Ideja për ndarjen e Kosovës - asgjë e re!

Pristina May 23, 2001

Prishtinë, 21.05.2001.

Propozimi i zyrtarit të lartë serb, Nebojša Çoviq për ndarjen e Kosovës në dy entitete politike dhe kombëtare nuk është risi në qasjet serbe ndaj problemit të Kosovës. Me projekte të tilla janë paraqitur shumë njerëz të mendjes dhe të politikës serbe, ndër të cilët vlen të përmenden "babai shpirtëror i kombit serb", shkrimtari dhe politikani, Dobrica Qosiq dhe dikur kryetari i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Aleksandër Despiq.

Synimet dhe argumentet janë kryesisht identike. Ndryshon vetëm konteksti i rrethanave. Argumentet më të reja serbe për ndarjen, kantonizimin, enklavizimin. e Kosovës sillen rreth dy shtyllave që serbët i konsiderojnë vendimtare: të drejtës historike serbe dhe të drejtës entike ose demografike shqiptare. Saktësimi "argumentet më të reja" duhet të bëhet për arsye se e drejta etnike-demografike e shqiptarëve një kohë të gjatë është mohuar. Kosova është trajtuar vetëm si njëri nga rajonet e shumta serbe ku duhet të sundojë populli shtetformues serb. Duhet të pritet që, në të ardhmen, pretendimet serbe ndaj Kosovës do të përqendrohen në të drejtën historike, çka do të thotë se definitivisht do të pranohet edhe e drejta e shqiptarëve.

Mbështeje e parë e kësaj qasjeje duhet të jenë objektet e vjetra fetare serbe në Kosovë. Por, dekadave të fundit, janë shfaqur mendime me pretendime shkencore se disa nga ato objekte fetare mund të mos jenë serbe. Këtu bëjnë pjesë edhe objekte, si Manastiri i Deçanit, që serbët i konsiderojnë kulte shpirtërore të dorës së parë. Thuhet se disa nga ato objekte fillimisht janë ndërtuar nga kisha të tjera, kurse, më vonë, me adaptime të caktuara, sunduesit serbë i kanë shndërruar në objekte të shenjta të kishës ortodokse serbe. E drejta historike do të mbështetet edhe në të dhëna të pavërtetuara ose të mitologjizuara serbe për shumicë serbe në Kosovë para sundimit të Perandorisë Turke. Shpjegohet se shumica është tretur, sidomos pas ekzodeve masive serbe në shekujt 17 dhe 18. Shkencëtarë shqiptarë dhe të huaj konsiderojnë se para depërtimit të Perandorisë Turke nuk ka pasur një shumicë të popullatës serbe, së paku jo aq sa pretendojnë shkenca dhe kujtesa historike serbe. Këta nuk i kontestojnë ngjarjet historike dhe lëvizjet e caktuara të popullsisë serbe, por mohojnë të kenë ndodhur ekzode masive.

Sipas ithtarëve serbë të ideve për ndarjen e Kosovës, realizimi i të drejtës historike serbe dhe i të drejtës etnike shqiptare nuk mund të arrihet ndryshe, përveç se me përcaktimin e vijave të brendshme ndarëse. Por, kur këto ide pastrohen nga lustrat diplomatike dhe dekoret propagandistike, del qartë se është fjala për copëtim territorial. Në Beograd konsiderohet se vetëm kështu mund të arrihet zgjidhja definitive e çështjes së Kosovës. Por, konsiderohet këtu, idenë e copëtimit politikanët dhe shkencëtarët do ta përkrahnin vetëm atëherë kur me kantonizime, enklavizime, politikë, diplomaci dhe të ngjashme nuk do të mund të sigurohej mbetja e Kosovës nën jurisdiksionin politik, territorial dhe shtetëror të Serbisë. Nga këndi shqiptar nuk duket se ajo kohë është afër.

Çoviqi nuk propozon diçka që thelbësisht do të ndryshonte nga idetë e deritashme serbe. Tërthorazi, e pranon këtë duke shpjeguar se idenë e mbështet në shkencë dhe në përvojat historike. Në mbledhjen e paradokohshme ndërkombëtare të Beogradit për çështjet e sigurisë së Ballkanit në fillim të këtij shekulli, ku e dha propozimin, tha se atë e paraqet duke u nisur nga pamundësia e zgjidhjes tjetërfare të problemit kosovar në kohën kur duhet të përshpejtohen integrimet ballkanike dhe evropiane. Sipas tij, entiteti serb do t'i merrte territoret ku gjenden objektet fetare dhe kulturore serbe, kuptohet, edhe ato ku serbët janë ose do të bëhen shumicë. Çoviqi nuk bën saktësime territoriale, por është përgjithësisht e njohur se serbët e Kosovës dhe Beogradi presin të formojnë shumica të reja pas kthimit të atyre që janë larguar nga Kosova në ditët e përfundimit të luftës. Shqiptarët do t 'i merrnin territoret ku jetojnë me shumicë të madhe. Në plan nuk ka as aluzione për zhvendosje të njerëzve as për shkëmbime territoriale, brenda ose rreth Kosovës.

Çoviqi sugjeron se edhe shqiptarët edhe serbët duhet të heqin dorë nga kërkesat maksimaliste se Kosova është vetëm e njërës palë dhe se kompromisi nuk mund të shtyhet gjer në pakufi. Mospranimi i kompromisit do ta zgjaste gjendjen e konfikteve dhe të konfrontimeve, të cilat sipas tij do t'u shkaktonin dëme të mëdha të dyja palëve. Parasheh që entitetin serb ta mbrojnë forcat ushtarake dhe policore të Jugosllavisë, kurse entiteti shqiptar do të ishte nën mbrojtjen e një trupe paqësore ndërkombëtare. Njësitet kufitare të forcave jugosllave dhe të trupave paqësore do të kujdeseshin për pengim të rreptë të kapërcimeve nga një entitet në tjetrin dhe për pengimin e ndërhyrjeve të tjera në Kosovë. Çoviqi i ofron entitetit shqiptar një shkallë më të lartë të autonomisë nën mbrojtjen ndërkombëtare. Ideja e autonomisë është e paqartë, ndoshta edhe për arsye që t'i lihet kohës të vërtetojë se ndarja e Kosovës është e pashmangshme. Në qoftë se brenda Kosovës do të kishte aq shumë përkufizime, izolime nga fqinjët dhe aq shumë uniforma ushtarake dhe policore për një kohë të gjatë, nuk është e qartë, megjithatë, se si ajo do të inkuadrohej në integrimet e përshpejtuara ballkanike dhe evropiane.

Propozimi i Çoviqit vjen në një periudhë kur Beogradi zyrtar konsideron se, përkundër hamendjeve dhe paqartësive, duhet të ketë filluar rruga e kërkimit të profilit të Kosovës, që mund të shpiejë drejt pavarësisë së saj. Propozimi vjen pas gjasave për përfundimin e konflikteve në Luginën e Preshevës dhe presioneve për të filluar kërkimin sa më të shpejtë të një zgjidhjeje për Maqedoninë. Forcat serbe e granatuan para disa ditësh fshatin shqiptar Vaksincë, brenda Maqedonisë, që gjatë konflikteve në atë vend u granatua intensivisht nga forcat maqedonase. Ka supozime edhe për ndërhyrje të tjera të tërthorta ose të drejtpërdrejta të Beogradit në Maqedoni. Nuk duhet të jenë këto vetëm realizim i thjeshtë i bashkëpunimit të proklamuar nga kryeministrat Georgievski dhe Gjingjiq kundër armikut të përbashkët - shqiptarëve.

Ofrimi i modelit të Bosnjës për Kosovën duhet të shpjegohet si përpjekje për frenimin e rrjedhave qetësuese në Kosovë dhe rreth saj. "Por, pse të mos nxirret diçka nga rënia e madhe e rejtingut politik të shqiptarëve dhe nga suksesi i propagandës që serbët e Kosovës të trajtohen viktimë kolektive e gjenocidit që gjoja e ushtrojnë shqiptarët mbi ta?" Shpjegimet e këtilla janë mbizotëruese në opinionin e këtushëm. Në to theksohet se Beogradi po përpiqet ta çojë përpara idenë e një konference ndërkombëtare për Ballkanin. Qëllimi nuk është i nxitur nga dëshira për avansimin e paqes, siç mund të prezentohet në opinion. Në fakt, synohet të shfrytëzohen simpatitë e krijuara në botë ndaj Beogradit dhe, njëherësh, presionet dhe kërcënimet e tashme ndërkombëtare ndaj shqiptarëve.

Çkado të thuhet në luftën propagandistike dhe diplomatike, në opinionin e këtushëm theksohet si pakontestueshëm fakti se në Kosovë nuk ka pasur as përpjekje për gjenocid mbi serbët dhe as që ata janë bërë viktimë kolektive e hakmarrjes shqiptare. Megjithatë, askush nuk pohon se pozita e tashme e serbëve në Kosovë është e pranueshme. Por, hedhen poshtë pohimet me të cilat manipulon propaganda serbe dhe shumë media të tjera. Kontestohen edhe të dhënat serbe se gjatë periudhës së kaluar gati dyvjeçare, që nga hyrja e KFOR-it, janë vrarë deri 600 serbë, janë grabitur disa qindra dhe janë zhdukur deri një mijë të tjerë. Pranohet se në Kosovë ka dukuri të tilla, sikurse edhe ndaj të tjerëve, por stërmadhimi është jashtë çdo logjike. Pohohet se ka mjaft të dhëna zyrtare që tregojnë se shifrat serbe nuk janë të vërteta. Ilustrim kryesor për gjoja gjenocid merret dëbimi i gjoja 200 mijë serbëve në periudhën pas hyrjes së trupave të KFOR-it. Por, sipas statistikave serbe në fillim të luftës nuk ka pasur aq serbë në gjithë Kosovën. Pastaj, pranohet supozimi se në Kosovë duhet të ketë deri 100 mijë serbë, çka do të thotë se nga Kosova kanë mundur të ikin vetëm afër 100 mijë serbë.

Në të vërtetë, theksohet se çdo njeri i paanshëm që ka ndjekur zhvillimin e ngjarjeve para dhe gjatë luftës, sidomos në ditët dhe në javët e para të hyrjes së KFOR-it, ka mundur të konstatojë se as që mund të flitet për gjenocid. Pushteti serb ka bërë përpjekje, por nuk ka mundur t'i ndalojë dhe t'i fshehë largimet e serbëve, sidomos të fëmijëve dhe të grave para dhe gjatë luftës. Në ditët e hyrjes së KFOR-it vendbanimet shqiptare, qytetet dhe fshatrat kanë qenë të zbrazëta, kurse UÇK-ja kryesisht në male dhe gjithsesi shumë larg vendbanimeve serbe. Thjesht, nuk kishte njerëz-shqiptarë, të cilët do t'i dëbonin serbët. Serbët largoheshin në kolona të gjata bashkë me ushtarët, policët dhe paramilitarët e vet ose përqendroheshin në enklava që menjëherë u gjetën nën mbrojtjen e KFOR-it. Serbët e braktisnin Kosovën, por jo nga presioni i shqiptarëve. Ata iknin për shkak të frikës nga hakmarrja shqiptare dhe përgjegjësia për atë çka u kishin bërë deri atëherë fqinjëve të tyre shqiptarë. Prandaj, analistët e këtushëm pohojnë se serbët nuk janë viktima të shqiptarëve, por viktima të politikës brutale kolonialiste të Beogradit që ata e përkrahën politikisht dhe me armë. Në javët e mëvonshme, pas hyrjes së KFOR-it, largimet e popullsisë serbe nga Kosova kanë qenë fare të vogla. Ky konstatim nuk e zvogëlon aspak përgjegjësinë e individëve ose grupeve shqiptare ekstremiste për aksionet e tyre kundër serbëve. Por, në këto raste pësimet dhe largimet kanë qenë kryesisht individuale.

Reagimet shqiptare ndaj propozimeve të Çoviqit ishin të shkurtra, të ashpra dhe me formulime gati identike. Thuhet se Çoviqi vërteton edhe një herë se nga Beogradi nuk mund të priten ide konstruktive për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Shpjegohet se, së paku, kur është fjala për Kosovën, në Beograd nuk janë bërë ndryshime që do ta ndihmonin qetësimin e Ballkanit. Konstatohet se idetë e këtilla dhe të ngjashme vërtetojnë se Beogradi e vazhdon, me mjete të tjera, politikën e regjimit të Millosheviqit. Presionet dhe kërcënimet nuk përcillen më me përdorim masiv të armëve. Përparësi u jepet mjeteve politike dhe diplomatike që konsiderohen më të përshtatshme për arritjen e objektivave të njëjta. Në reagimet e ndryshme vërehet supozimi se përqendrimi i serbëve në enklava është bërë për realizimin e planeve të tilla, e jo për shkak të mbrojtjes nga presionet e shqiptarëve. Në të vërtetë, ekstremistët shqiptarë u dhanë atyre argumente për ta fshehur qëllimin e vërtetë të enklavizimit. Është thënë, po ashtu, se Beogradi përpiqet ta shfrytëzojë përkëdheljen e Perëndimit, i cili tash gjoja duket të jetë penduar për shkak të intervenimit në Kosovë dhe i gatshëm t'ua kthejë serbëve atë që mund t'u kthehet në rrethanat e reja të krijuara pas interevenimit të NATO-s.

Reagimet e UNMIK-ut ishin edhe më të shkurtra. Bashkëpunëtorë të kryeadministratorit kanë thënë se ndarja e Kosovës është e pamundshme, pasi unitetin e saj e garanton Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Edhe reagimet e segmenteve politike serbe kanë qenë negative, përveç reagimit të Rada Trajkoviq, e cila e ka përshëndetur idenë e Çoviqit duke theksuar se është mirë që një ide e tillë ka ardhur nga një vend aq i lartë zyrtar i Beogradit. Ndërkaq, përfaqësuesi i Komitetit Jugosllav për Kosovën, Momçillo Trajkoviq, dhe njëri nga liderët e serbëve të Kosovës Veriore, Oliver Ivanoviq, kanë thënë se propozimi i Çoviqit nuk zgjidh gjë, por vetëm mund t'i ashpërsojë tensionet ekzistuese në Kosovë.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI