Edhe pas dy vitesh - shqiptarët dhe serbët në anë të kundërta!

Pristina Jun 20, 2001

Prishtinë, 19.06.2001.

Dy vjet pas hyrjes së KFOR-it dhe vendosjes të administratës ndërkombëtare (UNMIK), në Kosovë janë bërë ndryshime të mëdha. Por, edhe më shumë ka mbetur për t'u bërë. Edhe vendorët edhe ndërkombëtarët tashmë një kohë të gjatë janë të vetëdijshëm për disa gjëra që është dashur të bëhen e nuk janë bërë, sidomos në fushë të ekonomisë dhe të sigurisë. Nuk fshehin se pengesa për veprim ishin dhe mbeten dilemat dhe hamendjet e karakterit politik dhe diplomatik. Nuk është spastruar se deri ku mund të veprojë UNMIK-u si administratë ndërkombëtare e të mos e cënojë sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën, siç është përcaktuar me Rezolutën e KS të OKB-së 12-44. Prandaj, edhe ato që janë bërë, edhe ato që duhet të bëhen, arsyetohen me atë Rezolutë. Me këtë dokument mbulohen të gjitha: sukseset, dështimet, mossukseset, lëshimet, joprofesionalizmi. Ngarkesë plotësuese janë dilemat, qasjet dhe pikëpamjet politike të fuqive të mëdha që vijnë në shprehje nëpërmjet njerëzve të vet që punojnë në Kosovë. Duket sikur pengesat e këtilla nuk ka gjasa të mënjanohen deri në përcaktimin definitiv të statusit të Kosovës.

Gjendja nuk është vetëm e bardhë ose vetëm e zezë, por fitohet përshtypja sikur mbisundojnë ngjyrat e mbyllura. Përshtypje të këtillë imponojnë, në radhë të parë, paqartësitë në pikëpamje të perspektivave të zhvillimit ekonomik, raportet e këqija ndëretnike, sidomos ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, pastaj një lloj kaosi në sistemin juridik, mosfunksionimi i organeve të ndjekjes dhe i gjyqeve dhe, marrë në tërësi, përpjekjet e pasuksesshme për mposhtjen e kriminalitetit dhe për vënien nën kontroll të krimit të organizuar. Publikisht, fare pak flitet për problemet e rënda të ekzistencës të një pjese shumë të madhe të popullsisë. Por, kjo është njëra faqe e jetës, faqja publike. Faqja tjetër, ajo e jetës së vërtetë, është lufta e tmerrshme për ekzistencë fizike.

Në këtë dyvjetor, zyrtarët e UNMIK-ut më me ëndje do të flisnin për sukseset në rivendosjen e funksioneve elementare të shoqërisë. Të parin do ta përmendnin kthimin e disa qindra mijëra shqiptarëve në shtëpitë e veta, pastaj ringjalljen e shërbimeve siç janë arsimi, shëndetësia, shërbimet komunale, duke përfshirë edhe energjinë elektrike, ku janë bërë investime shumë të mëdha, riparimin ose ndërtimin e pjesës më të madhe të komunikacionit tokësor dhe të urave, të disa dhjetëra mijëra shtëpive, të shkollave, të ambulancave. Do të thoshin se janë investuar mjete të konsiderueshme për revitalizimin e bujqësisë, për stimulimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, pastaj për pajisjen dhe për modernizimin e shërbimeve të shumta, për reformën e arsimit dhe të mësimit universitar. Në fushë të politikës, arritje të mëdha ndërkombëtarët e këtushëm i konsiderojnë formimin e organeve të përbashkëta me përfaqësuesit politikë vendorë në fund të vitit 1999, zgjedhjet lokale në vitin e kaluar, hapjen e rrugëve për një profilizim modern të mediave dhe për krijimin e mbështetjeve të shoqërisë civile, miratimin e Kornizës Kushtetuese dhe përcaktimin e ditës së zgjedhjeve parlamentare për 17 nëntor të këtij viti.

Përfaqësuesit e administratës ndërkombëtare nuk do të pajtoheshin se gjendja në fushë të sigurisë dhe të luftës kundër kriminalitetit është e keqe. Me të dhëna statistikore ata dëshmojnë për rënien e disa formave më të rënda të kriminalitetit. Numrat flasin për tendenca përmirësimi, por te njerëzit aspak nuk janë zvogëluar ndjenjat e pasigurisë. Pasiguri më të madhe krijon fakti se edhe në qoftë se ndiqen, kriminelët gati se nuk nxirren para gjyqit. Kjo posaçërisht vlen për aktorët për të cilët mendohet se i përkasin krimit të organizuar. Edhe pse ka ende aksione të mëvetësishme kriminale të individëve dhe të grupeve të vogla, fitohet përshtypja se krimi bëhet çdo ditë më i organizuar dhe më racional. Bën përpjekje t'i shmanget dhunës brutale dhe duke shfrytëzuar zbraztësitë e mëdha në sistemin juridik, të inkuadrohet në rrjedhat e jetës së përditshme. Madje, ekzistojnë zbraztësi që e bëjnë të pamundshëm përkufizimin e qartë ndërmjet tregtisë legale, nga njëra anë, dhe kontrabandës, abuzimeve dhe kriminalitetit, në anën tjetër.

E vetmja fushë ku bartësit e pushtetit ndërkombëtar do të pranonin se nuk janë bërë përparimet e dëshiruara është fusha e sigurisë të bashkësive etnike, sidomos e serbëve. Edhe pse në marrëdhëniet ndërmjet "të çliruarve" dhe "çlirimtarëve" kaherë janë shuar entuziazmi dhe përzemërsia e para dy vjetëve, duket sikur edhe të parët edhe të dytët kanë edhe më iluzione për arritje të shpejta në rregullimin e problemeve kosovare. Kjo do të thotë se procesi i kthjellimit për të mundshmet dhe të pamundshmet nuk ka përfunduar. Për shembull, ndërkombëtarët edhe më tej presin që raportet ndëretnike, sidomos ato shqiptaro-serbe, vetëm për ndonjë vjet të vihen në binarët e qetësimit që do të shpjenin kah normalizimi i tyre i plotë. Por, marrëdhëniet dhe konfrontimet shqiptaro-serbe kanë rrënjë të thella, që nga e kaluara e largët. Duke pasë parasysh se çka ka ngjarë në 20 vjetët e fundit dhe në të kaluarën më të largët, askush nuk duhet të habitet pse gjatë këtyre dy vjetëve nuk është bërë asnjë përparim thelbësor në raportet ndërmjet këtyre dy popujve. Nuk ka luftë, por nuk është çrrënjosur disponimi luftarak dhe nuk është fshirë nga vetëdija e tyre mundësia e përsëritjes së konfrontimeve luftarake. Edhe nga ky aspekt duhet të shihet kompleksi i raporteve shqiptaro-serbe në periudhën e pasluftës, që nga këndvështrimi serb prezentohet si problem i enklavave, i pasigurisë së lëvizjes, i frikës për t'u kthyer në Kosovë, i pamundësisë së pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Shqiptarët dhe serbët veprojnë me përkushtimin më të madh për jetësimin e aspiratave të veta krejtësisht të kundërta kombëtare. Ky veprim u jep ton raporteve ndërmjet tyre dhe e ngushton shumë hapësirën për veprime në drejtim të qetësimit, e të mos flasim për arritjen e farë kompromiseve. Problemet aktuale të serbëve nuk rrjedhin vetëm nga pasiguria dhe nga hakmarrja shqiptare, por edhe nga qëndrimet e tyre politike lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës. Serbët e Kosovës dhe politika e Beogradit nuk fshehin se përqendrimi i serbëve në lokacione të caktuara, që do të konsideroheshin territore të tyre, është pjesë e strategjisë për mbajtjen e Kosovës ndër pushtetin e Beogradit ose, në qoftë se nuk do të mund të pengohej shkëputja, pjesë të saj t'i bashkohen Serbisë.

Ekonomia është fusha ku ekspertët në mënyrë më bindëse do të mund të dëshmonin se administrata ndërkombëtare nuk ishte e suksesshme. Kosova nuk ka strategji dhe programe zhvillimore dhe, sipas rrjedhave të tashme, nuk do t'i ketë gjatë periudhës së gjendjes së përkohshme. Ekonomia nuk duron veprime nga rasti në rast dhe sot për sot, e nesër të shohim. Në një panel bisedë për Kosovën dy vjet pas luftës, shefi i zyrës amerikane në Prishtin, Kristofer Dell, ua tërhoqi vërejtjen të gjithë kosovarëve, e në mënyrë të veçantë shqiptarëve, se Kosova nuk do t'i shohë investimet e kapitalit të huaj privat pa i rregulluar raportet ndëretnike, e pastaj çështjet e efikasitetit të sistemit juridik dhe të vendosjes së raporteve të qarta në ekonomi, sidomos në pikëpamje se kush e kontrollon sot ekonominë e Kosovës.

Vërejtja iu drejtua qytetarëve të Kosovës, të cilët njësoj do të kishin dashur përparim në këto aspekte, por pak gjë varet prej tyre. Edhe shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre kanë përgjegjësi për shumë rrjedha negative në fushë të marrëdhënieve ndëretnike. Por, aspak nuk varet prej tyre se si do të rregullohen marrëdhëniet ekonomike ose pse nuk zbatohet privatizimi, pse nuk kompletohet sistemi juridik, pse nuk funksionojnë gjyqet, pse nuk mund të kthehet ndjenja e sigurisë të qytetarëve. Nuk mund të shpjegohet nga pikëpamja e logjikës ekonomike pse UNMIK-u edhe më tej insiston në një masë gjysmake dhe të padëshmuar të privatizimit, siç është dhënia me qira, kur pas një viti duket qartë se dhënia me qira, si politikë, ka dështuar. Në këtë gjendje fare të paqartë, lufta kryesore në fushë të ekonomisë është e kufizuar në sigurimin e mjeteve për buxhetin. Njerëzit e biznesit dhe ekspertët kosovarë konsiderojnë se politika fiskale nuk është fare stimulative për zhvillimin e prodhimit.

Në këto rrethana as që mund të flitet për politikë të mbrojtjes sociale të atyre që kanë nevojë për ndihmën e shoqërisë. Vlerësim më i shpeshtë është se shkalla e papunësisë sillet rreth 70 përqindëshit. Rreth 100 mijë pensionistë tashmë vite me radhë nuk i marrin pensionet. Të dyja këto grupacione janë lënë në mëshirën e fatit, pa gjasa që problemet e tyre të zgjidhen në një të ardhshme të afërt. Kosova tashmë një kohë është në Evropë nëpërmjet çmimeve. Mjaft i pasigurt është edhe fati i atyre që punojnë si krahë pune në sektorin privat. Ata nuk mbrohen me asnjë ligj. Në Kosovë për të punësuarit nuk paguhet asnjë sigurim. Një pjesë shumë e madhe e popullsisë, e aftë për punë, nuk ka zgjedhje tjetër pos të merret me kontrabandë ose me punë të tjera, pak a shumë, të dyshimta. Por, këta nuk janë të vetmit që merren me punë të tilla.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI