Ka alternativë edhe për komercializimin
Prishtinë, 20.06.2001.
-Intervistë me Andy Bearpark, kryesues i Shtyllës së Katërt të administratës së KB, njeriun numër një për zhvillim dhe rindërtim ekonomik në Kosovës-
Pas një përvoje trevjeçare në Bosnjë e Hercegovinë, ku kujdesej për kthimin e refugjatëve dhe krijimin e kushteve që ata ta fillojnë sërish jetën normale, Andy Bearpark, në Kosovë erdhi që të nxisë procesin e rindërtimit dhe të zhvillimit ekonomik. Ai nuk është kreator i komercializimit, apo i dhënies në koncesion të fabrikave në Kosovë, por zbaton konceptet që kishte lënë paraardhësi i tij, z. Jolly Dickson, i cili në mënyrë shumë të heshtur papritmas u largua nga Kosova.
AIM: A është zgjidhje e qëndrueshme komercializimi, apo surrogat i ndonjë alternative më të përshtatshme, si mund të jetë privatizimi? - është çështje me të cilën fillojmë bisedën me z. Andy Beraprak, në ndërtesën e UNMIK-ut në Prishtinë.
BEARPARK: Por, gjithashtu është e vërtetë të thuhet se komercializimi nuk është përgjigje për të gjitha gjërat. Pa dyshim, ndërmarrjet të cilat janë në pronësi shoqërore, duhet ta kalojnë procesin e komercializimit. Një gjë e tillë është shumë e lehtë për t'u thënë, por është e vështirë për t'u realizuar. Një prej shkaqeve është se ka modele të ndryshme të privatizimit. Nëse marrim shembull Evropën Juglindore ose Lindore, do të shohim se privatizimi është bërë në mënyra të ndryshme, për shkak se kushtet dhe rrethanat janë të ndryshme në vende të ndryshme. Në Kosovë duhet të gjendet një balanc, që reflekton interesa të ndryshme. Por, asnjëherë nuk është e mundur të gjendet më i përsosuri. Ka mundësi të ndryshme, por me avantazhet dhe disavantazhet e veta. Ne tani jemi duke kaluar në procesin kur të gjitha opsionet janë të mundshme.
Çfarëdolloj forme e privatizimit që ne do të dëshironim të implementonim, do të duhej të përkrahej nga shtetet donatore. Arsyeja kryesore e kësaj është se privatizimi si proces në thelb është shumë i shtrenjtë, pastaj duhet bërë pjesën legale dhe teknike, të cilat përfshihen në proces, si dhe do të duhej të gjendej një sistem, që do t'i kënaqte dëshirat e popullit të Kosovës dhe të atyre që do t'i paguanin këto shpenzime. Tani jemi në këtë pikë.
AIM: Ka indikacione se komercializimi po dështon.Nuk ka shumë marrëveshje të nënshkruara, përsëriten tenderet...
BEARPARK: Kjo edhe është çështja më brengosëse. Aktualisht, Kosova nuk është vend atraktiv për investitorët e huaj. Ne bëjmë çmos që të tërheqim investitorët e huaj, por derisa të vazhdojë dhuna, kjo nuk do të jetë e lehtë.
AIM: Për ndalimin e dhunës më shumë përgjegjësi kanë UNMIK-u dhe KFOR-i?
BEARPARK: UNMIK-u dhe KFOR-i po bëjnë çmos që të krijojnë një ambient të sigurt, por ata nuk mund të ndalojnë individë budallenj, që të kryejnë vepra dhune. Secili duhet ta marrë pjesën e vet të përgjegjësisë për ndërprerjen e dhunës dhe krijimin e një ambienti tolerant në Kosovë. UNMIK-u dhe KFOR-i po e bëjnë punën e tyre, por populli i Kosovës duhet ta dënojë haptas dhunën.
AIM: Mirëpo, ka probleme edhe rreth definimit të qeverisjes me ndërmarrjet. Ka kundërthënie ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror, përkatësisht kuvendeve komunale dhe DTI-së?
BEARPARK: Më duket se këto dy mundësi janë të mundshme. Ekziston një keqkuptim, por nëse sqarohet gjendja, nuk mund të ketë problem. Mendoj se kjo gjë është e paevitueshme dhe se kjo periudhë do të kalojë. E di se ka pasur disa raste të rënda, por mendoj se ato do të zgjidhen.
AIM: Ekspertët kosovarë të ekonomisë kërkojnë privatizim, e jo komercializim. Cili është qëndrimi i juaj për këtë çështje?
BEARPARK: Është kjo njëra prej mundësive. Qasja ime është t'i dëgjoj propozimet e secilit dhe ky që përmendët është një prej sugjerimeve. Qëndrimi im është shumë i thjeshtë. Unë dua një proces të shpejtë dhe transparent dhe gjithsesi të jetë fer. Ky është sistemi që unë do ta disenjoj.
AIM: Por, nëse flasim për ndonjë përparim ekonomik, së paku ai nuk vërehet përmes parametrave globalë: prodhimi, investimet, numri i të punësuarve, eksporti, importi... Me çfarë mund ta dëshmoni se ekonomia ka ecur përpara?
BEARPARK: Disa prej indikatorëve më të rëndësishëm për një ekonomi janë: taksat, punësimi dhe regjistrimi i bizneseve. Ne jemi duke krijuar kapacitetin për t'u zhvilluar dhe për të arritur një gjë të tillë. Shumica e vlerësimeve që jemi duke i bërë janë më tepër të përafërta, të përgjithësuara, sesa shifra fikse. Kjo do të vazhdojë derisa të gjitha gjërat të vijnë në vendin e vet. Në rastin e Kosovës, mund të shohim se po bëhet mjaft në sferën e inkurajimit e aktivitetit ekonomik. Por shtrohet pyetja: a është ky zhvillim ekonomik i qëndrueshëm, apo është një lloj rindërtimi i përkohëshëm. Nuk mund të them se mund të japim përgjigje precize në këtë çështje. Gjëja më e rëndësishme është të inkurajojmë ndryshimin e gjendjes aktuale. Për shembull, ne nuk e dimë saktësisht se cila është shkalla e papunësisë. Por ajo çfarë dimë është se duhet reduktuar këtë shkallë të papunësisë. Nuk është me rëndësi se çfarë shifrash kemi apo nuk kemi, me rëndësi është drejtimi se ku dëshirojmë ne të shkojmë.
AIM: Kam përshtypjen se ju as nuk keni frikë nga dështimi i koncepteve për të cilat flisni. Por, tensionet sociale janë shumë të mundshme?
BEARPARK: Unë këtë nuk e shoh si problem. Dihet se njerëzit dëshirojnë të marrin pensione, dëshirojnë të punojnë, dëshirojnë të fitojnë para. Për këtë shkak duhet një zhvillim ekonomik i qëndrueshëm. Një problem i tillë nuk do të mund të ndodhte, sikur ne të shkonim prapa e të mos shkonim përpara sikur jemi duke shkuar. Unë nuk kam qëllim të lejoj diçka që të shkojë prapa. Por, nuk mund të shkojmë përpara aq shpejt sa dëshirojmë ne, por sigurisht nuk jemi duke shkuar prapa.
AIM: Por, njerëzit duan që gjërat të ecin më shpejt?
BEARPARK: Është e kuptueshme të dëshirohet përshpejtimi i gjërave.
AIM: Ju nuk qëndruat deri në fund në qëndrimin tuaj rreth doganave në kufirin me Serbinë?
BEARPARK: Sa u përket qendrave të mbledhjes së tatimeve, ne jemi duke operuar njëlloj në mbarë Kosovën. Fatkeqësisht, ka disa keqkuptime. Kosova ka katër shtigje, përmes të cilave komunikon me fqinjtë. Ka kufij ndërkombëtarë me Shqipërinë dhe me Maqedoninë, dhe ka një vijë kufizuese me Serbinë dhe Malin e Zi. Doganimi, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, mund të bëhet vetëm në kufijtë ndërkombëtarë. Por, është normale të mbledhësh tatim në shitje brenda një territori, që është burimi kryesor për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës. Gjatë këtyre 16-17 muajve, ne kemi bërë gjithçka që të mund të mbledhim tatimin në shitje. Është fakt që njerëzit nuk duan të paguajnë tatime. Dhe, sa herë që ne vendosim ndonjë pikë tatimore, disa njerëz thonë se kjo nuk është fer. Unë them se nuk është jofer. Me hapjen e pikave të reja, ne mbledhim mjaft tatime.
AIM: A keni komunikim me zyrtarët nga Beogradi?
BEARPARK: Takime të drejpërdrejta nuk kemi pasur, por unë kam një zyrë dhe një përfaqësues në Beograd,i cili është në kontakte të përhershme me autoritetet e atjeshme. Bisedohet për të gjitha çështjet, pro ndonjë përgjigje konkrete nuk ka.
AIM: Kursimtarët devizorë në Jugoslavi po marrin nga 110 marka në emër të kurismeve të humbura. Këtë të drejtë nuk e gëzojnë shqiptarërt që kanë humbur qindra miliona marka. A bisedohet për këtë çështje?
BEARPARK: Jemi duke diskutuar shumë çështje dhe me sa duket nuk do të ketë përgjigje të shpejtë.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI