Mbreti mbledh votat e protestes Bullgare

Sofia May 27, 2001

Forcat qeveritare kanë mobilizuar tërë pushtetin kundër Simeonit II, por kjo vetëm ka shtuar përkrahjen e zgjedhësve lëvizjes së tij

AIM, Sofje, 20.05. 2001

Kurdo që dikujt i kërcënohen me thikë, Bullgari mban anën e të rrezikuarit. Sidomos nëse ai që kërcënon me thikë nuk i duket i afërt.

Diçka e ngjashme dhe pothuaj e njëjtë ndodhi edhe me të ashtuquajturën çështje e mbretit. Paraqitja në skenën politike e Simeonit II, të cilin pushteti komunist në vitin 1946 e dëboi nga vendi, dhe paralajmërimi se do të marrë pjesë në zgjedhje me tërë formacionin e vet politik, ka tronditur fort Lidhjen e Forcave Demokratike (SDS) në pushtet. Nga ana e SDS-it - i cili veten e vlerëson si parti demokristiane - pjesëmarrja e Simeonit II në garat parazgjedhore është pritur pra si fatkeqësia më e madhe për Bullgarinë. Kjo, përndryshe, është diçka paradoksale kur dihet se në radhët e saj ka edhe mjaft monarkistë. Por humbja në zgjedhjet e 17 qershorit, që me gjasë është evidente, ka bërë vend për një betejë të mundimshme për zhdukjen e kundërshtarit. Sipas të gjithas gjasave, në dëshirën e tyre të marrë që të groposin kundërshtarin Simeon II, pushtetarët nuk do të ndalen as pas zgjedhjeve.

Megjithatë, çdo “kurth” i ri kundër tij, do t'ia shtojë më shumë autoritetin. Kështu vetëm brenda një muaji përkrahja Lëvizjes Kombëtare Simeonit II (NDS II) është trefishuar dhe sipas sociologëve të Qendrës kombëtare për hulumtimin e opinionit publik (NCIOM) ka arritur 34,4 % e pabesueshme. Duke marrë parasysh se Bullgaria ka 6,3 milionë banorë, atëherë del se për të do të votojnë 2 mln Bullgarë. Të ngjashme janë edhe të dhënat e agjencive të tjera sociologjike.

Nuk është e çuditshme që NDS II është paraqitur si fenomen elektoral. Ky sukses është arritur pa kurrfarë përpjekjeje të vetë mbretit. Në fillimi Simeoni II ishte mjaft i rezervuar në fjalë dhe veprime- i vetmi premtim i tij ishte se do ta ngrejë në këmbë vendin për 800 ditë dhe që Bullgarët i ftoi që të kenë besim në të.

Dihet mirë se sikur dikush tjetër dhe jo mbreti të thoshte fjalët “ Të kini besim në mua”, njerëzit do të qeshnin dhe do t'ia kthenin shpinën. Por shkaku i mozbatimit të drejtë të reformave në jetën politike të Bullgarisë ka krijuar vend për forca të tjera, të cilat zgjedhësve u premtojnë diçka tjetër. U vërtetua se njerëzit janë të gatshëm t'i japin besimin dikujt që deri tani nuk është ndyrë dhe nuk është turpëruar për diçka.

Pikërisht për këtë shkak kundër Simeon Koburgotskos u shfaqën “ngatërresat”. Gjyqi dy herë me radhë nuk e regjistroi lëvizjen e tij. Por në fund Komisioni Qendror zgjedhor (CIL), i cili Simeonin tërë kohën e mbante në paqartësi, vendosi ta lejojë të marrë pjesë në zgjedhje por bashkë me koalicionin në përbërjen e të cilit janë dy parti fare të panjohura. Tani kur Gjyqi Suprem i hudhi si të pabaza ankesat e fundit, rruga e mbretit drejt fitores është e çelur dykrahësh. Kjo është ajo që disave ua tendos nervat.

Të gjitha mediat proqeveritare janë hedhur në sulm sipas asaj që “nën kaun të kërkojnë viçin” mënyrë kjo që njerëzve t'ua “hapin” sytë. Ithtarët e SDS-it këtë rast e kanë shfrytëzuar që Simeonin ta përbaltin edhe jasht vendit. Në këtë drejtim publicitet të gjerë kanë fituar disa deklarata të përfaqësuesve të Partisë Popullore Evropiane te të cilët paralajmërohet njëfarë rreziku nga paraqitja e mbretit. Kulmin e arriti një deklaratë e një shefi të një organizate joqeveritare në SHBA, e cila televizionit kombëtar bullgar dhe radios kombëtare bullgare i dha shkak që të trumbetojë se: “SHBA-të janë kundër mbretit!”

Brus Dzhakson, kryetar i komitetit amerikan për NATO-n, në konferencën e Bratisllavës deklaroi: “ Kthimi i figurave ose politikave të së kaluarës në demokracitë e reja është diçka të cilën ne nuk mund ta përkrahim”. Ngeli e paqartë se cilët janë “ne” të cilët nuk përkrahin figurat e tilla, duke patur parasysh se komiteti të cilin udhëheq Xhaksoni është organizatë joqeveritare. Superior ishte krahasimi i tij :” Ne Austrisë ia thamë të njëjtën gjë për shkak të Hajderit kurse Sllovakisë për shkak të Meçijarit”.

Të bëhet krahasim i ngjashëm me personin që në asnjë pikëpmaje nuk mund të vlerësohet si fashizoid ose si agjent komunist, kjo sipas shumicës së opinionit është ose diç e porositur, ose flet për mosnjohje të mjaftueshme të çështjeve.

Bullgaria ka fatin që në të nuk ekziston një parti e djathtë ekstreme, kurse sa i përket të majtës ekstreme - ajo ndodhet pikërisht në vetë fundin e regjistrit dhe kështu këtu nuk mbetet më hapsirë për ide të ngjashme. Hyrja në pushtet e Simeonit nuk do të dëmtojë imixhin e Bullgarisë dhe as që do të ngadalësojë tranzicionin e saj, thonë me bindje të plotë të gjithë ata që jetën politike bullgare e njohin nga afër.

Në instancën e fundit efekti i të gjitha tentimeve që Simeonit t'i bëhen pengesa dhe që të përbaltet personaliteti i tij përfundoi me rezultat të kundërt - ata që ia hidhnin lëvoret e bananës që të rrëshqasë vetë ia vurën kurorën e martirit. SDS njëkohësisht vazhdon të humbas përkrahjen e zgjedhësve.

Përkrahësit e propagandës kundër mbretit kanë nisur të zhduken njëri pas tjetrit. “Argument” i fortë kundër mbretit na qenka se në një rast ai paska deklaruar se hyrja e Bullgarisë në NATO qytetarëve do t'u kushtuaka shumë shtrenjtë. Kjo për një kohë u shfrytëzua si shkas për përgojimet se si Simeoni II qenka kundër anëtarësimit të vendit në pakt dhe se si, në instancën e fundit, u shërbyeka interesave të politikës ruse në Ballkan, e cila është kundër zgjërimit të paktit.

Programi parazgjedhor i NDS II ende nuk është shpallur, por çeshtjet ngadalë shkojnë kah sqarimi. Gjatë ligjëratës së tij në Institutin për marrëdhënie ndërkombëtare, në Paris, Simeoni II deklaroi në mënyrë të prerë se prioritet i vetëm i Bullgarisë është hyrja e saj në BE dhe NATO. “ Unë isha në akademinë ushtarake amerikane në kohën kur ata që tani më kritikojnë parakalonin me shamia të kuqe për nder të Paktit të Varshavës”, deklaroi atë rast Simeoni.

Sa i përket frikësimit me atë se ai dëshiron të ringjallë monarkinë, e cila është hudhur me referendumin e vitit 1946, ai është përgjigjur se sot përparësia qëndron në çeshtjet ekonomike.

Gjatë ditëve që ngelin deri në zgjedhjet e 17 qershorit Lidhja për Pajtim Kombëtar (ODS), e cila përfshin edhe SDS -in edhe Bashkimin Popullor shpreson se do ta rikthejë sëpaku një pjesë të përqindjes së humbur. Mirëpo rezultatet e hulumtimeve sociologjike mohojnë mbështetjen e saj kryesore - përkatësisht suksesin e qeverisjes katërvjeçare. Është e qartë se zgjedhësit nuk pajtohen me bindjen e tillë dhe prandaj përgaditen për protestë zgjedhore.

Partia opozitare Socialiste Bullgare (BSP) ndërkaq vështirë mund të shpresojë se votat do të gjenden në kutitë e saj. Njerëzit nuk kanë harruar se në çfarë gjendjeje e la Bullgarinë BSP-ja para katër vjetësh dhe nuk janë të kënaqur edhe me qëndrimin e saj si forcë e dytë parlamentare.

SDS dhe Koalicioni i majtë për Bullgarinë tani gati se i kanë barazuar shanset - në këtë fazë mund të shpresojnë në 15% të votave të zgjedhësve. Rënia e përkrahjes këtyre dy partive për disa herë me radhë tregon se bullgarët janë të demoralizuar me atë që kanë bërë ato nga viti 1989 e këndej duke ndërruar njera tjetrën në pushtet. Shfaqja e NDS II partive të vogla ua shkurtoi shanset për të hyrë në parlament, sepse votat e protestës do t'i vjelë Simeoni. Madje edhe sikur të futen në koalicion ashtu si bëri “Gjurgjevdan” dhe VMRO, ata përsëri do të jenë mjaft larg 4% të dëshiruar i cili duhet të plotësohet dhe tejkalohet.

Hulumtimet e fundit vërtetojnë se lëvizja e ashtuquajtur mbretërore do të ketë numrin më të madh të deputetëve dhe se pikërisht asaj do t'i takojë formimi i qeverisë së re. Votat e fituara, ndërkaq, nuk do t'i ketë të mjaftueshme për shumicën e pavarur parlamentare, kështu që do të duhet të kërkoj partnerin e nevojshëm për koalicion. Kombinimi Lëvizje mbretrore - ODS ose Lëvizje mbretërore - koalicion i majtë duket mjaft ireal. Por prandaj është fare i mundëshëm një kabinet i fortë qendror i NDS II me Lëvizjen për të drejta dhe liri (DPS), i cili llogarit në votat e Turqve etnikë të Bullgarisë. Pa dyshim, me bindje dhe me kusht që deri më 17 qershor nuk do të vijë deri në rënien e përkrahjes së Simeonit II. Kjo deri tani është jo aq e besueshme.

PLAMEN KULINSKI