Spliti i nënshtruar
AIM, Zagreb, 15.05.2001.
"Jeni të sigurtë se ky pushtet nuk do të lejojë ekstremistët, të cilët në Split janë marrë vesht të marrin komandën në vend”, tha dikur kryeministri kroat Ivica Raçan në një konferencë për shtyp, duke tentuar të paraqitej sa më bindës. Tani, për Ivica Raçanin gjithçka është vetëm fjalë. Ky njeri, pesëmbëdhjetë muaj sa është në pushtet, nuk shkoi në Split, qyteti i dytë në vend për nga madhësia, qytet i cili gjendet në prag të eksplodimit dhe krismave në të gjitha anët dhe ku ka një trend në rritje të të djathtës së rebeluar, nacionalizmit ekstrem dhe dhunës më të egër. Në qytetin ku Raçani me mjeshtri i iku vizitës gjatë pesëmbëdhjetë muajve të kaluar, dy herë ndodhën qërim brutal hesapesh në stadium mes pjesëtarëve të "Torcidës" dhe forcave policore speciale, duke u mbart në rrugët e qytetit që, gjykuar sipas të gjithëve, kishin motivim të qartë politik; ndodhi bllokimi i pjesëve hyrëse në Split dhe tubimi masovik për t'i dhënë përkrahje gjeneralit Mirko Noraçit në Rivi; ndodhi ofendimi i gërditshëm i Stipe Mesiçit në kazermën e Draçevcit; ndodhi pastaj tubimi i përkrahjes së djathtistëve të "Sllobodna Dalmacia", përndryshe pesëmbëdhjetë muaj vazhdimisht ndodhi vetëm "Sllobodna Dalmacia" si një skandal i përhershëm civilizues; ndodhën nderimet e veçanta të ithtarëve të Condiçit ku u këndua "O, Ivicë o Stipan, korbat e zi do t'u hanë" dhe ku u pështynë gazetarët e Feralit...
Mbrojtësit, të palëkundshmit kryesor dhe gjeneralë të veçantë të hidhëruar, që së bashku merren me prodhimin e ekstremizmit, urrejtjes dhe dhunës, as që kanë mundur të gjejnë poligon më të mirë për të shijuar kënaqësitë e pushtetit se sa Splitin, qytetin i cili gjatë dhjetë viteve të kaluara u shndërrua në fortesë ushtarake e mbushur me material të fortë shpërthyes. Materiali u mblodh nga gjitha anët – nga Çapllina deri te Livna, nga Drnisha deri Imoti – dhe mandej me plan u populluan në Split që artificialisht dhe me dhunë të ndërrohej fotografia e gjakut të “qytetit të kuq”. Gjatë kohës së Tugjmanit Spliti, përndryshe, ka funksionuar si poligon për pagesën e shërbimeve luftarake dhe patriotike, kurse pagesa, kryesisht bëhej në formën e dhënies së banesave. Njerëzit që luftuan në betejat jugore ose në Hercegovinë (ose aspak nuk luftuan, por që merreshin me aktiviteteve spiunazhi) janë shpërblyer me banesa në Split, kurse deri tek banesat mund të arrije në dy mënyra: së pari me dëbimin e banuesve dhe uzurpimin e banesave pronarët e të cilave e lëshuan qytetin, kurse metoda e dytë nënkuptonte ndërtimin e banesave nga shteti
për luftëtarët e merituar ose për ata që e shpallën vetveten si të tillë.
Sipas të dhënave të organizatave joqeveritare nga Spliti, në këtë qytet janë evidentuar 280 raste të dëbimit jolegal nga banesa. Nuk bëhet fjalë vetëm për raste kur janë dëmtuar gjatë procedurës gjyqësore tek kërkonin të drejtën e tyre, por edhe kur të shpërngulurit ngrisnin padi për hetime. Paramendohet se shpërnguljen e kanë paraqitur madje një e treta e të dëbuarve: pra, një pjesë e atyre që janë dëbuar me dhunë nga banesat e tyre dhe kanë braktisur Kroacinë, me ç'rast aspak nuk është tentuar të bëhet testimi i gatishmërisë së gjyqit të këtushëm për të mbrojtur të drejtat e tyre. Një pjes tjetër e ndjenë në lëkurën e tyre mosfunksionimin e shtetit juridik.
Është e njohur se disa gjykatës nga Spliti vazhdimisht u kanë thënë të dëbuarve se do të ndiqnin uzurpatorët juridikisht, por duke shtuar se “problemi më i madh është bashkëshortësia me serb (serbe) " ose u kanë sugjeruan se nuk ka kurfarë logjike që të ngrisin padi sepse edhe ashtu asnjëherë nuk do të zgjidhet”.
Sipas vlerësimeve relevante në qytetin e Splitit, në fillim të nëntëdhjetave,rreth dhjetë mijë ushtarë uzurpuan banesat e atyre që kishin braktisur qytetin. Këto banesa automatikisht kaluan në pronë të Ministrisë së Mbrojtjes, kurse resori i Shushkovit pastaj ua ndau vullnetarëve të merituar. Kështu Spliti "u fisnikërua" me tridhjetë mijë pronarë me gjak të pastër kroat, kurse në këtë operacion të krijimit të fortesës mbrojtëse që funksiononte si burim i gjithë rrymave djathtiste në vend që nuk kishin droje as gjatë thyerjeve më të skajshme të ligjit: për këtë dëshmon e dhëna se gjithë ata të merituar, të cilët deri tek banesat erdhën përmes dëbimit ose uzurpimin e banesave të zbrazëta, shumë shpejt sipas aksionit për çlirim nga Ministria e Mbrojtjes morrën vendime për shfrytëzimin e banesave të tyre të reja. Shumica e tyre që morrën vendime për shfrytëzimin, filluan me blerjen e të njëjtave banesa, natyrisht, sipas kushteve të privilegjuara.
"Spliti, me siguri, është qyteti më i polarizuar mes qarkut të zgjeruar të të varfërve dhe rrethit të ngushtë të të pasurve me ndikimin; gjithashtu, këtu janë më të shprehura frustracionet e ish-luftëtarëve, që mendojnë se fitoret e tyre nuk janë trajtuar në mënyrë adekuate, dhe këtu, natyrisht, është konflikti mes modelit kulturor mediteran dhe kulturës tipike rurale dinarike. Por, unë nuk pajtohem me ata që gjithë problemin e orientojnë në drejtimin e kulturës dhe jokulturës: këtu, më parë, bëhet fjalë për politikë që e udhëheq dikush, e organizon, që ka rrjetin e vet institucional, që din çka kërkon dhe është shumë e rrezikshme. Mund të flitet se kjo politikë kaloi në një lloj kulture që vetëm prodhon sjellje të caktuar politike, dhe ky drejtim bazohet në themelet e armiqësive", tha për "Feral Tribun" nga Spliti, sociologu Srdan Vrcan.
Përveç popullimit të planifikuar me luftëtarë– që mu për këtë shkak i mbetën besnik deri në fund regjimit të kaluar – Spliti u bë qendra e së djathtës së bashkuar falë oportunizmit të theksuar të koalicionit qeveritar në nivel lokal. Derisa oportunizmi PSD mund të sqarohet deridiku me kalkulimet proverbiale të partisë së Raçanit, HSLS lokale është e përbërë nga njerëz që vërtetojnë se partia e Budishinit është vazhdimësi e BDK-së me mjete tjera. Veç Ante Nakiçit, anëtar eminent i HSLS-së lokale, i cili zëshëm përkrah aksionet e ithtarëve të Condiçit për mbrojtjen e dinjitetit të luftës atdhetare, aty është edhe Ivica Bota, zv.ministër në ministrinë e Radimir Caciçit, autor i deklaratës legjendare se me "gishtës dhe shpatë do të thyejnë pllakën e çlirimtarëve të qytetit, nëse dikush e kthen në Pjacë". Pllaka “përkohësisht” u zhvendos nga kreu i prirë nga Nikola Grabiçi, kurse u kthye me një korigjim: iu bashkangjit pllaka kushtuar çlirimtarëve të qytetit nga lufta e mbramë. Edhe më keq kaloi pllaka përkujtimore kushtuar formimit të batalionit të parë italian të partizanëve "Garibaldi" që u gjend në sarajet e ipeshkvisë: ajo u hoq dhe asnjëherë më nuk u kthye.
Udhëheqësia e qytetit, veç kësaj, me vite injoroi kërkesën për ndërrimin e emrit të rrugës Mile Budaka, kurse e njëjta u riemërua pas ndërrimit të pushtetit shtetëror: deri atëherë PSD dhe HSLS sqaruan se me “ripagëzimin e rrugës diplomacia e BDK-së fitoi poena në botë". Gjithashtu ka një aleancë të heshtur të prefektit Ivica Shkariçit me të djathtën ekstreme që u vërtetua me fjalimin e tij në tubimin përkrahës për gjeneralin Mirko Noraçin në Riv, paraqitja në tubimin për “Sllobodna
Dallmacinë”, tezën e tij të shprehur disa herë se “më mirë ka bashkëpunuar me pushtetin e BDK-së se sa bashkëpunon me këtë të tanishmin "... Shkariç në të vërtetë gjithë kohën ishte sponzor i ithtarëve të famullitarit djathtist për Splitin e Dallmacinë, Branimir Lukshiçin, kurse përkrahja e prefektit për ata që propagandojnë nacionalizëm dhe urrejtje të skajshme mbase më mirë erdhi në shprehje në rastin e "Sllobodna Dallmacisë" ku haptas kaloi në anën e Ivicit dhe Joviçevit. Në këtë drejtim nuk ishte i vetmuar, sepse kolegu i tij partiak Mirosllav Buliçiç, zv.prefenti i Splitit, gjatë muajve të fundit u përpoq maksimalisht në aksionin për gjetjen e letrës për shtypjen e vazhdueshme të “Sllobodna Dallmacisë".
"Politika aktuale e pushtetit kroat niset është e mendimit se ballafaqimi i vazhdueshëm me tugjmanizmin e trashëguar prodhon krizë, në vend se të mendohet ndryshe. Mungesa e këtij ballafaqimi – pra koketimi dhe kompromisi i këtij pushteti – padyshim se prodhon krizë. Vështruar nga ky kënd, Spliti është vetëm shembull që më së miri e tregon krizën politike të tanishme në Kroaci”, pohon Vrcan.
Fundi i rrëfimit mbi Splitin – qytet që numëron rreth 25 mijë të papunësuar dhe ku gjatë viteve 90-ta mbeti pa punë çdo i treti banor – është i rezervuar për Kishën Katolike, ku përfaqësuesit më eminent të këtij rajoni, gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, ishin ithtarë të ideve ekstreme djathtiste dhe nacionaliste: nga arqipeshkvi Frane Franiç, i cili në paraqitjet e tij i ngriti përmendore kardinalit ustash Iv Rojniçit, përmes arqipeshkvit Ante Juriç e deri tek arqipeshkvi aktual Marin Barishiq, i cili publikisht i dha përkrahje turmës që protestonte për Mirko Noraçin. Ky i fundit – sëbashku me agjutantët e vet- funksionon si opozitë më e ashpër e arqipeshkvit zagrebas Josip Bozaniçit. Ky tekst është më së miri të përmbyllet me Kishën Katolike, sepse zotërinjtë kryesorë të saj gjithsesi janë më të thirrur të ndihmojnë atë që është shtrirë në shtratin e agonisë duke e vajtuar të sëmurin dhe menjëherë pastaj – prehje e amshueshme.
IVICA GJIKIÇ