Ne kerkim te te vertetes

Beograd May 31, 2001

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit qytetarët e Serbisë ishin dëshmitarë dhe pjesëmarrës në prodhimin e “të vërtetave” të llojllojshme. Disa prej tyre ishin të falsifikuara, disa të tjera - skajshëm të seleksionuara, kurse retorika shpesh bëhej fjalim agresiv i urrejtjes në të cilin deri në ditët e sotme ana “jonë” gjithmonë ishte ekskluzivisht viktimë kurse ajo tjetra “fajtore” dhe “ ekzekutuese”. Vallë ka ardhur çasti që, pas tërë asaj që ndodhi në sipërfaqen e ish Jugosllavisë, një qëndrimi të këtillë ndaj së vërtetës t'i vihet pikë.

AIM, Beograd, 25.05.2001.

Ballafaqimi me të vërtetën e së kaluarës, i shoqëruar me shumë zhurmë, pakënaqësi dhe revolt, gjatë muajve të fundit, më saktë nga ndërrimi i regjimit në Beograd, ka preokupuar opinionin e këtushëm qoftë nëpërmjet të diskutimeve lidhur me dorëzimin e ish kryetarit Millosheviq në gjyqin e Hagës, qoftë lidhur me formimin e komisionit shtetror për të vërtetën. Dhe derisa shumica e qytetarëve të rëndomtë të Serbisë fajtorin për krimet e bëra në luftrat e fundit në sipërfaqen e ish Jugosllavisë e kërkon në oborrin e tjetrit, konferenca e javës së kaluar “Në kërkim të së vërtetës dhe përgjegjësisë - kah ardhmëria demokratike” në organizim të Radio televizionit B92, vërtetoi se nga këndvështrimi i ekspertëve kjo punë do të jetë mjaft e mundimshme dhe voluminoze.

Se procesi i ballafaqimit me të vërtetën dhe përgjegjësinë do të jetë mjaft i vështirë paralajmëroi edhe Veran Matiq-i, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i RTV B92, duke parashtruar përvojën e kësaj shtëpie mediale,e cila jo fort moti, duke filluar me filmin për Srebrenicën, nisi emitimin e serialit për të vërtetën dhe pajtimin dhe kështu mblodhi rreth vetes urrejtjen dhe tmerrin e shumë spektatorëve. Përveç protestave ndaj vetë televizionit B92, u shfaqën edhe “letrat e lexuesve” në të cilat gjuha e fshehtë e urrejtjes mori krahë të fuqishëm: “Pse lejoni emision me kaq rrena derisa nuk keni qenë atje?” “Pse emitoni çdo gjë që ua servojnë Amerikanët dhe banda e tyre?”, “Një propagandë të këtillë kundër Serbëve nuk ka patur as në kohën e Paveliqit dhe Hitlerit”. “Me serial të këtillë vetëm mbillni urrejtje kundër Serbëve”. Disa të tjerë, ndërkaq, ishin diç më të matur: “ Nuk i largohem përgjegjësisë për krimet e anës serbe, por vetëm si të njërës nga tri palët e përzjera. Ju lutem, tregoni vallë kroatët dhe muslimanët a kanë publikuar ose treguar ndonjëherë ndonjë grimë vetëkritike dhe gadishmërie për objektivitet?” “Unë dua, hej, informata”, porosit një serb i Kanadës me e-mail. “ Di çdo gjë për çdo Ali dhe Mujë të vrarë. Po ku përfunduan Darkoja, Nenadi dhe Predragu i Srebrenicës? Dua të shkruani çdo gjë për atë kriminelin Naser Oriq”

Disa të tjerë, ndërkaq, nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me të vërtetën: “Në qoftë se vërtetë ka qenë ashtu, atëherë nuk më ngel asgjë tjetër përpos të marrë revolverin dhe të vritem!”, ka reaguar një spektator pas epizodës së parë nga dy epizodat për krimet në Srebrenicë. Duke përkujtuar këtë reagim, Veran Matiq-i shtoi se spektatori para se të shikonte epizodën në mënyrë mjaft të qytetruar kishte folur se e tërë kjo ishte vetëm propagandë dhe përdhosje e popullit serb. Në pyetjen se pse ishte kundër asaj që të shikonte edhe ndonjë version tjetër të ngjarjes të cilën e kishte parë njëherë, kishte deklaruar se nuk mund të duronte një të vertetë të tillë.

Dihet mirë se prodhimi i marrëzive të luftës lë gjurmë të thella. Me rrena, të pavërteta, me heshtje dhe glorifikim të viktimave, është krijuar ajo që njerëzit të bëhen të pandishëm ndaj krimeve të luftës dhe të arësyetojnë atë që pjesëmarrësit ushtarakë dhe paramilitarët e kombit të tyre ua kanë bërë të tjerëve. Pohimi se “ secili do të kishte ditur sikur të kishte dashur” nuk do të thotë se shumë prej tyre vërtet kanë dashur të dijnë. Është e ditur se më lehtë ka qenë të mos dish. Nga aspekti psikologjik, në të vërtetë, më lehtë ka qenë të besosh dhe pranosh atë që ka servuar propaganda: se serbët janë vetëm viktimë, se nuk janë fajtorë për asgjë, se urrehen nga të gjithë.

Anketat dhe hulumtimet e paradokohëshme të agjencisë “Stratedxhik marketing” - “ Shikim i së vërtetës në Serbi”, të prezantuara në konferencë, bënë përshtypje të thellë te pjesëmarrësit e pranishëm. Disa ishin të befasuar, disa të tjerë - të demoralizuar, por kishte edhe të tillë të cilët vlerësonin se ajo ishte pasojë e kuptueshme e propagandës rrënuese dhjetëvjeçare të zhvilluar në këtë mjedis. Sidoqoftë dhe përpos tërë kësaj, është fakt i pamohueshëm se më shumë se gjysma e qytetarëve të Serbisë nuk di të ofroj madje edhe një shembull për ndonjë krim të forcave ushtarake serbe në luftrat në teritorin e ish Jugosllavisë. Në të vërtetë rezultatet dëshmojnë se numri më i madh i qytetarëve të anketuar janë të informuar mjaft mirë për krimet që janë bërë ndaj serbëve, por më tepër se gjysma nuk di të tregojë për krimet që kanë bërë forcat serbe, kurse një pjesë jo e vogël e qytetarëve mohojnë se janë bërë krime të tilla. Në pyetjen vallë kanë dëgjuar, të themi “se shumë civilë në Sarajevë kanë rënë nga plumbat e snajperistëve” 91,5 përqind do t'ju thonë se kanë dëgjuar, por vetëm 54,7 përqind prej tyre beson në këtë. Mirëpo në pyetjen se vallë kanë dëgjuar që “Muslimanët nëpër kampet e BeH kanë mbajtur peng Serbë” do të përgjigjen se kanë dëgjuar 91,5 përqind, mirëpo kësaj i besojnë 96,1 përqind e të anketuarve.

Se sa të nevojshme janë bisedat për ballafaqimin me të kaluarën dhe vërtetimin e së vërtetës mjaft mirë tregojnë edhe shumë të dhëna e zbulime të këtij hulumtimi, të cilat flasin për qëndrimet e qytetarëve lidhur me krimet që janë bërë në luftrat në teritorin e ish Jugosllavisë dhe përgjegjësinë e politikanëve dhe qytetarëve të cilët i kanë përkrahur.

Njëra nga pyetjet e anketës ishte edhe “ cilët janë fajtorët më të mëdhenj dhe cilët janë mbrojtësit më të mëdhenj të serbizmit”. Për numrin më të madh të të anketuarve, 62,7 përqind, për intervenimin e NATO-s përgjegjëse janë SHBA-të dhe bashkësia ndërkombëtare dhe interesat ekonomike të saj, mirëpo një numër i madh vlerëson se shkaktare është politika e Sllobodan Millosheviqit. Në hulumtimet rreth këndvështrimit të së vërtetës për Serbinë u vërtetua se të anketuarit edhe më tutje fajin për të gjitha fatkeqësitë e luftës e shikojnë në “anën tjetër”. Kështu 77,8 përqind nga 2.000 të anketuar vlerësojnë se për shkatërrimin e RFSJ-s shkaktari kryesor ka qenë nacionalizmi kroat, pastaj interesat e Amerikës dhe Perëndimit, kurse për fajtor kryesor për fillimin e shkatërrimit luftarak të ish Jugosllavisë është vlerësuar ekzistimi i SHBA-ve si superforcë e vetme, dhe pas kësaj -ardhja e Millosheviqit në pushtet.

Njeriu i parë i agjencisë së sipërpërmendur, Srgjan Bogosavleviq, thot se të anketuarit si fajtor kryesor për të gjitha luftrat në tokën e RFSJ-s vlerësojnë Franjo Tugjmanin, pastaj Millosheviqin dhe Alija Izetbegoviqin. Të anketuarit, nga ana tjetër, si mbrojtësin më të madh të serbizmit, vlerësojnë Ratko Mlladiqin, pastaj Radovan Karaxhiqin, Zhelko Razhnatoviq Arkanin dhe Sllobodan Millosheviqin.

Edhe pse shumica e të anketuarve shprehën dëshirë dhe interesim që të dijnë diç më shumë sidomos për marrëveshjet që bënte Millosheviqi në emër të Serbisë, për ngjarjet të cilat i paraprinë shkatërrimit të vendit, diç më pak se te gjysma e tyre luftrat në Kroaci dhe BeH, gjegjësisht vetëm njohuritë e fituara për to, nuk do të ndikonin dukshëm në ndryshimin e qëndrimit të tyre. Në pyetjen vallë ndonjë njohuri më e re kishte ndikuar në ndryshimin e mendimit të tyre, madje 85,5 për qind e të anketuarve janë përgjegjur negativisht. Duhet theksuar, ndërkaq, se pa marrë parasysh se sa të forta janë paragjykimet, stereotipet dhe manipulimet, të cilat i kanë krijuar mediat dhe politikat shtetrore vite me radhë, pjesa më e madhe e opinionit don të dëgjojë dhe të pranojë, në radhë të parë, zërin e dëshmitarëve dhe të viktimave.

Edhe pse kjo konferencë për shkaqet dhe mënyrat e ballafaqimit me të kaluarën filloi para pesë muajsh dhe që mbajtja e saj nuk kishte lidhje të drejtpërdrejta me formimin të paradokohëshëm të Komisionit jugosllav për të vërtetën dhe pajtimin, pjesa më e madhe e diskutimit iu përkushtua vetë fprmimit të këtij komisioni. Dilemat dhe mospajtimet rreth këtij komisioni, të cilat po paraqiten që nga dita e formimit (29 mars të k.v.), kur presidenti Koshtunica solli vendimin për themelimin e tij, dhe sidomos gjatë mesit të prillit kur prej tij dolën dy anëtarë (Vojin Dimitrijeviq dhe Latinka Peroviq) mund të vërreheshin qartë edhe gjatë këtij tubimi. Disa vlerësonin se ishte formuar shpejtë dhe pa nevojë dhe pa analizë serioze paraprake, pa dialog që do të përfundonte me konsenzus. Të tjerët, nga ana tjetër, dyshojnë mos jetë në pyetje vrapi për poena në skenën e brendshme politike dhe jo aq dëshira që me të vërtetë të fillojë ballafaqimi i planifikuar dhe sistematik me të kaluarën.

Profesori Vojin Dimitrijeviq, drejtor i qendrës beogradase për të drejtat e njeriut, krahas konstatimit se themelimi i komisioneve të këtilla “kishte fituar dimensionet e modës” përshëndeti formimin e tij, por në të njëjtën kohë në mënyrë të saktë numroi edhe të gjitha vështirësitë dhe paragjykimet të cilat do të pengonin efikasitetin e punës së tij: “Meqë konflikti më së tepërmi ishte në territorin e Jugosllavisë që ndodhet jasht Serbisë së sotme, komisioni i përbërë prej qytetarëve të Serbisë do të ballafaqohej me dy lloje vështirësish. E para, ai nuk do të mund të depërtonte deri te dokumentet, dëshmitarët dhe burimet tjera të cilat nuk ndodhen në Serbi dhe do të varej nga disponimi dhe vullneti si dhe përcaktimi i pushtetit jasht Serbisë. E dyta, duke patur parasysh paragjykimet e grumbulluara, ai nuk do të kishte autoritetin e duhur nëse do të sqaronte dhe shprehej vetëm për të këqiat për të cilat janë përgjegjës joserbët, sepse, dashur ose pa dashur - do të cilësohej dhe vlerësohej si proserb. Në rast se për shkak të vërejtjeve të ndryshme do të angazhohej ekskluzivisht me shkeljet për të cilat janë përgjegjës serbët, atëherë do të kishte fituar besim të anëve të ndryshme, por do të kishte humbur përkrahjen në mesin e serbëve”. Sipas vlerësimit të këtij eksperti eminent, pajtimi në Serbi dhe ndërmjet serbëve duhet të jetë pajtim ndërmjet njerëzve me pikëpamje jo të njëjta politike. Paradoksi, ndërkaq, qëndron në atë se, nëse serbët pajtohen ndërmjet vedi, atëherë pajtimi i tyre me të tjerët do të jetë mjaft i vështirë. Në rast se do të jetë lehtë që të kalohet mbi të këqiat të cilat disa serbë ua kanë bërë serbëve të tjerë, atëherë ende më lehtë do të ishte të kalohej mbi të këqiat që serbët ua kanë bërë të tjerëve.

Njëri nga pjesëmarrësit e konferencës, Aleks Borejn, kryetar i Institutit ndërkombëtar për drejtësinë në tranzicion dhe nënkryetar i Komisionit për të vërtetën dhe pajtimin në Republikën Jugafrikane, i cili pranoi të jetë këshilltar i Komisionit Jugosllav për të vërtetën dhe pajtimet, vlerëson se “ vuajtjet, dhuna dhe krimet nuk njohin kufinj dhe se ky komisioni duhet të jetë me karakter rajonal, sepse nuk mund të keni komision për të vërtetën që përqëndrohet në kufinjtë e Serbisë”.

Pas diskutimit të Svetozar Stojanoviqit, anëtar i komisionit të Koshtunicës, i cili tha se qëllimi i komisionit është që në mënyrë të gjithanshme të vërtetojë se cilat ishin shkaqet që sollën konfliktin dhe shkatërrimin e vendit si dhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, doli me reagim Biljana Kovaçeviq Vuço, duke thënë: “Stojanoviqi në diskutimin e tij në realitet e tha atë sëcilës ia kisha frikën - se ky komision do të merret me kërkimin e arësyetimeve për tërë atë që ndodhi në Serbi dhe te fqinjët rreth Serbisë, por e cila është shkaktuar në Serbi. Ky është një organ i cili duhet të gjejë rrethanat që pala serbe të kërkojë falje. Ky “sindrom kalimero” shërben si arësyetim për refuzim të vërtetë që të shqyrtohet ajo që ka ndodhur këtu”.

Dilemat rreth mënyrës së punës nuk janë sqaruar, megjithatë, deri në fund: ka ngelur e paqartë ajo se çfarë duhet të hulumtojë komisioni dhe cilat mund të jenë rezultatet e punës së tij. Është e qartë vetëm ajo se ai është formuar për shkak të së vërtetës. Mirëpo, ekzistojnë lloje të ndryshme të së vërtetës apo të vërteta të ndryshme. Sipas asaj që Komisioni ka paralajmërtuar se me cilat të vërteta do të mirret, ato mund të cilësohen si akademike, juridike dhe politike. Komisioni, si është thënë, do të merret me “të kaluarën dhe do të kërkojë rrënjët e ngjarjeve duke këmbëngulur që të arrijë deri te e vërteta e plotë”.

Komisioni mund të mirret edhe me të vertetat juridike dhe, me gjasë, si të këtillë e kupton shumica, dhe pikërisht ky është guri ku përplasen dhe pengohen të gjithë diskutimet. Disa janë të mendimit se ai patjetër duhet të ketë autorizime dhe mekanizma sanksionimi, derisa përvoja e shteteve të tjera në botë flet se karakteristikë themelore e komisioneve të këtilla është se nuk kanë të drejtë që të bëjnë hetime penale dhe të dënojnë fajtorët dhe se në këtë mënyrë ata dallohen plotësisht nga gjyqet dhe prokuroritë nacionale dhe ndërkombëtare. Në shtetet ku sistemi gjyqësor dhe gjyqet funksionojnë dhe punojnë sipas ligjeve themelimi i komisioneve të këtilla, në të vërtetë nuk ka kurrfarë kuptimi.

Në shoqërinë serbe, ndërkaq, gjyqet e tilla janë të rralla. Prandaj formimi i një Komisioni i cili të vërtetën do ta paraqiste në bazë të hetimeve të përgjegjësisë penale për krimet e luftës të bëra gjatë dhjetë vjetëve të fundit në Serbi pa dyshim ka rëndësi të posaçme. Problem kryesor është ai se kjo e vërtetë mund të ngelë pa kurrfarë pasojash juridike. Ashtu si thot njëri nga anëtarët e tij , “ komisioni nuk do të jetë kurrfarë zëvendësimi i organeve juridike, por ende më pak i organeve penale”.

Të vërtetën, pra,duhet zbuluar dhe vërtetuar atje ku është e diskutueshme dhe ku ajo mund të shpjerë deri në konsekuenca të caktuara. Nuk është e diskutueshme se fuqitë e mëdha kanë ndërhyrë në shkatërrimin e Jugosllavisë, sikurse nuk është e diskutueshme se në këtë janë përzjerë Sllovenët, Kroatët, Muslimanët, Shqiptarët dhe shumë të tjerë. Vështirë është të gjesh qytetarë të cilët këtë nuk e dijnë. Por ajo që është e diskutueshme dhe e pa vërtetuar është pjesa jonë në tërë këtë. Dhe pikërisht këtu qëndron dilema e madhe politke rreth sëcilës mungon pajtueshmëri e përgjithshme, dhe ky është ai guri pengesë për qytetarët e Serbisë. Prandaj paraqitet se është detyrë me vlerë që të vërtetohet pikërisht ky lloj i së vërtetës politike. Mirëpo, si duket, komisioni do të preokupohet fare pak me këtë lloj të së vërtetës.

Në sipërfaqen e ish dhe Jugosllavisë së tanishme pothuaj plot një dekadë u zhvilluan luftra dhe u bënë krime në emër të serbizmit, popullit serb dhe shtetit serb. Të filluara dhe zhvilluara në emrin tonë, këta krime - deshëm ne apo nuk deshëm- ndikuan në formimin e identitetit të ri serb. Prandaj njëri nga qëllimet e arësyeshme për formimin e këtij Komisoni do të ishte që të vërtetojë vallë janë bërë me të vërtetë krime apo -jo. Kjo është e vërteta e vetme deri te e cila historianët dhe gjyqet tona nuk do të arrijnë aq shpejtë. Komisioni duhet të konstatojë të vërtetën dhe atëherë Serbët të ballafaqohen me të. “E vërteta zyrtare”, thonë ekspertët e kësaj lëmie, është një hap i rëndësishëm drejt kujtesës së plotë kombëtare dhe drejt pajtimit. Një qëndrim diç më të nijansuar kishte filozofi Zharko Puhovski, kryetar i komitetit kroat të Helsinkut,i cili vlerëson se e vërteta më shumë shpje kah shqetësimi. Pas ballafaqimit me të vërtetën, qoftë të shqetësuar ose të pajtuar, do të dimë vallë janë bërë ato krime ose jo, dhe vallë duhet të ndihemi fajtorë që gjithë dekadën me ose pa dëshirën tonë, në mënyrë të drejtë ose të tërthortë, kemi marrë pjesë në to.

VESNA BJEKIQ