Sllovenia dhe nataliteti

Ljubljana May 31, 2001

Anulimi i meshkujve? Referendumi i ardhshëm do të duhej t'i japë përgjigje dilemës vallë gratë e pafrytëshme - posaçërisht ato që nuk jetojnë në bashkësi bashkëshortore- kanë të drejtë për mbarësje anonime me ndihmën e biomjekësisë?

Lubjanë, 22.05.2001

Përgjigjja në këtë pyetje, në dukje të parë mjaft të thjeshtë, e ka përçarë plotësisht si parlamentin slloven, ashtu edhe opinionin publik, mediat dhe institucionet. Çështjes i është qasur edhe kisha katolike, gjë që debatin e ka bërë ende më të vështirë. Prandaj kah mesi i qershorit lidhur me këtë pyetje do të vendosin të gjithë nënshtetasit madhorë sllovenë nëpërmjet një referendumi të posaçëm, i cili pritet të vendos vallë do të ketë risi ligjore, me anë të të cilave do të mundësohej një lloj i tillë mbarësjeje për gratë të cilat dëshirojnë të ndjejnë lindshmërinë.

Çdo gjë filloi në çastin kur Drzhavni zbor-i (parlamenti) i Sllovenisë me gjithësejt tridhjetë vota miratoi vendimin për shpalljen e referendumit të jashtëzakonshëm legjislativ pas të cilit do të kalohej në ndryshimet e Ligjit për shërimin e shterpësisë dhe veprimet e mbarësimit me ndihmën e biomjekësisë. Ligji faktikisht u votua që në prill, mirëpo qëndrimi negativ i trupit zgjedhor praktikisht mundi të refuzojë risitë e pranuara ligjore. Kështu që 34 deputetë ( kryesisht të krahut të djathtë politik) me nisjativën për shpalljen e referendumit në të vërtetë blokuan risinë e miratuar ligjore, me shpresë se me agjitacion të rregullt do të nxisin pjesën konzervative të trupit zgjedhor që çështjen në fjalë ta shlyej nga rendi ditor dhe nga realiteti në përgjithësi. Referendumi do të kushtojë afër pesë milionë marka gjermane dhe do të mbahet më 17 qershor, gjegjësisht në ditën e fundit të takimit (ose një ditë më vonë) të presidentit amerikan, George Bush dhe presidentit rus, Vlladimir Putin, në Lubjanë.

Çështja kryesore e ligjit të ri qëndron në atë që gruaja e pafrytëshme duhet të plotësojë kushtet që t'i lejohet mbarësimi artificial me anën e farës së dhënësit anonim. Sipas ligjit në fuqi të miratuar në vitin 1977

  • ose, më drejtë, sipas përvojës së mbështetur në ligj - këtë mundësi e kanë poseduar vetëm ato gra të pafrytshme të cilat jetojnë në bashkëshortësi ose në lidhje jashtbashkëshortore. Edhe në ligjin të cilin e përgatiti dhe në fund të vitit të kaluar e votoi qeveria e atëhershme (tani ish) djathtiste e Andrej Bajuka-s është ruajtur pothuaj i njëjti diksion. Risia që pasoi në administratën e Dernovshekut është më pak restriktive; kështu që të drejtë për mbarësje artificiale mund të ketë çdo grua, pa marrë parasysh statusin e saj martesor, kurse arësyeshmërinë për zbatim do ta vlerësojë një komision i posaçëm. Ajo që pushteti i ri kaq shpejt iu qas ndryshimeve të ligjit të pranuar pastër (të Bajukut) duhet falenderuar vlerësimit të shumicës qeveritare se ligji paraprak ishte diskriminues. Kështu që e reja në këtë ligj në të vërtetë është vetëm korigjim i padrejtësisë, të cilën heret ose vonë do ta shvlerësonte edhe vetë Gjyqi Suprem dhe Gjyqi Kushtetues i Sllovenisë.

Me mendimin e këtillë të LDS-s së Dernovshekut dhe të partive të koalicionit nuk është pajtuar pjesa konzervative e opinionit publik slloven; kundër tij janë sidomos partitë e së djathtës dhe sidomos kisha katolike sllovene; risia e ligjit për ta është e papranueshme për më shumë shkaqe. Kryeministri i dikurshëm slloven dhe lideri i partisë Nova Sllovenia, Andrej Bajuk vlerëson, për shembull, se “detyra parësore e shtetit është që të sigurojë kushtet që të mundësonin zhvillim të shëndosh të fëmijës”, gjë që sidoqoftë mund të bëhet vetëm në “familje”, sepse “ende nuk është zbuluar ndonjë mënyrë më e mirë për edukimin e fëmijës”. Kundërshtimin e vet në parlament lidhur me risitë rreth mbarësjes në emër të demokristianëve sllovenë (SKD) e shprehu edhe Janez Podobnik, por mjaft ashpër reagoi edhe Janez Jansha, lider i Socialdemokratëve (SDS). Jansha mospajtimin e vet e mbështeti edhe në dyshimin se koalicioni aktual qeveritar, nëse vazhdon në këtë mënyrë, “nesër do të legalizojë edhe klounimin e njeriut dhe eutanazionin”.

E djathta nuk fsheh drojën se ligji i modernizuar për ata paraqet “eliminimin e rolit të babës”, dhe i hap rrugë mundësisë që fëmijët “ të edukohen nga lezbejkat dhe homoseksualët”, gjë që do të kishte ndikim shumë të keq në edukimin e fëmijëve. Kundër ndryshimit të ligjit u ngrit edhe Kongresi botëror slloven (SSK), organizatë e emigracionit slloven. Sipas mendimit të nënkryetares së SSK-s, Majde Kregelj Zbaçnik, “ politika nuk ka të drejtë të autorizojë mjekësinë që kjo të kryej veprime të diskutueshme etike; detyra e mjekësisë është që t'u ndihmojë të sëmurëve, kurse çdo gjë tjetër është jo e natyrshme”.

Kritikët e qëndrimit liberal të çështjes së mbarësjes dhe të edukimit të brezit të ri vërtetojnë se modeli slloven është në kundërshtim me “konventën për biomjekësinë” dhe me “rekomandimet e Këshillit Evropian të Bioetikës për mbrojtjen e frutit njerëzor”. Nuk duhet dyshuar se debati ka qenë i zhurmëshëm; nga e djathtistët mund të dëgjohej, për shembull, se “ çdo grua ka të drejtë për një gotëz spermë dhe se importi nuk është i nevojshëm”, deri te deklaratat se grave pa (mashkull) partner, të cilat dëshirojnë të bëhen nëna, u nevojitet “psikoterapi dhe jo fëmijë”.

Situata kësaj radhe u bë edhe më e vështirë sepse argumentet e të djathtës i përkrahu edhe një pjesë e opinionit profesional. Komisioni i Etikës i Dhomës së mjekëve, si edhe anëtarët e kolegjiumit profesional për gjinekologji dhe perinatologji në mbledhjen e fundit vendosën t'ia ndërpresin përkrahjen risisë qeveritare të Ligjit për shërimin e shterpësisë. Rezultoi se gjinekologët sllovenë vlerësojnë se gruaja e cila është vërtetuar se është e pafrytshme nuk ka të drejtë të bëhet e frytshme pa burrë. Gjinekologët vendosmërisht u ngritën edhe kundër importit të “qelizave seksuale”, gjegjësisht spermës së dhënë nga dhënës të jashtëm, gjë që do të ndikojë që 400 çifte të pafrytshme (për të cilët qelitë e dhuruara janë shansi i vetëm që të fitojnë fëmijë) do të ngelin pa pasardhës. Ministri i shëndetsisë dr. Dushan Keber nuk e fshehu habinë e vet për qëndrimet e kolegëve të tij, duke vërejtë se konkluzat e sipërpërmendura “nuk janë të bazuara në argumente të forta profesionale dhe etike” dhe se janë “të çuditshme” sepse Komisioni për etikën mjekësore në dhjetorin e vitit të kaluar e zbuti dukshëm qëndrimin e vet.

Komisioni atëherë pranoi mendimin se çdo grua ka të drejtë të “mjekohet”, që do të thotë edhe ajo që nuk ka partner. Në një pjesë të shtypit i cili përkrah risinë mund të lexohen, ndërkaq, edhe paralajmërime lidhur me komercializimin e dëmshëm të importit të lëngut farëzues. Se kjo pyetje është mjaft e ndishme shihet edhe nga mendimi i dr. Artur Shtern-it, doktor i shkencave biologjike, i cili vlerëson se një dobësi e zgjidhjes së re është fakti se “ nuk ekziston mundësi për marrëveshje të obligueshme juridike ndërmjet dhënësit dhe pranuesit të qelisë gjinore”. Ligji aktual parasheh anonimitet të plotë të dhënësit, shkak ky që një pjesë të ekspertëve i shtyn të dyshojnë se sperma e importuar do të jetë “ e kualitetit diç më të dobët dhe vështirë të kontrollueshëm”, dhe pikërisht kjo është ajo që i pengon një pjesë të partive të djathta politike, të cilat votuesit i ftojnë që në referendum të votojnë kundër risisë së propozuar ligjore.

Ministri për shëndetësi, Dushan Keber, propozimin e qeverisë e përkrahu duke e mbështetur edhe me shembullin konkret të pacientes Marta, e cila jeton në fshat me këmbë të prerë me kosë, shkak ky që ka ndikuar që të mos gjej partner. Edhe pse don të ketë fëmijë, ligji i tanishëm asaj nuk ia lejon të bëhet nënë, sepse nuk ka partner. “Kjo më duket johumane. Grave të ngjashme mjekësia u ofron një fije shprese, mirëpo ligji ua merr këtë shpresë”, vlerëson ministri Keber, duke përmendur rastet e grave të dhunuara ose të invalideve, të cilat nuk kanë patur fatin të gjejnë partner dhe prandaj u është shkurtuar jo vetëm begatia e nënërisë, por edhe ndjenja e përkatësisë familiare.

Këtë debat e bën diç më të arësyeshëm komenti i juristit të njohur, Matevzh Krivic. Krivic tërheq vërrejtjen se është gabim të bisedohet për të drejtën për mbarësje vetëm të “grave të vetmuara”. Do të ishte më drejtë, mendon ai, sikur të përdorej termi “ grua e frytshme e cila nuk është e vetmuar nga dëshira e vet”, sepse edhe “ligji liberal” slloven nuk i jep të drejtë “ farëzimi” me farë të huaj, anonime çdo gruaje, por vetëm atyreve të cilave këtë ua lejon për shkaqe të arësyeshme një komision i posaçëm profesional. “ Të drejtën e e përcaktimit ndërmjet mbarësjes së natyrshme ose artificiale, të cilën sot ende nuk e ka, një ditë do ta ketë çdo grua. Drejtësia jep të drejta - por në drejtësi diçka mbindërtohet vetëm pasi të pranohet prej shumicës Dilema e vërtetë qëndron në atë se ne , shumica “normale” vallë jemi të gatshëm që njerëzve të tjerë të rrallë të gjinisë femrore t'u ndihmojmë në plotësimin e asaj që jetën e tyre të vetme që e kanë t'ua bëjmë të lumtur.”

Një pjesë e shtypit të femrave me të drejtë reagoi kundër argumenteve të së djathtës dhe kundërshtarëve të risisë së ligjit - duke rrëmih në arkiva. Në këtë mënyrë para opinionit janë nxjerrë deklaratat, të cilat, në mënyrë sporadike i kanë dhënë disa politikanë të njohur sllovenë të së djathtës gjatë qëndrimit të tyre dhjetëvjeçar në pushtet, por që tani janë kundërshtarët më të ashpër të të drejtës së grave që vetë të vendosin a dëshirojnë të bëhen nëna. Më drejtë, opinionit i janë përkujtuar deklaratat e Janez Janshës, Marjan Podobnikut, Lojze Peterles se si “për shkak të obligimeve shtetrore u mbetet fare pak kohë për familjen”, “se ndoshta këtë e kuptojnë edhe fëmijët tanë dhe prandaj nuk na hidhërohen”, se si secili prej tyre personalisht ka një bindje të vetme - “se gruaja është ajo që e mba familjen”. Demagogjia në vepër dhe teoria në fjalë, në të vërtetë nuk i ka shqetësuar aq shumë simpatizantët e zotrinjve të përmendur. Prandaj është vështirë të prognozohen rezultatet e një referendumi të këtillë, ndoshta edhe nga shkaku se nuk dihet se sa trupi zgjedhor do të jetë i interesuar për këtë në kohën e momentit të ri - transmetimin e takimit të Putinit dhe Bushit, në Lubjanë.

Deri tani, ndërkaq, dihet vetëm një gjë - ajo se në anën tjetër të kanuneve të kishës dhe të djathtistëve janë gjetur të gjithë ata të cilët mbështesin zgjidhjet e reja në ligjin e përmendur. Këta, në radhë të parë, janë pjesëtarët e gjeneratës së re, ata me pikëpamje liberale, ithtarët e Demokracisë liberale sllovene ose Listat e bashkuara të socialdemokratëve. Përkrahje e qartë vjen poashtu edhe nga grupe të ndryshme femrash, të cilave “ e drejta për përcaktim” nuk u është e huaj”.

“Sllovenia në dhjetëvjetorin e shtetësisë së vet qëndron përballë një testi serioz nga respekti i të drejtave të njeriut në shekullin e ri. Referendumi është një formë e këtij ballafaqimi, kurse shkak konkret për këtë, pa dyshim për pjesën më të madhe të Evropës së lirë- është vetë e drejta e çifteve dhe grave të cilat lirisht mund të përcaktohen për mbarësje me ndihmën e biomjekësisë. Më kryesorja është e drejta qytetare ; përcaktimi i lirë!” Këto fjalë janë shënuar në hyrjen e letrës të cilën e kanë nënshkruar 35 personalitete të njohura të jetës kulturore dhe politike të Sllovenisë. E nënshkruara e parë është Spomenka Hribar, kurse në mesin e më të njohurave në këtë listë janë Ljubo Bavcon, Sllavoj Zhizhek, Niko Tosh, Darko Shtrajn, Katja Boh, Svetllana Makaroviq, Zoran Predin, Vllado Kreslin dhe shumë të tjerë. Të nënshkruarit poashtu kanë formuar edhe Këshillin për përcaktim të lirë. E tërë kjo me qëllim që më 17 qershor të sillet vendim i vërtetë dhe i drejtë. Vendim që do të barazojë të drejtat e të vetmuarve me ata të çifteve.

IGOR MEKINA