SNP (PSP)- ja mbron Millosheviqin

Beograd Jun 8, 2001

Shpëtimin nga kolapsi ekonomik dhe rrethanat e rënda sociale pushteti serb është i detyruar ta kërkojë në donacionet dhe investimet financiare nga jashtë. Që të llogaris në ndihmën e jashtme Jugosllavia duhet të plotësojë obligimet e saj ndërkombëtare, në radhë të parë ndaj tribunalit të Hagës. Çelësi për sjelljen e këtij ligji si edhe për fatin e Jugosllavisë ndodhet, ndërkaq, në duart e malazezve.

AIM Beograd, 04.06.2001

Pushtetit të ri jugosllav më shpejt i shkoi përdore të normalizojë marrëdhëniet me botën se sa Serbia të gjejë gjuhë të përbashkët me anëtarin e dytë të shtetit të përbashkët federativ, Malin e Zi. Kjo çështje pas zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi u bë ende më e vështirë dhe e paparashikueshme, sepse asnjëri nga koalicionet nuk fitoi përkrahjen e mjaftueshme të trupit zgjedhor që të ndihet si përfaqësues i sigurtë i republikës së vet në bisedat me pushtetin federativ dhe me Serbinë lidhur me ardhmërinë e Jugosllavisë. Koalicioni “Fitorja e Malit të Zi” është i detyruar që, në marrëveshje me liberalët, të formojë qeverinë e pakicës dhe prandaj jo aq të sigurtë, kurse koalicioni tjetër “Për Jugosllavinë” duke falenderuar rejtingun e zmadhuar në republikë, është bërë arrë e fortë në nivel federativ, kështu që partnerit të koalicionit të pushtetit federativ gjithnjë më shpesh po ia bën me dije se nuk ka ndërmend që gjithmonë dhe për çkadoqoftë të përkrahë interesat serbe.

Koalicioni në pushtet në Serbi, DOS (ODS- Opozita Demokratike Serbe), është ai që përpiqet të ruaj Jugosllavinë, mirëpo në anën malazeze nuk gjen partnerin e fortë politik, i cili do t'i siguronte marrëveshje të sigurtë dhe të vazhdueshme. Edhe sikur të flitej për suprimimin e qeverisë federative situata do të ishte fare identike. Në këtë mënyrë Serbia ndodhet e mbërthyer ndërmjet nyjes së dyfishtë malazeze, të cilën nuk di se kur dhe në çfarë mënyre ta zgjidhë.

Për shkak të gjendjes ekonomike katastrofale dhe institucioneve shtetrore ende të pa formuara, të cilat do t'i jepnin veçoritë krijesës së qëndrueshme shtetrore, Serbia është e detyruar që të shpejtojë, mirëpo dy çeshtjet kyçe: fatin e Jugosllavisë dhe bashkëpunimi me tribunalin e Hagës nuk është në gjendje t'i zgjidhë vetë, pa pajtimin me Malin e Zi. Çështjen e parë nuk e zgjidh dot vetë dhe pa koalicionet malazeze, të cilat nuk shfaqin interesim dhe vullnet që sëbashku me palën serbe të fillojnë bisedat në këtë temë, kurse sa i përket të dytës

  • ajo varet nga përcaktimi i SNP-së (PSP-së gjegjësisht Partisë Socialiste Popullore), kreu politik i sëcilës nuk është i gatshëm të pranojë zgjidhjen e ofruar ligjore, dorëzimin te tribunali i Hagës i të akuzuarve për krimet e bëra në luftrat e zhvilluara në sipërfaqen e ish RFSJ-së.

Kështu, i mbërthyer me rreth të dyfishtë, pushteti serb ndodhet në gjendje tepër të vështirë, sidomos edhe nga shkaku se po afrohet termini i mbajtjes së konferencës së donatorëve prej së cilës Jugosllavia pret të fitojë ndihmë prej afër 1,2 miliardë dollarë, mirëpo kjo mund të mbetet e parealizuar nëse më parë nuk sillet ligji për bashkëpunim me tribunalin e Hagës. Nuk kalon thuaj asnjë ditë që nga donatorët, te të cilët janë varur të gjitha shpresat, të mos vijë ndonjë paralajmërim se suksesi i konferencës së donatorëve varet nga gadishmëria e Jugosllavisë që t' ia dorëzojë Hagës njerëzit të cilët janë të akuzuar për krime lufte. Këtu në radhë të parë mendohet për ish presidentin e Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, mirëpo krahas tij në listë, disa në mënyrë të drejtëpërdrejtë kurse të tjerët tërthorazi, ndodhen një numër i konsiderushëm personash.

Partia malazeze SNP, e cila sëbashku me DOS-in përbëjnë pushtetin federativ, kundërshton dorëzimin e të akuzuarve dhe këtë e shpjegon me qëndrimin ndaj antarësisë së vet, të cilën, siç vërtetojnë krerët e saj, nuk duhet ta tradhëtojë. Edhe pse SNP-ja në koalicionin “Për Jugosllavinë” në zgjedhjet e fundit në trupin zgjedhor malazez fitoi besim diç më të madh se sa në zgjedhjet e mëparëshme, tani ajo është në situatë ende më paradoksale sepse nëse mban qëndrim të prerë ndaj ligjit të propozuar lidhur me bashkëpunimin me tribunalin e Hagës, atëherë do të vë në pyetje vetë ekzistimin e qeverisë aktuale federative, e cila ekziston dhe funkcionon nga paratë të cilat Serbia i derdh në buxhetin federativ.

DOS-i në kalkulimet e tij llogarit se SNP-ja nuk do të flijojë pushtetin e saj në nivel federativ dhe se në fund do të pajtohet që të votojë ligjin e përmendur. Në qoftë se një kombinacion i tillë politik tregohet i drejtë DOS-i atëherë do të jetë i detyruar “të paguajë” çmimin e caktuar. Dhe ky kalkulim është bërë me marrëveshje që pushteti serb gjatë rikomponimit të shtetit aktual federativ mos e lë anësh koalicionin “Për Jugosllavinë”.

Pushteti i Malit të Zi ia doli që gjatë tre vjetëve të fundit të gjitha funkcionet shtetrore të nivelit federativ t'i kalojë në nivelin republikan. Ajo që Malit të Zi i mungon tani që të mund të pavarësohet plotësisht nga Serbia është vetëm pranimi ndërkombëtar, hap pas të cilit Jugosllavia do të shuhej fare. Edhe pse pushteti serb është mjaft i interesuar që të ruaj njëfarë Jugosllavie, duke u pajtuar madje edhe me një të ashtuquajtur federatë funkcionale minimale, vendimi për këtë, gjegjësisht për fatin e shtetit federativ ka ngelur në duart e Malit të Zi, ku zgjedhjet vërtetuan përçarjen e dukshme të trupit zgjedhor.

Derisa për Serbinë faktor vendimtar është koha, në Mal të Zi, ndërkaq, nuk ekzistojnë shkaqe për shpejtim. Prandaj edhe referendumi lidhur me atë se vallë kjo republikë do të ngelë në Jugosllavi ose jo është shtyrë për në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo për pushtetin serb paraqet diçka tejet të largët, sepse deri sa të mos zgjidhet në mënyrë efikase çeshtja e Jugosllavisë, nuk mund të zgjidhen edhe shumë probleme të grumbulluara në ekonomi, as edhe të definohen kufinjtë deri ku mund të prekin vendimet e saj.

Krahas shpresave të mëdha që ka mbështetur në konferencën e donatorëve, Qeveria serbe planifikon që për rimëkëmbjen e ekonomisë të grumbullojë mjete edhe nga privatizimi i ekonomisë së vet, mirëpo edhe këto shpresa mund të dështojnë, sepse Jugosllavia është proklamuar si vend më i pasigurtë për investime financiare. Me koalicionet malazeze, pa marrë parasysh se sa ato janë për Jugosllavinë ose sa përpiqen për pavarësimin e Malit të Zi, pushteti në Serbi është në pozitën e njeriut me litarin që i shtërngon fytin, sepse çelësi për daljen nga gjendja e rëndë ekonomike në të cilën ka sharruar dhe gjendja thuaj e padurueshme sociale e pjesës më të madhe të popullsisë, ndodhet në duart malazeze.

RATOMIR PETKOVIQ