Rrëmuja e sistemeve juridike në Kosovë!
Prishtinë, 23.06.2001.
Angazhimet publike shqiptare për aspekte të ndryshme të Kornizës Kushtetuese lënin një herë përshtypje se opinioni e njeh mirë përmbajtjen e saj. Por, shqyrtimet e mëvonshme e treguan të kundërtën. Madje, në vrapin për rregullimin e të ashtuquajturave "konteste madhore" që kishin të bëjnë me statusin e ardhshëm të Kosovës, ekspertët harruan ta informojnë opinionin për shumë qëndrime të tjera kontestuese që i përmbante pjesa e harmonizuar e Kornizës Kushtetuese. Nuk thanë gjë për dyfishimin e autorizimeve, për shkëputje në zinxhirin e përgjegjësive për çështje që kushtëzojnë njëra-tjetrën, për paqartësi lidhur me aktet në bazë të të cilave do të vendosin gjykatat, për kodifikim në Kosovën e vogël të katër sistemeve juridike, pa sistemin serb tashmë të formuar në enklavat serbe. Nuk e patën vërejtur (?!) se pas konstituimit të organeve kosovare të vetadminsitrimit të përkohshëm, gjendja e tillë kërcënon me një kaos të vërtetë juridik me pasoja negative në të gjitha rrjedhat e jetës.
Në ç'masë Korniza Kushtetuese, me përmbajtjen e vet, e inauguron një autonomi të vërtetë ose, siç thuhet, substanciale? Duket sikur nga këndvështrimi shqiptar, nuk mund të jepet një përgjigje e ftohtë politike dhe profesionale. Përgjigjet e kundërta janë bërë pjesë e luftës për vota. Në këto çaste duket sikur në krye të njërës anë janë Rugova dhe Haradinaj, kurse në krye të anës tjetër është Thaçi, një ndarje fare e panevojshme dhe e dëmshme për të gjithë. Një anketë me qytetarë të Prishtinës që kohë më parë e pati bërë "Koha Ditore" i vërteton supozimet se te një pjesë e qytetarëve mbisundon një konfuzion i vërtetë. Çka është më keq, një pjesë e tyre, edhe pse nuk e dinë përmbajtjen, pranojnë të deklarohen për Kornizën ashtu siç janë deklaruar të adhuruarit e tyre politikë. Në qoftë se gjendja është e këtillë në Prishtinë, atëherë lehtë mund të supozohet se sa e pakënaqshme duhet të jetë në pjesët e tjera të Kosovës. Nuk është hera e parë që pjesë të mëdha të shqiptarëve të angazohen për diçka pa e ditur për çka. Ky nuk është tregues i mirë për gjasat e demokratizimit, pasi i lehtëson përpjekjet e demagogëve të manipulojnë me qytetarët.
Një politikan kosovar deklaroi ditë më parë se me Kornizën Kushtetuese për 75 për qind të çështjeve do të vendosin kosovarët. Kjo është një pikëpyetje e madhe. Por, politikani mund të mendojë se për të siguruar sa më shumë vota, duhet t'i flasë popullit kryesisht për gjëra të këndshme. Qasja e ekspertëve duhet të jetë krejtësisht tjetërfare. Ata e kanë obligim t'i njohin zgjidhjet "kushtetuese" deri në imtësi dhe të mos lejojnë lojëra me përqindje që edhe ashtu janë përdorur dhe keqpërdorur tejmase gjatë periudhës së përgatitjes së Kornizës. Është interesante të shënohet se vlerësimet e para me përqindje i dhanë pikërisht ekspertët. Në kurriz të tyre bie edhe përshtypja se disa çështje "më pak politike" ndoshta janë heshtur. Nuk mund të besohet se ekspertët kosovarë, qofshin ata që kanë marrë pjesë në hartimin e Kornizës ose të tjerët, nuk i kanë vërejtur formulimet që rrjedhat kosovare mund t'i bëjnë edhe më kaotike, kurse organet vetëqeverisëse të Kosovës forma të zbrazëta.
Rrethanat e tashme juridike të vendosura para afër dy vjetësh, që pritet të zgjasin edhe disa vjet, mbështeten mbi Rezolutën 1244. Disa ekspertë atë e quajnë aktin më të lartë jurdik të Kosovës. Në disa pjesë të Kornizës Kushtetuese, Rezoluta trajtohet edhe si një akt me fuqi të veçantë juridike. Prandaj, thënë me kusht, ajo mund të konsiderohet si një sistem i veçantë juridik. Edhe pse i referohen vazhdimisht Rezolutës, ka mjaft arsye të thuhet se rregulloret e kryeadministratorit krijojnë një sistem të posaçëm juridik. Kjo edhe për arsye se disa veprime të UNMIK-ut nuk kanë mbulesë formale, por mbështeten në qëndrime apo udhëzime të karakterit politik. Sistemin e tretë jurdik e përbëjnë ligjet e Jugosllavisë socialiste, të cilat kanë qenë në fuqi më 22 mars të vitit 1989, që bashkë me rregulloret e kryeadministratorit janë pjesë e të ashtuquajturave ligje të zbatueshme Rregullorja 2000|24, neni 1, pika 1.1, nën a dhe b). Sistemin e katërt do ta përbëjnë ligjet e Kuvendit të Kosovës, që do të konstituohet pas zgjedhjeve të 17 nëntorit të këtij viti. Sipas Kornizës Kushtetuese, Kuvendi do të ketë të drejtë të miratojë ligje dhe rezoluta ( kreu 9, neni 1, nën 9.
- 26, pika a).
Korniza Kushtetuese i përcakton bazat jurdike të veprimit të organeve të pushteteve në Kosovë. Në këtë pikëpamje, sipas kritereve që nuk janë të njohura, janë bërë seleksionime që ngjallin dyshime serioze për mundësitë e funksionimit normal të institucioneve vetëqeverisëse të Kosovës dhe të shoqërisë kosovare në periudhën kalimtare. Kuvendi dhe qeveria e Kosovës do të veprojnë sipas Rezolutës 1244, Kornizës Kushtetuese dhe disa konventave ose traktateve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që me këtë dokument bëhen pjesë përbërëse e tij (Korniza Kushtetuese, kreu 2, pika a dhe kreu 3 nën 3.3. Për Qeverinë edhe kreu 9, neni 3 nën 9. 3.1). Edhe Presidenti i Kosovës do ta ushtrojë funksionin në këto suaza juridike, por atij i shtohet edhe detyra e respektimit të ligjeve të zbatueshme, pra të rregulloreve të kryeadministratorit dhe të ligjeve të Jugosllavisë socialiste (kreu 9, neni 2, nën 9. 2. 2).
Me Kornizën Kushtetuese komunitetet kombëtare fitojnë të drejtën të formojnë institucione të mëvetësishme shkollore, shëndetësore dhe sociale. Por, në këto aktivitete ato e kanë obligim t'u përmbahen ligjeve të zbatueshme (kreu 4, pika 4.4, nën j dhe m). Duket sikur, së paku, në periudhën kalimtare, autonomia e Kosovës do të përmbajë elemente të fuqishme të të ashtuquajturave autonomi personale brenda saj. Këto përshtypje fitohen kur të merren parasysh këto të drejta të komuniteteve kombëtare, me ç' rast nuk do të kenë obligim t'u përmbahen ligjeve që do t'i nxjerrë Kuvendi i Kosovës.
Në gjithë këto përzierje dhe seleksionime, më e paqartë dhe, ndoshta, më e rrezikshme paraqitet çështja e bazave juridike për veprimin e gjykatave kosovare. Korniza përcakton shprehimisht se gjyqet do t'i ushtrojnë detyrat e veta në bazë të ligjeve të zbatueshme. Formulim i njëjtë jepet edhe për bazën e veprimit të prokurorëve ( kreu 9, neni 4, nën 9. 4. 1 dhe 9. 4. 10). A do të thotë kjo se shkeljet e ligjeve që do t'i nxjerrë Kuvendi i Kosovës nuk do të mund të ndiqen nga organet e drejtësisë? Në qoftë se do të ishte kështu, atëherë miratimi i ligjeve nga Kuvendi i Kosovës nuk do të kishte kurrfarë rëndësie praktike për shoqërinë kosovare.
Korniza Kushtetuese përmban një listë të gjatë të autorizimeve të Kuvendit të Kosovës që merr më shumë se tri faqe të dokumentit (kreu 5 fillon me këtë listë). Por, shumë çështje ose aspekte të numëruara në listë janë edhe autorizime të kryeadministratorit. Pastaj, Kuvendi ose Qeveria e Kosovës do të kenë autorizime, por nuk do të kenë mundësi t'i realizojnë në praktikë për shkak se nuk do të kenë instrumente, duke përfshirë edhe mjetet financiare për të krijuar kushte për jetësimin e tyre. Probleme të mëdha do të paraqesë fakti se nuk janë përcaktuar as përgjegjësitë. Le të ishte lista e autorizimeve të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës më e shkurtër, por le të përcaktohej qartë se ato janë autorizime dhe përgjegjësi të tyre, pohohet shpesh këtu. Në Kornizë gjërat janë përcaktuar ashtu që krijojnë një pasqyrë joreale. Për çështjet thelbësore të jetës, të punës dhe të ardhmërisë së Kosovës vendos kryeadministratori. Një ndër autorizimet e tij është që t'i shpallë edhe ligjet e Kuvendit të Kosovës. Kjo do të thotë se po nuk i shpalli ai, nuk do të konsiderohet se janë miratuar.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI