Të gjithë kemi dështuar!

Skopje May 9, 2001

AIM, Shkup, 07.05.2001

Kaluan disa ditë që me shqetësim dhe frikë të çuditshme shfletoj gazetat dhe lëshoj radion apo televizorin. Sepse janë përplot me “municion të rëndë” dhe “helm të fortë” dhe, ka disa javë po ndjej se po lexoj do tekste si ato që nisën të publikohen në ish Jugosllavinë e dikurshme, para shkatërrimit të saj, në kohën kur gazetarët filluan të skicojnë “hartat e shtatmadhorive” të urrejtjes, sipas të cilave gjeneralët pastaj bënin luftën. Me ditë po më mundon një rënie e çuditshme personale, më kujtohen do tekste të mia të kahmotshme, sidomos një fjali e publikuar aty kah viti 1995 se Maqedonia po përsërit gabimet e njëjta të cilat i bënë shtetet tjera të reja të krijuara në Ballkan, vetëm se me disa vjet vonesë dhe në këtë mënyrë vërteton atë se historia është mësuese prej sëcilës askush nuk mëson asgjë. Nuk di prej ku më lindi kjo dëshirë që të citoj vetveten derisa gazetaria nuk është hapsirë në të cilën realizohem? Ja, po shoh se si në vete pëshpëris një deklaratën time të kahmotshme: “Maqedonia është peng i iluzionit të vet të dyfishtë: i atij të cilin e mbrojnë Maqedonasit etnikë se ky vend ekziston vetëm për të stimuluar dhe kultivuar famën e tyre historike dhe aktuale, përkatësisht edhe iluzionin e Shqiptarëve të këtushëm se edhe ata diku duhet të jenë popull shteformues dhe faktor i rëndësishëm ballkanik. Ndërmjet këtyre dy iluzioneve ngelë zëri i shurdhët i grupeve të tjera të këtushme etnike si dhe pamundësia që të shihet e vërteta se këtu në Ballkanin tonë të gjithë janë bërë aq të parëndësishëm sa që në hartat politike botrore të gjithë janë shënuar vetëm si rrugica të errëta.

Ka ditë që nuk dëshiroj as të lexoj dhe as të shkruaj. Diçka nga brenda më thot se çdo gjë më është shkruar dhe lexuar. Në këto vende fjalët nuk kanë më kurrfarë kuptimi ose, ndryshe, janë të vlefshme vetëm kur shërbejnë si mbushje plotësuese për granatat të cilat bien mbi urat e thyera ndëretnike të këtij shteti të imët multietnik. Me nervozë të shtua shfletoj dhe lexoj gazetat dhe madje edhe tekstet për AIM-in të cilët duhet t'i redaktojë. I peshoj mirë, jo nga frika që mos lëshoj diçka “ndezëse” por me bindje se në këtë mënyrë peshoj optikën personale ndaj vendit.

Shfletoj gazetat. Më në fund lexoj diçka me të cilën pajtohem plotësisht: tekstin e Mirjana Najçevskës të botuar në javoren në gjuhën shqipe “Lobi”, në të cilin parashtron një konstatim të shkurtë por kuptimplotë - të gjithë, nga i pari deri te i fundit jemi të dështuar! Po, krismat në Maqedoni vërtetojnë dështimin e politikanëve, humbjen e botës së mendimit të lirë, e cila deri dje shetiste nga një tribunë në tjetrën duke teoretizuar në të shprazët dhe duke fshehur në vetvete ambiciet shpirtngushta nacionaliste; ka dështuar mendimi i atyreve që me vite arktronin se janë të urtë dhe të mençur pa mos thënë asgjë, dështoi mendimi i diplomatëve perëndimor të cilët, Maqedoninë e shpallën si model se si ndërtohet shteti multietnik në Ballkan, edhe pse e dinin fare mirë se ai ishte modeli se si në mënyrë më të suksesshme mund të manipuloheshin zgjedhjet dhe se si politika mund të gërshetohet me krimi

  • biznesit.

Kah moti kam filluar të ngushllohem me gjëra të vogla, si për shembull me tekstin e sinqertë dhe objektiv të Najçevskës. Kështu i ngushlluar rrotulloj numrin e mikut tim në fshatin Vaksincë të Kumanovës, të cilin disa ditë me radhë e godasin granatat e rënda të policisë dhe ushtrisë maqedonase. Prej atje antarët e UÇK-së shtijnë në helikoperët e armatës maqedonase. Por në çastin kur dëgjova zërin e tij ngela memec: nuk dija çfarë ta pyes dhe as si ta ngushëlloj. Ai, sikur të parandjente turbullimin tim, tha: “ Si është luani im” (duke menduar për birin tim). Ndjeva një molisje të jashtëzakonshme?! Para syve më kaluan fytyrat e fëmijëve të tij të mitur. “Si janë tut? - e pyeta. “Ja ku janë këtu, në bodrum”! -më thot shkurt sikur të mos doj të më sqarojë më shumë. “A është e vërtetë ajo që trumbetojnë mediumet në gjuhën maqedonase se UÇK-ja u mba si peng? - e pyes unë. “Jo, s'është e vërtetë, vëlla”. “ Lëshoi sëpaku fëmijët të vijnë te unë” - i propozoj. “A di çka”- më thot, “ gjatë këtyre luftrave ballkanike kuptova vetëm një gjë: ai që ngel pa vatrën e vet, pa arat e veta, ai, në njëfarë mënyre është i vdekur! Ballkanas të tillë “të ndjerë”, pa plang e shtëpi, kam parë shumë këto vite nëpër metropolat e Perëndimit. Ja, për këtë shkak kam vendosur mos braktis shtëpinë time”!. E shoh se nuk ka kurrfarë mundësie që ta bind. Pastaj ai më rrëfen për disa "plane të fshehta" për të cilat ka dëgjuar dhe sipas të cilave forcat e armatosura maqedonase dëshirojnë të krijojnë tampon zonë në kufi me Kosovën duke zbatuar konceptin ushtarak të “tokës së djegur”. Bisedën e përfunduam pa përshëndetje, sepse lidhja na u ndërpre. E kërkoj përsëri: celulari i tij nuk përgjigjet. Ngelë me shpresë se do t'i jetë shpenzuar bateria.

Telefoni im cingërron papushuar. Një gazetar i jashtëm kërkon t'i shpjegoj se si erdhi deri tek mundësia e papritur e luftës ndëretnike në Maqedoni. “ Për çfarë keqsimi të shpejtë të marrëdhënieve etnike po më pyet?” - i them unë mjaft i hidhëruar. “ Plot dhjetë vjet në këtë vend politikanët luajnë me ndjenjat etnike” -i them. “Plot dhjetë vjet për politikën e këtushme të ditës marrëdhëniet ndëretnike ishin biznesi më profitabil i cili shtonte ose pakësonte poenat politike.”. “Dhjetë vjet”- i them, “politikanët e këtushëm mashtrojnë popullin dhe opinionin ndërkombëtar me do marrëdhënie të relaksuara me të cilat fshihej vetëm bashkëpunimi i mirë i fituesve multietnikë të politikës”! . “Prej ku tani, e pyes, ky përfundim për prishjen e shpjetë të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni!? Mos vallë dikush ka besuar se shteti multietnik mund të ndërtohet sipas konceptit njëetnik!?”. Kolegu nga ana tjetër hesht. Ndoshta nuk ia del me vërshimin e pyetjeve të mia.

Në çastin kur e lash receptorin në një gazetë ditore pash fotografinë e mikut tim të dashur, njërit nga dramaturgët e shquar maqedonas. Nisa të lexoj kollumnën e tij me titull: “Keçeja”. Dhe, derisa lexoj më vjen sikur dikush ma grryen dheun prej nën këmbë. Atë deri para pak kohe e kisha “model” për njerëzoren në këtë vend. Dhe shoh se çdo gjë ka shkuar në dreq të mallkuar. Sepse edhe ai po shkruan për shqiptarkat “makina për të lindur”, për Shqiptarët të cilëve keçeja nuk u rri në kokë por në rradake. Filloj të qesh, mirëpo goja më mbushet me idhëti të tmerrshme. Menjëherë m'u kujtua krisma e parë në Maqedoni, dita kur filluan pshtjellimet në Tetovë, kur bija ime me sy të përlotur kërkonte t'i spjegojë se çka po ndodhte dhe çasti kur, me qëllim që ta çliroja nga frika prej Maqedonasve etnikë “të cilët duan të na vrasin”, i propozova që të shkojmë mysafirë te "vëllamthi" im, Maqedonasi etnik në Prilep, te autori i tekstit “Keçe”.

Ashtu i trullosur e hodha gazetën dhe e kyça radion. Dëgjoj deklaratën e një zëvendësministri, Shqiptar, i cili në gjuhë të rrjedhëshme maqedonase u drejtohet bashkqytetarëve të vet. Ka një intonim fare tjetër dhe përmbajtje më të matur nga ajo që ua dha ditën e djeshme mediave në gjuhën shqipe, dhe e cila ishte plot fjalë flakëruese. Pikërisht në këtë fshihet fatkeqësia jonë, - i them vetvetes. Në këtë vend të vogël ka tepër dyfytyrësi. Kurrnjëherë disa pjestarë të elitës politike shqiptare nuk u thanë siqerisht kolegëve të vet të blokut etnik maqedonas se cili është kufiri më i ulët i kërkesave të tyre nën të cilat nuk mund të lëshojnë pe, kurse këta të taborit maqedonas, kurrsesi nuk arritën që popullit të vet t'ia sqarojnë se si e kuptojnë atë shtetin e përbashkët me tërë ata që jetojnë në të. Politikanët e këtushëm kanë nga tre “versione” të fjalimeve politike: një për para të vetëve, tjetrin për atë para të "tyreve", gjatë sëcilës më të rëndësishëm e kanë atë referatin që e kanë përgaditur për të dalur përpara diplomatëve perëndimorë. Sepse politikanëve të kamufluar të vendit nuk u kërcet aq shumë se çfarë mendojnë për ta qytetarët e Maqedonisë - sidomos derisa kanë mundësi t'i rregullojnë zgjedhjet - por kujdesen që para opinionit ndërkombëtar të lënë përshtypje të “politikanëve modern”. Në këto gara të politikanëve intrigantë ballkanikë dhe diplomacisë perëndimore, të parët janë në përparësi të paarritshme.

Vreri në gojë më shtohet. E mbyll radion. Televizorin ka kohë që e kam shndërruar në ilustracion figurash të heshtura që lëvizin dhe të cilave u jap zë vetëm kur shfaqen emisionet për fëmijë. Dhe, papritmas në ekran shoh fytyrën e premierit të Maqedonisë, Georgievski. Në fytyrë, përndryshe të mbuluar me mjekërr, nuk i dallohen kurrfarë grimasash. Paralajmëron mundësinë e proklamimit të gjendjes luftarake dhe nga Shqiptarët kërkon që më në fund të deklarohen se “në cilën anë janë”. Nuk kam fuqi më që të dëgjoj idetë e tij “gjeniale”. Propozimin e tij e përkrah edhe presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski. Dhe menjëherë them me vete: qytetarët që kanë burrështetas të këtillë nuk duhet të mërziten për ardhmërinë e vet - sepse nuk e kanë! Por ngushllohem me atë se po vijnë ata të cilët siç duket në çaste të këtilla janë më të shqetësuar për fatin e Maqedonisë - Solana dhe Robertson-i!

Përsëri mbetem vetëm në dhomë. Cingërron telefoni, i cili ditë me rradhë më është bërë aparati më i tmerrshëm që kam në shtëpi. Nëpërmjet tij më kanë ardhur porosi të panumërta me të cilat më paralajmërojnë fundin, se “njëherë e përgjithmonë do të ma mbyllin gojën”. Shtyp kopsën e cila duhet të më lidh me atë që nuk di se prej ku e ka rrotulluar numrin tim. U qetësova kur dëgjova zërin e njohur të Maqedonasit etnik. Drejt e troç më këshillon dhe më lut që të mos dalë këto ditë prej shtëpie: “Kij kujdes” - thot. “Qarkullojnë spekulime se këta “të mitë” të kanë futur në do lista”. “Ka kohë që unë jam në të gjithë listat” - i them me të qeshur. Pastaj më lajmëron për do njohuri të tij për llojlloj organizatash “ të fsheta” dhe llojesh tjera, të cilat duhet të llogariten me të padëgjueshmit. Maqedoninë këto ditë e kanë vërshuar llojlloj (dez)informatash; qielli i saj informativ është mbuluar me retë e kaosit, kështuqë askush nuk mund t'i ndajë spekulimet nga e vërteta.

Më në fund fitoj lidhjen telefonike me kolegun nga Kumanova ku gjendja ndëretnike është e tendosur deri në shpërthimE pyes si është gjendja në qytetin e tij. Më thot se netët kumanovase janë trishtuese. Në këtë qytet jetojnë Maqedonas etnikë, Shqiptarë, Serbë, Romë, Turq Ndërpres bisedën sepse në celular më kërkon miku im nga fshati Vaksincë, ai i njëjti me të cilin pak më parë nuk arritëm të përfundojmë bisedën. Më pyet vallë kanë mbërri në Shkup Sollana dhe Robertsoni. I përgjigjem pozitivisht dhe i them se edhe në telefon i dëgjoj detonimet. “ Ka ditë që këtu nuk dëgjohet tjetër pos detonimeve dhe zërave të kafshëve shtëpijake të uritura dhe të plagosura”,- më përgjigjet ai. “ Fëmijët i mësuam më të heshtin, sepse edhe ashtu askush nuk dëgjon qarjen e tyre”,- shton ai me ironi. Pas kësaj nuk kam fuqi që ta pyes diç tjetër. I dëshiroj fat dhe e porosis që të kujdeset për vete dhe fëmijët. Pas kësaj çdo gjë më bëhet e largët, e huaj, e panjohur. Ndihem sikur të ndodhem në barkun e tmerrit dhe antinjerëzores. Nuk i hetoj as kalamajtë e mi që kthehen nga shkolla. Të lagur janë si “minjtë”. Jasht ka kohë që ka nisur të bjerë shi i rrëpishëm.

AIM Shkup

KIM MEHMETI