Kosova - parajsë për kontrabandën
Prishtinë, 18.05.2001.
Në qoftë se një zyrtar i lartë i UNMIK-ut e thotë publikisht se Kosova është bërë parajsë për kontrabandën, atëherë kjo dukuri duhet të ketë marrë përmasa tejet serioze. Kjo për arsye se, përveç kur është fjala për dhunë që supozohet se ka motive politike dhe etnike, zyrtarët e UNMIK-ut kurdoherë përpiqen t'i prezentojnë rrjedhat kosovare në dritë shumë më pozitive se ç' janë në realitetin e jetës së përditshme. Por, ekspertët vendorë kaherë kanë tërhequr vërejtjen se kontrabanda mund të bëhet sëmundje kanceroze jo vetëm e ekonomisë, por edhe e shoqërisë kosovare. Kosovës nuk i janë hapur ende gjasat e zhvillimit ekonomik, kurse sivjet priten vështirësi të mëdha për realizimin e pjesës së buxhetit nga të hyrat vendore. A merr pushteti masa në pajtim me seriozitetin e gjendjes? Rallë kush nga kosovarët do të thoshte: po. A ka marrë kontrabanda hov, si në organizimin e vet më të mirë, ashtu edhe në shtimin e vëllimit të mallit që ilegalisht futet në Kosovë? Gati të gjithë kosovarët do të thoshin: po. Në fillim të kësaj pranvere UNMIK-u hapi pika kontrolluese të hyrje-daljes së mallit në kufijtë me Serbinë. Përkundër përpjekjeve, qarkullimi dhe kontrabandimi i mallit janë shtuar, madje shumë më tepër se para vendosjes së pikave të kontrollit në ato pjesë të kufirit.
Për këto gjëra është ditur që nga fillimi, kurse kohëve të fundit ato i dokumentojnë vetë zyrtarët dhe aktorët që merren me ato punë. Në kushte të anonimitetit, publikisht kanë filluar të flasin edhe disa biznesmenë shqiptarë. Derisa zyrtarët e lartë policorë, duke mos e përjashtuar dukurinë, kërkojnë dëshmi konkrete, burime të niveleve të ulëta policore, privatisht, zbulojnë gjëra që i vërtetojnë supozimet publike për keqpërdorime të mëdha dhe kontrabandë që e dëmtojnë rëndë ekonominë e Kosovës, duke përfshirë edhe buxhetin. Nga vlerësimet e tyre mund të konkludohet se mundësitë financiare të Kosovës për buxhet më të sigurt dhe për kontribut më të madh për ringjallje ekonomike janë shumë më të mëdha. Por, përveç tjerave, më parë duhet të sigurohen kushte të njëjta të afarizmit për të gjitha subjektet ekonomike, pra edhe trajtim të barabartë të të gjithëve me rastin e futjes së mallit në Kosovë. Dikush paguan tatim 15 për qind nga vlera e mallit, dikush tjetër nuk paguan. Dikush paguan doganë 10 për qind, dikush nuk paguan fare. Për kontrabandim të mallit shfrytëzohen edhe pikat zyrtare edhe rrugë të tjera. Por, edhe kur nuk u paguhet asgjë organeve zyrtare të Kosovës, dikush tjetër gjithsesi e merr pjesën e vet për kontrabandimin e mallit në Kosovë.
Pas keqpërdorimeve të njohura me mallrat që hynë nga Maqedonia, problem akut kanë filluar të bëhen edhe keqpërdorimet në pikat hyrëse nga Serbia, pjesërisht edhe nga Mali i Zi. Biznesmenë shqiptarë kanë deklaruar se për mallin që nga Maqedonia shkon në Kosovë, nëpër Serbi, autoriteteve serbe u paguhet taksë prej 3 për qind të vlerës. Në Leposaviq ose në Zubin Potok ku malli arrin në përcjellje të policisë serbe, kontrollin e marrin të ashtuquajturat "Roja të Urës", një shërbim gjysmëlegal policor i serbëve që e kontrollon pjesën veriore të Kosovës. Në pika të caktuara të vijës të territorit që e kontrollojnë, ata mallin ua dorëzojnë biznesmenëve shqiptarë. Nuk ka taksë, as doganë që e mbledhin Serbia ose Mali i Zi kur malli hyn në territoret e tyre. Por, taksë u paguhet "Rojave të Urës", varësisht nga lloji i mallit, prej një mijë deri 6 mijë e 500 marka për një maune ose autobot. Shuma maksimale paguhet për naftë dhe derivate të saj. Për kafe dhe cigare, për të cilat UNMIK-ut duhet t'i paguhet edhe akcizë, çmimi i kontrabandës është shumëfish më i lartë. Spekulohet se për një maune me cigare paguhet prej 40 deri 55 mijë marka gjermane. Në qoftë se për një ditë kalojnë disa dhjetëra autobote me naftë, atëherë lehtë mund të llogaritet për sa dëmtohet ekonomia e Kosovës ose sa fitojnë kontrabandistët. Disa kanë llogaritur se fjala është për qindra miliona marka në vit. Ka informacione të pavërtetuara se prej territorit të kontrolluar nga serbët, përcjelljen e mallit deri te vendi ku duhet të shkarkohet e bëjnë policë të tjerë, për 500 deri një mijë marka gjermane.
Janë konstatuar raste të shumta të kontrabandimit nga organizatat joqeveritare që, si organizata humanitare, janë të liruara nga taksat e ndryshme me rastin e futjes së mallit në Kosovë.
Kontrabanda nga Maqedonia është dukuri e mëhershme dhe e një lloji tjetër. Këtu kontrabanda përpiqet t'i shfrytëzojë lehtësitë e marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Shkupit, të nënshkruar disa vjet më parë, sipas së cilës për mallrat me prejardhje nga Maqedonia duhet të paguhet vetëm shërbimi doganor, një për qind e vlerës së mallit. UNMIK-u e respekton këtë marrëveshje, çka do të thotë se për mallrat me prejardhje nga Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi nuk ka ngarkesë doganore. Për mallrat e të gjitha vendeve tjera dogana është 10 për qind. Kontrabandistët bëjnë përpjekje që shërbimit doganor të Kosovës edhe mallrat e vendeve të treta t'ia prezentojnë si mallra me prejardhje maqedonase. Për këtë arsye në Maqedoni janë krijuar shërbime për ndërrimin e ambalazhit, pika për falsifikime ose kanale për sigurimin e dokumenteve të rrejshme nga organet përkatëse zyrtare maqedonase. Kështu, shpeshherë duket sikur Maqedonia është prodhuese dhe eksportuese e madhe naftës, e bananeve dhe e pemëve të viseve të nxehta. Drejtori i doganave të Kosovës, Ylber Rraci, deklaroi këto ditë se në 4 muajt e parë të këtij viti janë zbuluar rreth 200 certifikata të rrejshme të lëshuara nga dogana maqedonase vetëm për naftë dhe derivate të saj. Certifikata të rrejshme lëshohen edhe për mallra të llojeve të tjera. Për këto falsifikime, vetëm gjatë këtij viti tregëtarët janë gjobitur me 1 milion e 100 mjë marka. Këto janë rastet që janë zbuluar.
Megjithatë, derisa në kufijtë me Maqedoninë dhe Shqipërinë ka përpjekje për zvogëlimin ose vënien nën kontroll të kontrabandës, në pikat e hyrjes së mallit nga Serbia, shënohen rrjedha negative. Për shkak të ashpërsimit të kontrollit në kufijtë me Maqedoninë dhe me Shqipërinë, 2-3 mbylljeve të kufirit me Maqedoninë dhe zgjerimit të mundësive për kontrabandim nga Serbia, muajve dhe javëve të fundit kontrabanda është orientuar kah pikat e hyrjes në Kosovë nga Serbia. Këto rrjedha rastësisht u përputhën me përpjekjet për vendosjen e pikave të kontrollit të hyrje-daljes së mallit edhe në kufijtë me Serbinë. Kështu, Leposaviqi u bë muajve të fundit qendra kryesore për kontrabandimin e mallit në Kosovë.
Kur UNMIK-u i ngriti pikat e kontrollit në kufijtë me Serbinë, serbët e Kosovës ose të anës tjetër të kufirit i bllokuan rrugët hyrëse në Kosovë. Barrikadat u arsyetuan me rrezikun e ndarjes së Kosovës nga Serbia, edhe pse UNMIK-u shumë herë kishte sqaruar se nuk është fjala për pika doganore, por për mbledhje të tatimit në qarkullim dhe se administrata ndërkombëtare nuk ka qëllim ta prishë unitetin e sistemit doganor të Serbisë. Zyrtarë ndërkombëtarë thonë tash se pikat kontrolluese me Serbinë janë mbyllur, pasi për shkak të bllokadave të rrugëve edhe ashtu nuk ka qarkullim të mallit. Por, burime që i njohin dhe i përcjellin këto gjëra vlerësojnë se qarkullimi i mallit në ato pika është shtuar dhe se çdo ditë nga Serbia në Kosovë hyn mall i kontrabanduar në vlerë prej 2 deri 3 milionë marka gjermane, pa paguar doganë, tatim dhe akcizë për buxhetin e Kosovës. Siç u tha, kontrabandën e kontrollojnë "Rojet e Urës" që bashkëpunojnë ngusht me kontrabandistë dhe biznesmenë shqiptarë. Varganet e mauneve dhe të autoboteve që i kalojnë barrikadat serbe në veri të Kosovës duhet të duken, madje, nga kozmosi, si një Mur Kinez. Për kontrabandë nuk ka barrikada. Por, dikush i mbyll edhe sytë edhe veshët.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI