Lodhje në sektorin joqeveritar
AIM Banjallukë, 12.06.2001
Në Konferencën e parë të grave të Bosnjë e Hercegovinës, e cila u mbajt në Zenicë në qershorin e vitit 1996 e organizuar nga Parlamenti i Helsinkut i qytetarëve të BeH, grupi i mysafirëve nga Banjalluka fitoi njohuritë e para për sektorin joqeveritar. Në atë kohë në Republikën Serbe (RS), krahas organizatave humanitare (Merhamet, Karitas dhe Dobrotvor), vepronte vetëm edhe një organizatë klasike joqeveritare -(NVO) - “Duga”, e destinuar për dhënie përkrahjeje psikologjike grave nga turmat e refugjatëve. Një vit më vonë vetëm në rajonin e banjallukës u regjistruan afër 200 NVO (organizata joqeveritare).
Sipas fjalëve të Liljana Mijoviq-it, drejtor i Qendrës për të drejtat e njeriut në Banjallukë, një numër kaq i madh organizatash joqeveritare është themeluar falë përkrahjes financiare të shteteve evroperëndimore dhe SHBA-ve me qëllim që të lehtësohet procesi i vendosjes së shoqërisë qytetare.
Shikuar nga distanca pesëvjeçare, sukseset e sektorit joqeveritar në drejtim të demokratizimit të këtij vendi janë fare të pakënaqëshme. Mijoviq thot se njerëzit “duhet të mësohen që të mendojnë në mënyrë alternative”, mirëpo ajo nuk ka përgjigje rreth asaj se cili duhet të jetë mësues dhe si duhet dhënë ky mësim, gjegjësisht si kjo të arrihet.
Sa i përket Banjallukës fizionominë e vetë e kanë fituar dhe kanë lënë gjurmë në kujtesën e njerëzve vetëm disa organizata joqeveritare. Sado që duket e çuditshme, e tillë është në radhë të parë “Eko pokret-i”, që me aktivitetet e tij përpiqet ta bëjë më të përshtatshëm për jetesë ambientin shoqëror. Aktivitetet që zhvillojnë: “Shoqata e grave”, “Të jeni shëndosh” si dhe organizata e sipërpërmendur “Duga” janë ndier edhe në opinion, por si duket shumica e madhe e organizatave të tjera joqeveritare janë formuar vetëm nga disa individë dhe kjo vetëm për nevojat dhe interesin e tyre.
Sipas të dhënave me të cilat disponon “IKVA”, në vitin 2000, në rajonin e Banjallukës kanë qenë regjistruar 20 NVO me detyrë për dhënie ndihme juridike (të drejtat pronësore, konfliktet në marrëdhëniet e punësimit, çeshtje statusore). Duke gjurmuar pas kësaj të dhëne erdhëm në përfundim se madje 70 përqind nuk kanë zyrat e punës në adresat e shënuara, gjegjësisht në telefonat e tyre paraqiten farefisi ose fqinjët e tyre. Ata që veprojnë dhe funksionojnë këtë e bëjnë, në radhë të parë, për vete dhe për ndihmën e mirë materiale që kanë siguruar ose që ende fitojnë nga donatorë të ndryshëm.
Në organizatat joqeveritare shumë individë kanë gjetur mundësi për promovime personale si dhe përfitime të mira, sepse nëpërmjet të ashtuquajturave “projekte” kanë fituar shuma mjaft solide të hollash. Animacionet e pushtetit që të dëgjojë mendimet e organizatave joqeveritare nuk kanë qenë në nivelin e dëshiruar që të shkaktonin ndryshimin e qëndrimit ndaj sektorit të tretë. Shpjegimi bazohet ndoshta në faktin se në organizatat joqeveritare është e pranishme një mënyrë elastike e të menduarit, sipas së cilës, në vend që të imponohen si faktor qëndrimet e të cilave jo vetëm që duhet të dëgjohen por edhe të respektohen,organizatat joqeveritare dëshirojnë të veprojnë si opozitë e pushtetit.
Ky konstatim ka dalë nga një numër i madh tryezash rrumbullake, përndryshe mënyrë e preferuar e punës së organizatave joqeveritare, në të cilat është debatuar në temat mjaft popullore lidhur me kthimin e refugjatëve, të drejtat e njeriut, pajtimet, tolerancën Në tubime të këtilla, të cilat dikur i organizonte “Forumi qytetar” i Banjallukës, sipas një rregulli të njohur tuboheshin 30 der më 40 individë bashkëmendimtarë dhe ndonjë oponent apo kundërshtar dhe asnjë përfaqësues i pushtetit. Porositë dhe konkluzat e tyre ngelnin shkronjë e vdekur në letër, kurse jeta vazhdonte rrjedhën si gjithmonë.
Anketa e paradokohëshme e Radio-televizionit të RS në pyetjen “çka janë organizatat joqeveritare”, në mënyrë drastike tregoi se çka kupton opinioni me “sektorin joqeveritar”. Qytetarët e anketuar të Banjallukës, Bijelinës, Trebinjës dhe Sarajevës Serbe, të një moshe që sillej nga 20 deri më 60 vjet, thuaj se nuk kanë parafytyrim të qartë se çka janë organizatat joqeveritare dhe cili është qëllimi i ekzistimit të tyre. Përgjigjet e rreth 80 përqind të të anketuarve, përveç asaj ”nuk di saktësisht”, më së shpeshti përfundojnë me atë konstatimin se janë “kinse humanitare”, “spiuna të Sorosit” dhe “të shiturit jasht”.
Sipas vlerësimeve të përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, njëri nga shkaqet kryesore që opinioni i gjerë nuk është aq i njohur me punën e tyre vjen nga mosinteresimi i mediave për aktivitetet e tyre. Përgjegjësia pa dyshim bie mbi mediat si edhe mbi entet arsimore të cilat nëpërmjet programeve të veta nuk e popullarizojnë shoqërinë qytetare dhe demokracinë. Megjithatë, përpos disa përjashtimeve, sektori joqeveritar, edhe atje ku ka patur shanse gjatë tërë kësaj kohe nuk ka mundur të imponohet si korigjues i shoqërisë. Përndryshe si mund të shpjegohet fakti se gjatë debatit për një numër të madh ligjesh me interes jetik për të gjithë qytetarët e Serbisë, rrallë ndonjë organizatë joqeveritare ka drejtuar ndonjë vërejtje. Shkaku për një gjendje të këtillë qëndron edhe në përçarjen e organizatave joqeveritare, të cilat në vend se të bashkëpunojnë, kryesisht bëjnë gara për të fituar pjesën më të madhe të kulaçit të donatorëve.
Më demoralizuese duken me siguri aktivitetet e organizatave joqeveritare “ të angazhuara” për zhvillimin e tolerancës dhe rivendosjen e bashkëjetesës. Si ilustrim mund të shërbejnë ngjarjet rreth tentimit për vënien e gurthemelit të xhamisë së Ferhat Pashës në Banjallukë, më 7 maj. Asnjëra nga organizatat joqeveritare nuk u shfaq dhe nuk ngriti zërin të dënojë incidentet në të cilat humbi jetën një njeri, kështu që këtë gjë në emrin e tyre u desht ta bëjë Branko Todoroviq, kryetar i këshillit të Hellsinkut për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në RS, me përfaqësi në Bjelinë.
Individët e disa organizatave aktive joqeveritare janë mjaft të disponuar të theksojnë sukseset e tyre. Sukseset, në të vërtetë, nuk mungojnë dhe ky është një fakt i pamohueshëm. Pyetja qëndron në atë vallë sukseset janë në nivel të nevojave dhe mundësive reale. Liljana Mijoviq thekson se periudha e vërtetë e organizimit të mirëfilltë të sektorit qytetar tani është në fillimin e tij të vërtetë. Ky lloj optimizmi nuk është aq inkurajues, sidomos kur vjen pas një lodhjeje dhe një vendnumrimi të njohur.
GORDANA KATANA