Beteja për Hercegovinën
SDA-ja kërkon raste për sulme kundër Aleancës Hercegovina sërish po bëhet poligon për llogaritjen ndërmjet forcave politike në FBeH. Pas konfrontimit frontal që filloi HDZ-ja para tre muajsh me Aleancën e partive jonacionale në pushtet dhe me bashkësinë ndërkombëtare , me përkrahjen më të madhe në Hercegovinë, tani edhe SDA-ja shansën e vet e kërkon në luftën kundër Aleancës në këtë mjedis.
AIM, Sarajevë, 26.05.2001
Takimi i djeshëm i kreut të SDA-s, i udhëhequr nga lideri i kësaj partie, Alija Izetbegoviq, sëbashku me udhëheqjen vendore në Bllagaj, jo larg Mostarit, është tentim për konsolidim të radhëve të veta dhe përgaditje për hapjen e frontit të ri kundër Aleancës. Këtë e vërtetojnë, (edhe pse për “shetitjen deri në Bllagajin pitoresk” zyrtarët heshtin), edhe grafitët që janë shfaqur në Mostar në vigjilje të ardhjes së Izetbegoviqit, në të cilët Boshnjakët haptas thirren “ të ngrihen kundër Aleancës”, gjegjësisht t'u përgaditet viti 1992.
Gjatë gjashtë vjetëve të kaluara pas formimit zyrtar të Federatës BeH, çmimin e martesës idilike ndërmjet HDZ-s dhe SDA-s e pagoi Hercegovina. Meqë ortakllëku funksiononte në bazë të ndarjes së sferave të interesit në FBeH, ku HDZ-ja nuk ndërhynte në sundimin e SDA-s në kantonet me shumicë boshnjake, në këmbim për një mosndërhyrje të njëjtë të SDA-s në sinorin e HDZ-s, në radhë të parë në Hercegovinën perëndimore, monedhë për kusurim ishte kantoni Hercegovas - neretvian me qendër në Mostar. Prapa floskulës për “statusin special” të këtij kantoni, të bazuar në faktin se aty jetojnë edhe Boshnjakët edhe Kroatët, në realitet funksiononin dy sisteme të ndarë. Secili kishte policinë e vet, gjyqet, shkollat, gjë që më së miri shihet në Mostar, qytetin ende të ndarë.
Përpos angazhimit verbal të SDA-s për tërësinë e Mostarit, si një tërësi e përbashkët qytetare, HDZ-s në realitet i ishte lënë në dorë fjala kryesore sidomos për gjërat aq prozaike siç janë paratë. Privatizimi i dyshimtë dhe kapitalizimi i plotë deri më tani i pasqaruar i gjigandëve të dikurshëm ekonomik, kombinati i Aluminit, “Sokol-i” si dhe shumë sipërmarrje dhe firma të tjera më të vogla, për pasojë kishin kalimin e tyre në duart e elitës së HDZ-s, gjegjësisht te shuarja e shpresës të punëtorëve jokroatë për kthimin në vendet e tyre të mëparëshme të punës. Varfëria dhe depresioni ishin pasojë e pazarllëqeve politike ndërmjet krerëve të HDZ-s dhe SDA-s “atje larg”, në Sarajevë. Simbol të një qendrimi të këtillë prej njerke të SDA-s ndaj Hercegovinës dhe Mostarit përfaqësonte ish kryeministri federativ Edhem Biçakçiq, i cili me injorimin e problemeve të tyre jetësore tërhoqi drejt vetes dhe partisë së tij, urrejtjen e Boshnjakëve të Mostarit, të cilët të gjitha shpresat i kishin mbështetur te lideri i denjë Izetbegoviq, duke besuar se e tërë kjo po bëhej pa dijen dhe lejën e tij. Në kohën kur u kuptua se tërë kjo nuk ishte pasojë e “mosinformimit” të rastësishëm, në zgjedhjet e kaluara zgjedhësit votat e deritanishme nuk ia dhanë më SDA-s. Duke parë gjërat që po ndryshonin, krerët e paradokohshëm lokalë të SDA-s me të shpejtë filluan t'i ndërrojnë “uniformat” e tyre politike duke kaluar në partitë e Aleancës në pushtet, kryesisht në Partinë për BeH të Haris Silajxhiqit. Meqë këtë dukuri SDA e ka vërejtë në tërë sipërfaqen e BeH, është e arësyeshme që kreu partiak është frikësuar nga një zhvillim i këtillë i situatës dhe ka nisur të kërkojë mënyrë që këtë ta kthejë në dobinë e vet. Pasi humbi forcën politike, SDA-ja sikurse edhe HDZ-ja tani po ballafaqohet edhe me humbjen e asaj që është ende më e rëndësishme, forcën ekonomike. Vendosja e këshillave të reja drejtuese në ndërmarrjet shtetrore, sidomos në ato të profitit të lartë, si është PTT dhe Elektroekonomia, të cilat ishin burimi i mjeteve të pakufizuara për kanale paralele financiare, krahas riorganizimit dhe pastrimeve të paralajmëruara në shërbimet sekrete parashtetrore, opozitarët e porsambirë, duke kuptuar se koha më nuk premtonte, i detyroi të nisen në kundërofanzivë sepse shpresa se Aleanca do të shkatërrohej vetë për shkak të heterogjenitetit të saj nuk kishte asgjë të sigurtë.
Përgjigjja e HDZ-s është e njohur, afrim ndaj të ashtuquajturës“ vetëqeverisjes kroate” me të cilën këto ditë ngadalë po bashkëpunon për një shkak fare banal, mungesës së parave për finansimin e vet. SDA-ja, në luftën kundër Aleancës, sipas të gjitha gjasave, vendosi të pranojë një variant diç më të sofistikuar. Të inkurajuar nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale në Kroaci, në të cilat pas një shkapërderdhjeje paraprake të përgjithshme HDZ-ja lokale shënoi një sukses të respektushëm zgjedhor, partitë nacionale boshnjakohercegovase në të ardhshmen, të inkurajuar nga ajo se pas pushtetit jetëshkurtër të “të majtëve” patjetër do të vijë deri në demoralizimin e qytetarëve dhe kthimin e tyre kah vlerat e verifikuara, përsëri shanset e tyre i shohin “në gjirin e partive të veta nacionale”. Prandaj Hercegovina, si pikë fillestare në përvetësimin e sërishëm të pushtetit, është një zgjedhje e logjikshme. Parimi themelor sipas të cilit funksionojnë partitë nacionale në BeH është krijimi i atmosferës së frikës dhe rrezikimit të pjesëtarëve të një nacionaliteti nga pjesëtarët e dy nacionaliteteve të tjerë. Në rrethana të tilla homogjenizimi në baza nacionale atje ku partitë nacionale paraqiten si shpëtimtare dhe garancë e ekzistencës biologjike dhe mbrojtjes së interesave vitale të popullit të vet është pasojë e vetëkuptueshme.
Pas asaj që HDZ-ja përsëri arriti që në baza nacionale të homogjenizojë një pjesë të mirë të Kroatëve në Hercegovinën perëndimore ( me kroatët e Posavinës dhe të Bosnjës nuk kishin ndonjë sukses evident) dhe pas çmendurive të paradokohëshme të ultranacionalistëve serbë në Trebinjë dhe Banja Llukë gjatë tentimit për të vënë gurthemelin për rindërtimin e xhamiave të rrënuara gjatë luftës, u krijuan kushte ideale që edhe te Boshnjakët e Hercegovinës përsëri të luhet në kartën e frikës dhe të homogjenizimit nacional. Duke paralajmëruar se “sërish po përgaditej viti 1992” dhe duke akuzuar për këtë Aleancën, ithtarët e këtyre ideve dëshirojnë që Boshnjakët hercegovas t'i bindin se eksperimenti në formën e përkrahjes së partive të cilat janë mbi “interesin nacional”, puna, banesat, rrogat, penzionet janë diçka e kaluar dhe se është ora e fundit që të kthehen nën flatrat “e mbrojtësve të verifikuar të interesave nacionale”, sepse askush tjetër nuk mund t'i mbrojë.
Se në çfarë mase tërë kjo do të ketë sukses varet nga dy çështje. E para dhe kryesorja është se, pasi të llogarisin dhe vlerësojnë periudhën e kaluar, qytetarët do të shohin se sa ishte pushteti i dhjetë vjetëve “mbrojtës i interesave nacionale”, sa në të vërtetë i mbrojti nga vuajtjet dhe fatkeqësitë, gjatë sëcilës plaçkitjet, vjedhjet, kriminaliteti dhe korrupcioni sa ishin lëshime të arësyeshme, ose mos vallë frika dhe mosdurimi nacional ishin vetëm një mbulesë apo maskim i mirë që pushtetbartësit të mund të ndanin mes tyre plaçkën në formën e mbeturinave nga pasuria shoqërore e dikurshme. Faktori i dytë nga i cili do të varet përgjigjja masovike në “thirrjen e sërishme të kombit” do të jetë suksesi real i qeverisjes së Aleancës dhe realizimi i premtimeve parazgjedhore. Në dukje të parë diç paradoksale: edhe Aleanca sikurse edhe SDA-ja dhe HDZ-ja beson se koha punon për të. Të vetmit që nuk besojnë në këtë janë vdektarët e rëndomtë, të cilët nuk shpresojnë se nesër do ta kenë më mirë se sot, por nga të cilët varen të gjitha kombinacionet e elitave partiake. Investimi në këtë lojë tani është bërë tepër i madh. Në qoftë se Aleanca nuk mbledh forcë që të plotësojë sëpaku pjesën më të madhe të premtimeve të saj parazgjedhore, atëherë do të shpërbëhet dhe do të humbas pushtetin. Kur është fjala për SDA-n dhe HDZ-n,nga ana tjetër, atëherë bëhet fjalë për ekzistencën e tyre. Nëse edhe kësaj radhe koncepti i tyre i homogjenizimit nacional nuk arrin sukses, konflikti i fshehur midis frakcioneve të ndryshme të këtyre partive do të përfundojë me shkatërrimin e tyre dhe me shndërrimin e tyre nga lëvizje nacionale në dy parti të tjera në mesin e shumë të tjerave në skenën politike të vendit. Përfundimi i vërtetë i llogaritjeve të forcave duhet të dihet mjaft shpejtë, me gjasë që në vjeshtë, kur do të mund të shihet se si janë rezultatet fillestare të pushtetit të Aleancës dhe vallë SDA-ja dhe HDZ-ja mund të mbeten dhe funksionojnë pa pushtet politik dhe pa disponim të plotë me të hollat nga fondet publike dhe fondet e fshehta.
TANJA IVANOVA