Lufta e duhanit midis Kroacise dhe Serbise
AIM, Zagreb, 17.06.2001
Deri para dy muajsh, në Kroaci askush nuk kishte dëgjuar emrin e Stanko Subotiq-it të quajtur Cane. Por atëherë, pas shkrimit të parë të serialit në të përjavshmen “Nacional”, Stanko Subotiq Cane-ja u bë ylli i vërtetë postjugosllav i Lijepa Nashës ( mendohet për Kroacinë - Bukurushja jonë, shënim i përkth.). Fotografia e tij nuk hiqet nga faqet e gazetave. Sot Caneja është i njohur ashtu siç ishin dikur Vjeko Slishko-ja, Nikica Jelaviq-i ose Zllatko Bagariq-i. Vetëm titulli që mba është disi “federativ” - derisa Slishko ose Bagariqi ishin të njohur si mafiozë kroato-evropianë, Caneja është vlerësuar si “ udhëheqës i organizatës mafioze ballkanike” e cila mbulon territorin e ish RFSJ-s me veprimtarinë e vetë
Tregimi filloi në kohën kur e përjavshmja “Nacional” ndoshta fare rastësisht zbuloi se i panjohuri i deridjeshëm Stanko Subotiq Cane, i ashtuquajturi udhëheqës i mafijës ballkanike, posedon nënshtetësinë kroate. Në një cilësi të panjohur, garancën për Canen në Ministrinë e punëve të brendshme gjatë ndarjes së nënshtetësisë - që në kohën e qeverisë së HDZ-es e kishte dhënë Ljubo Qesiq Rojsi, kuadër hercegovas i Tugjmanit, ultranacionalist dhe pronar i ndërmarrjes ndërtimore, i cili gjatë luftës menjëherë u bë shumë i pasur. Ministri i ri i punëve të brendshme, Shime Lluçin, vërtetoi se MPB kroate vërtetë ishte ajo që i kishte dhënë nënshtetësinë Canes, por si dhe pse ishte bërë kjo gjë, Lluçin për këtë nuk kishte kurrfarë njohurie. Cane-ja, ndërkaq, ishte njëri nga 243 personat të cilët gjatë luftës në Kroaci kishin fituar nënshtetësinë, por shumica e tyre kishin edhe dosiet kriminale. Dihet mirë se në atë kolonë u rradhitën edhe një numër i konsiderueshëm serbësh dhe malazezësh. Pas shpërthimit të saj, kjo afere plot një muaj nuk u hoq nga faqet e para të të përjavshmes Nacional. U pa fare qartë se kjo nuk ishte diçka e rastit.
Sipas hulumtimeve të kësaj gazete këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një serial mafioz, por për një zinxhir kotrabandistësh i cili fillon nga krerët e disa shteteve (Mali i Zi, Kroacia, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, përkatësisht - Herceg Bosnja e dikurshme), nëpërmjet të prodhuesve të cigareve, deri te kotrabandistët më të imët të cilët shesin në tregje pakot e Malboros dhe Ronhilit të Rovinjit. Më shkurt e më drejtë, fjala është për punën e ngjashme e cila gjatë luftës bëhej me naftën. Me këto punë, si dihet, qarkullonin miliarda dollarë - shumë individë u bënë të pasur brenda natës, kurse shumë të tjerë, poashtu po aq lehtë, i lanë kokat e tyre Subotiq-i, sipas vërtetimeve të Nacionalit, tërë punën e ka organizuar me ndihmën e presidentit malazez, Millo Gjukanoviqit, shefit të shërbimit të sigurimit shtetror, Jovica Stanishiq dhe drejtorit të Televizionit të Beogradit, Millorad Vuçeliq. Subotiq-i, -sipas shkrimeve të Nacional-it - gjatë kohës së luftës, vite me radhë ka gjetur furnizues dhe treg për kotrabandimin e cigareve; Millo Gjukanoviqi ka siguruar njësitet e kontrabandistëve, Stanishiqi ka rregulluar punën e kalimeve dhe manipulimeve doganore, kurse Vuçeliq-i ka siguruar informatat për planet dhe veprimet e klaneve kundërshtare - atyreve, në krye të të cilave qëndronte i biri i Sllobodan Millosheviqit, Marko Millosheviq.
Në kohën kur frakcioni i Millosheviqit vendosi të pushtojë tërë tregun, Stanishiq-in e ndërruan kurse ndaj Subotiq-it u shpall fletëarresti. Vuçiniq-it në të njëjtën kohë ia minuan automobilin; memzi shpëtoi gjallë nga atentati. Tregimi më vonë filloi të ndërlidhet dhe të shthuret edhe në arenën politike: nga Mali i Zi u forcuan kërkesat për ndarje - në bazë të së cilës Gjukanoviqi formoi policinë dhe doganën e pavarur - kurse Subotiq-i, nëpërmjet lidhjeve të veta kroate, përkatësisht me Ljubo Qesiq Rojsin - fitoi pasoshin kroat. Vendimin e dhënies së nënshtetësisë kroate Stanko Subotiqit e ka nënshkruar ministri Ivan Peniq, kurse arësyetimi është mjaft i paqartë : në shënimin figuron se kjo është rekomanduar nga Ljubo Qesiq Rojsi. Duket se kjo është një rrugë që të zbulohen sa më shumë hollësi për strukturën më të thellë të bashkëpunëtorëve të Canes në Kroaci. Kur dihet se Subotiqi, sipas shkrimeve të Nacional-it, për çdo pasosh ka marrë 80 mijë marka gjermane, është e sigurtë se ai në Kroaci ka patur shumë bashkëpunëtorë në shkallët e larta dhe më të larta të pushtetit. Sepse, veç tjerave, nuk është jo aq e parëndësishme që në strukturën e cigareve të kontrabanduara për tregun serb dhe malazez, prodhimet e Kroacisë përbëjnë një përqindje tepër të lartë.
Më vonë “Nacional-i” mori intervistë nga Sreqko Kestner-i, ortaku kryesor i kalibrit evropian i Stanko Subotiq Canes, i cili gjërë e gjatë shpjegoi dhe përshkroi punët e tij me Canen, duke treguar, në radhë të parë, se të gjitha punët lidhur me kotrabandën e cigareve kanë kaluar me përkrahje të parezervë dhe asistencë të organeve shtetrore të Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë - mirëpo, publikimin e intervistës Kestneri e kushtëzoi me mospërmendjen e emrave të lojtarëve kryesorë kroatë. Sipas rrëfimit të tij, në çdo pako me cigare është gërshetuar një rrotëz e mekanizmës - nga dilerët e imtë deri te Gjukanoviqi dhe Gjingjiq-i.
Menjëherë pas botimit në Nacional të këtyre artikujve , në Budvë u vra Bllagota Baja Sekuliq, njëri nga bashkëpunëtorët kryesorë të Stanko Subotiq Canes. Flitet se Sekuliqi ka ditur shumë gjëra lidhur me punët e kotrabandës së cigareve, në të cilën janë përfshirë disa nga njerëzit e garniturës udhëheqëse jugosllave. Cane, sipas disa vlerësimeve mediale, është i rëndë për 500 milionë dollarë; Millo Gjukanoviqi për rreth 130 milionë, kurse kryeministri serb Zoran Gjingjiq ka shfrytëzuar logjistikën dhe të hollat e Subotiqit. Sekuliqi, thonë ata që e kanë njohur, ka qenë psiqikisht mjaft i luhatur dhe për tëra këto do të tregonte mjaft lehtë, prandaj likuidimi i tij ishte puna më e sigurtë. Pas shkrimeve në Nacional, Zagrebi u vizitua edhe nga ministri i punëve të jashtme i Malit të Zi, i cili, si flitet, ka kërkuar që Mesiqi të ndalojë shkrimet e mëtejshme të Nacionalit lidhur me mafiozët e duhanit.
Afera “Cane” u rrit dhe u shndërua në skandal ndërkombëtar. Pas shkrimeve në nacional, Millo Gjukanoviqi paralajmëroi aktpadinë kundër kësaj gazete, kurse Zoran Gjingjiqi deklaroi se nuk kishte kurrfarë lidhjesh me Subotiqin, kështu që e ndaloi shitjen e atij numri të Nacionalit në Serbi. Mirëpo, Gjingjiq-i, kur pa se drejtori i BAT-it zviceran Eddy Walpen publikisht deklaroi se Subotiqi përfaqësonte qeverinë serbe në punët rreth ndërtimit të fabrikës së BAT-it në Serbi, me gjasë e ndërroi mendimin e tij për Subotiqin. Gjingjiqi shtoi pastaj se në Serbi nuk do të ndërtohej kurrfarë fabrike duhani, por pranoi se në udhëtimet zyrtare kishte udhëtuar me aeroplanin e Subotiqit, kinse me qëllim që të kursente buxhetin e shtetit. Bat-i, pas disa shkrimeve në Nacional, por nuk dihet vallë vetëm për këtë shkak - hoqi dorë nga ndërtimi i fabrikës së duhanit në Kragujevc, për të cilën ishin paraparë mbi 150 milionë marka gjermane.
Lufta e duhanit vazhdoi punën më tutje. Menjëherë pas heqjes dorë të BAT-it nga ndërtimi i fabrikës së duhanit në Serbi, u lajmërua prodhuesi i duhanit nga Rovinji, Fabrika e duhanit Rovinj - aktualisht ndoshta fabrika më e fortë dhe më e shëndoshë në Kroaci - e cila gjatë vitit të kaluar realizoi fitimin apo profitin më të lartë që ishte arritur gjer atëherë, rreth 90 milionë marka, pothuaj dy herë më shumë se sa gjatë vitit të kaluar. Ndërmarrjet e grupacionit të TDR -së rrotulluan gjatë vitit të kaluar mbi një miliardë e dyqind milionë marka. Çmimi i veprimtarisë së tyret gjatë tre vjetëve të fundit u rrit për trefish. Drejtori i TDR-së Ante Vllahoviq në konferencën e organizuar për gazetarë deklaroi se kjo fabrikë - përpos rezultateve të mira, së shpejti duhet të zgjerohet, përndryshe mund të vetëzhduket. Që të mos paraqiteshin dyshime, Vllahoviq shpjegoi se Fabrika e duhanit Rovinj planifikon të bëhet “lojtare e rajonit”. Argumentet e tij ishin mjaft të arësyeshme: në tregun e rajonit - domethënë në ish Jugosllavi - brenda një viti shiten afër 80 miliardë cigare : ky është tregu i vetëm të cilin nuk e kontrollojnë kompanitë e mëdha multinacionale dhe prandaj, i vetmi në të cilin mund të përpunohet ekspanzioni. Synimi i TDR-së është që të shesë 20 miliardë cigare; shitja e tanishme është rreth 12 miliardë. TDR planifikon të ndërtojë fabrikën e cigareve në Novi Sad. Në tregun e atjeshëm prodhimet e TDR-së mbulojnë vetëm afër 12 përqind, tha Vllahoviq-i, duke shtuar se në tregun serb me kohë është bërë i njohur kualiteti i cigareve të Rovinjit.
Vështirë është të thohet se e përjavshmja Nacional është vënë në shërbim të mënjanimit të konkurencës ndaj Fabrikës së duhanit të Rovinjit, por e qartë është poashtu se shkrimet e kësaj gazete u kanë bërë shërbim mjaft të mirë prodhuesve istrianë të cigareve. Pasi e dëbuan konkurentin kryesor, BAT, nga tregu kroat -duke ia ndaluar atë kohë depërtimin në Zadër - tani në të vërtetë të njëjtën gjë e arritën edhe në Serbi. Disa analistë vërtetojnë se shkrimet në Nacional janë rezultat i faktit që kryeredaktori i Nacionalit është mik me barunin tjetër të duhanit serbo-malazez, Ratko Knezheviq-in, i cili jeton në Londër, dhe të cilit Subotiq- Caneja i bënte konkurencë serioze. Ndoshta është mjaft me interes të theksohet se në shkrimet e Nacional-it nuk është zbuluar as edhe një emër i vetëm serioz nga lojtarët e palës kroate: si bashkëpuntor i mafiozëve serbo-malazezë është shpartalluar vetëm Ljubo Qesiq Rojs, roli i të cilit në të vërtetë ka qenë ai i ndërmjetësuesit. Por kotrabanda e cigareve nga Rovinji në Serbi, edhe pse ishte më e vogël nga ajo e perëndimit, megjithatë ishte punë e dekadës dhe nuk mund të zhvillohej pa përkrahjen e lojtarëve të fortë të kreut kroat. Çështja që ata ende kanë ngelur të panjohur nuk është e qartë dhe shkakton poashtu mjaft dyshime.
Si do që të jetë, pas fillimit të ndërtimit të fabrikës së duhanit në Novi Sad, kotrabanda me cigare në këtë krahinë patjetër do të zvoglohet, kurse tregu, si edhe në viset tjera, do të fillojë të normalizohet. Mafiozët e kohës së sankcioneve gjatë muajve në vijim, sipas të gjitha gjasave do të fillojnë të zhduken në një sërë atentatesh të përgaditura. Në territorin e Jugosllavisë së dikurshme ka filluar të mbijë bashkësia tregtare e duhanit, naftës dhe ajvarit. Në Evropë dikur kjo filloi si bashkësi e qymyrgurit dhe çelikut. Dhe me diç më pak atentate, por, kjo tani mund të emrohet si specifikë rajonale.
BORIS RASHETA