Shkëlqimi dhe rënia e një ushtrie

Pristina Jun 10, 2001

Prishtinë, 07.05.2001.

Para dyerve të kampit të trupave amerikane të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, "Monteith", në qytetin e Gjilanit në Kosovën Lindore, një zëdhënës po u "kërkonte ndjesë" gazetarëve që ishin mbledhur për të përcjellë ceremonine ë ndërrimit të komandantëve të këtyre trupave. Me një buzëqeshje të vizatuar në fytyrë (mimikë e rëndomtë në raste të tilla) zëdhënsi "shpjegoi" se "një protokol kundërthënës kishte ngatërruar planet e komandantëve të brigadës shumëkombëshe të lindjes dhe ceremonia shtyhej për tri ditë të tjera. Para dyerve të kampit, ndërkaq, po qëndronte edhe komandanti i grupeve të armatosura shqiptare që kishin vepruar në Luginën e Preshevës, të njohura me emrin Ushtria Çlitimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, Shefket Musliu. I veshur ne rroba civile, ai ishte përgatitur të marrë pjesë në këtë ceremoni me ftesë të trupave amerikane. I rrethuar nga disa djem të rinj që luanin rolin e "bodyguardëve" ndoshta Musliu as nuk e kishte idenë se ishte ai shkaktari i shtyrjes së ceremonisë. Një burim i forcave paqeruajtëse (KFOR) tha se ftesa e bërë atij kishte shtyrë komandnatin e përgjithshëm të KFOR-it, gjeneralin norvegjez Thorstein Skiaker që të "kundërshtojë pjesëmarrjen e tij".

Nuk u mor vesh nëse Musliu kishte kuptuar apo jo "nëse ai ishte shkaktari i ngatërrimeve protokolare", por ai gazetarëve u tha se luftëtarët e tij kishin përmbushur të gjitha zotimet e tyre të bëra në marrëveshjet me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. "Paqja tash është në duart e serbëve", tha zoti Musliu, duket ende nën trysninë e "lavdatave dhe rrahjes së krahëve nga komandantët e KFOR-it, të cilët e kishin përgëzuar për 'lidershipin' e tij, meqë ishte dorëzuar sikurse edhe qindra luftëtarë të tij që tash po prisnin përgjigjen se çfarë duhet të bëjnë me jetërat e tyre". KFOR-i tashmë i kishte dhënë fund zonës së sigurisë tokësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ishte vendosur në qershor të vitit 1999 për të krijuar një vijë ndarëse ndërmjet forcave paqeruajtëse në Kosovë dhe ushtrisë jugosllave. Bashkë me këtë, ata i kishin dhënë fund edhe Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Për 16 muaj me radhë luftëtarët shqiptarë kishin shfrytëzuar këtë zonë ku nuk mund të hynin trupat jugosllave për të "luftuar kundër represionit të pushtetit serb". Të paktën 56 persona kanë humbur jetën në përleshjet ndërmjet forcave serbe të sigurimit dhe guerilëve shqiptarë gjatë kësaj periudhe, ndërsa komuniteti ndërkombëtar kishte "mbyllur sytë para veprimeve të luftëtarëve" për aq kohë sa në Beograd vazhdonte të sundojë i akuzuari për krime lufte, Sllobodan Millosheviq. Mirëpo, rënia e tij nga pushteti e ndryshoi edhe qasjen ndërkombëtare, ndërsa shpërthimi i konfliktit në Maqedoni "mbushi kupën" dhe luftëtarët në Luginën e Preshevës shënuan fillimin e "tatëpjetës" së tyre politike e ushtarake. NATO-ja vendosi "relaksimin" e zonës së sigurisë, një shprehje kjo eufemike për shuarjen e saj të tërësishme, duke lënë për në fund të ashtuaquajturin sektorin BRAVO të kësaj zone, që përfshin rajonin e Luginës së Preshevës, çerdhen e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit (UÇPMB). Megjithë pohimet se "kthimi i trupave jugosllave në këtë zonë do të bëhet pas arritjes së një zgjidhjeje politike", "kthimi" ndodhi para se të arrihet kjo zgjidhje. Më 24 maj, trupat jugosllave filluan marshimin e tyre për të përfunduar më 31 maj, "tërësisht sipas marrëveshjes me NATO-n". Fillimisht, ndërmjetësuesit ndërkombëtarë arritën të sigurojnë "nënshkrimin" e Shefket Musliut për "çmilitarizimin, demobilizimin dhe shpërndarjen e plotë të UÇPMB-së deri më 31 maj". Forcat paqeruajtëse thanë se do të "amnistojnë të gjithë ata luftëtarë që dorëzohen vullnetarisht, ndërsa do të arrestojnë ata që bëjnë rezistencë". Të njëjtin premtim e bëri edhe qeveria serbe. Së shpejti disa qindra luftëtarë lanë armët dhe u dorëzuan për të përfituar nga amnistia e dyanshme, ndërsa komandantët e tyre u vunë në pozicionin "ose të pranojnë të gjitha kushtet ose të bëjnë vetëvrasje nëpërmjet rezistencës". Këta të fundit pranuan çmilitarizimin dhe vazhdimin e procesit paqësor politik.

Mirëpo, gjërat rrodhën me shpejt ngaqë ishte planifikuar. Më 24 maj trupat jugosllave hynë në zonat e përcaktuara me planin e forcave ndërkombëtare, por në disa raste nuk përtuan të "tejkalojnë" këtë plan. Në fshatin Muhoc të komunës së Bujanocit "një pararojë" e këtyre trupave kishte hyrë që më 23 maj duke keqtrajtuar disa banorë shqiptarë, ndërsa të nesërmen kur ata po hynin triumfalisht në këtë fshat "një grusht pleqsh" kishte mbetur për t'u dëshiruar "mirëseardhjen". Të njëjtën ditë, ndërkaq, në fshatin Tërnoc të komunës së Bujanocit ndodhi incidenti më i rëndë që nga fillimi i konfliktit në rajon. Në rrethana ende të pasqaruara forcat serbe vrane Ridvan Qazimin, njërin nga komandantët kryesorë të UÇPMB-së, i njohur me emrin e luftës si komandant Lleshi. Vrasja e tij nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës u vlerësua si "vrasje mbi vetë procesin politik", meqë komandant Lleshi ishte edhe kryesues i grupit negociator shqiptar. Derisa udheheqës të tjerë të UÇPMB-së ishin larguar nga rajoni duke ju dorëzuar kryesisht forcave paqeruajtëse, komandant Lleshi dhe Shefket Musliu kishin qëndruar në fshatin Tërnoc në pritje të përfundimit të operacionit dhe me qëllim të vazhdimit të procesit të bisedimeve. Mirëpo, vrasja e tij hodhi përtej kufirit edhe disa mijëra refugjatë, ndërsa i dha vulën para kohe çarmatimit të UÇPMB-së. Çështja shtrohej thejsht nga njerëzit e rëndomtë: "nëse vranë bashkëbiseduesin, atëherë çfarë mund të ndodhë me ne?" Dy ditë më vonë bashkë me armët dhe uniformat e fundit, forcave paqerujatëse iu dorëzua edhe Shefket Musliu, komandant i përgjithshëm i UÇPMB-së.

Më 31 maj trupat jugosllave hynë në pjesën e fundit të zonës së sigurisë, tashmë të "sigurt" se nuk do të hasin as në rezistencën më të vogël. Dhejtëra "xhipa" të KFOR-it, Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, EUMM-së (Misioni Monitorues i Bashkimit Evropian) dhe organizatave të tjera humanitare përcollën nga afër fundin e këtij operacioni, meqë forcat jugosllave po ktheheshin në fshatrat Dobrosin e Konçul (dy fortesat kryesore të luftëtarëve shqiptarë). si dhe në Lluçan, Turi e Tërnoc, fshatra me numrin më të madh të banorëve shqiptarë. Përshkrimet e zyrtarëve serbë për kthimin e tyre paraqisnin "pamje idilike të marrëdhënieve të banorëve vendorë shqiptarë me trupat jugosllave". Mirëpo, zëvendëskryeministri i Serbsië, Nebojsha Çoviq, nuk pati me kë të flasë në fshatin Tërnoc me rreth 10 mijë banorë, ku ai ishte përgatitur të mbajë fjalimin e tij "për të bindur shqiptarët se trupat jugosllave po ktheheshin për të vendosur paqen". Shqiptarët e quajtën thjesht "cinizëm" deklaratën e zotit Çoviq, i cili u shpreh "i trishtuar" për vrasjen e komandnant Lleshit. Përfaqësuesit e krahut politik të luftëtarëve shqiptarë thanë se "me një gur u vranë dy zogj - u vra njeriu kryesor i luftës dhe paqes dhe u tmerruan të tjerët".

Sidoqoftë, pjesa e fundit e operacionit kaloi pa incidente të theksuara. Për përfaqësuesit ndërkombëtarë kjo ishte "provë" e mirë e zbatimit të përpiktë të marrëveshjes. Mirëpo, për përfaqësuesit shqiptarë kjo nuk ishte provë që mund të vendoste "besimin" që kurrë nuk ka ekzistuar ndërmjet tyre dhe forcave të sigurimit. E vetmja "shpresë" u ka mbetur prania e vazhdueshme ndërkombëtare dhe premtimet se procesi politik që "u ngri", posaçërisht me vrasjen e komandant Lleshit, do të "shkrihet". Në pritje të rifillimit të bisedimeve 14 pjesëtarë të policisë multietnike (7 serbë dhe 7 shqiptarë) kanë filluar patrullimet si "pararendës" të formacioneve të kësaj policie, që sipas planeve të hartuara nga Organizata për Sigrui dhe Bashkëpunim Evropian duhet të jenë përgjegjëse për rendin e ligjin.

Qeveria serbe, ndërkaq, ka dërguar mbi 4 mijë trupa në zonën tokësore të sigurisë për të rivendosur "sovranitetin e humbur nga Millosheviqi", paçka se në këtë operacion ishin edhe gjeneralët e Millosheviqit.

AIM Prishtinë, Besnik BALA