Vjedhje, dhune, vrasjepastaj djegije

Beograd Jun 11, 2001

Publikimi i të dhënave për veprimet kriminale që zhvillojnë gjyqet në Serbi për shkak të krimeve të luftës në Kosovë e Metohi ndoshta mund të paralajmërojë fillimin e çdehjes së opinionit, i cili vite me radhë ka besuar se kriminelë gjithmonë janë të tjerët

AIM Beograd, 06.06.2001

Në këtë çast është vështirë të vlerësohet se vallë faktet për krimet “tona” dhe gjykimet e paralajmëruara do të zhvlerësojnë efektet e propagandës shumëvjeçare të Millosheviqit sipas së cilës nga viti 1991 “Serbia nuk ka qenë në luftë”- përveç pak kohë, gjegjësisht në vitin 1999 kur “ fitoi mbi NATO-n” - ose do të shkaktojë një sërë thyerjesh të reja, njësoj të rënda për shoqërinë dhe për çdo anëtar të saj. Në skenën publike po shfaqen qartë edhe simptomet e çdehjes, por edhe tendenca të reja që krimet “tona” të krahasohen me ato të “të tjerëve”. Vladan Batiq, ministër i drejtësisë në qeverinë e Serbisë, gjatë javëve të fundit në mënyrë intenzive këmben letra me Karla del Ponten, të cilën e akuzon për ndarje selektive të drejtësisë, gjegjësisht për injorim evident të krimeve ndaj Serbëve. Afrimi i konferencës donatore për Jugosllavinë, i prolonguar për në fund të këtij muaji, të dy anët i bën gjithnjë më nervoze: presionet e përforcuara nga Haga në të vërtetë janë shkaktare për mossuksesin e Opozitës Demokratike Serbe që ajo të bind Partinë Socialiste Popullore të Malit të Zi, apo partnerin e koalicionit të qeverisë federative, që të përkrahë ligjin për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës.

Në rrethana të këtilla në gjysmën e muajit të kaluar u publikuan të dhënat se në Serbi po mbahen një numër i madh procesesh penale për krimet në kohën e bombardimeve të NATO-s kundër RF Jugosllave (23.3.- 11.6.1999) në Kosovë e Metohi. Gjyqi ushtarak i Nishit - i autorizuar për rrethin e Armatës së tretë të Ushtrisë Jugosllave, e cila mbulon jugun e Serbisë - më 12 maj bëri të njohur se janë ngritur aktpadi kundër 193 ushtarëve dhe oficierëve për “ vepra të rënda penale kundër jetës, dinjitetit dhe pasurisë së qytetarëve të bashkësisë shqiptare në Kosovë e Metohi gjatë kohës së luftës”. Bazuar në deklaratën e kryetarit të gjyqit, kolonelit Vukadin Millojeviq, në shumicën e rasteve bëhet fjalë për pjesëtarë të korparamtës së Prishtinës, për rezervistë, ushtarakë në shërbim të obligimit ushtarak dhe oficierë të Ushtrisë Jugosllave, kryesisht të nacionalitetit serb. Pothuaj në të njëjtën kohë, MPB (Ministria e punëve të Brendshme) e Serbisë shpalli se, sipas akuzave të njëjta dhe pa detaje plotësuese, po zhvillohet procedurë kundër 66 policëve.

Pastaj “zbulimi” se në natën e 20/21 marsit të vitit 1999, në Tekije është hedhur në Danub autofrigorifer i mbushur me kufoma, i cili është nxjerrë pas dhjetë ditësh - dhe sipas urdhërit të kreut më të lartë të pushtetit - më vonë sërish është zhdukur kurse trupat “janë humbur” e ka tronditur tërë opinionin, dhe jo vetëm atë pjesë të tij i cili ende mashtrohet se e kaluara e errët ka përfunduar në harresë. Rezultatet që janë publikuar deri tani vërtetojnë se në fshehjen e krimeve kanë marrë pjesë krerët e policisë dhe njësitet elitiste të saj. Gjatë javës së kaluar shefi i dikasterit të sigurimit publik të MPB të Serbisë, Sreten Llukiq, nuk dihet për çfarë shkaku, përsëriti të dhënat për numrin e policëve të cilët janë (ose kanë qenë) në hetime gjatë kohës dhe para kohës së bombardimeve të NATO-s. 66 policët e përmendur ndodhen nën hetime për shkak të vrasjeve, vjedhjeve, shkaktimin e zjarreve dhe plaçkitjeve që kanë bërë. Sipas këtyre të dhënave, në gjashtë muajt e parë të vitit 1999 në Kosovë e Metohi janë ngritur 77 fletëparaqitje penale, ndërsa 244 njerëz (kryesisht serbë) janë burgosur për shkak të krimeve. Krahas 66 policëve, për krime përgjigjen edhe 57 ushtarë. Nuk tregohet gjë për atë se si ka qenë fati i mëtejshëm i këtyre të burgosurve. Llukiq-i, megjithatë , nuk beson se në Kosovë forcat e sigurimit kanë bërë krime lufte, duke e shpjeguar këtë bindje të tij në një mënyrë mjaft të çuditshme: “Mos harroni se shumica e krimeve janë bërë në kohën e gjendjes së luftës, se njerëzit mbi kokat e të cilëve binin bomba, meqë nuk arrinin dot deri te ata që bombardonin, shkonin te ata të cilët ishin fajtorë për bombardimin e tyre”. Sreten Llukiq gjatë kohës së përleshjeve më të ashpra, nga qershori i vitit 1998 deri në qershorin e vitit 1999, ishte koordinator i shtabit të MPB të Serbisë për Kosovë e Metohi, funkcion ky që vërteton se duhet të ketë qenë i njohur dhe i udhëzuar për gjërat të cilat sot vlerësohen si krime. Përpos të gjithave, gjatë javë së kaluar Llukiq është përparuar në gradën e gjeneral - kolonelit të policisë dhe drejtëpërdrejtë është angazhuar në hetimet e fshehjes dhe zhdukjes së gjurmëve të krimeve të luftës. Në pyetjen e gazetarit se si mund të ndodhë diç e tillë, ministri i policisë, Dushan Mihajlloviq, përgjigjet se Llukiq-i është emruar për shef të sigurimit publik sepse dosja e tij është “e pastër”, si edhe sepse nuk mund të përgjigjet për krimet e bëra në Kosovë vetëm si urdhërdhënës. Kryeministri i qeverisë serbe, Zoran Gjingjiq, doli me një shpjegim ende më të paqartë: “ Për ne ky është një problem më i vogël se sa të kishte qenë pjesëmarrës në ndonjë kanal të dilerëve të drogës, naftës, armëve, të kishte butiqe dhe dyqane parfymerie nëpër Beograd ose gjera që i kanë policët tjerë. Kështuqë nga të gjithë ata që kishim në disponim ai ishte më i përshtatshëm, krahas bindjes sonë se edhe ai nuk është engjëll”.

Kah mesi i qershorit gazeta beogradase “Blic” përhapi diskutimet rreth krimeve. “Blic-i” në katër vazhdime, pa sqarime të veçanta për mënyrën se si kishte siguruar akuzat, publikoi certifikatat në të cilat janë përfshirë nja tridhjetë krime në të cilat kanë marrë pjesë 49 oficierë, ushtarë, rezervistë dhe vullnetarë pjesëtarë të UJ (Ushtrisë jugosllave) të shënuar me emër ( me iniciale, me vendin dhe datën e lindjes). Meqë kjo procedurë penale po zhvillohet kundër gjithësejt 193 individëve, “kjo do të thot se “Blic-i” ka publikuar të dhënat për një të katërtën e kryesve. Për çfarë lloj krimesh bëhet fjalë?

Shtatë ushtarë në fshatin Zhegër (Gjilan) më 29 mars 1999 kanë vrarë Ukshin Ukshinin dhe kanë therë gruan e tij Xhevahiren. Plaçkitën: bylyzik, gjerdan ari, 400 marka, bozhuteri, telekomandë për televizor, tabakerë, këllëf syzash Dy anëtarë të këtij grupi kanë therë me thikë Shyqri Tahirin dhe ia kanë marrë opel askonën; dy të akuzuar të tjerë të këtij grupi, të nesërmen kanë plaçkitur Qazimin, Miljazimin dhe Xhemile Hazirin, që pastaj t'i vrasin, meshkujt me nga një plumb në bark, kurse gruan me plumb në bark dhe kokë. Plaçkitën: tri orë dore për femra.

Vrasje pa qëllim plaçkitjeje disa persona kanë bërë rëndomë gjatë bastisjeve, konflikteve me qiraxhinj, shtirjeve në kalimtarë ( duke parë Vllaznim Eminin dhe Bahri Eminin duke u larguar me vrap nga kolona e automjeteve ushtarake në rrugën Podujevë- Prishtinë, ka shpërthyer një rafal nga pushka automatike dhe i ka qëlluar, duke u shkaktuar të njëjtëve plagë nga të cilat kanë ndërruar jetë”; “në personin NN kanë krisë 7 fishekë, prej të cilëve dy në kokë, nga të cilët është shkaktuar vdekje e menjëhershme”, “ me shpërthim idiotesk të zjarrit” Në disa raste shënohen emrat e urdhërdhënësve: kështu, p.sh. në fshatin Tica (Serbicë) në fillim të prillit 1999 është vrarë një Shqiptar i paidentifikuar, paraprakisht i lidhur pas traktori, pastaj me urdhër të komandantit është djegur me anë të dyshekut të lagur me benzin.

Në fshatin Cërmlan (Gjakovë) më 16 prill, tre ushtarë kanë dhunuar dy refugjate shqiptare, njëra nga të cilat ishte e mitur. Një vullnetar, më 27 maj, nga kolona e refugjatëve shqiptarë, në afërsi të Gllogovcit ka ndarë me forcë të bijën nga e ëma të cilën pastaj, e ka dhunuar në çadrën e tij derisa të nesërmen një ushtar i aradhës së tij nuk e ka ndihmuar që të ikë. Dy rezervistë, më 26 prill, në Prizren, në shtëpinë e turqve të vendit, para shtatë banorëve të tjerë të pranishëm, së pari i kanë rrahur, pastaj tri gratë, në mesin e të cilave edhe një të mitur, i kanë detyruar “ me mundime jo të natyrshme”, pastaj i kanë dhunuar.

Në të dhënat e publikuara oficierët përmenden si urdhërdhënës ose si të tillë që nuk kanë dhënë urdhër kundër pushkatimeve të civilëve. Kështu një kapiten i klasit të parë, në marsin e vitit 1999, një rreshteri të klasit të parë dhe një mjeku rezervist u ka dhënë urdhër “të likuidojnë” Rukije dhe Feriz Krasniqin nga fshati Sushicë. Plakun e kanë vrarë në oborr, kurse plakën në shtratin e saj; aktakuza tregon se kapiteni i sipërpërmendur i Ushtrisë Jugosllave pastaj është përpjekur që të zhduk gjurmët e krimit. Në Top bafçe të Gërmijës (Prishtinë) organet hetuese kanë konstatuar vrasjen e dy plakave për të cilat është paditur një rezervist; aktakuza në këtë rast paraqet indikacion nekrofilie. Një rreshter rezerv është akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e 12 shqiptarëve civilë në fshatin Izbicë. Pas zënies rob të tyre, në luftë është vrarë një komandant njësiti : ushtarët janë “hakmarrë” duke rrahur dhe vrarë 12 civilët e robëruar.

Me gjakftohtësi tronditëse një shqiptar i panjohur është vrarë në punktin e kontrollit në Brekovc (Gjakovë). Ushtarët e kanë rrahur sepse nuk ka folur serbisht; njëri prej tyre e ka shpënë nën urë, e ka urdhëruar që të ikë dhe atëherë, nga një largësi prej 15-20 metrash, e ka vrarë me një plumb në kokë. Nivel të njëjtë gjakftohtësie ka manifestuar edhe vullnetari J.S, i cili në gjysmën e parë të prillit të vitit 1999, në fshatin Halitovc (Sërbicë) një shqiptar të paidentifikuar e ka urdhëruar të loz rolin e cakut të gjallë për shenjim, derisa ushtarët e tij “shkrepnin” shejën optike të pushkës me snajper. Në Krasimirovë (Sërbicë) vullnetari i njëjtë ushtarëve të vet u ka dhënë urdhër që të vrasin një shqiptar të retarduar (“ gjë të cilën ata edhe e kanë bërë”, shkruan aktakuza). Kolonat e refugjatëve të cilat kanë patur fatin e keq të gjenden përballë njësitit të J.S. në fillim janë plaçkitur, pastaj janë ndarë nga kolona dhe janë rrëmbyer gratë “të cilat, pasi i kanë mbajtur diku një ose dy ditë, i kanë dërguar në drejtim të panjohur”.

Nënkoloneli S. S. si urdhërdhënës është akuzuar për një sërë krimesh që ka bërë një grup prej katër ushtarësh vullnetarë, të akuzuar bashkë me të. Ata sipas urdhërit të tij, në mesin e prillit të vitit 1999, kanë pushkatuar gjashtë civilët shqiptarë, të cilët pastaj i kanë hedhur në pus dhe i kanë mbuluar me dhe. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe me tre shqiptarë të tjerë të paidentifikuar në Klinën e Epërme. Në një greminë pranë fshatit Shtuticë (Prekaz i Epërm) po ato ditë kanë vrarë nja njëzet civilë, kurse në hyrje të Serbicës njëri prej tyre katër burra i ka ndarë nga kolona e refugjatëve, pastaj i ka futur në oborrin e një shtëpie dhe i ka likuiduar.

Publikimi i dëshmive të këtilla dhe i shumë dëshmive të tjera të reja për krimet “tona” të dekadës së kaluar, do të ndikojë dukshëm në ndryshimin e qëndrimit të opinionit publik. Kërkimet e majit të agjencisë beogradase Strategic Marketing treguan se shumica e qytetarëve të Serbisë, të njohur për krimet e “të tjerëve”, nuk janë në gjendje që të tregojnë asnjë krim “tonin”. Numri i atyreve të cilët janë të bindur se “ne” nuk kemi bërë ose “gjenetikisht” nuk mundemi të bëjmë krime gjithësesi do të zvoglohet pas dallgëve të informatave të majit dhe “ zbulimeve” jo vetëm të krimeve, por edhe fshehjes së tyre sistematike. Sipas gjasave se dorëzimi i të akuzuarve në Hagë së shpejti megjithatë do të fillojë, kjo do të ofrojë mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm së paku në dy drejtime.

Mbylljen ose komplikimin e legalizimit të dorëzimit një pjesë e skenës politike të forcave serbe dhe jugosllave e shfaqi, duke u thirrë në përkufizimet kushtetutare të cilat në të vërtetë nuk mund të mbrohen pa pranim të vetëdijshëm të kthimit në izolim të plotë, rënie të mëtejshme dhe shkatërrim të plotë përballë të cilave edhe mundësia për ndonjë luftë të re do të dukej si e mirë ose sëpaku si zgjidhje “burrërore”. Bashkëpunimi i plotë me Tribunalin e Hagës, nga ana tjetër, do të thoshte dorëzim të mbi 25 të akuzuarve publikë me Sllobodan Millosheviqin në krye. Problemi lidhur me Tribunalin qëndron në pyetjen se ku dhe kur, në cilin numër të të akuzuarve ose cilën shkallë të fajit do të përmbyllej interesimi për kriminelët tanë. Numri i tyre është shumë më i madh se ai i të dyshuarve të aktpadive publike dhe të fshehta, gjegjësisht nga ai i hetimeve që po rrjedhin. Funkcioni politik i Tribunalit është, poashtu, i qartë dhe jasht çdo dyshimi.

Në fund, duhet të kuptohet drejtë edhe argumenti më i fortë i kundërshtarëve seriozë të dorëzimit të Sllobodan Millosheviqit në Hagë. Dorëzimi i tij, dorëzimi i 25, 150 ose “x” kriminelëve, nuk do të thotë dënim i të gjithë pjesëmarrësve, as edhe zgjidhje e çeshtjes së përgjegjësisë, duke përfshirë këtu edhe ata që kanë qenë dëshmitarë të krimeve. Nga ky aspekt, dorëzimi i Millosheviqit mund të jetë, edhe si paradoks, edhe heqje e përgjegjësisë të të gjithë atyreve të cilët, pa marrë parasysh shkaqet, kanë marrë pjesë në krime, kanë ditur për ta dhe kanë heshtur, ose i kanë arësyetuar për shkak të krimeve të të tjerëve. Thënë më shkurtë e më qartë, problemi ndërlidhet me çështjen e flijimit si shkak për arsyetim dhe mbulesë: me dënimin e Sllobodan Millosheviqit, “Haga” do të arësyetojë ekzistimin e vet, angazhimin politik të themeluesit dhe, pa dyshim, të gjitha shpenzimet materialo-financiare. Si kundërargument poashtu mund të paraqitet pyetja pse vallë jurisprudenca “serbe” nuk do të mundej që kryepersonazhin e dyshuar ta akuzonte për një numër më të madh krimesh nga ato që ia ka përgatitur zonja Karla del Ponte?

ALEKSANDAR QIRIQ