Kufomat nga kamioni-frigorifer

Beograd May 11, 2001

"Kam këputur zinxhirin dhe kam hapur derën. Atë çast u shfaqën trupa njerëzish. Në shikim të parë, pashë fëmijë gjysmëlakuriq, veshje pleqsh e të rinjsh".

AIM, Beograd, 08. 05. 2001.

Kështu është shprehur zhytësi profesionist nga Kladovi Zhivadin Gjorgjeviçit për gazetën "Politika". Ai, më 6 prill 1999, me ftesë të policisë së Kladovit u zhyt në lumin Danub, tek vendi Tekia. Vërejti se nën ujë kishte një kamion - frigorifer i tipit "mercedes", me ngjyrë jeshile: frenat e dorës nuk ishin bllokuar, kurse në shtypësen e gazit kishte një gurë të madh. Presa "HE Gjerdap 1" me fuqi prej 200 tonelatash nuk kishte mundur të tërhiqte frigoriferin, të vërejtur sëpari nga të dehurit. Kur me propozimi e Gjorgjeviqit u hap dera - sëandejmi filluan të binin kufomat. Ai thotë se ishte fjala për tridhjetë viktima të të dy gjinive. Duke u mbështetur në përvojë e tij, trupat kishin qëndruar në ujë më së paku dhjetë ditë. Gjithashtu edhe frigoriferi nuk ishte futur në lumë në vendin ku u gjet, por diku tjetër.

DPB-ja e Kladovës, menjëherë, më 6 prill 1999, e paraqiti këtë rast në organet më të larta në Beograd: "Sipas rregullave duhej menjëherë të fillonte hetimi, të bëhej shqyrtimi i rastit, obdukcioni dhe gjitha gjërat tjera rreth rastit. Pasi ishte natë, u propozua të pritet deri në mëngjes", deklaroi Mirosllav Srzentiç, gjykatës hetues nga Negotina. Megjithatë, më 7 prill 1999 nuk ndodhi asgjë. Srzentiç thotë se gjykatësi i atëhershëm hetues Nestoroviç kumtoi se nuk do të kishte hetime: "U tha se kjo ngjarje nuk ekziston dhe paraqet fshehtësi shtetërore". Menjëherë reaguan ish-nëpunës të lartë të MPB-së së Serbisë: menjëherë u sigurua vendi dhe, siç thuhet zyrtarisht, kufomat u ngarkuan në frigorifer me regjistrim të Beogradit, kurse frigoriferi nga Danubi u ngrit në poligonin policor në Petrovo Sello.

Kufomat nga frigoriferi i hudhur në Danub, gati dy vjet ishin fshehtësi publike në Tekia dhe Kladovë. Atëbotë zhytësi Gjorgjeviq vizitoi pronarin e "Krim-revia e Timokut" Dragan Vitomiroviçin nga Zajeçari. Ky polic i dikurshëm, sipas fjalëve të zhytësve, dinte diçka për gjithë rastin, por

rrëfimi mbi kufomat nga Danubi u humb në Danub.

Rreth asaj që ka ndodhur ekzistojnë dy hipoteza. E para se në frigorifer u gjendën emigrantë ilegalë të nacionaliteteve të ndryshme që duhej të shkonin në Evropën Perëndimore. Duket se puna filloi mbrapsht në mbartjen e tyre, prandaj u vendos që të eliminoheshin brutalisht dëshmitarët. Sikur bëhet fjalë për një punë nën ombrellën e kreut të kriminalizuar policor, prandaj edhe rasti është mbyllur. Megjithatë, shumëçka është lëkundshme në këtë teori. Në rend të parë sepse shumë njerëz nga aparati shtetëror ishin të involvuar në këtë fshehje. Mandej, nëse gjithë puna ishte bërë me mbrojtjen e policisë - ndryshe nuk mund të bëhej sepse gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s në të gjitha anët ishin punktet kontrolluese - atëherë përse njerëzit u mbartën me frigorifer të bllombuar. Tridhjetë persona në një hapësirë kaq të ngushtë edhe ashtu nuk do të mund të qëndronin gjallë për një kohë të gjatë, veç nëse kishin arritur të shtyheshin disi.

Hipoteza e dytë duket shumë më e besueshme dhe niset nga fakti numër i madh i trupave të shqiptarëve të vrarë në Kosovë nuk ishin gjetur. Tribunali i Hagës, por edhe disa raportues tjerë, pohojnë se ka pasur zhvendosje varrezash masive prandaj asnjëherë nuk u gjetën kufomat. Gjithçka filloi në ditët e para të bombardimeve të NATO-s kur kreut të dikurshëm shtetëror, me shkallëzimin e luftës, iu bë e qartë se është e pashmangshme prania ndërkombëtare në Kosovë. Kur mediumet perëndimore ndezën opinionin me raportet për masakrat mbi popullatën shqiptare, njësitë speciale të sigurimit shtetëror - "Beretat e kuqe", "Shkorpionët", "Frenkievcët", Njësitë për operacione të veçanta (NJOV), siç e quajnë - filluan fshehjen e gjurmëve për krimet e bëra. Trupat u zhvarrosën, u ngarkuan në kamionë -

frigoriferë dhe u mbartën në Serbi. Operacioni ishte relativisht i thjeshtë: vetura të konfiskuara dhe të vjedhura në pranverën e 1999 në Kosovë kishte plot, të llojllojshme, madje edhe auto-frigoriferë.

Në rastin konkret bëhet fjalë për Pejën; flitet se në kamion kishte një mbishkrim në gjuhën shqipe. Udha nëpër Serbi, gjithashtu, mund të kalohej pa asnjë vështirësi. Përcjellja shoqërohej me legjitimacione përkatëse - automjetet dhe automobilat me siguri kanë pasur leje të mos ndaleshin dhe pyeteshin në punktet kontrolluese. Problemi, gjykuar sipas të gjithëve, ishte zhdukja e kufomave. Groposja në vendet e shkreta dhe vështirë të kalueshme kërkonte më shumë mekanizma dhe njerëz. Djegia në termoelektranë ose furrë nuk do të mund të fshehej nga sytë e punëtorëve. Nga i njëjti shkak nuk vinin në shprehje as varret në qytetet e mëdha. Por, një "zgjidhje" gjithsesi se u gjend.

Edhe nëse është e saktë kjo hipotezë, megjithatë është pak e besueshme që dikush ta bënte fundosjen e gjithçkaje në Danubin e thellë. Edhe nëse është kështu, atëherë bëhet fjalë për gabim në operacion: tre kufoma, në sanduqet e betonuar nga pesë-gjashtë qind kilogram u gjetën verën e vitit 2000 afër Golubcit në Danub, pasi kishte filluar shterja e ujit (deri tani nuk është bërë identifikimi i tyre). Kamioni - frigorifer, doemos duhet të ketë notuar. Prandaj shkaku i vorbullës në lumë, duke marrë parasyshë rrethanat e paparashikuara, nuk duket si zgjidhje për të humbur gjurmët e aktorëve në teren.

Në momentin derisa shkruhet ky tekst, MPB-ja ende nuk është prononcuar zyrtarisht. Nëse pushteti i dikurshëm kishte arsye ta fshihte rastin dhe ta shpallte fshehtësi shtetërore, heshtja e pushtetit të ri pason për dy arsye. E para se në polici janë mbajtur njerëz, të cilët, thënë më butë, kanë dijeni për gjithçka që ka ndodhur në Kosovë, madje edhe për kufomat nga kamioni-frigorifer në Danub, afër Tekies. Shefi i tanishëm i sigurimit publik të MPB-së së Serbisë gjenerali Sreten Lukiç, p.sh. ishte në atë kohë komandant i shtabit të policisë në Kosovë. Këshilltari i ministrit federal të punëve jashtme Goran Vesiç, si anëtar i Këshillit Drejtues i Partisë Demokratike u shpreh me droje se kësi raste do të ketë edhe mëtej dhe se në të njëjtit "kanë marrë pjesë njerëz nga aparati i dikurshëm shtetëror".

Arsyeja tjetër lidhet me Gjykatën e Hagës. Ka paralajmërime jozyrtare se nga hetuesit e këtij trupi do të fillohen edhe hetime për gjetjen e kufomave në Danub, kurse kjo, gjithsesi, nuk u shkon përshtati kundërshtarëve të këtushëm të kryeprokurores Karle del Ponte. Përkundrazi - Tribunali i Hagës do të shtojë kërkesat e veta, kurse këto kërkesa do tu parashtrohen edhe 18 partive politike të koalicionit qeveritar të Opozitës Demokratike të Serbisë, veçmas forcave të moderuara, do të kërkohet pajtueshmëri dhe marrëveshje. Në peshojën e këtushme nuk janë vetëm veprat kriminale të regjimit të dikurshëm, por edhe gjithë mënyra e udhëheqjes së politikës nacionale.

Është e qartë vetëm një gjë: Serbia pret periudhën e ballafaqimit me ngjarjet nga dekada e fundit dhe verifikimet, me një vëmendje të veçantë dhe me një vetëdije të re, të rrëfimeve të ngjashme me këto të kamionëve-frigoriferë. Konsekuencat doemos duhet të jenë të prera: gjithkush që ka qenë i thirrur dhe ka punuar në këtë drejtim duhet të përgjigjet për implikim në këto raste. Justifikimi shkaku i vështirësive objektive ose nëse nuk ndërmerren hapa rigoroz ndaj kryerësve të krimeve mbi serbët janë vetëm përpjekje që Serbia sërish të zhytet në një krizë morale, juridike e çka jo tjetër.

FILIP SHVARM