Akademia maqedonase - një inxhinieri e re demografike në Ballkan!

Pristina Jun 15, 2001

Prishtinë, 14.06.2001.

Ideja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë për shkëmbimin paqësor dhe pa gjak të territoreve dhe të popullsisë ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërsië është edhe më tej ndër temat e para që e preokupojnë opinionin kosovar. Përveç partive, politikanëve dhe mediave, në debat janë inkuadruar edhe intelektualë kosovarë dhe nga trevat tjera shqiptare. Përshtypje më karakteristike është se reagimet e deritashme kosovare kanë qenë racionale. Ka pasur aty-këtu edhe ironizime në llogari të nivelit intelektual të projektit, veçanërisht nga aspekti i paaftësive të akademikëve të Shkupit që çështjeve të shtruara dhe të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase t'u qasen qoftë edhe me realizmin minimal. Propozimet nga Shkupi, në Prishtinë nuk u trajtuan si diçka e papritur. Këtu nuk ka pasur ndonjë iluzion se ka farë dallimesh cilësore ndërmjet sjelljeve dhe objektivave të Beogradit dhe të Shkupit ndaj shqiptarëve.

Konfliktet e muajve të kaluar i vërtetuan bindjet dhe supozimet kosovare, sidomos shqiptare. Krahasimet ndërmjet formave të luftës në Kosovë dhe, tash, në Maqedoni janë të pashmangshme. Konkludime të këtushme janë: "Kur shqiptarët bëhen të vendosur që të mos i durojnë më shtypjet dhe pabarazitë, atëherë format e veprimit luftarak kundër shqiptarëve kanë qëllime identike si në Beograd ashtu edhe në Shkup". Në Prishtinë përkujtohet se gjatë takimit të paradokohshëm në Shkup kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq, dhe homologu i tij maqedonas, Lupço Georgijevski, lehtë u pajtuan të bashkëpunojnë ngusht kundër faktorit shqiptar, të cilin ata e vlerësuan armik të përbashkët. Këto ditë pajtimi u formalizua me një protokol që e nënshkruan në Shkup ministrat e mbrojtjes të Maqedonisë dhe të Jugosllavisë për bashkëpunimin tekniko-shkencor dhe ekonomiko-ushtarak, duke përfshirë edhe furnizimin e Maqedonisë me armë nga Jugosllavia. Në bisedat e zhvilluara ministrat konstatuan pikëpamjet gati identike për krizat në rajon që u shkaktuan, siç thanë ata, nga aktivizimi i ekstremizmit dhe terrorizmit shqiptar në këtë pjesë të Ballkanit. Analistë të ndryshëm kosovarë, para akademikëve të Shkupit kanë vlerësuar se qëllim primar i ofensivave ushtarake maqedonase kundër fshatrave shqiptare, sidomos në rajonin e Kumanovës, është pastrimi etnik dhe krijimi i fakteve të reja për ndarje eventuale sa më të favorshme territoriale.

Ideja e akademikëve të Shkupit në Prishtinë refuzohet në tërësi si absolutisht joreale, e dëmshme dhe e rrezikshme. Thuhet se në qoftë se aty ka diçka pozitive, atëherë ato janë zbulimi definitiv se maqedonasit Maqedoninë e shohin ekskluzivisht si shtet nacional të maqedonasve, se institucionet arsimore, shkencore dhe kulturore janë themeluar dhe janë zhvilluar si institucione ekskluzive nacionale të popullit shtetformues dhe, më në fund, zbulohet definitivisht se janë qarqe të caktuara maqedonase në shoqëri dhe në politikë, e jo shqiptarët, ata që angazhohen për kufij të rinj etnikë dhe që e rrezikojnë integritetin dhe tërësinë tokësore të Maqedonisë. Kështu, vetë qarqet maqedonase ia hoqën Maqedonisë maskën e oazës së paqes në Ballkan, të shtetit-model demokratik dhe të harmonisë shumetnike. Këtu thuhet se Maqedonia e pavarur asnjëherë nuk ka qenë e tillë, për çka më së miri flasin fshatrat e djegura shqiptare dhe ftesat e përditshme të pushtetit maqedonas drejtuar shqiptarëve në zonat e luftës që t'i braktisin vendbanimet e veta.

Në analizat e shumta të rrjedhave në Maqedoni vlerësohet se mendimet e akademikëve të Maqedonisë janë vazhdimësi dhe pjesë përbërëse e programeve identike luftarake dhe gjenocidale të Beogradit, që bëri përpjekje t'i realizojë gjatë luftërave të paradokohshme në ish Jugosllavinë. Para disa javësh nga Beogradi erdhi edhe propozimi më i ri (i vjetër) për ndarjen e Kosovës, që do t'i pajtonte "të drejtën historike të serbëve" dhe "të drejtën nacionale (demografike) të shqiptarëve". Por, propozuesi I një solucioni të këtillë nuk e merr në konsideratë se këtu nuk bëhet fjalë për kurrfarë "të drejtash", të paktën sipas standardeve demokratike. Përkundër shpjegimeve plotësuese, askush këtu nuk u bind se ajo ndarje faktike e Kosovës do të përfundonte në ndarje formale dhe coptim të Kosovës. Idetë që erdhën nga Beogradi dhe nga Shkupi këtu lidhen edhe me projektet për ndërtimin e mureve ndarëse etnike në qytetin faktikisht të ndarë të Mitrovicës. Ky është një tregim më vete, por arsyetimet janë njësoj të fshehta dhe jobindëse, kurse pasojat të ngjashme ose identike me skemat e Beogradit dhe të Shkupit.

Këtu vlerësohet se, përkundër të gjithave, idetë e këtilla nga Shkupi nuk do të meritonin ndonjë vemendje më të madhe sikur të mos ishin përjetuar lemeritë e luftërave të paradokohshme që dëshmojnë se ato nuk mund të realizohen në mënyrë paqësore dhe pa gjak. Rreziku i madh shihet edhe te përkrahja që akademikët e Shkupit e gëzojnë nga pjesë të rëndësishme të establishmentit politik të vendit. Në anën tjetër, partitë dhe pjesë të mëdha të opinionit dhe të qarqeve intelektuale shqiptare e kundërshtojnë coptimin territorial të Maqedonisë. Interesi për një qëndrim të tillë është i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Janë të vetëdijshëm se nuk mund të realizojnë ndryshime territoriale sipas dëshirave të veta. Pastaj, pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë në mjedise kombëtarisht të përziera dhe, për këtë arsye, ndarjet territoriale do të bëheshin në dëm të tyre, gjë që e vërtetojnë edhe propozimet e akademikëve maqedonas. Fare në fund, qarqet politike dhe intelektuale shqiptare, si dhe opinioni i gjerë, janë të vetëdijshëm se ndarjet e tilla nuk mund të bëhen pa konfrontime luftarake.

Është interesant të thuhet se, për dallim nga programet e ngjashme të deritashme, propozimet e akademikëve maqedonas i kapërcejnë kufijtë e ish Jugosllavisë socialiste. Akademikët e Shkupit kërkojnë që shkëmbimi i territoreve dhe i popullsisë të bëhet vetëm ndërmjet dy shteteve: Maqedonisë dhe Shqipërisë. Popullsia lokale shqiptare në Maqedoni dhe në Shqipëri trajtohet si mall i zakonshëm për shkëmbim. Trajtim të njëjtë ka edhe popullsia lokale maqedonase në Maqedoni dhe në Shqipëri. Marrë në tërësi, Shqipërisë i ofrohet një rrip i ngushtë i hapësirave kryesisht malore prej Tetove deri në Dibër, pa liqenet artificiale që gjenden në atë zonë prej Struge deri në Mavrovë. Në këto pjesë të territoreve të nxjerra në pazar gjenden Tetova, pa mbështetjen e vet ekonomike, një pjesë e fshatrave të Gostivarit, pa qendrën komunale dhe qyteza e Dibrës që, e shkëputur nga mbështetja e saj ekonomike në Shqipëri, edhe pas 100 vjetësh ka mbetur zorrë qorre e ekonomisë të atij rajoni. Si kompensim, nga Shqipëria kërkohen pjesa shqiptare të Liqenit të Ohrit me Pogradecin dhe pjesa shqiptare e Liqenit të Prespës dhe vendbanimi Prespa e Vogël, me një brez të gjerë të fshatrave ku jeton pjesa më e madhe e minoritetit të vogël maqedonas në Shqipëri. Shqipëria ka shumë arsye që të mos e pranojë këtë tregti. Pastaj, ka gjëra që nuk janë çështje të Shqipërisë, por të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Kosovë. Për këto dhe shumë arsye të tjera idetë e akademikëve maqedonas në Shqipëri u refuzuan nga të gjitha grupacionet kryesore politike.

Nuk janë bërë llogari precize, por supozohet se me ndryshimet e propozuara territoriale Maqedonia kryesisht do ta ruante madhësinë e tashme territoriale dhe do të forcohej shumë me potencialet e brigjeve dhe të ujrave të të dy liqeneve. Njëherësh, përgjithmonë do ta zgjidhte problemin e rreth 700 mijë shqiptarëve që paraqesin pengesë e pakapërcyeshme për realizimin praktik të sovranitetit të maqedonasve si popull i vetëm shtetformues. Supozohet se vendbanimet e veta duhet t'i ndërrojnë edhe disa dhjetëra mijëra maqedonas, ndoshta deri 100 mijë. Shitblerjet ose shkëmbimet e pasurive ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve do të bëheshin në një afat prej 3 muajsh me ndihmën financiare të institucioneve evropiane.

Në fund po shënojmë një pengesë, thjesht fizike, për jetësimin e kësaj tregtie. Duket sikur pjesa më e madhe e territorit që i ofrohet Shqipërisë për shkëmbim, për shembull rajoni i Tetovës, nuk kufizohet me Shqipërinë, por me Kosovën. Nuk duket se si do të arrihej marrëveshja, në qoftë se idetë nga Shkupi nuk supozojnë se ndryshime territoriale do të bëhen edhe në Kosovë. Ky fakt i vërteton dyshimet e këtushme se ato janë pjesë e projekteve më të gjera burimore ballkanike për vendosjen e kufijve etnikë dhe historikë në këtë pjesë të Ballkanit. Këtu përjashtohet mundësia që propozimet e këtilla të jenë nxitur nga qarqe të caktuara në Evropë ose në Amerikë, edhe pse edhe atje ka ithtarë, madje me autoritet të lartë, që angazhohen për formimin e shteteve etnike në Ballkan. Me këtë rast i përmendin ish shefin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Henri Kisinxher, dhe ish shefin e Forin Ofisit britanik, Dejvid Oven.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI