Kthimi i serbëve - çështje humanitare a politike!
Prishtinë, 21.06.2001.
Një ndër çështjet 'historikisht' më të diskutueshme në konfliktin e gjatë shqiptaro-serb ishte (dhe vazhdon të mbetet) prania e elementit sllav në Kosovë. Dy vjet pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, me çka iu dha fund dominimit të saj nga regjimi i Beogradit, sërish është ngritur çështja e përbërjes etnike të Kosovës. Kësaj radhe, çështja është te kthimi i pjesëtarëve të pakicës kombëtare serbe të zhvendosur nga Kosova. Në qershor të vitit 1999, bashkë me forcat serbe të sigurimit nga Kosova u larguan edhe rreth 100 mijë pjesëtarë të pakicës kombëtare serbe, por edhe të disa pakicave të tjera, nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve që po ktheheshin në shtpëitë e tyre pasi ishin dëbuar me forcë nga forcat serbe gjatë fushatës ajrore të NATO-s. Hakmarrjet e aty këtushme, dhuna, si dhe veprimet kriminale të individëve dhe grupeve të ndryshme, në rastet më të shpeshta për 'përfitime materiale' (uzurpimi i banesave, shtëpive apo lokaleve afariste) bënë që edhe një numër i pjesëtarëve të komunitetit serb, por edhe komuniteteve të tjera, të zhvendosen për në Serbi apo të përqendrohen në zonat e dominuara nga kjo popullatë, duke krijuar enklava të veçanta të rrethuara me shumë forca dhe me tela gjemborë. Enklava më e madhe dhe më e fuqishme mbeti veriu i Kosovës, i cili vetëm simbolikisht ka mbetur në kufijtë administrativë të Kosovës.
Bashkë me largimin e serbëve në Kosovë kanë filluar edhe diskutimet për mundësinë e kthimit të tyre. Në dy operacione eksperimentale, të njohura me emrat e koduar TROJAN 1 dhe 2, autorietet ndërkombëtare kanë arritur të kthejnë një numër të vogël të serbëve në disa fshatra të Prishtinës, mirëpo rezultatet e "dëshiruara" nuk janë arritur. Diplomatët amerikanë bënë përpjekje që të realizojnë një plan për kthimin e rreth 700 serbëve në një fshat të komunës së Istogut në Kosovën perëndimore. Ata fillimisht arritën pajtimin me ish prefektin e kësaj komune, mirëpo shumë shpejt ky plan nxiti reagime të shumta dhe ende pa filluar - "dështoi". Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i cili administron Kosovën së bashku me Komesariatin e Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar serb krijuan një komitet të përbashkët për kthimin e të zhvendosurve. Në janar të vitit 2001 ky Komitet hartoi një "Kornizë për kthimin e serbëve të zhvendosur", ndërsa ajo u publikua disa muaj më vonë duke nxitur reagime të fuqishme të faktorit politik shqiptar. Korniza u hap për diskutim në një takim të Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës (KPA), që mëton të luajë rolin e një qeverie të Kosovës. Prej aty edhe filloi seria e debateve shumë të rrepta. Një nga liderët shqiptarë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se korniza parasheh "kthimin e 170 mijë serbëve deri në fund të vitit 2001". Lajmi ra si "bombë", duke shkaktuar reagime të zhurmshme mospajtimi. Autoritetet ndërkombëtare u përpoqën të zbusin reagimet, duke hedhur poshtë një gjë të tillë. Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara sqaroi se "170 mijë është numri i përgjithshëm i serbëve të regjistruar si të zhvendosur në Serbi dhe Mal të Zi", por sipas tyre nuk bëhet fjalë për kthimin e tyre brenda vitit 2001. Një zëdhënëse e këtij komisariati tha se "autoritetet nuk duan një luftë të re në Kosovë".
Megjithatë, Korniza mbeti në tryezën e bisedimeve dhe tashmë është shndërruar në një objekt debatesh të rrepta ndërmjet përfaqësuesve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Përfaqësuesit e partive politike të Kosovës thonë se "nuk ka kushte për kthimin e serbëve në Kosovë para zgjedhjeve të përgjithshme dhe pa konstituimin e Parlamentit të Kosovës", duke nënvizuar se kthimi i tyre do ta destabilizonte gjendjen në Kosovë. Shefi i Komisariatit të Lartë për Refugjatë, Rud Luubers, tha se "pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje do t'i jepte legjitimitet Parlamentit të ardhshëm të Kosovës dhe se një numër i kufizuar i tyre mund të kthehen para zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë". Por, as kjo deklaratë nuk arritit të zbusë qëndrimin e përfaqësuesve shqiptarë.
"Pa konstituimin e Parlamentit të Kosovës nuk ishte dashur dhe nuk duhet të shtrohet kjo çështje, sepse në Kosovë ende nuk ka ndonjë autoritet që të merret me tërë kompleksitetin e kësaj çështjeje", pohojnë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti e drejtuar nga udhëheqësi i "moderuar" shqiptar, Ibrahim Rugova. Në Partinë Demokratike të Kosovës, rivale e Lidhjes Demokratike, e cila drejtohet nga Hashim Thaçi (ish drejtor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), thonë se "ende nuk janë krijuar kushtet për kthimin e të shpëngulurve nga Kosova, për faktin se akoma nuk kemi mekanizma efikasë për sigurinë e qytetarëve". Sipas tyre, "në këtë fazë akoma nuk ekziston një relaksim i marrëdhënieve ndëretnike që do të mundësonte rikthimin e të gjithë të shpërngulurve nga Kosova, e aq më parë kur regjimi i Beogradit nuk ka bërë asnjë lëvizje për lirimin e të burgosurve dhe gjetjen e të zhdukurve". Përfaqësuesit politikë shqiptarë pohojnë se "pas zgjedhjeve të përgjithshme mund të fillojë strategjia për kthimin e tyre dhe kjo strategji duhet të miratohet nga kuvendi i Kosovës, sepse vetëm atëherë mund të ketë një kthim të sigurt të të gjithë qytetarëve". Përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partia e tretë më me ndikim, e cila drejtohet nga Ramush Haradinaj, një nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vlerësojnë se "nuk ka kurrfarë kushtesh që para zgjedhjeve të përgjithshme të kthehen serbët në Kosovë, sepse së pari duhet të bëhet debllokimi i enklavave, kthimi i pengjeve që mbahen në burgjet e Serbisë, e pastaj mund të diskutohet kthimi i tyre".
Përfaqësuesit e shqiptarëve kanë hedhur poshtë çdo mundësi për "investime të reja në zonat e banuara me popullatë serbe, meqë kjo do të fuqizonte enklavat dhe do të rrezikonte ndarjen etnike të Kosovës". Nisur nga gjendja e sigurisë, e cila ende vazhdon të mbetet e brishtë, si përfaqësuesit ndërkombëtarë edhe ata vendorë janë të sigurt se "në fazën e parë enklavat do të përforcoheshin, ndërsa forca të mëdha të KFOR-it (forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja) dhe të policisë do të duhej të angazhoheshin në mbrojtjen e tyre. Para se të fillojë realizimi i çfarëdo plani, ata kërkojnë që të gjendet një përgjigje për "shqetësimet e popullatës shqiptare se së bashku me të shpërngulurit mund të kthehen edhe ata që janë përgjegjës për krime lufte".
Korniza e hapur për diskutime ka nxitur edhe reagimet e demografëve shqiptarë. Disa syresh, madje, e kritikuan edhe Komisariatin e Lartë për Refugjatë për "fryrjen" e numrit të banorëve serbë të Kosovës. Sipas statistikave jugosllave, pohojnë ata, numri i serbëve që jetonin në Kosovë para luftës ishte rreth 195 mijë. Nëse pas luftës në Kosovë kanë mbetur edhe 100 mijë serbë, thonë ata, "atëherë ku u gjetën edhe 170 mijë serbë të tjerë?"
Sidoqoftë, autoritetet ndërkombëtare duken të vendosura për të realizuar të paktën pjesërisht projektet e tyre. Një kthim eksperimental pritet të fillojë të zbatohet në fshatin Slivovë, në rrugën Prishtinë-Gjilan, mirëpo autoritetet e duan gjithsesi edhe mbështetjen e përfaqësuesve shqiptarë. Këta të fundit thanë se në parim janë pajtuar me "deklaratën për kthimin e të gjithë qytetarëve të zhvendosur të Kosovës", duke përshkruar si "sukses" të tyre shndërrimin e "kornizës" në "deklaratë për kthimin e të shpërngulurve".
E hapur pikërisht në prag të fillimit të fushatës parazgjedhore, çështja e kthimit të serbëve të zhvendosur do të vazhdojë të mbajë hapur çështjen më të diskutueshme të konfliktit shqiptaro-serb, dhe si e tillë ajo mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në luftën për votat e shqiptarëve. Mirëpo, duket se autoritetet ndërkombëtare kanë llogaritur se "me një gurë do të vrasin dy zogj". Shqiptarët do të detyrohen të mbështesin kthimin, me qëllim të përfshirjes së serbëve në zgjedhje, me çka ata do të përfshiheshin në strukturat e përbashkëta administrative, që për shqiptarët nënkupton njohjen e 'realitetit të ri' në Kosovë dhe fund i izolimit të tyre në enklava. Njëkohësisht, kjo do të "shpëtonte" misionin ndërkombëtar nga kritikat se "duke penguar spastrimin etnik të shqiptarëve, po ndihmojnë të kundërtën". Por, edhe më tej çështja është duke ecur tehut të shpatës, ndërsa autoritetet ndërkombëtare po kërkojnë një zgjidhje ku "edhe mishi të piqej dhe helli të mos digjej".
Megjithatë, fitohet përshtypja që kthimi i serbëve të shpërngulur (dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera) po zhvendoset nga dimensioni humanitar në atë ekskluzivisht 'politik' (ose më mirë të themi, në një çështje politikaneske ballkanike, tashmë të parë edhe gjetiu), ku marrin pjesë jo vetëm politikanët, por edhe qarqet intelektuale dhe gati të gjitha mediat pa përjashtim. Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë (por edhe pushteti i ri në Beograd) kthimin e serbëve në Kosovë e shohin si një bazë legjitimuese për sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, ndërsa politikanët shqiptarë kthimin e tyre e shohin si rrezik për pretendimet e tyre që "Kosova është shqiptare" dhe si një faktor kufizues për "lirinë e fituar". Asgjë e re, apo jo!
AIM Prishtinë, Besnik BALA