyre ditëve dhunën e grupeve vandale maqedonase ndaj disa qytetarëve shqiptarë të pafajshëm. Ne nuk kemi asgjë me moshatarët tonë maqedonas, nga ana tjetër, të njëjtën gjë edhe ata na thonë. Por, a thua kush duhet të mbajë përgjegjësi për tërë këtë pasiguri ", thonë një grup studentësh, të cilët gjatë mesditës preferojnë të kalojnë kohën në art klub "Alternative", lokal që tani kryesisht është i mbushur me të rinjë të shpërngulur nga rajonet e krizës së Kumanovës, Haracinës dhe të Tetovës.

Të shpërngulurit nga rajonet e krizës, tanimë braktisin Shkupin dhe po drejtohen në drejtim të qyteteve të tjera për shkak të pasigurisë. Në punktin policor në hyrje të kryeqytetit një polic rezervë maqedonas pas legjitimimit të të gjithë udhëtarëve dhe kalimtarëve, thotë se për tërë këtë situatë janë përgjegjës shqiptarët, që sipas tij gjithmonë kanë rrezikuar shtetin. Duke përshëndetur udhëtarët me një përshëndetje të hutuar, ai thotë se për shkak të papunësisë është detyruar të dalë në rrugë.

Valbona një intelektuale shkupjane thotë se në baret elite dhe luksoze të kryeqytetit ende mund të shihet komoditeti i disa politikanëve provincial të vendit. "Ne kemi mbetur duarkryq dhe nuk dimë ku të shkojmë pasi që asnjë nga të zgjedhurit tonë nuk na thotë se cka të bëjmë. Ata kanë vetëm fjalë të mëdha dhe asgjë tjetër ", shprehet Valbona. Ajo shpreson tek bashkësia ndërkombëtare dhe Havier Solana që sipas saj është një "peace-worker" i cmuar.

Në Shkupë të gjithë janë në pritje. Të rinjë dhe pleq. Gra dhe burra. Në pritje është edhe ura e gurit. Don ta dijë se vallë do ta shkelin si dikur njerëzit e të gjitha etnive që jetojnë në Maqedoni apo do të shndërrohet në atë në çka janë bërë shumë ura në këtë ballkanë - ndarëse. Venkalime që bashkojnë dy brigjet të mbetura të largët sa edhe urrejtja ndëretnike e cila me të madhe përhapet në Maqedoni.

NASER PAJAZITI