Bushi dhe Putini ne Lubjane

Ljubljana May 27, 2001

Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë vërtetoi zyrtarisht se presidenti amerikan George Bush dhe presidenti rus Vladimir Putin do të takohen për herë të parë më 16 ose 17 qershor, në Lubjanë.

AIM Lubjanë, 19.05.2001.

Informatën të cilën para disa ditësh për herë të parë e publikoi agjencia Reuters tani edhe zyrtarisht e vërtetoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë. “Presidenti Bush do të vizitojë Lubjanën, Slloveninë, në përfundim të vizitës së tij Evropës gjatë muajit qershor. Në Lubjanë do të takohet me presidentin rus Putin, si edhe me udhëheqjen sllovene. SHBA-t dhe Sllovenia kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe do të bisedojnë për anëtarsimin e Sllovenisë në institucionet evropiane dhe transatlantike. Presidenti me kënaqësi pret shqyrtimin e mundësisë për bashkëpunim ndërmjet SHBA-ve dhe Federatës Ruse rreth arritjes së qëllimeve të përbashkëta.” Kështu thuhet në mesazhin zyrtar që arriti nga ambasada amerikane në Lubjanë.

Të gjithë zyrtarët slloven, me kryeministrin slloven Janez Dernovshek në krye, tani më kanë shprehur entuziazmin e qartë lidhur me këtë vendim për takimin më të lartë në Lubjanë. Në deklaratën e tij për opinion kryeministri slloven Janez Dernovshek shpreh “ kënaqësinë e madhe për atë që presidentët Bush dhe Putin kanë vendosur që takimi i tyre i parë më i lartë të bëhet në Slloveni. Caktimi i Sllovenisë si vend për takimin e përmendur është shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyeshme që ka shteti ynë si me SHBA-të , poashtu edhe me Federatën Ruse”.

Si marrim vesh nga burimet diplomatike vendimi që Lubjana të jetë vendi i takimit më të lartë është marrë gjatë takimit të fundit të ministrit rus të punëve të jashtme te presidentit amerikan George Bush. Bush-i, i cili, për dallim nga paraardhësi i tij Klinton, nuk preferon udhëtimet e gjata - gjatë turneut të tij nëpër Evropë, para se të vizitojë Slloveninë, do të vizitojë Spanjën, Belgjikën, Poloninë dhe Suedinë. Në këtë udhëtim niset më 12 qershor dhe në SHBA do të kthehet më 16 ose 17 qershor. Krahas faktit se bëhet fjalë për takimin e parë të dy presidentëve - dhe kjo në rajonin shumë të afërt të asaj pjese të Ballkanit në të cilin vetëm para dy vitesh u konfrontuan shumë ashpër interesat ruse dhe ato amerikane - një peshë të veçantë kësaj ngjarje i jep edhe fakti se Bush dhe Putin do të bisedojnë rreth mburojës amerikane. Nga aspekti simbolik, Lubjana është qytet i qëlluar për këtë takim, sepse si rrallë vend tjetër në botë është vendi ku ambasada ruse dhe ajo amerikane janë të vendosura njera pranë tjetrës. Në shtetet tjera, atje ku marrëdhëniet diplomatike (dhe ambasadat) janë ngritur në periudhën e luftës së ftohtë - rastet e këtilla janë shumë të rralla.

Takimi i presidentëve të dy superfuqive botërore në truallin e Lubjanës padyshim paraqet njërin nga sukseset më të mëdha diplomatike të Sllovenisë, e cila pas diç më shumë se një muaj ditësh do të kremtojë dhjetëvjetorin e pavarësisë. Një ngjarje e ngjashme e madhe politike ishte edhe ajo kur në qershorin e vitit 1999 Slloveninë e vizitoi presidenti i atëhershëm amerikan Klinton, fill pas përfundimit të intervenimit të NATO-s kundër RF Jugosllavisë.

Pyetje e veçantë është ajo se në çfarë mase lidhur me caktimin e Lubjanës ka ndikuar fakti i marrëdhënieve të mira të Lubjanës zyrtare me Moskën dhe Uashingtonin dhe në çfarë mase kjo është rezultat i rrethanave të fatit të mirë. Deklarata e Dernovshekut lë përshtypje rreth njëfarë “ekuidistance” të Lubjanës ndaj Moskës dhe Uashingtonit, e cila, padyshim, është e gabueshme; Sllovenia është anëtare shoqëruese e BE-së dhe anëtare e Partneritetit për paqë. Që më 25 dhjetor të vitit 1995 ka nënshkruar marrëveshjen rreth tranzitit të trupave të SFOR-it nëpër teritorin e saj, kurse në tetor të vitit 1998 ishte shteti i parë që çeli hapsirën e vet ajrore për intervenim të bombarduesve të NATO-s kundër Jugosllavisë. Edhe pse Sllovenia në vitin 1999 nuk u pranua për anëtare të re të NATO-s ( ashtu si Polonia, Çekia dhe Hungaria), ajo përsëri ka ngelur si kandidat serioz për antarësim në këtë organizatë.

Në “Deklaratën për politikën e jashtme të Sllovenisë”, si edhe në shumë dokumente të tjera, theksohet se sa të rëndësishme për pozitën e Sllovenisë janë SHBA-t dhe Bashkësia Evropiane. Në dokumentin e njëjtë, marrëdhniet me Rusinë janë përmendur në një fjali e gjysmë: “ Në interes të Sllovenisë është zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të mira me Federatën Ruse, sidomos në sferën e ekonomisë. Sllovenia në afat të gjatë është e interesuar për stabilizimin e gjendjes ekonomike dhe politike në Federatën Ruse.” Marrëdhëniet ndërmjet Sllovenisë dhe Rusisë, sidomos nga pikëpamja e bashkëpunimit ekonomik, kryesisht janë - të mira; rreth 40 ndërmarrje sllovene kanë përfaqësitë e tyre në Rusi, kurse eksporti i ilaçrave, mobiljeve, teknikës së bardhë, veglave të ndryshme dhe sidomos puna e ndërmarrjeve ndërtimore në Rusi për Slloveninë shënon një pjesë të rëndësishme të eksportit. Sa i përket Sllovenisë, ajo në Rusi, para së gjithash, blen gaz dhe naftë ( një pjesë e naftësjellësit të ardhshëm nga Rusia deri në Itali do të duhet të kalojë edhe nëpër Slloveni), importon edhe automobila, por jo edhe armë.

Dihet se në relacionin Moskë - Lubjanë ekzistojnë edhe disa probleme ende të pazgjidhura ( para së gjithash sanimi i borxhit nga koha e RFSJ-s), si edhe ajo se diplomatët rusë dhe ata sllovenë gjatë viteve të fundit shpesh kanë këmbyer fjalë të rënda lidhur me politikën ndaj RFJ-së, zgjërimit të Paktit të NATO-s dhe problemeve të ngjashme. Përpos kësaj, në Lubjanë vlerësojnë se Sllovenia nga këndvështrimi rus padyshim është shteti më perëdimorë “ slloven” dhe, sipas të gjitha gjasave, për Moskën shteti më i përshtatshëm për takimin e parë të dy presidentëve në krahasim me të gjithë shtetet tjera në të cilat gjatë qershorit do të qëndrojë presidenti Bush. Me fjalë të tjera - Rusia nuk ka patur zgjedhje më të mirë. Pas Suedisë, Sllovenia ishte obcioni i vetëm. Më në fund është zgjedhur shteti në të cilin turistët rus nëpër kafeteritë në Bovc, Portorozh dhe Piran ( ku qëndrojnë më shpesh) ende mund të porositin pije dhe ushqim në gjuhën e vet dhe kjo me besueshmëri të bazuar se kamarieri do t'i kuptojë fare mirë.

Në marrëdhëniet me SHBA-t afërsitë gjuhësore janë më të pakta, por ato politike më të shumta. “Për mua, por jam i bindur se edhe për Slloveninë në përgjithësi, SHBA-t janë zgjërim i institucioneve dhe vlerave evropiane. Ose, nëse dëshironi, ndoshta edhe e kundërta: Evropën në shumë pikëpamje mund ta shohim si zgjerim të intitucioneve dhe vlerave amerikane,” e përshkroi pikëpamjen e tij për Evropën dhe SHBA-t, në fjalën e tij gjatë vizitës së paradokohëshme në Universitetin e Huardvardit dhe Kembrixhit, ministri slloven i punëve të jashtme Dimitrij Rupel. Prandaj qëndrimet e Sllovenisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit ishin pothuaj identike me qëndrimet e SHBA-ve, ose shpesh janë formuar në përputhje me dëshirat e Uashingtonit zyrtar - gjë që tregon fare qartë afrimin slloven, pastaj tërheqjen nga “Rezoluta për botën pa armatim nuklear” në suazat e OKB-së. Hapi i fundit në këtë drejtim është edhe qëndrimi benevolent i Ministrisë Sllovene të Punëve të jashtme ndaj njohurisë se ambasada e SHBA-ve në Lubjanë parlamentarëve sllovenë u ndanë udhëzime se si do të duhej të silleshin në Kubë. Kjo ndodhi gjatë kongresit të fundit të Unionit Interparlamentar në Havanë.

Tre parlamentarë sllovenë të kombësisë italiane, të udhëzuar si më sipër, përpos kësaj nuk u takuan me disidentët kubanezë. Pjesërisht nga shkaku që nuk ishin të sigurtë se vallë në letrën e ambasadës amerikane ishin emruar “aktivistët për të drejtat e njeriut” dhe pjesërisht për shkak të burgosjes së dy parlamentarëve çekë (Ivan Pilip dhe Jan Bubenik) gjatë një akcioni të ngjashëm para disa muajsh, në organizim të Freed House. Atëherë në vend të protestit të Ministrit slloven të punëve të jashtme ( psh. për shkak të shkeljes së Konventës së Vienës për marrëdhëniet diplomatike) pasoi suspendimi i takimit të paralajmëruar të diplomatëve sllovenë me ministrin kubanez të ekonomisë, në të cilin duhej të bisedohet rreth borxhit kubanez dhe investimeve sllovene në ekonominë kubaneze. Suspendimi i takimit të paralajmëuar pasoi në prak të verifikimit të ardhjes së Bushit në Slloveni.

Edhe pse për shkak të peshës së dallueshme të ngjarjeve përfundimi për tregtinë politike është fort pak i besueshëm, nuk është e pabesueshme, ndërkaq, se bëhet fjalë për ngjarje të ndërsjella dhe të kushtëzuara. Sidoqoftë, në fund të qershorit të këtij viti Lubjana do të jetë qyteti i një takimi të tillë që ajo nuk e ka përjetuar plot 180 vjet. Ngjarja e vetme e një madhështie të ngjashme, që është e lidhur me emrin e Lubjanës ( “Laibach” i atëhershëm në Austro-Hungari), dhe që është shënuar në historinë e diplomacisë botërore, është kongresi i Aleansës së shenjtë, i vitit të hershëm 1821.

AIM Ljuljan

IGOR MEKINA