Afera “Nacional” dhe Mali i Zi

Podgorica Jun 8, 2001

Afera “Del Turko”, gjegjësisht shkrimet e shtypit italian dhe serb në kohën e Millosheviqit, ishte më pak e rrezikshme se sa fushata aktuale të cilën e ka inicuar “Nacional-i” zagrebas

AIM Podgoricë, 31.05.2001

Opinioni politik malazez (dhe jo vetëm ai) është shqetësuar shumë nga era e një drejtimi të papritur - nga ai i Kroacisë. Javorja zagrebase “Nacional” ka publikuar në tre vazhdime tekste të gjata për “bosin e kontrabandës në Ballkan”, Stanko Subotiq Cane-n, nga Ubi, me banim të përhershëm në Zvicër. Në pamje të parë, shkaku për një botim të këtillë voluminoz - zbulimi i prapavijës se si dhe pse Subotiq, në vitin 1999 mundi të fitojë nënshtetësinë kroate, duket fare banal.

Pasoshi i Subotiqit, ndërkaq, nuk është detaji më i diskutueshëm. Ai, Subotiqi, sipas shkrimit të “Nacional-it” vite me radhë po gëzon përkrahjen e qeveritarëve më të lartë malazez dhe serbë. Në radhë të parë të presidentit malazez Milo Gjukanoviq, për të cilin javorja në fjalë vërteton se me Subotiqin e pasur ndan fitimin nga kontrabanda e profitit të lartë të cigareve.Krahas Gjukanoviqit, në rrjetën e ngatërruar të lidhjeve të interesit, në kontekst kompromitues përmendet edhe kryeministri serb Zoran Gjingjiq, ish kryetari i parlamentit malazez, Svetozar Maroviq, si edhe shumë persona të estradës kroate dhe serbe, pjesëtarë të emruar dhe të paemruar të shërbimeve të ndryshme informative, njerëz të nëntokës malazeze dhe serbe

Në llogari të Gjukanoviqit janë shkruar plot akuza të rënda, nga të cilat më e rënda është pikërisht ajo se ai qëndron pas porosisë për vrasjen e Goran Zhugiqit, të likuiduar në Podgoricë para gjysëm viti. Zhugiq-i ishte këshilltar për sigurim kombëtar i Gjukanoviqit. “Faji” i tij, sipas javores zagrebase, ka qenë se, duke qenë i angazhuar rreth fshehjes së të hollave të fituara bashkë me Subotiqin, ka ditur shumë gjëra lidhur me vendin e sigurtë ku janë fshehë. Për Subotiqin, “mbretin e kotrabandistëve” vërtetohet, poashtu, se ka patur “eskadrone të vërteta të vdekjes” në çdo kohë të gatshme për akcion nëse ndokush bëhej i padëshiruar në atë zinxhir të komplikuar të biznisit. Mbi shpirtin e Subotiqit vihet madje edhe vrasja e Radovan Stojçiq Baxhës, njeri i Millosheviqit, zëvendës i dikurshëm i ministrit të policisë serbe. Në “Nacional” lista e vrasjeve të “ortakut afarist” të Gjukanoviqit zgjërohet edhe me emrat e shumë njerëzve të njohur të nëntokës sërbe.”Logistiku” i tij i përmendur i Podgoricës, Bllagoja Baja Sekuliq, për të cilin vërtetohet se para disa vjetësh në Athinë ka likuiduar ortakun e dikurshëm të Subotiqit të viteve të hershme të nëntëdhjeta, Vanja Bokan, u vra para dy ditësh në Budva.

“Nacional-i”, përveç serialit të përmendur të vrasjeve sipas regjisë së Subotiqit dhe Gjukanoviqit, në vazhdime parashtron edhe shumë detaje të tjera kompromituese - orgji seksuale dhe megalomani e salltanete të këtyre dy aktorëve kryesorë të këtij rrëfimi. Si një nga burimet kryesore të këtyre informatave, javorja malazeze përmend shërbimin informativ amerikan, i cili, me gjasë, ka filluar të hulumtojë burimet e të ardhurave të Gjukanoviqit prej në kohën kur për këtë u intriguan nga blerja e njërit nga tre aeroplanët të cilët tani janë pronë e qeverisë malazeze nga ana e presidentit. Në vazhdimin e fundit u publikua një intervistë e gjerë e “mbretit të duhanit” malazez, nënshtetasit poashtu “të freskët” kroat, Sreçko Kestner, i cili gjerësisht rrëfen për funkcionimin ilegal të tregtisë së cigareve në Mal të Zi, rreth asaj se si është ndarë profiti dhe për aktorët kryesorë të kësaj pune me fitim të madh në këto vise gjatë dhjetë vjetëve të fundit, nga koha e aplikimit të sankcioneve nga KB-ja. Për Gjukanoviqin ai vërteton se pjesën më të madhe e ka marrë për vete, kurse për Svetozar Maroviqin, thotë se nga Cane Subotiqi, ka marrë një shtesë mujore “vetëm që të heshtë”. Një apanazh të tillë ka marrë, sipas fjalëve të Kestnerit, edhe i ndjeri Goran Zhugiq.

Të gjitha këto tekste i publikon me pedanteri edhe e përditshmja e Podgoricës “Dan” e cila është nën mbikqyrjen e Partisë Popullore Socialiste jashtparlamentare, parti kjo e ish kryeministrit federativ, Momir Bullatoviq.

Shkrimi i javores zagrebase pa dyshim, në radhë të parë, i dedikohet opinionit malazez. Dhe vërtetë në Mal të Zi kjo ka marrë përmasat e një afere të jashtëzakonshme. Vetë Gjukanoviqi e demantoi shkrimin e “Nacional-it”, duke thënë se bëhej fjalë për shpifje monstruoze dhe duke paralajmëruar aktpadinë kundër “Nacional-it” dhe “Dan-it” Shkrimin lidhur me apanazhin e ka demantuar edhe Svetozar Maroviq-i. Subotiq-i, ndërkaq, duke mohuar shkrimin e javores zagrebase nëpërmjet avoketëve të vet, si burim të informatave, madje edhe si koautorë të teksteve, e ka shpallur biznismenin dhe hotelxhiun malazez Ratko Dokiq, si dhe shefin e dikurshëm të misionit tregtar malazez në Uashington dhe ish mikun e afërt të Gjukanoviqit - Ratko Knezheviq. Kundër tyre ka ngritur edhe aktpadi publike për shkak se, si thot, ofertës së ryshfetit. Para se ta vritnin, Bllagoja Sekuliqi ka shprehur publikisht gadishmërinë që të paraqitet në gjyq si dëshmitar në favor të Subotiqit.

Shkrimi i “Nacional-it” ka shkaktuar një vërshimë të paparë demantesh, deklaratash dhe akuzash të ndërsjella në faqet e “Dan-it”. Në orët e vona vështirë është ta gjesh gazetën nëpër qoshqet e Podgoricës.

Mediat shtetrore dhe gazeta e pavarur “Vijesti”, që vlerësohet i afërt me koalicionin e Gjukanoviqit, tërë këtë aferë, thjeshtë dhe lehtë - e kalon në heshtje. Është e çuditshme sidomos ajo se po hesht edhe gazeta opozitare “Glas crnogoraca” e cila është nën mbikqyrjen e koalicionit “Për Jugosllavinë”, i cili prin në kritikat kundër Millo Gjukanoviqit dhe në aferën kundër idhtarëve të pavarësisë së Malit të Zi. Një qëndrim i këtillë i “Gllas-it” shpjegohet me faktin që “Nacional” edhe kryeministrin serb Zoran Gjingjiq e përmend në rolin e “mentorit” të Subotiqit në Serbi, derisa koalicioni i Bullatoviqit dhe Soçevës - në rolin e bashkëpuntorit të DOS-it në shkallë federative.

Edhe vetë “Dan-i” madje i kushtoi njëherë një faqe reagimit të politikanëve malazezë në shkrimin e “Nacional-it”. Por, përveç partisë së Momir Bullatoviqit dhe “Dan-it” i cili në Mal të Zi shitet më tepër se çdo gazetë tjetër, të tjerët sikur ngurojnë që të sigurojnë poena politike në llogari të aferës së madhe. Liberalët “shpresojnë se shkrimi nuk ka kurrfarë lidhjeje me të vërtetën”; për Partinë Popullore Serbe të Dr. Bozhidar Bojoviq-it ky është edhe një fakt se pushteti në Mal të Zi është i kompromituar dhe korruptuar, kurse përfaqësuesi i Partisë Socialiste popullore Predrag Bullatoviq thot se si njeri “i vjen jashtëzakonisht rëndë kur për Malin e Zi dhe malazezët shkruhet në atë mënyrë, madje sikur ata të jenë edhe përfaqësues të pushtetit të këtushëm”. Për kryetarin e Partisë Popullore kjo aferë ishte shkas që të lajmërojë prokurorin shtetror të Malit të Zi që të ngrejë hetimet zyrtare me qëllim që të vërtetohet saktësia e shkrimit të “Nacional-it”

Predrag Popoviq-i, funkcionar i lartë i partisë së Soqit, paralajmëroi debat të bujshëm parlamentar lidhur me këtë temë në parlamentin e sapokonstituuar malazez. As kjo deklaratë, madje, nuk tingëlloi si ndonjë kërcnim serioz. “Dan-i”, sipas një qëndrimi të skajshëm demagogjik, publikisht ua ofroi faqet e veta Milo Gjukanoviqit, Svetozar Maroviqit, Zoran Gjingjiqit dhe kryeministrit maqedonas Lubço Georgijevskit ( për të cilin vërtetohet poashtu se është mbrojtës i Subotiqit) që të “ shpallin qëndrimet e tyre”. Gjingjiqi zgjodhi faqet e shtypit serb, kurse të tjerët këtë ofertë nuk e përfillën fare.

Nuk duhet, ndërkaq, të mashtrohemi. Në Mal të Zi mbretëron mendim i përgjithshëm se, sado e zhurmëshme, afera “Del Turko” dhe fushata dyvjeçare antigjukanoviqase e faqeve të shtypit italian dhe serb e cila kësaj i parapriu, për bashkëpunimin me mafiozët italianë, ishte diç më pak e rrezikshme për presidentin malazez se kjo tani, e inicuar në Kroaci. Vlerësohet se pushteti i Gjukanoviqit kurrnjëherë më parë nuk është rrezikuar sikur tani. Askush deri tani nuk e mohon, por mendim i përgjithshëm është se krahët i ka mjaft të shkurtuar për realizimin e projektit të Malit të Zi të pavarur.

Në Podgoricë bëhen kalkulime të ndryshme jozyrtare lidhur me prapavijën dhe motivet e shkrimit të “Nacional-it” Ekziston bindje e përgjithshëm se prapa kësaj qëndron, para së gjithash, shërbimi i fshehtë amerikan dhe interesat amerikane. Më saktë: me komprometimin e Gjingjiqit dhe Gjukanoviqit do të forcohet pushteti i Koshtunicës si një “atu ballkanik” proamerikan. Zbulimi i detajeve lidhur me kotrabandën e cigareve në Mal të Zi nuk do të skandalizonte askend. Për këtë temë flitet haptaz edhe në instancat më të larta. Prandaj projekti për Malin e Zi të pavarur në “Nacional”shpjegohet ekskluzivisht vetëm si dëshirë e njohur e Gjukanoviqit për të mbrojtur pushtetin “apsolut mafioz”. Lidhur me këtë, shihet qartë, nuk ekzistojnë dilema. Fakt dhe vërtetim për këtë është edhe vrasja e Sekuliq-it, pa marrë parasysh se cili mund ta ketë porositur dhe kryer këtë vrasje.

GORDANA BOROVIQ