Peshtyrje mbi varreza

Beograd Jun 20, 2001

Krahas përshpejtimit të përhapjes së informatave për ekzistimin e më së paku pesë varrezave masive në të cilat kufomat janë mbuluar me qëllim që të fshihen krimet në Kosovë e Metohi, MPB e Serbisë për do shkaqe ashpër përforcon sulmin ndaj kreut të Ushtrisë së Jugosllavisë

AIM, Beograd, 16.06.2001

Gjatë javës së kaluar MPB e Serbisë pranoi vërtetësinë e zbulimeve të të përjavshmes beogradase “Vreme” se trupat e viktimave të krimeve në Kosovë e Metohi janë varrosur në terrenin e kompleksit “13 Maj”, njërës nga qendrat policore për stërvitjen e njësiteve speciale antiterroriste. Është publikuar se në autofrigoriferin i cili më 20/21 mars të vitit 1999 është fundosur në Danub, por i cili pas dy javësh është shfaqur në Tekije, janë gjetur 86 kufoma njerëzish të cilat me dy kamionë - nuk dihet të cilit kanë qenë- janë transportuar në Beograd dhe janë mbuluar diku në rrugën ndërmjet Zemunit dhe Batajnicës. Gazetarëve u është treguar videoshënimi i bërë ndërmjet 31 majit dhe 6 qershorit të këtij viti : në të shihet buldozeri, një pjesë e tokës së pastruar nga shkurret dhe disa eshtra në formë të brinjëve, pjesa e një kafke dhe nofulle të poshtme të dalur sipër dheut.

Pas ardhjes së vëzhguesve të Tribunalit të Hagës -deri tani një zviceran dhe një iranas, por është paralajmëruar ardhja edhe një skotlandezi - dhe e Komisionit Ndërkombëtar për njerëz të zhdukur, të cilin e përfaqëson një kanadeze, ekipi profesional i Institutit për mjekësi gjyqësore i Beogradit, të hënën më 11 qershor, tentoi të vazhdojë gërmimet. Për shkak të shirave të mëdha dhe baltës që mbuloi vendin, deri të shtunën më 16 qershor në të vërtetë u hoq një shtresë e dheut e trashë120 cm., nën të cilën u konstatua madhësia e varrezës prej afër 10 me 10 metro.

Në ndërkohë, në konferencat e shpeshta për media, ministri i policisë serbe, Dushan Mihajlloviq, përmendi ekzistimin “ e më shumë varrezave masive” në atë terren, si dhe atë se gjatë përpjekjeve të organizuara me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimeve disa trupa janë gjetur edhe “nën një pjesë të autostradës”. Ministri nuk i komentoi thashethemet se ndoshta mund të bëhej fjalë për kufomat e disa qindra viktimave; dhe në të njëjtën kohë vlerësoi se opinionit nuk duhet t'i interesojë se prej ku policia i mori ato informata - “ sepse shumë pjesëmarrës të pafatë të kësaj ngjarjeje për këtë kanë marrë rrogë”- por është e natyrshme të interesohet se cili ka dhënë urdhër, gjegjësisht i ka organizuar dhe i ka shpallur si fshehtësi shtetrore. Fatkeqësia, ndërkaq, qëndron në atë që fakti se Sllobodan Millosheviqi ka qenë urdhërdhënës, deri tani nuk është argumentuar me kurrfarë argumentesh; akurse opinioni, nga ana tjetër, me gjasë më shumë është i interesuar për organizatorët e drejtpërdrejtë dhe ekzekutorët e fshehjes së veprave kriminale, të fshehjes së krimeve, sidomos kur kemi parasysh faktin se fshehtësia e tmerrshme për të cilën duhet të dinin sëpaku disa dhjeta individë është mbajtur në fshehtësi plot dy vite.

Sipas të dhënave të publikuara tani më nuk është e diskutueshme se operacionin “Dubina 2”, gjegjësisht fshehjen e autofrigoriferit dhe kufomave, e ka kryer vetë policia. Të premten më 15 qershor është publikuar “zbulimi” i varrezës masive te Petrovo Sello, te po ajo qendra për stërvitjen e njësiteve speciale të MPB të Serbisë në rrethin e Tekijes, ku është zhdukur edhe autofrigoriferi i Danubit. Edhe në këtë rast “supozimi” se bëhej fjalë për nja tridhjetë kufoma është publikuar para se ekspertët e medicinës gjyqësore të dilnin në terren në vendin e ngjarjes, si edhe ajo se këtu nuk ishin ato të “rastit të autofrigoriferit”. Shihet qartë se MPB-ja e Serbisë din shumë më terpër nga ajo që i tregon opinionit. Kjo në rrethana të këtilla mund të vlerësohet si diçka krejt normale. Për këtë si dhe për shumë raste të këtilla të ngjashme, për të cilat është paralajmëruar në formën “ nga burime të besueshme operative” - nuk nevojitet arësyetim për hamendje, selekcionim dhe terapi të informatave, si edhe për heshtjen e fakteve mjaft të njohura “banale” për pronarët e kamionëve me të cilët kufomat janë transportuar, të buldozerëve me të cilët janë mbuluar ose për statusin e njerëzve të cilët, me dashje ose padashje, kanë marrë pjesë në fshehjen e gjurmëve të krimeve.

Dyshimin në ekzistimin e do shkaqeve të fshehta për qëndrimet e kreut aktual të MPB së Serbisë nuk e zvogloi ajo që kontesti i “zbulimit” të varrezave masive shërbeu për sulme të hapta ndaj Armatës Jugosllave (AJ). Ministri Dushan Mihajlloviq gjatë tri javëve të shkuara nuk lëshoi asnjë rast që të mos kujtojë AJ dhe shefin e shtatmadhorisë Nebojsha Pavkoviq në lidhje me “zbulimin” e varrezave masive. Kjo në radhë të parë ishte si sugjerim për gazetarët “që të shihnin se cilët kishin marrë pjesë në konfliktet e armatosura në Kosovë”, pastaj se policia gjatë bombardimeve të NATO-s ishte nën komandën e ushtrisë dhe në fund, se ushtria ishte ajo që jepte urdhërin për asanimin e fushëbetejës. Për ndonjë shkak të tij të caktuar në konferencën për mediat, të mërkurën më 13 qershor, Mihajlloviqi gazetarëve ua tregoi dekoratën e rëndë 700 gramë prej ari dhe diamantesh të cilën gjenerali Nebojsha Pavkoviq mendonte t'ia dorëzojë Sllobodan Millosheviqit; krahas kësaj janë shpërndarë edhe kopjet e disa urdhërave të komandantëve të Armatës së Tretë (Nebojsha Pavkoviq) dhe korparmatës së Prishtinës (Vlladimir Llazareviq) për bonifikimin e fushëbetejave në kohën e bombardimeve të NATO-s.

Çka thohet në njërin nga urdhërat e tillë? Në ditën e fundit të prillit të vitit 1999, gjeneralmajori Vlladimir Llazareviq, komandant i korparmatës së Prishtinës, jep urdhër për asanimin e fushëbetejës pas veprimeve antiterroriste luftarake dhe veprimeve hetuese në rastet kur ekziston dyshim i bazuar se janë kryer vepra kriminale. Hetimet do t'i zhvillojnë organet gjyqësore ushtarake në rast se luftrat i kanë zhvilluar njësitet e AJ, gjegjësisht - gjyqet qytetare në rast se në luftra kanë marrë pjesë njësitet jasht formacioneve të ushtrisë jugosllave. Në njërin nga faksimilet e publikuar shihet qartë urdhëri i shkruar me dorë “SPB - të gjithëve -shefit. Ttë veprohet në pajtim me Shtatmadhorinë” sipas Pikës 5. Pika 5 e urdhërit të Llazareviqit thotë: “Njësitet jasht formacioneve të AJ si bartës të veprimeve luftarake, si edhe organet e jurisprudencës civile, pas punëve të kryera hetimore, proçesverbalet në afat sa më të shkurtër t'ia dorëzojnë në disponim Gjyqit Ushtarak pranë Komandës së korparamtës së Prishtinës, me fshehtësi më të madhe të të dhënave”.

Meqë në Kosovë dhe Metohi funksiononte vetëm Shtabi i MPB të Serbisë për Kosovë e Metohi - kurse urdhëri i përmendur u është dërguar veçmas njësiteve të numruara të AJ, kurse nga forcat policore përmendet vetëm “Shtabi i MPB për KeM”- duket se dikush në të (nënshkrimi i palexueshëm) me paralajmërimin për “Shtabin” si arbitër në zbatimin e pikës 5 të urdhërit ka vendosur që çka dhe si t'i dorëzohet gjyqit ushtarak pranë komandës së korparmatës së Prishtinës. Ky detaj mbështet vlerësimet e kumtesës së Shtatmadhorisë së AJ lidhur me aktakuzën e Mihajlloviqit në konferencën për shtyp se ushtria, në të vërtetë ,vënia apo nënshtrimi i forcave policore nën komandën e përbashkët ishte vetëm një çështje formale. Historia e luftrave eksjugosllave të dekadës së fundit vërteton poashtu se marrë në përgjithësi rolet që kanë luajtur në to policia “e Millosheviqit” dhe ushtria “e Millosheviqit” kanë qenë të llojeve të ndryshme.

Në komunikimet publike - ose më drejtë, në këtë luftë komunikimesh - MPB të Serbisë, si duket, ndoshta rastësisht ka bërë vlerësime të gabueshme. Termi asanim apo “bonifikim” dhe “bonifikim i fushëbetejës” është përdorë me kuptim të “vetëkuptueshëm” si zhdukje e gjurmëve të krimit: kështu që edhe urdhëri për bonifikimin e fushëbetejës është vendosur në kontestin e vërtetimeve të lidhjeve të ushtrisë me varrezat masive të cilat këto ditë “i zbulon” MPB e Serbisë. Bonifikimi i fushëbetejave - gjetja e organizuar e të plagosurve, identifikimi i të vrarëve dhe zhdukja e kufomave, mbeturinave biologjike dhe çdo gjëje tjetër në fushëbetejë që mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme ngjitëse - është obligim i palëve në konflikt të armatosur ashtu si është shënuar në konventat e Gjenevës që nga viti 1864. Prandaj shpallja e urdhërave për bonifikim, krahas raportit për hetime, në të gjitha rastet e dyshimta si shkaktare të vdekjes, flet vetëm në favor të ushtrisë - përveç në rastet kur MPB e Serbisë nuk di diç më shumë lidhur me atë se si është zbatuar urdhëri. Lidhur me këtë çështje ende nuk dihet gjë: për dallim nga policia, AJ ka ngritur aktakuzat kundër 193 pjesëtarëve të vet për shkak të veprave penale të bëra në kohën e bombardimeve të NATOs.

Të enjten, më 14 qershor, shefi i Shtatmadhorisë së AJ, Nebojsha Pavkoviq, lidhur me konferencën e mbajtur një ditë më parë për mediat nga ana e ministrit të policisë Dushan Mihajlloviq deklaroi se “ekziston plan dhe rrezik që në konfliktet e ndërsjella të përditshme mediale të shprazen dy sistemet tejet e rëndësishme të mbrojtjes dhe sigurisë -MPB e Serbisë dhe AJ”. Sipas Pavkoviqit, AJ është sulmuar më parë si strehuese e formacioneve paraushtarake, pastaj është akuzuar si opstrukcioniste lidhur me burgosjen e Sllobodan Millosheviqit, dhe në fund si pjesëmarrëse në aferën e “autofrigoriferit”. Po cili ishte ai që komandoi në Kosovë? “Me Ligjin për mborjtjen popullore është caktuar që njësitet e MPB në sferat e përgjegjësisë të jenë nën komandën e Ushtrisë dhe se njësitet e MPB janë të obliguara që t'u nënshtrohen urdhërave të AJ-s”, thot Pavkoviq. Por “MPB ka patur shtabin e vet, me të cilin ka komanduar eprori i tij, kurse bashkëpunimi me ushtrinë është koordinuar nga personat politikë të komandës së përbashkët, e fomuar pikërisht për këtë qëllim. Sipas kësaj, përgjigjen në pyetjen se çfarë kanë bërë njësitet e MPB më së miri mund ta dijë komandanti i njësitit të MPB dhe anëtarët e Komandës së Përbashkët, e cila ka qenë e angazhuar për ta Mendoj se nuk është e nevojshme që ministrit Mihajlloviq t'ia përkujtojmë se lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe Metohi të vitit 1999, si edhe të gjithë dokumentet për akcionet e MPB dhe Ushtrisë Jugosllave, egzistojnë sëpaku nja dhjetë mijë dëshmitarë..

Personi në të cilin aludon shefi i Shtatmadhorisë së Armatës Jugosllave është, pa dyshim, gjenerali i policisë Sreten Llukiq, shef aktual i departit të sigurimit publik të MPB të Serbisë: në kohën kritike ai ishte shef ose koordinator i shtabit të MPB të Serbisë për Kosovë e Metohi. Lidhur me rastin “autofrigoriferi” ai nuk pranoi të jap përgjigje në pyetjen direkte drejtuar atij; pas një jave deklaroi se nuk kishte ditur gjë lidhur me këtë rast. Pas do kohe, në fillim të qershorit, ministri Dushan Mihajlloviq atë e gradoi: dhe në rast se nuk është fjala për “ shut përpara”, Llukiqi për do shkaqe të posaçme gëzon besimin e ministrit të policisë dhe të kryeministrit Zoran Gjingjiq; atij i besohet dhe jo fjalës së Nebojsha Pavkoviqit. Dhe, sikur të mos ishin ato lëndinat në të cilat janë mbuluar mbetjet e njerëzve, dëshmia më e tmerrshme jo vetëm për krimet por edhe për fshehjen e tyre të planifikuar, tërë ky rrëfim do të ishte edhe një më shumë në konfrontimet politike. Ajo që është veçantë: “gjeneralin e Millosheviqit” po e sulmon njeriu- ministër i cili vite me radhë pikërisht atë Millosheviqin me vite e mbajti në pushtet, me përkrahjen anonime të “ekzekutorëve” të Millosheviqit dhe “zbuluesve” të krimeve të tij. Në këtë rast, shprehur me gjuhë policore, ekzistojnë indicie të qarta dhe të forta se tërë konflikti i policisë me ushtrinë rreth “bonifikimit të fushëbetejës” është orientuar kah caku i (pa)pritur, presidenti i RFJ,Vojisllav Koshtunica. Por, ky është një rrëfim tjetër, i veçantë.

ALEKSANDAR QIRIQ