Armët, si të bëhet pa to?
Prishtinë, 05.04.2001.
Sa armë të llojeve të ndryshme mund të ketë në duart e kosovarëve? Besohet, shumë, si në çdo shoqëri ku posa ka përfunduar lufta. Por, Kosova dhe rajoni janë ende në gjendje të turbullt. Prandaj, çmilitarizimi i Kosovës në pikëpamje të "shkarkimit" nga armët e tepërta nuk ka rrjedha "normale" të një shoqërie tipike të pasluftës. Kur u transformua në vjeshtën e viti 1999, UÇK-ja (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) ua dorëzoi forcave të KFOR-it rreth 13 mijë armë të llojeve të ndryshme. Kjo është shumë pak në krahasim me sasinë që KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut e kanë konfiskuar gjatë gati dy vjetëve të kaluara. Qytetarët vullnetarisht kanë dorëzuar sasi fare të vogla të armëve. Supozohet se nëpër duar të kosovarëve kanë mbetur, ndoshta shumë më tepër armë sesa janë dorëzuar ose konfiskuar deri tash. Gjendja në pikëpamje të mbledhjes së armëve nga popullata ka pak gjasa t'i arrijë objektivat e veta për arsye se edhe pas luftës, në gjithë rajonin, duke përfshirë edhe Kosovën, vazhdon kontrabandimi i armëve.
Rrjedhat jonormale në Kosovë dhe rreth saj duhet të jenë arsye plotësuese për forcimin e masave çmilitarizuese. Besohet se edhe ato janë marrë parasysh në vendimin e UNMIK-ut për zbatimin e programit të amnistisë për armët pa leje. Sipas Rregullores 2001\7 që është në fuqi, të gjithë ata tek të cilët do të gjenden armë pa leje mund të ndëshkohen deri në 10 vjet heqje lirie ose deri në 20 mijë marka gjermane. Duke dashur t'i lehtësojë çmilitarizimin, luftën kundër krimit dhe angazhimet për siguri më të madhe të popullsisë, programi i amnistisë, i filluar me një maj, parasheh që zbatimi i Rregullores të shtyhet deri më 12 qershor, deri kur të gjithë ata që kanë armë pa leje mund t'i dorëzojnë ato pa asnjë pasojë. Nuk do të kërkohen informacione as për armën, e as për personin që e dorëzon. Dorëzimi do të mund të bëhet në pikat e posaçme të të pesë qendrave rajonale policore, por do të ketë edhe njësi lëvizëse policore në terren. Është përca ktuar të dorëzohen pushkët automatike, mitralozët, revolet, granatat, të gjitha armët tjera duke përfshirë edhe të gjitha llojet e municionit, kurse armët e gjuetisë dhe ato për rekreacion janë të veçuara.
Nuk ka dyshim se programi i amnistisë duhet të përkrahet pasi është në interes të drejtpërdrejtë të popullsisë dhe të Kosovës. Megjithatë, nuk duket se rrethanat e brendshme dhe të jashtme e lejojnë një ritëm "normal" të pakësimit të armëve në duart e popullsisë. Ka shumë shkaqe që e çrregullojnë procesin e këtij lloj çmilitarizimi. Nuk është fjala vetëm për mentalitetin e shqiptarëve dhe të popujve të tjerë të Ballkanit që në familje të kenë, së paku, një armë dhe as për faktin se as deri tash qytetarët nuk kanë dorëzuar vullnetarisht ndonjë sasi të konsiderueshme të armëve, por për një numër faktorësh aktualë që e përtërijnë militarizimin dhe i bëjnë jo edhe aq të efektshme përpjekjet dhe arritjet e organeve të pushtetit në mbledhjen e armëve nga popullata.
Është e njohur se popujt e Ballkanit kanë përjetuar shumë luftëra dhe se as pas konflikteve të tmerrshme të dekadës të kaluar nuk i kanë rregulluar raportet ndërmjet tyre. Madje, jugu i Ballkanit edhe në këtë shekull hyri me një sërë konfliktesh të armatosura (Maqedonia), vërtet të kufizuara, por që kanosen me zgjerim në gjithë rajonin. Shkupi zyrtar e akuzon Kosovën hiç më pak se për agresion, kurse muajve të fundit është blerësi më i madh i armëve në rajon. Nga ana tjetër, përkundër armëpushimit dhe bisedimeve, nuk duket se Lugina e Preshevës ka gjasa për çmilitarizim të shpejtë. Në pikëpamje të posedimit dhe të përhapjes së armëve, vlerësojnë analistët e këtushëm, burim i madh i militarizimit në rajon është edhe faktori serb.
Në disa nga vitet e kaluara një militarizim më i madh i rajonit u shënua në Kosovë (serbët dhe pastaj edhe shqiptarët). Mund të supozohet se Kosova ka mbetur rajon me nivel të lartë të interesimit të popullsisë për të poseduar armë. Përveç mentalitetit të trashëguar me dekada dhe me shekuj, motiv i rëndësishëm për qarkullimin e armëve janë edhe pasiguria e madhe e brendshme, krimi i organizuar dhe preokupimi i shprehur, edhe i shqiptarëve edhe i serbëve, me ardhmërinë e Kosovës. Pas optimizmit të madh fillestar që u shënua me hyrjen e trupave të KFOR-it, shqiptarët kurdoherë e më shumë i ngarkon preokupimi se liria, megjithatë, nuk është garantuar ende dhe se nuk janë zgjidhur të gjitha problemet që e shkaktuan luftën. Lirinë ata e shohin te pavarësia e Kosovës, kurse serbët lirinë e vet e lidhin për kthimin e Kosovës nën pushtetin e Serbisë.
Këto janë arsyet pse Kosova është ende rajon interesant për kontrabandimin e armëve. Kuptohet, këtë e shfrytëzojnë edhe tregëtarët me armë jashtë rajonit, kështuqë edhe ata janë faktorë të militarizimit. Kur flitet për posedimin dhe qarkullimin e armëve në Kosovë dhe ndër shqiptarët, zakonisht mendohet për furnizim nga Shqipëria. Armët e mbledhura nga KFOR-i dhe UNMIK-u tregojnë, ndërkaq, se furnizues janë të gjitha vendet e rajonit që prodhojnë, që duan të fitojnë ose kanë tepërica të armëve që nuk u duhen më. Njësoj janë të pranishëm edhe shumë prodhues të tjerë, ballkanikë dhe jashtëballkanikë të armëve. Në këtë pikëpamje rajoni jugor i Ballkanit mund të përfaqësojë ekspozitën më reprezentative botërore të armëve klasike, të cilat prodhuesit kryesisht i kanë nxjerrë nga përdorimi.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI