Korniza kushtetuese e Kosovës - të pakënaqur edhe shqiptarët edhe serbët!

Pristina May 24, 2001

Prishtinë, 22.05.2001.

Kosova nuk do të ketë kushtetutë, të paktën jo për aq kohë sa qeveriset nga autoritetet e Kombeve të Bashkuara. Në vend të kushteteutës ajo "fitoi" një "Kornizë Kushtetuese" e cila u nënshkrua si një rregullore e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Shefi i këtij misioni, ish ministri danez i mbrojtjes, Hans Haekkerup, menjëherë pas kthimit nga selia e Kombeve të Bashkuara në New York mblodhi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës dhe më shume se të këshillohej, ai me ta diskutoi për vendimin tashmë të prerë se "Kosova do të ketë një kornizë kushtetuese, e cila i siguron asaj një autonomi substanciale siç është paraparë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara". Po të njëjtën ditë ai publikoi nëpërmjet të gjitha mediave që funksionojnë në Kosovë përmbajtjen e dokumentit dhe shpalli datën e zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat do të mbahen më 17 nëntor të këtij viti. Korniza kushtetuese nuk përfshin të drejtën e popullit të Kosovës për të mbajtur një referendum në fund të përiudhës kalimtare me të cilin do të përcaktohej statusi i ardhshëm politik i Kosovës. Ndonëse tashmë dihej një qëndrim i tillë, megjithatë lajmi plasi si "bombë" në mesin e qytetarëve, ndërsa duket se e thelloi mosunitetin "kronik" të liderëve shqiptarë. Një konferencë me gazetarë të organizuar nga administratori Haekkerup dhe tre liderët kryesorë të shqiptarëve, Ibrahim Rugova i Lidhjes Demokratike, Hashim Thaçi i Partisë Demokratike dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, u përshkua me tone të rrepta polemizuese, deklarata të ashpra, kryesisht ndërmjet liderëve shqiptarë. Ndonëse dy prej tyre, Ibrahim Rugova dhe Ramush Haradinaj, i shprehën rezervat e tyre, megjithatë u pajtuan me dokumentin kushtetues "për hir të procesit politik që duhet të vazhdojë më tej". Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, e kundërshtoi dokumentin, i cili nuk përfshin në vete të drejtën për referendum. Ai shkoi edhe më tej duke theksuar se "ky dokument u miratua së pari në Beograd e më pastaj në New York, për t'u kthyer në Prishtinë ku, siç tha, u miratua nga dy përfaqësuesit shqiptarë dhe ajo e komunitetit serb". Zoti Haekkerup i hodhi poshtë pohimet se "dokumenti është miratuar në Beograd", ndërsa dy liderët tjerë shqiptarë thanë se "pohimet e zotit Thaçi shënojnë fillimin e fushatës parazgjedhore". Polemikat u bartën edhe tek ithtarët e tyre partiakë, të cilët filluan akuzat dhe kundërakuzat në të cilat ranë edhe fjalë të rënda, ku ata që e përkrahnin hapur dokuementin kritikoheshin për mospërkrahje të pavarësisë së Kosovës, ndërsa të dytët akuzonin kundërshtarët për "folklorizëm politik". Disa përpjekje të grupeve të studentëve dhe të shoqatave, të afërta me ish strukturat e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, për organizimin e protestave dështuan për shkak të pjesëmarrjes së vogël të qytetarëve.

Sidoqoftë, partitë politike shqiptare, megjithë rezervat e kundërshtimet, thanë se nuk do ta pengojnë procesin e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme, duke theksuar se ishte pikërisht çështja e zgjedhjeve ajo që i "detyroi" ata të pajtohen me kornizën kushtetuese. Nënshkrimi i saj si "rregullore" e Misionit të Kombeve të Bashkuara u arsyetua si "e vetmja mundësi për miratimin e dokumentit, meqë siç u shpreh administratori i Kombeve të Bashkuara, Hans Haekkerup, "çdo gjë në Kosovë funksionon në bazë të rregulloreve, meqë kjo është rruga e vetme e përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara". Mirëpo, megjithë arsyetimin e tillë, duket se "rregullorja" ishte një lloj kompromisi ndërmjet autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre vendore për të shpëtuar situatën dhe për të arsyetuar "dështimet e liderëve dhe të ekspertëve kosovarë". Dhe, "dështimet" nuk janë të vogla. Sipas dokumentit, Kosova do të ketë parlamentin, qeverinë, kryetarin e saj, gjykatën supreme, por nuk do të ketë gjykatë kushtetuese, Trupat Mbrojtëse të Kosovës nuk kanë fituar ndonjë status të veçantë (që do ta avansonte pozitën e tyre të tashme), ndërsa nuk ka as referendum. Haekkerup tha se gjatë vizitës së tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara "nuk ka gjetur askë nga bashkësia ndërkombëtare që të përkrahë përfshirjen e referendumit në dokumentin kushtetues". Mirëpo, ai u përpoq të zbusë pakënaqësinë e kosovarëve duke theksuar se "vullneti i popullit" është përfshirë në tekstin e dokumentit si një nga elementet për zgjidhjen e statusit politik përfundimtar të Kosovës. Por, kjo nuk mjafton për përfaqësuesit shqiptarë, të cilët kanë shpresuar se kjo e drejtë do t'u njihet gjithsesi edhe për shkak se ajo ishte përfshirë në dokumentin përfundimtar të Konferencës së Rambouilletit, të cilës i referohet edhe Rezoluta 1244 e aprovuar në prag të përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë jugosllave.

Diskutimet publike rreth dokumentit u bënë tepër të ashpra, përkundër faktit se ato nuk ishin aq të rrepta para miratimit të tij. Dokumenti u kundërshtua rreptë edhe nga përfaqësuesit e komunitetit serb, të cilët pohuan se "Hans Haekkerup po e drejton Kosovën drejt pavarësisë". Përfaqësuesit e serbëve e akuzuan zotin Haekkerup se ka "injoruar të gjitha propozimet e tyre". Por, zoti Haekkerup tha se midis kërkesave të shqiptarëve që nuk u pranuan dhe kërkesës se serbëve për të drejtën e vetos u desh një barazpeshë. Serbët, tha ai, do të kenë dhjetë vende në parlamentin e Kosovës, ku 100 vende do të zgjedhen në procesin e zgjedhjeve me sistemin proporcional, ndërsa edhe dhjetë vende të tjera do t'u lihen në dispozicion pakicave të tjera kombëtare. Të pakënaqur, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës paralajëmruan veprime më radikale, madje edhe "zgjedhjen e presidentit të tyre si dhe organzimave të tjerë shtetërorë". Nuk vonoi shumë dhe nga Beogradi pasoi në një mënyrë "bekimi" i kërkesave të tilla në formë të propozimit të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Nebojsha Çoviq, se "çështja e Kosovës mund të zgjidhet me ndarjen e saj në dy entitete, shqiptar dhe serb".

"Pas miratimit të kornizës kushtetuese të Kosovës pushtetarët jugosllavë duhet të ushtrojnë një aksion të rreptë diplomatik për të zbutur efektet e dëmshme për serbët e Kosovës", ka theksuar ndërkaq avokati Aleksandër Simiq, anëtar i grupit punues të ekspertëve për hartimin e dokumentit kushtetues.

Të dyja palët ankohen për efekte të dëmshme të dokumentit në realizimin e aspiratave të tyre, ndërkaq qëndrimet janë të ndara edhe sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit të këtij viti. Shqiptarët pohojnë se nëpërmjet zgjedhjeve mund të kompensojnë humbjet e tyre të shkaktuara me dokumentin kushtetues, ndërsa serbët kanë frikë se po të dalin në zgjedhje mund të ndihmojnë "pavarësimin e Kosovës", dhe ky është gogoli me të cilin liderët e tyre i mbajnë ata larg nga integrimi në strukturat e përbashkëta administrative.

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA