Akuza ndaj Trupave Mbrojtëse të Kosovës
Prishtinë, 31.05.2001.
Në mëngjesin e një ditë maji policia e Kombeve të Bashkuara në Kosovë publikoi lajmin se një oficer i lartë i Trupave Mbrojtëse të Kosovës është arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në një vrasje, me gjasë politikisht të motivuar, një vit më parë në Prizren në Kosovën jugore. Në fillim të majit të vitit 2000 Ekrem Rexha, ish oficer i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me emrin e luftës si komandant Drini, ishte vrarë para shtëpisë së tij në Prizren nga sulmues të panjohur. Komandant Drini ishte vrarë derisa po shkonte ne vendin e tij të punës si pjesëtar i strukturave të përbashkëta administrative të krijuara nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Në përvjetorin e vrasjes së tij organet e rendit thanë se kanë arrestuar një grup personash në ndërlidhje me vrasjen, ndërsa në mesin e të dyshuarve ishte edhe gjeneral Sali Veseli, ish oficer i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe tash oficer i lartë i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, një organizatë civilo-ushtarake e cila ka trashëguar këtë ushtri. Lajmi, i cili fillimisht u konfirmua nga zyra amerikane në Prishtinë, bëri shumë bujë, posaçërisht për faktin se i dyshuar ishte pikërisht një nga ish kolegët e të vrarit, i cili vjen nga struktura të larta ushtarake. Trupat Mbrojtëse të Kosovës u ndien të goditura rëndë nga ky arrestim. Komandnati i tyre, gjeneral Agim Çeku, tha se "organizata e tij është e bindur që gjeneral Sali Veseli, i arrestuar nën dyshimin se është i përfshirë në vrasjen e Ekrem Rexhës, është i pafajshëm". Gjeneral Çeku tha se në rastin e gjeneral Sali Veselit caku i policisë ndërkombëtare është i gabuar dhe se ai është i bindur që zoti Veseli nuk është i përfshirë në vrasjen e komandant Drinit. "Ata ishin shokë lufte dhe shokë paqeje", theksoi zoti Çeku, duke shtuar se edhe lajmin e vrasjes së Komandant Drinit ai e kishte marrë pikërisht nga zoti Veseli. Nisur nga "personaliteti i zotit Veseli, brenda Trupave Mbrojtëse të Kosovës është krijuar një situatë e rëndë", tha gjeneral Çeku, për të nënvizuar se "organizata e tij dyshon në objektivitetin e policisë ndërkombëtare." Trupat Mbrojtëse thanë se arrestimi i zotit Veseli është pasojë e "veprimit të qarqeve të caktuara që nuk duan ngritjen e këtyre trupave". Ndërkaq, zyra amerikane në Prishtinë kishte përshëndetur arrestimet, megjithatë kishte nënvizuar se "kjo nuk do të ketë pasqyrim negativ në rolin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës". Megjithatë, TMK ishte gjetur sërish për të kushedi të satën herë në pozicion "mbrojtës" të vetvetes. "Institucioni i vetëm kosovar i njohur edhe ndërkombëtarisht", TMK-ja është përballur me akuza e kritika që prej themelimit të tyre pas procesit të çmilitarizimit dhe transformimit të strukturave të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në të shumtën e rasteve, siç vlerësohet shpesh në shtypin e këtushëm, e shpallur që më parë "fajtor kujdestar", TMK është akuzuar posaçërisht pas shpërthimit të konflikteve të armatosura në Luginën e Preshevës në Serbinë Jugore, e posaçërisht në veriun e Maqedonisë. Qeveria serbe ka akuzuar vazhdimisht krerët e TMK-së dhe ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK) për dërgimin e ushtarëve dhe armatimit për të furnizuar guerilët shqiptarë në Luginën e Preshevës, që veten e quanin Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Asnjëherë drejtuesit e këtyre trupave nuk kanë mohuar që "ish luftëtarë të UÇK-së të kenë vazhduar luftën e tyre në radhët e guerilëve në Luginën e Preshevës", mirëpo kanë mohuar që TMK-ja të ketë dorë në organizimin apo mbështetjen e luftës në këtë rajon.
Akuzat, ndërkaq, u shtuan shumë me fillimin e konfliktit të armatosur në Maqedoni, ku formacionet luftarake shqiptare "përvetësuan" në njëfarë mënyre emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e quajtur veten UÇK (Ushtria Çlirimtare Kombëtare). Por, për ish strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ngjashmëria e emrave "nuk do të duhej të ishte argument i mjaftueshëm për akuza". Mirëpo, drejtuesit e TMK-së u detyruan të mbrohen sërish, posaçërisht pas njoftimeve se shefi i Shtabit të tyre në Prishtinë, Gëzim Ostreni, shqiptar nga Maqedonia, kishte kaluar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, për t'u bërë së shpejti njeriu i parë i Shtabit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie. Gjeneral Çeku e pezulloi menjëherë zotin Ostreni nga funksioni i tij, për ta shpallur të përjashtuar nga radhët e TMK-së. Me këtë rast ai përsëriti qëndrimin publik se "TMK-ja mbështet sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Maqedonisë, por njëkohësisht kërkon përmbushjen e të drejtave të shqiptarëve të kësaj ish republike jugosllave". Mirëpo, ai tha se çdo anëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, për të cilin ka dëshmi se është përfshirë në aktivitete të dhunshme, do të përjashtohet prej andej". Gjeneral Çeku, megjithatë, "nuk e përjashtoi mundësinë që edhe pjesëtarë të tjerë të kësaj organizate të jenë të përfshirë në aktivitete të dhunshme në Maqedoni apo në Luginë të Preshevës, mirëpo të tillët, tha ai, nuk do të kenë vend në organizatën e tij". Zoti Çeku u duk shumë i nevrikosur pas akzuave të shpeshtuara dhe posaçërisht pas kontrolleve të shpeshtuara të forcave paqeruajtëse, të cilat së bashku me misionin e Kombeve të Bashkuara mbikëqyrin punën dhe veprimtarinë e TMK-së. Burimet e KFOR-it thanë se gjatë një kontrolli të befasishëm "një numër i madh i pjesëtarëve të këtyre trupave nuk janë gjetur në vendet e tyre të punës dhe kjo ka shtuar dyshimet se ata mund të jenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme". Komanda e këtyre trupave u ndie e "fyer" nga cilësimet e tilla, madje edhe nga "injorimet" që i janë bërë nga faktorët ndërkombëtarë, si gjatë arrestimit të gjeneral Sali Veseli, për arrestimin e të cilit TMK-ja ka marrë vesh nga mjetet e informimit. Gjeneral Çeku filloi një seri takimesh me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare "për të sqaruar fushatën kundër TMK-së". Ai mori "sigurime" nga komandnati i forcave paqeruajtëse, gjenerali norvegjez Torstein Skiaker, si dhe nga komisioneri i policisë së Kombeve të Bashkuara, Christopher Albiston, se "TMK-ja ka përkrahjen e plotë të mekanizmave ndërkombëtarë". Njëkohësisht, ata kanë nënvizuar se "nuk mund të tolerohen individët që punojnë jashtë regullave të përcaktuara". Zoti Çeku tha se ka arritur njëfarë pajtimi me përfaqësuesit ndërkombëtarë që "TMK-ja të ngritet gradualisht dhe të marrë detyra më konkrete që sot kryhen nga KFOR-i apo dikush tjetër". Sipas tij, "shkalla e organizimit është aq në nivel sa Trupat Mbrojtëse të Kosovës mund të marrin përgjegjësi edhe më të mëdha nga ato që i ka sot", duke aluduar në shtimin e kompetencave dhe afrimin e kësaj organizate më formacionet ushtrake.
Mirëpo, duket se ngritja e statusit të TMK-së duhet të presë kohë më të mira. Autoritetet ndërkombëtare nuk kanë pranuar që statusi i tyre të avancohet në kuadër të dokumentit kushtetues të Kosovës. Ajo vazhdon të mbetet një organizatë civile, ndërsa komandantët e saj duket se edhe për një kohë do të detyrohen të luftojnë për të ruajtur numrin e tashëm të këtyre trupave. E konceptuar fillimisht si një organizatë me 3000 trupa efektivë dhe dy mijë rezervë, TMK-ja tash po përballet me kërkesat për demobilizimin e 2000 pjesëtarëve të saj, por edhe me vështirësitë e shtrirjes së saj në gjithë Kosovën dhe përfshirjen e pjesëtarëve të pakicave. Gjeneral Çeku u ka bërë thirrje, ndërkaq, përfaqësuesve të pakicave kombëtare në Kosovë që t'i bashkohen organizatës së tij. Deri tash në kuadër të Trupave Mbrojtëse janë përfshirë 116 përfaqësues të pakicave, përveç atyre të komunitetit serb, përfshirja e të cilëve, të paktën siç konsiderohet në opinionin e këtushëm, është penguar nga udhëheqësit e tyre politikë.
AIM Prishtinë, Besnik BALA