Prishtinë: rrënjët e konfliktit në Maqedoni!
Prishtinë, 22.05.2001.
Në kohën kur shpërthyen konfliktet në rrethinën e Tetovës, Maqedonia dhe pozita e shqiptarëve të atjeshëm ishin temë mbi të gjitha temat në preokupimet e politikës dhe të opinionit shqiptar të Kosovës. Këtu vlerësohet se konfliktet në rrethinën e Kumanovës janë territorialisht më të gjera, ndoshta edhe më të ashpra dhe, padyshim, me pasoja shumë më të mëdha negative për njerëzit dhe pasuritë e tyre materiale. Njëherësh, nuk mund të thuhet ende se a kanë hyrë konfrontimet e armatosura në binarë të qetësimit, kurse shkaqet e konfliktit në rrugë të kërkimit të zgjidhjeve politike. Megjithatë, ka një kohë që Maqedonia dhe shqiptarët nuk janë më çdo ditë temë e parë e preokupimeve politike kosovare. Por, mediat bëjnë përpjekje të mëdha ta mbajnë lart nivelin e aktualitetit. Partitë dhe liderët e tyre mjaftohen t'i ripërsërisin herë pas here apelet drejtuar kryengritësve shqiptarë që t'i lënë armët. Njëherësh, nga regjimi maqedonas kërkojnë të heqë dorë nga zgjidhja me forcë e problemeve reale që i shtrojnë shqiptarët e atjeshëm. Akuzat e Shkupit për agresion nga Kosova ata i konsiderojnë joserioze, si përpjekje për t'i fshehur rrënjët e brendshme të krizës maqedonase.
Prania shumë më e vogël e kësaj teme në angazhimet publike të politikanëve dhe të partive kosovare, nuk do të thotë se janë zvogëluar preokupimet e njerëzve për fatin e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës. Këtë e dëshmon pritja e refugjatëve të atyre viseve në Kosovë. Në Kosovë duhet të ketë rreth 30 mijë refugjatë dhe mund të thuhet se të gjithë jetojnë në familjet kosovare. Ndihma e organizatave të Kryqit të Kuq, të Komesariatit për Refugjatë dhe të tjera humanitare është minimale dhe refugjatët jetojnë si anëtarë të familjeve kosovare. Kjo pritje vetëm pjesërisht mund të shpjegohet me pritjen që ua bënë kosovarëve, në pranverën e vitit 1999, familjet shqiptare në Maqedoni. Lidhjet ndërshqiptare kanë rrënjë shumë më të forta dhe më të thella. Prania e zvogëluar e angazhimeve politike kosovare për ngjarjet në Maqedoni dhe për fatin e shqiptarëve të atjeshëm duhet të shpjegohet si rrjedhë racionale në kontekstin e qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe të preokupimit me tema të nxehta, kryesisht kosovare, që u imponuan gjatë kësaj pranvere. Fjala është kryesisht për angazhimet në hartimin e Kornizës Kushtetuese që kryeadministratori i Kosovës, Hans Hakerup e shpalli kah gjysma e majit. Gjithashtu, partitë kosovare dhe liderët e tyre janë të vetëdijshëm se nuk mund të ndikojnë për zgjidhjen pozitive të kërkesave të shqiptarëve të atjeshëm. Pas luftës në Kosovë, kosovarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk duan konflikte ku mund ta pësojnë shqiptarët, aq më pak rreth Kosovës. Përkundër këtij disponimi dhe ndjenjave të përziera që mund të përcillen edhe me dyshime, ata kryesisht patën dhe kanë mirëkupim për angazhimin e segmenteve të atjeshme shqiptare që, pas përpjekjeve të pafrytshme dhjetëvjeçare të partive politike shqiptare, më në fund, me armë të imponojnë një agjendë serioze për zgjidhjen e kërkesave shqiptare.
Këtu konsiderohen absurde qëndrimet e ripërsëritura të Shkupit zyrtar për agresion nga Kosova dhe për eksport të konfliktit. Thuhet se nuk kanë asnjë mbështetje pohimet se Kosova është qendër prej ku udhëhiqet kryengritja në Maqedoni dhe pretendimet se rolin e qendrës e luajnë partitë shqiptare të Kosovës. Thjesht, gjërat e tilla në Kosovën e sotme janë të pamundshme. Pushtetin në Kosovë e kanë administrata e OKB-së dhe KFOR-i , çka mund të thotë se akuzat që i drejtohen Kosovës, në fakt, qëllojnë ose janë kritika në adresë të këtyre organizmave ndërkombëtare. Jo njëherë UNMIK-u dhe KFOR-i i kanë hedhur poshtë këto pretendime të Shkupit zyrtar. Njësoj është i pamundshëm edhe angazhimi eventual i partive politike shqiptare. Të gjitha ato, e sidomos tri partitë më të mëdha dhe liderët e tyre, janë nën një mbikëqyrje të rreptë të administratës ndërkombëtare dhe të shërbimeve të shumta të zbulimit, sidomos të fuqive të mëdha që marrin pjesë në administrimin civil dhe ushtarak të Kosovës. Nuk ka mundësi të mos zbulohen aktivitetet e tilla dhe asnjë parti, ndoshta edhe për shkak se veprimet e saj do të zbuloheshin, nuk do të lejonte që me aktivitete të tilla ta rrezikojë ekzistimin e vet. E njëjta gjë vlen edhe për akuzat në adresë të TMK-së (Trupat Mbrojtëse të Kosovës).
Çështje tjetër është angazhimi i individëve ose grupeve të ndryshme të shqiptarëve të Kosovës. Inkuadrimi i tyre i drejtpërdrejtë ose i tërthortë në ngjarjet në Maqedoni është çështje e zgjedhjes personale. Mund të supozohet se pjesa dërmuese e kosovarëve janë angazhuar për shkak të bindjeve politike ose ndjenjave patriotike. Prandaj, pa marrë parasysh vlersimin politik dhe pasojat e angazhimit të tyre, në opinionin e këtushëm mbizotëron qëndrimi se nuk arrihet gjë në qoftë se ata shpallen terroristë, vrasës ordinerë, kriminelë. Kualifikimet e këtilla mund të bëhen shumë të dëmshme, thonë analistët e këtushëm, edhe po t'u mvishen qindra dhe mijëra njerëzve, të cilët si shtetas dhe qytetarë të Maqedonisë ndoshta nuk do të kenë zgjidhje tjetër pos të jetojnë dhe ta gjejnë veten në atë shtet. Shumë prej tyre kanë kaluar nëpër burgjet maqedonase dhe jugosllave si të burgosur politikë dhe duhet të supozohet se nuk do t'i dorëzohen lehtë pushtetit maqedonas që nuk i besojnë dhe, sa për sjelljet ndaj shqiptarëve, e konsiderojnë identik me pushtetet e dikurshme.
Me këto vlerësime nuk mohohen supozimet se në ngjarjet e tashme në Maqedoni nuk ka të angazhuar nga Kosova edhe për përfitime materiale. Kontrabandimi i armëve duhet të jetë më i levërdishmi. Por, përfitime mund të sjellin edhe cigaret, kafeja dhe nafta me derivatet e saj. Pasi është fjala për trojet ku jetojnë shqiptarët, me arsye mund të supozohet se shumica e kontrabandistëve janë shqiptarë. Por, duhet të besohet ose, madje të konkludohet, se mazën e marrin të tjerët. Përgjithësisht është e njohur se krimi (i organizuar) nuk ka ngjyrë kombëtare. Pastaj, duhet të thuhet se kanalet e kontrabandës në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare janë krijuar afërsisht para dhjetë vjetëve. Ato nuk mbyllen në viset shqiptare, por janë të hapura në të gjitha drejtimet. Në krijimin e atyre kanaleve kanë marrë pjesë edhe maqedonas, serbë dhe të tjerë, kurse për shkak të levërdive ekonomike kontrabandën e kanë toleruar, kurse në periudha të caktuara e kanë stimuluar, edhe pushtetet në Shkup dhe në Beograd.
Në luftën e Kosovës morën pjesë edhe shumë luftëtarë, shqiptarë shtetas dhe qytetarë të Maqedonisë. Një numër i tyre u kthyen dhe duhet të supozohet se, së paku, ata duhet të përbëjnë bërthamën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) të shqiptarëve të Maqedonisë. Në këtë pikëpamje rasti më i ri dhe më i njohur është gjenerali Gëzim Ostreni, pjesëmarrës i luftës në Kosovë dhe pas luftës në pozitë të lartë edhe në TMK. Gjeneral Ostreni, tash komandant i UÇK-së, është nga qyteza Dibër, e banuar me shqiptarë që gjendet në Maqedoninë perëndimore. Ai ishte oficer i ish Armatës Popullore Jugosllave dhe, në kohën e shpërbërjes të ish Jugosllavisë, mori pjesë në anën e kroatëve dhe të boshnjakëve në luftërat e tyre kundër serbëve. Afërsisht të njëjta janë edhe rastet e Ali Ahmetit dhe të Fazli Veliut. Ata janë nga qyteza e Kërçovës, e banuar kryesisht me shqiptarë që po ashtu gjendet në Maqedoninë perëndimore. Nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në luftën e Kosovës, por bëjnë pjesë në radhët e ideatorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të udhëheqësve për sigurimin e përkrahjes politike, diplomatike dhe financiare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ali Ahmeti është tash përfaqësues politik i UÇK-së të shqiptarëve të Maqedonisë. Një rol të ngjashëm, pa ndonjë pozitë të përcaktuar, e ka edhe Fazli Veliu.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI