Është ndërprerë dialogu mes Sofjes dhe Paktit për Stabilitet
Marrëdhëniet qartësohen përmes mediumeve
AIM Sofija, 24.05.2001.
Koordinatori i Paktit për stabilitet Bodo Hombah tmerrësisht iu hidhërua
qeverisë bullgare. Sjellja e kabinetit në Sofje ndaj Paktit për stabilitet nuk u shkon përshtati standardeve evropiane, pohoi në fillim të muajit maj këshilltari i dikurshëm i kancelarit gjerman Gerhard Shrederit dhe adresoi kritika të ashpra kundër qeverisë së kryeministrit Kostov.
Pa ndonjë qëndrim diplomatik, gjatë një interviste për radion Dojçe Velen, ai duke mos u hamendur deklaroi se është i irituar tejmase me mosgatishmërinë e qeverisë në Sofje të marrë pjesë në ndërtimin e dy programeve nga të cilët njëri paraqet iniciative antikorrupcion përbrenda Paktit.
Para se Hombah të shprehte pakënaqësinë e vet, ish-këshilltari për politikë të jashtme i kryetarit bullgar dhe koordinatori i tashëm nacional i Paktit për Stabilitet Vladimir Filipov u dha një intervistë mediumeve bullgare ku e kritikoi ashpër Paktin. Ai lansoi idenë që të ndërrohej emri i Paktit për Stabilitet sepse kishte ndërrim të realitetit në rajon.
Sipas Filipovit gjërat po ngecin në sferën ekonomike. Mendimi i tij është se investuesit i ikin rajonit sepse nuk ka siguri. Kurse siguri nuk ka sepse Pakti ka harruar të investojë në zhvillimin ekonomik të rajonit, kurse situata në Maqedoni solli deri tek ngathtësia e projekteve të mëdha ndërkombëtare, veçmas në sferën e infrastrkturës.
Nga ana e tij Hombah në intervistën për Dojçe Velen e quajti Filipovin "koordinator i cili nuk koordinon, por vetëm ngatërron" dhe shprehu dëshirën e tij "që të ndërrohej". Është shumë vështirë të mendohet që ish-diplomati Filipov të shprehte mendim të këtillë për Paktin nëse para tij nuk ishte shprehur ngjashëm edhe kryeministri Ivan Kostovi. Gjatë kohës së vizitës së tij në SHBA ai deklaroi se Pakti është menduar si një instrument për zhvillimin e rajonit, por në kontekst të Jugosllavisë nga koha e Millosheviqit. Sipas Kostovit, pasi diktatura në Beograd u zëvendësua me një pushtet demokratik, gjithë iniciativa duhet të rishqyrtohet.
Duket mjaft e çuditshme se kontakti mes Hombait dhe koordinatorit nacional për Bullgarinë fillojë të realizohet përmes mediumeve. Por para se të vinte deri te ky "dialog" Hombah mjeshtërisht shprehu habinë e tij rreth sinjaleve penguese që vinin nga Sofja. Gjatë takimit të tij me kryetarin bullgar Petar Stojanovin në Bukuresht më 1 maj ai lajmëroi se shefi i shtetit dhe kryetari i qeverisë kanë divergjeca ndaj iniciativës për Evropën Juglindore koordinator i së cilës është ai. Atëherë potencoi se janë ndarë para për një urë tjetër mes Bullgarisë dhe Rumanisë në Danub, por bëri me dije se do të jepen me një kusht që Sofja të pastrojë raportet me Paktin.
Për Hombah, por edhe vëzhguesit nga jashtë është e pakuptueshme se si ka mundësi që qeveria e Ivan Kostovit të distancohet nga iniciativat antikorrupsion të Paktit për Stabilitet. Është e mundshme që në këtë mënyrë kryeministri dëshiron të sugjerojë se korrupsioni për këtë qeveri është diçka e huaj, por vështirë se në këtë mënyrë do të mund ta bind dikend. Aq më tepër kur janë më të pranishme dyshimet për të kundërtën.
Në programin kundërkorupsion potencohet qartë se para se të finansohet projekti në kuadër të Paktit për Stabilitet duhet të bëhet e qartë se nuk do të keqpërdoren mjetet. Programi parasheh aksione për pengimin e korupsionit, inkuadrimin e grupeve drejtuese të krijuara me pjesëmarrje të nëpunësve të Paktit, kryesuesve të BE, vendeve rajonale dhe iniciativave ndërkombëtare të specializuara për pengimin e korupcionit.
Ky nuk është rasti i parë që qeveria bullgare ta ketë në shënjestër Paktin për Stabilitet. Në vjeshtën e kaluar shefi i komisionit parlamentar për politikë të jashtme Asen Agov që përndryshe është pjesëtar i Lidhjes së forcave demokratike në pushtet u kërcënua se Bullgaria do të dalë nga Pakti nëse nuk largohet nga lista negative për viza. Me këtë rast në shenjë proteste kundër "përdorimit" jokorrekt të Paktit koordinatori i atëhershëm nacional Nikola Karadimov dha dorëheqje. Atëherë vendin e tij e zuri Vladimir Filipov.
Nëse atëherë sulmet në adresë të Paktit ishin të diktuar me dëshirën që të tërhiqej vëmendja ndaj problemit të vizave, sot në kritikat e kryeministrit Kostov dhe nëpunësve të tij nuk mund të gjendet asnjë argument i logjikshëm. Aq më tepër që Perëndimi ofroi garancion se nuk ka ndërmend të inkuadrojë Bullgarinë në ndonjë skemë rajonale, për çka kishte droje gjatë vjeshtës së kaluar. Mbase dëshmia më e mirë për këtë është heqja e shengen vizave për bullgarët.
Është e vërtetë se sipas vlerësimeve të shumë vëzhguesve Pakti për Stabilitet ka mjaft mangësi veçmas sa i përket projekteve të infrastrukturës. Por kur një vend parashtron pyetjen kritike se athua Pakti punon mirë ose jo, duhet të shikojë se çfarë ka bërë vet, cili është kontributi i tij që ndonjë iniciativë të funksionojë me sukses. Dhe kur tërhiqet nga njëri apo programi tjetër fillon dyshimi rreth seriozitetit të një metropole të caktuar rreth idesë së Paktit.
Veç kësaj, sa i përket Paktit, vendet e Evropës Juglindore nuk duhet të llogarisin vetëm në projektet e tyre, janë kategorik vëzhguesit e proceseve në rajon. Qëllimet e tyre bazë janë që vendet e Evropës Juglindore të demokratizohen, që të zhvillohen ekonomikisht dhe të kenë stabilitet politik. Këto tre qëllime shkojnë së bashku me një qëllim strategjik - të shpejtojnë përgatitjet e gjitha vendeve për inkuadrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Në këtë kuptim sulmet në adresë të Paktit më shumë dëm i sjellin Bullgarisë në raport me Be-në dhe në linjave të perspektivës evropiane të Sofjes.
Sepse Pakti para së gjithash është një marrëveshje për bashkëpunim mes vendeve të rajonit, nga njëra anë dhe atyre që duan të ndihmojnë vullnetarisht, nga ana tjetër. Kurse baza e këtij bashkëpunimi është dialogu.
Natyrisht, mediumet janë faktor i rëndësishëm për intensifikimin e dialogut, por është vështirë që ata të mund të jenë si ndërmjetës në këtë dialog. Ai duhet të ndodhë përherë, të jetë principiel dhe qëllim mirë. Dhe nëse Sofja arrin ta ripërtrijë, atëherë nga kjo do të përfitonte edhe Pakti edhe rajoni edhe Bullgaria.
PLAMEN KULINSKI