Preshevë - fundi i luftës?
Prishtinë, 20.05.2001.
Për katër ditë me radhë luftëtarët shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit u përleshën dëshpërueshëm me forcat qeveritare serbe. Në ditën e katërt ata u tërhoqën nga një fshat rreth 2 kilometra afër Preshevës, duke u lënë rrugë të hapur forcave qeveritare që të rikthejnë kontrollin në një territor të cilin e kishin "humbur" përkohësisht. Bilanci i luftimeve katërditëshe ishte i përgjakshëm. Luftëtarët shqiptarë thanë se kanë humbur shtatë ushtarë, ndërsa në mesin e të vrarëve ishte edhe një civil. Trupat qeveritare pas hyrjes në fshat thanë se "janë vrarë 14 kryengritës shqiptarë", ndërsa pohuan të kishin gjetur tri varreza të freskëta dhe një kufomë të paidentifikuar. As pohimet e njërës e as palës tjetër nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura të informimit. Derisa forcat serbe po hynin sërish në fshatin Rahovicë, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë Komesariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) po numëronte mijëra njerëz të zhvendosur që po hynin në Kosovë të tmerruar nga luftimet ndër më të rreptat që nga fillimi i konfliktit në këtë zonë. Zyrtarët e këtij komesariati thanë se skenat e tilla mund të bëhen të përditshme dhe shumë më të rënda nëse trupat jugosllave hyjnë në "sektorin B (BRAVO) të zonës së sigurisë tokësore". Zona e sigurisë është vendosur në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të luftës së Kosovës, si një tampon zonë ndërmjet forcave jugosllave dhe forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë (KFOR). Në muajin shkurt të vitit 2001, kur guerilët shqiptarë filluan konfliktin në Maqedoni, NATO mori vendimin të "lejojë trupat jugosllave të rikthehen në zonën e sigurisë hap pas hapi". Hapi i fundit mbeti sektori B (BRAVO), ku edhe operojnë guerilët shqiptarë që veten e quajnë Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Këshilli i NATO-s vendosi përfundimisht që të lejojë kthimin e forcave jugosllave në këtë sektor, ndërsa vendimi u mor pikërisht në kulmin e luftimeve në rrethinën e Preshevës. Përfaqësuesit shqiptarë thanë se këto luftime ishin dëshmi se çfarë mund të ndodhë me kthimin e forcave jugosllave. Agjencitë humanitare, ndërkaq, alarmuan se "kthimi pa vendosjen e masave te mirëbesimit mund të ketë pasoja shumë të rënda humanitare".
Megjithatë, këto nuk bënë punë. Këshilli i Aleancës Veriatlantike vendosi të lejojë kthimin dhe ia kaloi çështjen komandantit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralit norvegjez Torstein Skiaker. Ky i fundit ishte i prerë. Trupat jugosllave do të fillojnë procesin e kthimit në këtë sektor sipas parashikimeve, më 24 maj. Gjenerali norvegjez tha se duke pasur parasysh të kaluarën e afërt, ai e kupton shqetësimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por edhe të shqiptarëve të Kosovës rreth kësaj çështjeje. Mirëpo, ai u përpoq të zbutë dronë e shqiptarëve me faktin se "në Beograd tashmë ekziston një qeveri e re e përkushtuar që të normalizojë situatën dhe të fillojë dialogun ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës". KFOR-i tha se pret nga autoritetet jugosllave që të zbatojnë me efektivitet të gjitha masat që i kanë premtuar për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve në Serbinë Jugore. Paqeruajtësit ndërkombëtarë në Kosovë thanë se kthimi i forcave jugosllave në sektorin B do të realizohet nëpërmjet planit të aprovuar nga vetë komandanti i tyre dhe ata (jugosllavët) janë të obliguar t 'i përmbahen këtij plani dhe autoritetet serbe do të japin llogari për këtë. Komandanti i forcave ndërkombëtare tha se Aleanca Veriatlantike dhe komuniteti ndërkombëtar do të vëzhgojnë për së afërmi kthimin e kontrolluar të forcave jugosllave të sigurimit në sektorin B të Zonës Tokësore të Sigurisë.
Mirëpo, "fajin" për këtë vendim të NATO-s zyrtarët ndërkombëtarë ua hodhën luftëtarëve shqiptarë. Komandnati i KFOR-it tha se se disa liderë të shqiptarëve etnikë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të arritur një zgjidhje politike, ndërkohë që të tjerët kanë penguar negociatat rreth kësaj zgjidhjeje duke kryer akte dhune, madje edhe mbi forcat paqeruajtëse. Vendimi i NATO-s, sipas tij, ishte i "domosdoshëm". KFOR-i u bëri thirrje të gjitha grupeve të armatosura që veprojnë në sektorin B që t'i lënë armët dhe të dorëzohen për të shmangur gjakderdhjen e panevojshme dhe humbjen e jetërave. Duke ju drejtuar luftëtarëve shqiptarë që të hedhin armët, ai tha se "përpjekjet për kërkimin e paqes nuk paraqesin zhburrërim". Ushatrët e KFOR-it në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë marrë urdhër që të identifikojnë dhe më pasatj të lirojnë të gjithë ata që lënë armët dhe hyjnë në Kosovë. Mirëpo ky "amnistim" do të zgjasë vetëm deri më 24 maj. Pas kësaj date kushdo nga luftëtarët që provon të hyjë në Kosovë do të arrestohet. KFOR-i pohon se mbi 170 luftëtarë shqiptarë kanë lënë armët dhe u janë dorëzuar paqeruajtësve në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata thanë se në burg do të mbahen vetëm ata për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara se kanë bërë krime të rënda. Por, luftëtarët shqiptarë thanë se kjo "frazë është një lojë fjalësh që lë hapësirë të madhe për manipulime".
Mirëpo, autoritetet ndërkombëtare po nguten shumë për të krijuar parakushtet për, sië thuhet, kthim paqësor të forcave jugosllave në zonën e sigurisë. Për këtë arsye ata nënshkruan një marrëveshje me të dyja palët për çmilitarizimin e fshatrave Lluçan dhe Turi të komunës së Bujanocit. Në mbrëmjen e 17 majit trupat e të dyja palëve po largonin bunkerët, thasët me rërë, për t'u tërhequr në drejtime të kundërta nga këto dy fshatra. Vëshguesit e Bashkimit Evropian dhe ata të NATO-s po qëndronin në mesin e fshatit duke u grindur herë pas here me përfaqësuesit e njërës apo palës tjetër për "cikërrima" që mund të dëmtonin procesin e çmilitarizimit. Fshatarët e Lluçanit, që për gjashtë muaj me radhë nuk kishin guxuar të dilnin në qendër të fshatit, nuk dinin në duhej të ishin të gëzuar apo të pikëlluar. Bashkë me daljen e tyre nga bodrumet, ata po shikonin luftëtarët shqiptarë që së bashku me komandantët e tyre më të lartë po luanin një ndeshje të vogël futbolli mu në qendër të fshatit, si një përshëndetje me njëri-tjetrin. Të gjetur në pozicion shumë të vështirë kur kanë mbetur vetëm pak ditë deri në "fundin e luftës së tyre", liderët e luftëtarëve po bënin "luftë të dëshpëruar në tryezën e bisedimeve për të siguruar që në policinë shumëkombëshe, që do të krijohet në këtë rajon, të përfshihen edhe ushtarët e tyre". Fati i këtyre të fundit nuk dihet. Ndërmjetësuesi i NATO-s për luginën e Preshevës, Pitter Faith, tha se "një pjesë e tyre duan të kthehen në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër do t'i kthehet jetës së përditshme". Por, ata nuk kanë jetë të përditshme, sepse ajo ka marrë fund gati dy vjet më parë kur dolën malit. Ata ndjehen të "sakrifikuar nga bashkësia ndërkombëtare, nga bota demokratike". Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të armatosur thanë se "Lugina e Prshevës" është një problem i pazgjidhur, të cilin bashkësia ndërkombëtare është duke e konservuar me hapat e saj. Kjo, pohojnë ata, do të mbetet një fuçi baroti, e cila mund të shpërthejë sërish. Ata janë të bindur se Lugina është sakrifikuar për "ruajtjen e regjimit të ri në Beograd".
Sidoqoftë, 24 maji është tepër afër, ndërsa problemet në Luginë tepër të mëdha për t'u kapërcyer në kaq pak kohë. Vëzhguesit e këtushëm kanë frikë se barra e tërë kësaj ngutjeje do të bjerë mbi popullatën civile, e cila si gjithmonë do të paguajë më së shtrenjti për luftën që vetë nuk e ka nisur.
AIM Prishtinë, Besnik BALA