Presheva dhe Maqedonia: emëruesit e përbashkët
Prishtinë, 07.06.2001.
Përfundoi rregullimi i aspekteve ndërkombëtare dhe i kthimit të forcave serbe në Luginën e Preshevës. Me ndihmën e NATO-s dhe të vëzhguesve evropianë procesi u zhvillua gradualisht dhe pa konflikte të rënda. Tash mbesin të zgjidhen çështjet e brendshme që ishin shkaktarë të vërtetë të përleshjeve të atjeshme të armatosura. Frika, mosbesimi dhe pasiguria nuk janë zbutur dhe për këtë arsye vazhdon zhvendosja e popullatës lokale shqiptare në drejtim të Kosovës. Pjesa e popullatës që ka mbetur në vatrat e veta jeton me ankthin e pritjes, sidomos pas vrasjes të komandant Ridvan Qazimit, i cili ishte ithtar i marrëveshjes me serbët dhe dha ndihmesë të çmueshme për çarmatosjen e grupeve të armatosura shqiptare.
Përfaqësuesit e atjeshëm shqiptarë patën shumë vërejtje, sidomos për dinamikën e shpejtuar të kthimit të trupave serbe në zonën e sigurisë tokësore që e imponuan qendrat e Brukselit. Në anën tjetër, përfaqësuesit serbë që nga fillimi llogaritnin shumë pikërisht në vështirësitë shqiptare me shpejtësinë e kthimit të forcave serbe. Për këtë arsye i zvarritnin negociatat për arritjen e ndonjë marrëveshjeje konkrete. Kështu, të shtrënguar nga të gjitha anët, shqiptarët u detyruan ta pranojnë çarmatosjen ose më mirë të themi të dorëzohen, pa pasur në dorë asnjë "kundërshpërblim" konkret. Tash gjendja ka ndryshuar rrënjësisht në pikëpamje se palës serbe i ka mbetur në dispozicion një zgjedhje e gjerë e mjeteve për imponimin e zgjidhjeve të veta. Rrjedhat nuk do të kishin drejtim të këtillë sikur shqiptarët e Luginës të Preshevës të kishin ndonjë zgjidhje tjetër për të arritur diçka më shumë ose për të siguruar garanci se kërkesat e tyre, së paku, do të merren parasysh seriozisht. Tashmë nuk mund të bëhet fjalë për platforma të barabarta për bisedime. Mbeti që përparimet eventuale të pozitës së shqiptarëve të bëhen hap pas hapi, në një periudhë më të gjatë, në pajtim me rrjedhat e demokratizimit të përgjithshëm të Serbisë.
Zgjidhje të këtillë ose të ngjashme synon të arrijë me shqiptarët edhe pushteti maqedonas, kuptohet me ndihmën e Perëndimit. Por, gjendjet e brendshme dhe pozitat ndërkombëtare të Luginës së Preshevës dhe të Maqedonisë, si dhe të shqiptarëve në këto rajone, ndryshojnë shumë. Një aspekt i rëndësishëm i dallimeve është se shqiptarët në Maqedoni përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë dhe popullojnë pjesë të mëdha të territorit që bëjnë të mundshme manovrime shumë më të gjera strategjike dhe taktike si në fushë të veprimeve me armë, ashtu edhe në fushë të politikës dhe të diplomacisë. Në zvarritjet dhe rivalizimet e përditshme shqiptaro-maqedonase për fillimin dhe pikat e zhvillimit të procesit paqësor, ngjarje e rëndësishme e rrjedhave u imponua Marrëveshja ndërmjet liderëve të dy partive politike shqiptare, që marrin pjesë në koalcionin e gjerë qeveritar të Shkupit, me përfaqësuesin politik të grupeve të armatosura shqiptare në Maqedoni. Marrëveshja u nënshkrua në Prizren më 22 maj të këtij viti. Pa marrë parasysh qëndrimet e ashpra refuzuese të Shkupit zyrtar dhe të qendrave ndërkombëtare në Bruksel, Marrëveshja e Prizrenit paraqet një fakt të unifikimit të qëndrimeve shqiptare për ta lehtësuar procesin negociator për arritjen e një zgjidhjeje paqësore, e jo për t'i ashpërsuar kërkesat shqiptare dhe për t'i mbështetur ato me armë. Ky është vlerësim i përgjithshëm i politikës dhe opinionit shqiptar.
Në një vështrim të gjerë të botuar në të përditshmen Zëri të 28 marsit, analistët ushtarakë kosovarë, Naim Maloku dhe Bislim Zyrapi, vlerësojnë se Marrëveshja zbulon qartazi se problemi në Maqedoni ka burime të brendshme dhe tregon për dy fakte të rëndësishme për procesin paqësor. Së pari, dëshmon se faktori ushtarak vëhet nën kontrollin e politikës dhe, së dyti, përfaqësuesi i krahut ushtarak pranon çmilitarizim të njëanshëm, që mund të kuptohet edhe si gatishmëri për dorëzim. Analistët e vlerësojnë këtë si qëndrim shumë të guximshëm dhe serioz që flet për përkushtimin e thellë të të tri nënshkruesve ndaj zgjidhjes paqësore të problemit. Maloku-Zyrapi vlerësojnë se vazhdimi i konfliktit të armatosur edhe pas Marrëveshjes i vë në dyshim qëndrimet e Shkupit zyrtar se sinqerisht synon arritjen e zgjidhjes paqësore. Marrëveshja e Prizrenit shënon fillimin e fazës së dytë të zhvillimit të krizës në Maqedoni që, sipas analistëve, mund të zhvillohet në dy drejtime diametralisht të kundërta. I pari është intensifikimi i luftës dhe spastrimi etnik, që eventualisht do të shpiente drejt një ndarjeje sa më të favorshme për maqedonasit. Drejtimi i dytë, paralel, do të ishte krijimi i bindjeve për domosdonë e ndonjë forme të ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare, pa pjesëmarrjen e shteteve fqinje për ruajtjen e integritetit territorial të Maqedonisë dhe pengimin e komplikimeve më të gjera. Pasi konstatojnë se në këto çaste në jug të Kurshumlisë, në drejtim të kufijve të Kosovës dhe të Maqedonisë, Serbia ka përqendruar rreth 38 mijë ushtarë, policë dhe paramilitarë me pajime të nevojshme, analistët konstatojnë se Beogradi është dhe mbetet faktori i parë negativ rajonal.
Nga rezoni maqedonas për zgjidhje duhet të veçohen dy objektiva. Së pari, të shfrytëzohen pozita e ndieshme ndërkombëtare e shtetit dhe rrethanat asnjëherë më të favorshme në botë, për realizimin e planeve të modernizimit të ushtrisë dhe të policisë. Objektiv i dytë është thyerja definitive e vullnetit strategjik të shqiptarëve për ta arritur statusin e popullit të barabartë. Derisa dikush edhe mund të presë që duke e shfrytëzuar tollovinë, për një kohë të shkurtër, ushtria dhe policia maqedonase të aftësohen për t' iu kundërvënë në mënyrë efikase çdo rezistence aktive të brendshme, nuk duket reale pritja se shqiptarët e atjeshëm, për një kohë të parashikueshme, do të heqin dorë nga aspiratat e veta strategjike politike.
Marrëveshja e Prizrenit, të cilën kryeministri Georgievski e konsideroi shpallje të luftës kundër Maqedonisë, ishte një shkas i favorshëm për vazhdimin e ofensivës luftarake. Më parë, Shkupi zyrtar dha shpjegim se me të gjitha forcat do ta pengojë kapërcimin e disa qindra luftëtarëve shqiptarë nga Presheva në Maqedoni. Pastaj u tha se qëllim i ofensivës është rrethimi, pacifikimi dhe likuidimi i guerilës shqiptare në nja dhjetë fshatra shqiptare përgjatë kufirit me Serbinë. Çkado që të thuhet, nuk mund të mohohet fakti se ofensiva e tashme maqedonase filloi kur serbët filluan ta vendosin kontrollin e plotë mbi Luginën e Preshevës. Para një kohe, gjoja gabimisht, forcat serbe e granatuan Vaksincën që, bashkë me Llojanin, etnikisht janë pastruar. Në një storie të gjatë filmike dhe tonike të Roitersit për zbrazjen e Vaksincës, u dëgjua që policët maqedonas flisnin serbisht.
Fushëbetejën e rajonit të Kumanovës e përbëjnë vendbanimet që gjenden dhe gravitojnë me viset rrafshinore. Ato përbëjnë vijën e fundit harkore që ndan rrafshin nga malet e larta të Karadakut të Gjilanit dhe të Shkupit. Përbrenda, këto fshatra janë të lidhura me rrugë të mira, të asfaltuara. Prandaj, duke pasur parasysh dallimet në armatim të palëve ndërluftuese, nuk duhet të përjashtohet mundësia që forcat maqedonase, me përdorimin e armatimit nga larg, të arrijnë ta bëjnë pastrimin etnik të atij rajoni, që po ashtu, siç vlerësohet, është pjesë e objektivave politike dhe luftarake. Për palët ndërluftuese problemi do të komplikohet në qoftë se luftëtarët dhe një pjesë e popullsisë vendosin të kalojnë në male dhe të mbesin më afër vendbanimeve të veta.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI