Të gjitha çështjet e hapura, ende nuk ka zgjidhje
Prishtinë, 30.05.2001.
-Mbahen takime të "fshehta" midis përfaqësuesve të Autoritetit të Bankave e të Pagesave të Kosovës (BPK) dhe përfaqësuesve të Bankës Popullore të Jugosllavisë (BPJ)-
Marrë realisht, mund të thuhet se kanë mbetur shumë çështje financiare të pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Jugosllavusë. Nuk është fjala aty vetëm për penisonet që nuk paguhen tani e dy vjet, apo kursimet devizore që humbën para mëse pesëmbëdhjetë vjetësh, por edhe për definimin e statusit të doganave, përkatësisht të pikave për mbledhjen e tatimit, përdorimit të dinarit si mjet pagese në Kosovë dhe për statusin e disa bankave që veprojnë në vendbanimet serbe, si në pjesën veriore të Kosovës.
Autoriteti i Bankave dhe i Pagesave të Kosovës (BPK) ka pasur disa takime preliminare me autoritetet jugosllave, ku ishin hapur të gjitha këto tema. Takimet dhe temat e bisedimeve janë konfirmuar edhe nga drejtuesi ndërkombëtar i Autoritetit të Bankave dhe të Pagesave, z.Mouhamed Bouauaja. "Kemi pasur një varg bisedimesh preliminare me autoritet jugosllave", pohon z. Bouauaja.
Ndonëse nuk ishte pritur që qysh në takimet e para të arrihet ndonjë marrëveshje rreth çështjeve të hapura, sipas z. Bouauaja, aty më shumë është debatuar për problemet e hapura.
Në një takim të mbajtur në Vjenë, është bërë shkëmbimi i pikëpamjeve rreth disa prej çështjeve më problematike, si pagesat e detyruara në dinarë dhe këmbimet në raport me markën gjermane, mbyllja e zyrave të pagesës së Bankës Popullore të Jugosllavisë, të cilat ende funksionojnë në Kosovë dhe e bankave serbe që nuk janë licencuar nga UNMIK-u, përkatësisht që veprojnë ilegalisht.
Rreth çështjes së parë të pagesës së detyruar në dinarë dhe këmbimit në DM, teknikisht është e mundshme që të arrihet një marrëveshje në bazë të së cilës BPK-ja do të pranojë dinarët e grumbulluar nga pagesat e detyruara dhe në Bankën Popullore të Jugosllavisë t'i këmbejë në marka gjermane, sipas raportit 1 DM-30 dinarë, pohojnë burimet në BPK.
Banka Popullore e Jugosllavisë nuk është e disponuar që vullnetarisht të mbyllë ekspoziturat e saja në Kosovë, pa pasur një siguri se pagesat e pensioneve për një pjesë të popullatës (serbët) do të mund të bëhen edhe përmes BPK-së. Por, një propozim i tillë BPK-së do t'i krijonte probleme të rënda, madje edhe politike. Pensionet do t'u paguheshin vetëm serbëve që jetojnë në Kosovë, e që është solucion i papranueshëm përderisa nuk gjendet një zgjidhje për të gjithë pensionistët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre nacionale.
Ndonëse problemi është ngritur edhe në takimin e Vjenës, nuk ka shpresë së BPJ-ja do të ndryshojë politikën e saj rreth pagesave të pensioneve për shqiptarët e Kosovës. Drejtori i përgjithshëm i BPK-së, z.Mouhamed Bouauaja, konfirmoi se gjatë takimeve me palën jugosllave BPK-ja ka kërkuar që të mbyllen degët e BPJ-së në Kosovë. Z. Bouauaja veprimtarinë e këtyre degëve e ka cilësuar si "të paligjshme", pasi ato nuk kanë licencë për punë dhe as që kanë bërë kërkesë për të tek Autoriteti i Bankave dhe Pagesave të Kosovës.
Sipas rregullores 1999/21, të miratuar nga UNMIK-u, BPK-ja është institucion kompetent për licencimin dhe mbikëqyrjen bankave. "Natyrisht se gjatë takimeve ne kemi kërkuar që këto banka të bëjnë kërkesë për licencim", pohon drejtori i BPK-së. Sipas z.Bouauaja, disa filiala të Bankës Popullore Jugosllave funksionojnë në veri të Mitrovicës, e ndoshta edhe në enklavat serbe në pjesë të tjera të Kosovës.
Funksioni kryesor i këtyre bankave është pagesa e pensioneve dhe dhënia e pagave për punëtorët serbë nëpër enklava, tha drejtuesi i BPK-së. Po kështu, BPK-ja ka mbajtur takim edhe me përfaqësuesit e dy bankave serbe që veprojnë në veri të Mitrovicës, pohoi shefi i BPK-së. Në zyrën e UNMIK-ut në Mitrovicë, zyrtarë të BPK-së janë takuar me përfaqësuesit e "Jugobankës" dhe të "Bankës së Kosovës e Metohisë". "Në takim, këto banka janë njoftuar për nevojën e licencimit, me kushtet që duhet t'i përmbushin, si dhe për domosdoshmërinë për të bërë këtë sa më parë që të jetë e mundur", njoftoi z.Bouauaja. Inicaitiva për takim me përfaqësuesit e këtyre dy bankave doli nga BPK-ja, shtoi ai.
Sa i përket qarkullimit të dinarit jugosllav, njeriu numër një nga stafi ndërkombëtar i BPK-së tha se "ajo është valutë legale edhe në Kosovë, sikur edhe marka gjermane". Mirëpo, UNMIK-u qarkullimin në dinarë e ngarkon me një kamatë tetë për qind. Pagesat e obligueshme, si taksat, dogana, shërbimet publike, pos në DM mund të bëhën në dinarë, por edhe ato i nënshtrohen ngarkesës me kamatë.
Mirëpo, në takimet e përmendura nuk është hapur çështja e trezorëve të ekspoziturës së Bankës Popullore të Jugosllavisë, e cila deri në qershor të vitit 1999 vepronte në Prishtinë. Gati një vit pas hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, një komision i posaçëm i Autoritetit Fiskal të Kosovës ka thyer trezorët e bankës, të cilët gjendeshin në pjesën e objektit ku kishte depërtuar uji (ndërtesa e bankës është dëmtuar rëndë gjatë fushatës ajrore të NATO-s, meqenëse është shumë afër me godinën e bombarduar të postës në Prishtinë). Ndonëse nuk ka detaje, në një konferencë për shtyp është thënë se aty janë gjetur mjete në dinarë apo devizore në një shumë të përgjithshme prej dy milionë markash gjermane. Thuhet se këtu kishte edhe një sasi ari. Por, çështja deri më tash është mbajtur në heshtje, kurse të gjitha mjetet janë derdhur në buxhetin e Kosovës.
Autoriteti i Bankës dhe i Pagesave të Kosovës i kryen të gjitha funksionet e një banke qendrore, pos përcaktimit të politikës monetare, e cila nuk mund të bëhet pa pasur valutë kombëtare. Që nga vera e vitit '99, valutë zyrtare e Kosovës është shpallur marka gjermane.
Dy vjet e gjysmë më vonë, duke filluar nga 1 janari 2002, valutë zyrtare në Kosovë, sipas paralajmërimeve, do të jetë euro.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI