Regjimi i vjeter para gjyqit
Afër njëqind funksionarë të lartë të regjimit të Millosheviqit në këtë çast ndodhen në paraburgim, nën hetime ose para përfundimit të hetimeve dhe burgosjes. Akuzat e paralajmëruara dhe të pritura për vepra penale, kriminalitet ekonomik ose akuzat deri tani më të shpeshta për keqpërdorim të pozitës zyrtare do të godasin një rreth shumë më të gjerë njerëzish
AIM, Beograd, 21.05.2001
Skeptikët, sipas zakonit, nuk besojnë një rrjedhe të tillë. Argumentet e tyre, si gjithmonë, janë të forta. Jurisprudenca dhe policia e Serbisë në të vëretë punojnë në përbërje të njëjtë si edhe në kohën e Millosheviqit. Ndërrimi i njerëzve që punonin në mbajtjen e regjimit të vjetër është kryer gjatë shtatë muajve të kaluar - ose, sa i përket pushtetit të ri në Serbi- gjatë njëqind ditëve të kaluara, me një ngadalësi të çuditshme dhe në një rreth mjaft të ngushtë. Një pjesë e opininiot që është i prirë që këtë ngadalësi t'ia përshkruaj qëndrimit të planifikuar të pushtetit të ri, ndërkaq, vështirë e ka të shpjegojë shkakun pse vallë shumë fytyra të njohura - në polici, për shembull - kanë ngelur në vendet e mëparëshme ose, madje, janë përparuar.
Zhdukjes së dyshimit në vendosmërinë e pushtetit të ri që rrënjësisht të llogaritet me të gjithë ata të cilët gjatë dhjetë vjetëve të kaluara u shquan për mirëqenien e popullit dhe më shumë të xhepave të vetë nuk i ndihmojnë edhe shumë dukuri “të rastit”. Skandali rreth të ashtuquajturave keqpërdorime seksuale të bashkëpuntoreve dhe nëpunëseve të qeverisë, Vuk Obradoviq-it i kushtoi humbjen e postit të nënkryetarit, mirëpo koalicioni qeveritar nuk e pa të arësyeshme që në vendin e tij - kryetarit të komisionit për luftë kundër korrupcionit - të emrojë ndokënd që edhe me statusin e u.d. të vazhdojë punën deri në kohën e emrimit. Nga ana tjetër, plot informata dhe dezinformata nga kreu më i afërt i DOS-it qarkullojnë në çdo anë, me lehtësinë e njëjtë me të cilën disa ministra paralajmërojnë paditë zbulojnë keqpërdorimet, vjedhjet dhe abuzimet, në shkallë të tillë sa që disa gjykatës janë të detyruar të prostestojnë kundër keqpërdorimit të fshetësisë zyrtare dhe vështirësimit të punës.
Ministri i punëve të brendëshme Dushan Mihajlloviq më 15 maj njohtoi opinionin se policia i kishte të gjetur grabitësit e biznismenit Millorad Mishkoviq, për blerjen e të cilit ishin paguar shtatë milionë marka. “Në interes të hetimeve” dhe për shkak të sigurimit të dëshmive të nevojshme, Mihailloviq-i nuk kishte mundësi të ndriçojë faktet : prandaj deklarata e tij diku është kuptuar si “arsyetim”, i asaj që para tri javësh premtoi dorëheqjen nëse deri më 15 maj nuk zbulonte rrëmbyesit.
Dyshime të shumta dhe serioze ndërthuren rreth mospërfundimit të punës për zbulimin e organizatorit dhe kryesit të vrasjes së katërfishtë në magjistralën e Ibrit më 3 tetor 1999, kur caku i vërtetë, Vuk Drashkoviq, i shpëtoi vdekjes në mënyrë të çuditshme. Organizimi dhe zbatimi i kësaj vepre i ngarkohet Radomir Markoviq-it, ish shefit të Shërbimit të Sigurimit shtetror të Serbisë (RDB); në burg ndodhet shoferi i automobilit vrasës Nenad Iliq dhe i akuzuari për sigurimin e logjistikës Nenad Bujosheviq. I pakënaqur me rrjedhën e hetimeve, ekipi i avoketëve të Drashkoviqit kësaj jave dorëzoi dymbëdhjetë paraqitje penale kundër personave për të cilët gjyqi deri tani nuk kishte shfaqur interesim. Në mesin e tyre më i njohuri padyshim është Millorad Ulemek Llukoviq-i “Legjia”, komandanti i njësisë së RDB-së për operime speciale, aktualisht i suspenduar dhe nën hetime disciplinore për shkak të krismave të paradokohëshme dhe shkaktimin e zjarrit në një kafeteri në Kulla.
Ish shefi i qendrës së Sigurimit shtetror për Beogradin, Millan Radonjiq dhe ndihmësi i tij, Branko Crni, në marsin e k.v. janë burgosur dhe, bashkë me dy punëtorë të tjerë të Sigurimit Shtetror (DB) janë nën hetime për shkak të përgjimit të fshehtë dhe ndjekjes së Goran Petroviq-it dhe Jovica Stanishiq-it, shefit aktual dhe paraardhësit të tij të Sigurimit shtetror të Serbisë, ndihmësministrit aktual të ministrit federativ të punëve të brendëshme Stevan Nikçeviq, gjegjësisht Zhelko Razhnatoviq Arkanit, Vuk Drashkoviqit dhe Sllavko Quruvijes. Të dyshimtë dhe të pandehur janë edhe për zhdukjen e dokumentacionit zyrtar, gjë të cilën e vërtetoi zbulimi i mëvonshëm të cilin e publikuan mediat e pavarura që në kohën e pushtetit të Millosheviqit, duke vërtetuar se në shënimin zyrtar për ndjekjen e Sllavko Quruvijes në ditën kur e vranë “mungonin” 80 minuta të rëndësishme. Ende ka ngelur e pasqaruar edhe vrasja e pronarit të “Dnevni telegraf-it”, ashtu siç mund të pritet që edhe gjykimi i vrasësve të Zhelko Razhnatoviq Arkanit opinionit nuk do t'ia zbulojë dorasit e vërtetë.
Vrasja e javës së kaluar e Klara Mandiqit në rrethana kinse vjedhjeje - edhe pse vrasësi është zënë brenda 48 orëve- poashtu shton dyshimet për kujdesin e dikuj që të fshihen dëshmitarët e pakëndëshëm. Klara Mandiq në fillimet e viteve të nëntëdhjeta ishte njera nga ata “njerëzit për lidhje” midis kreut të pushtetit të Millosheviqit dhe vepruesve të punëve të llojit të bankave piramidale, Shoqatës së miqësisë serbo- jebreje, 'Serbve përtejdrinas” dhe fytyrave të llojllojshme të skenës së atëhershme politike. Pas vjedhjes apo më mirë plaçkitjes - një gëzof dhe një telefon celular- vrasësi i vuri zjarrin banesës duke shfrytëzuar për këtë qëllim letrat të cilat “nuk ishin gazeta” : prandaj nuk është e rastit pyetja se çfarë kanë qenë ato letra.
Në mesin e njerëzve të dalluar të regjimit të Millosheviq-it Mihajl Kertes-i pa dyshim është njëri nga më të njohurit. Karierën politike e filloi si njëri nga luftëtarët e parë të “jogurt revolucionit” vojvodinas, më pas ishte “ministër i popullit” në qeverinë e Serbisë; pas së cilës kryeministri i atëhershëm federativ Millan Paniq - për hir të “zëshmërisë” nga konferenca e paqës në Londër e ktheu dhe e punësoi si shef të sigurimit të “Dafiment bankës” pikërisht në kohën kur prej saj deponuesit e “mëdhenj” dhe të rëndësishëm i nxirrnin devizat me thasë. Karierën e përfundoi si drejtor i Drejtorisë Federative të doganave, ku fitoi famë me deklaratën se çdo doganier kishte të drejtë për një pako cigare dhe një shishe uiski, për ndryshim jo aq nga roli i tij publik për sigurimin e parave të thata për pushtetin dhe punët profitabile për biznismenët e zgjedhur, duke përfshirë këtu edhe Marko Millosheviqin. Organet e pushtetit të ri Mihajl Kertesin e burgosën që në dhjetorin e vitit të kaluar si të parin nga bashkëpunëtorët e Sllobodan Millosheviqit, mirëpo në burg e mbajtën vetëm pesë ditë. Me gjasë pranoi - ose ndoshta ofroi - bashkëpunim me hetuesinë ; krahas Nikolla Shainoviq-it dhe Jovan Zebiq-it, dy nënkryetarëve të ish qeverisë federative, mund të ndodh që Kertesi të jetë dëshmitar kryesor kundër Sllbodan Millosheviqit, sëpaku për atë pjesë të hetimeve e cila katërshin e ngarkon për dëmin që i kanë bërë buxhetit federativ dhe republikan në shumën prej 1,8 miliardë dinarë dhe 200 milionë marka.
Hetimet kundër të burgosurit më të njohur dhe më të mbrojtur, Sllobodan Millosheviq, zhvillohen edhe për zgjerimin e paligjshëm të placit në Dedinjë, gjë e cila - fare e kuptueshme - shkakton habi dhe dëshprim jo vetëm për vetë Karla del Ponten. Zgjërimi i hetimeve kundër Millosheviqit i paralajmëruar me kohë, ende nuk ka orientim se në çfarë drejtimi do të zhvillohet. Nëpunësit e kryesisë së Serbisë, ish këshilltarët dhe njerëzit e Sllobodan Millosheviqit, të cilët gjatë 13 vjetëve të kaluara me të kanë kontaktuar rreth çështjeve më të ndishme, njëzëri vërtetojnë se ish kryetari i Serbisë dhe RFJ nuk ka lënë pas vetes asgjë të shkruar. Në pyetjen banale vallë vërtetë është e pamundur që të vërtetohen lidhjet e tij me ngjarjet e tmerrshme rreth shkatërrimit të ish Jugosllavisë, askush nuk ofron përgjigje të qartë. Nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe Uashingtonit qeveria federative gjatë disa javëve që pasojnë është e obliguar të sjellë ligjin për bashkëpunim me tribunalin e Hagës : dorëzimi Hagës do të bëhet me siguri, madje edhe sikur të bëhen pazarllëqe rreth datës së fundit.
Krahas Millosheviqit kjo e vërtetë bëhet më e afërt edhe për katërshin tjetër të akuzuar në kohën e bombardimeve të NATO-s. Nikolla Shainoviq-i tani më është ndeshur me hetimet “shtëpiake”; kryetari i Serbisë Millan Millutinoviq këto ditë - sëbashku me ish ministrin e punëve të jashtme, Zhivorad Jovanoviq-in -do të duhet të dalë para gjykatësit hetues për shkak të dhënies së paligjëshme të disa pasosheve diplomatike birit të Millosheviqit, Marko. Hetimet e deritanishme, deri tani sëpaku jo në mënyrë publike, nuk i kanë përfshirë ende edhe dy të akuzuarit e parë nga pesëshi i “listës së Hagës”: ish shefin e Shtatmadhorisë, Ojdaniq dhe ish ministrin e policisë, Vllajko Stojillkoviq. Ky i dyti së shpejti do të mund të dilte para gjyqit sëbashku me eksministrat Borisllav Millaçiq, Dragoljub Jankoviq, Aleksandar Vuçiq, Kata Lazoviq, Tomisllav Milenkoviq, Jovan Baboviq, Branisllav Ivkoviq, Zoran Angjellkoviq dhe shefat e drejtorive qeveritare për rindërtimin e vendit dhe pronës, gjegjësisht të Fondit për zhvillimin e Serbisë, ish komisaren për refugjatë dhe ministrin për mbrojtjen e familjes, Bratisllava Morinën Të gjithë këta gjatë këtyre ditëve janë vënë në dyshim për atë që gjatë viteve të kaluara në mënyrë të paligjshme dhe jofunkcionale kanë shpenzuar mjetet e buxhetit, derisa për disa prej tyre vërtetohet se kanë marrë pjesë në plaçkitjen dhe nxjerrjen nga vendi të dhjetra miliona dollarëve.
Por, Vllajko Stojillkoviq-i së shpejti mund të gjendet para gjyqit edhe për shkak të publikimit të paradokohëshëm të rrëfimit të tmerrshëm lidhur me zbulimin e kamionfrizës përplot me kufoma fëmijësh, grash dhe pleqësh në ujërat e Danubit, afër Tekijes, më 6 prill 1999 dhe pastaj për zhdukjen e saj. Zbulimi është vërtetuar edhe nga deklaratat e policit zhytës, gjykatësit hetues komunal, punëtorëve komunalë dhe dëshmitarëve të tjerë okularë. Hetimet janë ndërprerë me urdhër prej “lartë”; zbulimi është cilësuar si fshehtësi shtetrore, kurse kamionfrizën, si duket, e ka zhdukur një njësit special policor; kufomat janë zhdukur.
Emrat e bashkëpuntorve të deridjeshëm të Millosheviqit paraqiten në plot raste të veçanta: Kështu, për shembull, burgosja e javës së kaluar e ish ministrit republikan të financave, Borisllav Millaçiq, ndërlidhet me aktpadinë e re kundër Nikolla Shainoviq-it dhe ish drejtorit të “Politika-s”, Haxhi Dragan Antiq: kësaj radhe bëhet fjalë për import të paligjshëm të pajisjeve për tetë tv-stacione, e cila mund të jetë një aktivitet me qëllim të “ mbulesës” së hapsirës mediale para zgjedhjeve të vitit të kaluar. Akuza i ngarkon për nxjerrje nga vendi të afër 2,5 milionë dollarëve dhe për kontrabandimin e paisjes për tv-stacionet - sepse paisja është importuar si postë diplomatike, pa pagesë doganore dhe në ngarkesë të buxhetit të Serbisë. Edhe njëri nga “padronët” e deridjeshëm medial, ish drejtori i përgjithshëm i Radio- Televizionit të Serbisë (RTS), Dragoluv Millanoviq, sërish ndodhet para gjyqit. Ai para më pak se një muaji, pas përfundimit të hetimeve për vepër kundër sigurisë së përgjithshme - në kohën që në bombardimin e ndërtesës së RTS humbën jetën 16 punëtorë, u lirua nga paraburgimi. Kësaj radhe para gjyqit do të dalë sëbashku me Zoran Modriniqin, drejtorin e marketingut të RTS-së, nga shkaku se në fund të vitit 1999 dy këngëtareve të paemruara u ka paguar tetë milionë dinarë (afër 270 mijë marka) në emër të honorarit.
Vetëbesimi me të cilin një numër tejet i madh i njerëzve të regjimit të Millosheviqit kanë ndërmarrë akcione dhe transakcione të tilla dhe të tjera të ngjashme dëshmon për dimensionet e tmerrshme dhe shkatërruese të korrupcionit. Haxhi Dragan Antiq-i banesat i ka fituar gratis, pa paguar asnjë dinar, kurse kreditë nuk i ka paguar fare; ish ministri i komunikacionit Svetolik Kostadinoviq kredinë e vet e “ka kthyer” sipas kursit zyrtar në 200 mijë marka, me ato ka blerë banesë - kurse kredinë e ka paguar Bashkësia e Hekurudhave, drejtori i sëcilës, kinse rastësisht, është vetë ai, Kostadinoviq-i. Me shembuj të ngjashëm mund të mbushen libra të tërë: pushteti i Beogradit këto ditë solli vendimin që t'i merret banesa Millovan Drecunit, gazetarit të paradokohshëm të RTS-së, tani kryetar i Partisë për rilindjen e Serbisë. Supozohej se ai banesën e tij e kishte shitur që të fitonte një të re nga Fondi i solidaritetit të qytetit. I është marrë banesa edhe Rajko Danilloviqit, avokatit të Vuk Drashkoviqit, për të cilin as nuk dihet se në çfarë baze ka arritur të futet në listën për ndarje banesash shtetrore. Pakënaqësia qëndron në atë që pushteti i qytetit mundi të zhvlerësojë vetëm 45 vendime për ndarje banesësh nga koha e mandatit të ish pushtetit beogradas të Vuk Drashkoviqit - deri në fund të qershorit do të duhet të kontrollohen apo rishqyrtohen edhe afër 650 vendime të ngjashme.
Funksionari i lartë i Partisë së Millosheviqit dhe i RDB-së ( Sigurimit Republikan Shtetror) Urosh Shuvakoviq me dy kolegë të tjerë të Shërbimit ka disponuar dhe profituar me shtëpitë dhe banesat e fondit banesor diplomatik dhe, me gjasë, në këtë ka patur gisht dhe ndikesë edhe ish ministri i punëve të jashtme Zhivadin Jovanoviq. Ish drejtori i Entit për Sigurim shëndetsor të Serbisë, Tomisllav Jankoviq, përndryshe me merita të mëdha për zhvillimin e Institutit Kardio -vaskular në Dedinje dhe për karierën e drejtorit Millovan Bojiq, ish nënkryetarit të qeverisë serbe - ka marrë pjesë, bashkë me dr. Nikolla Mitroviqin, drejtorin e Institutit të onkologjisë dhe radiologjisë, gjegjësisht me drejtorin e “Mediafarmës” në blerjen e citostatikëve me të cilën Entin e kanë dëmtuar për më tepër se tre milionë dinarë Lista, ndërkaq, kurrsesi nuk merr fund me kaq, madje edhe sikur të mos regjistrohet burgosja e Sinisha Vuçiniqit, kryetar i partisë e cila quhet Partia radikale e të majtës “Nikolla Pashiq” dhe, njëkohësisht, funksionari i lartë i të majtës jugosllave. Si edhe hetimet kundër Marije Millosheviqit dhe tridhjetë personave të tjerë, të cilët pengonin burgosjen e Sllobodan Millosheviqit dhe hidhnin poshtë zbulimin e Komisionit për luftën kundër kriminalitetit ekonomik i cili konstatoi se 3,5 milionë dollarë në mënyrë ilegale janë nxjerrë jasht RFJ dhe janë transferuar në llogarinë e firmës së tij në Qipro.
Para organeve të hetuesisë dhe të jurisprudencës qëndron vera e gjatë, e nxehtë. Konstatimi i avokatit të njohur beogradas, Nikolla Baroviq, se SDB (Shërbimi i Sigurimit Shtetror) dhe policia “ende janë në të vërtetë organizata më e fortë kriminalistike në Serbi, e cila ende nuk është pastruar nga kriminelët, as nga mekanizmat e saj kriminale”, atyre pa dyshim nuk do t'ua lehtësojë punën. Duke marrë pjesë në Konferencën e sapopërfunduar ndërkombëtare për të vërtetën dhe pajtimin, kryetari i Kuvendit të qytetartëve të RFJ, Dragoljub Miqunoviq, duke theksuar se “korrupcioni dhe kriminaliteti më i madh ka depërtuar pikërisht në jurisprudencë dhe në polici, por ka depërtuar shumë edhe në institucionet tjera vitale shtetrore”konstatoi diçka të ngjashme. Nëse vlen për ngushllim, edhe kjo njohuri mund të jetë njëfarë fillimi.
ALEKSANDAR QIRIQ