Privatizim - por në ç'mënyrë?
Prishtinë, 18.05.2001.
Derisa procesi i ngritjes së institucioneve demokratike, qoftë edhe kontradiktor, jep shpresa për fillime serioze në fushë të transicionit politik, në ekonomi transicioni sillet rreth pikës zero, me tendenca që në disa aspekte të përsëriten anakronizmat e të kaluarës. UNMIK-u nuk ka politikë konsistente ekonomike, përveç mbledhjes së taksave dhe as strategji të zhvillimit. Pas refuzimit të privatizimit dhe të mosuksesit të dhënies me qira, në UNMIK tash manifestohen tendenca që problemi i ish objekteve në pronësi shoqërore të zgjidhet nëpërmjet ringjalljes të rolit të këshillave të punëtorëve të zgjedhur para vitit 1989. Kështu, për arsye politike dhe diplomatike i kthehet një sistemi që nuk ka kurrfarë gjasash të funksionojë pa institucionet e dikurshme të shtetit socialist.
Ekspertë dhe biznesmenë shqiptarë, duke përfshirë edhe zyrtarë që punojnë në administratën e UNMIK-ut tashmë një kohë të gjatë shfaqin qëndrime kritike nda politikës ekonomike dhe masave që i merr administrata ndërkombëtare në fushë të transicionit ekonomik. Këta vlerësojnë se gabim më i madh në këtë pikëpamje është pengimi i privatizimit si rrugë e dëshmuar e transicionit në ish vendet socialiste. Me këtë rast konstatohet se dhënia me qira assesi nuk mund të jetë zëvendësim për privatizimin që pengohet për arsye që nuk kanë lidhje me logjikën ekonomike dhe me perspektivat e zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe politik të Kosovës. Në këtë pikëpamje jepen edhe ide konkrete që lidhen, por shkojnë edhe përtej Letrës së Bardhë të Shtyllës IV të UNMIK-ut që ka detyrë rikonstruktimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Letra e Bardhë ishte një projekt, qëllim kryesor i të cilit ishte shqyrtimi i problemeve dhe, pas miratimit, zbatimi i privatizimit në ekonominë e trashëguar socialiste në Kosovë. Projekti u përgatit gjatë pranverës së vitit të kaluar, por vetëm pas disa muajsh u la anash për shkak të rezistencave brenda UNMIK-ut dhe në selinë e OKB-së në Nju Jork. Heqja dorë nga privatizimi dhe Letra e Bardhë ishte një zhgënjim për kosovarët që merren me çështjet e transicionit ekonomik. Por, njëherësh, ekspertët dhe komuniteti shqiptar i biznesit janë të pakënaqur me ngathtësitë për mposhtjen e kontrabandës dhe, sidomos, me politikën joselektive dhe destimuluese doganore dhe tatimore. Si një nga shkaqet e ngecjeve dhe hamendjeve në krijimin e ekonomisë moderne që do të ishte e aftë t'i joshë investimet e huaja dhe të vendit ata i konsiderojnë edhe vonesat në krijimin e institucioneve demokratike publike.
Është interesante të theksohet se me qëndrime të ngjashme ose identike kritike për gjendjen e rrjedhave ekonomike në Kosovë u paraqit, kohë më parë edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizës (International Crisis Group-ICG), qëndrimet e të cilit gëzojnë respekt të madh edhe në radhët e kosovarëve që merren me aspekte të ndryshme të jetës në Kosovë. Në një analizë të ICG-së, të publikuar tash vonë, thuhet se mbeturinat e sistemit të dikurshëm jugosllav nuk janë të përshtatshme për një ekonomi moderne të tregut. Nga ajo analizë mund të konkludohet se statusi i papërcaktuar i Kosovës gjithsesi ka ndikuar që për zgjidhjen e problemeve të Kosovës më shumë të shihet kah e kaluara se sa kah e ardhshmja. Dilemat, e sidomos vonesat në vendosjen e institucioneve të rregullta të sistemit ekonomik, konstatohet në analizë i kanë dhënë krah lulëzimit të ekonomisë së zezë që është nxitëse e madhe e dhunës dhe e korrupsionit, të cilat e çrregullojnë jetën politike, ekonomike dhe sociale të Kosovës.
Ashtu si edhe ekspertët shqiptarë, edhe ICG konstaton se dhënia me qira ndoshta mund të zbatohet vetëm në raste të kufizuara kur investuesit besojnë se mund të fitojnë për një kohë relativisht të shkurtër. Por, në afat të gjatë kjo skemë nuk mund të jetë mbështetje për arritje dhe rikonstruktime afatgjate ekonomike. Prandaj, angazhohet për rrugë më kreative të privatizimit dhe të stimulimeve ekonomike që sjell privatizimi. Këtu nuk përjashtohet as qasja më radikale sipas së cilës pasuritë e dikurshme që, para ndryshimeve ilegale kushtetuese të Milosheviqit i kanë takuar ish Krahinës Autonome të Kosovë, t'i takojnë Kosovës së tashme autonome. Edhe ICG angazhohet për masa të ngutshme në këtë pikëpamje, sidomos për zgjidhjen e problemit të ish objekteve në pronësi shoqërore që kanë gjasa të inkuadrohen në ekonominë moderne të tregut. "Qeverisja e transicionit të Kosovës, thuhet në analizën e ICG-së, nga socializmi në një sistem të tregut është detyrë e prioritetit më të lartë të politikës ekonomike. Pa një qasje të tillë të gjitha aspektet tjera të rikonstruktimit do të jenë vetëm masa të përkohshme".
Së paku deri tash, UNMIK-u nuk ka treguar ndonjë sensibilitet të theksuar ndaj kritikave të argumentuara që i drejtohen politikës së tij ekonomike. Madje, në këtë pikëpamje ka tendenca të kthimit prapa në sistemin e ekonomisë socialiste. Vërtet, nuk është marrë ndonjë vendim ligjor në formë të rregulloreve të kryeadministratorit. Por, një vendim të tillë nuk ka pasur as për shpalljen e tenderëve për dhënien me qira të ish objekteve në pronësi shoqërore. Në vend që, pas mossuksesit të politikës së dhënies me qira, të orientohet kah privatizimi si rrugë e dëshmuar e transicionit ekonomik në vendet tjera, UNMIK-u kthehet prapa dhe u ofron kosovarëve një sistem të transformuar ose të cunguar të vetëqeverisjes socialiste.Thuhet se tash do të bëhen përpjekje që ish objektet në pronësi shoqërore të shndërrohen në shoqëri aksionare dhe për këtë arsye duhet të kthehet gjendja para vitit 1989, pra edhe roli i dikurshëm i këshillave të punëtorëve si organe të vetme të qeverisjes me ato objekte. Mbështetja ligjore kërkohet te të ashtuquajturat ligje të aplikueshme të Jugosllavisë socialiste. Por, derisa disa nga këto ligje mund të zbatohen në fushë të ndjekjes së krimit ose për zgjidhjen e disa çështjeve specifike, nuk ka asnjë premisë që të zbatohen në fushë të ekonomisë.
Kjo kthesë, në kohën e tashme i përtriu grindjet e dikurshme me rastin e zgjedhjes të strukturave vetëqeverisëse, duke përfshirë edhe drejtorët. Paraqiten sindikatat në profilin dhe rolin e dikurshëm, komunat ose, më mirë të themi, partia sunduese në komunë bën përpjekje t'i zgjedhë në organet vetëqeverisëse njerëzit e vet, partitë grinden në përpjekjet për të pasur hise aq sa mendojnë se u takon, grinden njerëzit që u përkasin lidhjeve të ndryshme farefisnore dhe klanore. Në anën tjetër, Departamenti i Tregëtisë dhe i Industrisë angazhohet për respektimin e ligjit të aplikueshëm, pra për rolin e partisë monopoliste dhe të organeve të dikurshme të shtetit socialist. Po të mos ishte fjala për çështje me rëndësi jetike për kosovarët, ripërsëritja e lojës vetëqeverisëse 10 vjet pas përmbysjes të socializmit do të dukej si një farsë e qëlluar skenike për të kaluarën që e ka shkelur koha.
Thuhet se shndërrimi i ish objekteve në pronësi shoqërore në shoqëri aksionare do të bëhet ashtu që punëtorëve do t'u jepeshin falas 60 për qind e aksioneve, kurse 40 për qind e aksioneve do të nxirreshin në shitje. Por, kush do t'i blejë ato aksione dhe do të investojë para të gatshme, pa pasqyrë të qartë për perspektivat zhvillimore, për bartësit e zhvillimit dhe, çka është me rëndësi të dorës së parë, kur për këto dhe çështje tjera do të vendosë ndonjë formë e këshillit të punëtorëve?
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI