Pavarësia e Malit të Zi dhe Kosovës - një ecje e gjatë nëpër mundime!
Prishtinë, 04.04.2001.
Rrjedhat dhe përfundimi i zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi janë ndjekur me interesim të madh nga popullata, mediat, opinioni dhe nga politikanët kosovarë. Por, pritjet dhe shpresat nuk kanë qenë të njëjta. Serbët, ndoshta edhe segmente të ngushta të ndonjë komunitetit tjetër kombëtar kanë dëshiruar fitoren e koalicionit për Jugosllavinë. Kalkulimet e tyre lidhur me Malin e Zi janë më të hershme. Vlerësojnë se shkëputja eventuale e Malit të Zi do ta hapte ose do ta lehtësonte rrugën e Kosovës për shkëputje nga Serbia ose Jugosllavia. Po të mos mund të ndahej Mali i Zi nga Jugosllavia, atëherë, me një këmbëngulje më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare gati se do të bëhej e pamundshme shkëputja e Kosovës. Jo njëherë, gjatë muajve të kaluar politikanët serbë ia kanë tërhequr vërejtjen presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, se kur kërkon shkëputjen e vendit të tij nga Jugosllavia duhet gjithsesi të ketë parasysh interesin, jo vetëm të Serbisë, respektivisht se një akt i tillë do t'ia hapte rrugën pavarësisë së Kosovës. Në këtë pikëpamje më së shumti kanë insistuar politikanët serbë të Kosovës. Opinioni kosovar është gjerësisht i informuar se zyrtarët e Malit të Zi, duke përfshirë edhe presidentin Gjukanoviq, nuk e kanë pranuar këtë tezë duke theksuar se statusi i Kosovës do të zgjidhet në trekëndëshin Prishtinë-Beograd-bashkësia ndërkombëtare, ndoshta në një periudhë të gjatë dhe se Mali i Zi nuk mund të mbetet peng i rrjedhës së këtij procesi.
Politikanët shqiptarë dhe të tjerë kosovarë nuk u eksponuan aq shumë gjatë fushatës paraelektorale. Kjo nuk do të thotë se edhe ata, sikurse edhe opinioni kosovar, intimisht nuk kanë dashur që koalicioni malazez që angazhohej për shkëputje të shënojë fitore të thellë. Por, janë nisur nga vlerësimi se Kosova është një problem i veçantë dhe se fati i saj nuk mund të lidhet as pjesërisht për rrjedhat e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës. Kanë konkluduar se pështjellimet e mundshme në këtë pikëpamje mund të dalin shumë të dëmshme për veprimet politike dhe diplomatike në favor të pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër, opinioni kosovar me interesim të madh ka ndjekur rrjedhat e fushatës paraelektorale dhe me kurreshtje pret çka mund të sjellë rezultati i ngushtë i zgjedhjeve. Përkundër maturisë së politikanëve dhe të partive, në opinion gjerësisht konsiderohet se shkëputja e Malit të Zi do t'i avansonte rrjedhat për prishjen definitive të Jugosllavisë dhe, madje, të vet idesë jugosllave. Supozohet, ndoshta jo pa arsye, se prishja e Jugosllavisë do të jetë ndihmesë për një kthjellim të theksuar të pozitës së Kosovës. Do të dobësohen argumentet e atyre që të ardhmen e Kosovës e shohin nën kapuçin e Beogradit. Vlerësojnë se në qoftë se nuk mund të bëjnë bashkë dy popuj aq të afërt për nga prejardhja etnike, gjuha, kultura dhe historia, siç janë serbët dhe malazezët, do të ishte absurde të insistohet të jetojnë bashkë, qoftë edhe në një lidhje të brishtë shtetërore, shqiptarët dhe serbët. Argument tjetër shtrohet lufta gati dyvjeçare në Kosovë, kur pushteti serb u përpoq që problemin e të drejtave të shqiptarëve ta zgjidhë me vrasje dhe me dëbimin e tyre nga trojet e veta.
Sipas supozimeve të gazetarëve dhe të analistëve të vendit dhe të huaj që prezentohen gjerësisht në mediat e këtushme, shkëputja e Malit të Zi nga Jugosllavia do ta lehtësonte çështjen e pavarësimit të Kosovës edhe nga aspekti i qëndrimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB, ku Kosova trajtohet nën sovranitetin e Jugosllavisë. Në këtë Rezolutë askund nuk përmendet Serbia, e cila është pretenduese e vetme mbi territorin e Kosovës. Ka të tillë në botë që nuk bëjnë dallim ndërmjet Serbisë dhe Jugosllavisë, por kjo nuk mund të thuhet për ekspertët dhe diplomatët që e kanë hartuar Rezolutën 1244. Prandaj, eliminimi i Serbisë nga Rezoluta mund të shpjegohet si nxjerrje faktike dhe juridike e Kosovës nga Serbia dhe trajtim të saj në rrafshin e Jugosllavisë. Pikërisht kjo ka qenë teza në shumë deklarata të diplomatëve se Kosova nuk do të kthehet më nën pushtetin e Serbisë. Por, njëherësh, me këtë tezë është sugjeruar një lidhje që do ta arrinin si njësi të barabarta Serbia, Kosova dhe Mali i Zi.
Shpjegimi i thjeshtësuar në këtë aspekt është se në qoftë se nuk do të ekzistonte Jugosllavia, do të eliminohej korniza jurdike e lidhjes ndërmjet Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë. Njëri nga intepretimet e mundshme që u konvenon shqiptarëve është se në qoftë se nuk ka Jugosllavi, bie poshtë Rezoluta 1244. Kosova juridikisht mbetet diku jashtë, pra krijohet një gjendje faktike e pavarësisë të saj. Por, gjendja juridike dhe faktike pas shkëputjes eventuale të Malit të Zi, në Beograd trajtohet krejtësisht ndryshe. Në intervistën që ia dha para disa muajsh gazetës së Prishtinës "Koha Ditore" dhe, pastaj, edhe në disa deklarat të tjera, presidenti i Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica pati vlerësuar se në rast të shkëputjes së Malit të Zi, në pozitën e Kosovës juridikisht nuk do të ndryshonte asgjë. Sipas tij, Serbia është trashëgimtare e ligjshme e Jugosllavisë.
Por, në Prishtinë ka edhe të atillë që, edhe sikur të shkëputej Mali i Zi, rrjedhën e ngjarjeve nuk e shohin në mënyrë aq të thjeshtësuar. Ata i marrin shumë seriozisht qëndrimet e fuqive të mëdha për ruajtjen e Jugosllavisë së tashme dhe vlerësojnë se qendrat diplomatike botërore, në një masë të madhe, e kundërshtojnë pavarësimin e Malit të Zi edhe për shkak të Kosovës. Prandaj, supozojnë se në Njujork dhe në kancelaritë e fuqive të mëdha do të bëhet çmos që kjo Jugosllavi të mos prishet, por edhe sikur të prishet do të kërkojnë interpretime që nuk do të lejonin shkëputje aq të lehtë të Kosovës nga Beogradi, siç aspirojnë shqiptarët. Në rast të prishjes së Jugosllavisë, ata presin që fuqitë e mëdha të angazhohen, së pari për një inkuadrim të Kosovës nën pushtetin e Serbisë e, pastaj, për një zvarritje sa më të madhe në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Vlerësohet se pavarësia e Kosovës vështrohet jo vetëm nga aspektet e kalkulimeve dhe interesave diplomatike dhe të tjera të fuqive të mëdha dhe të marrëdhënieve Prishtinë-Podgoricë-Beograd, por edhe nga aspekti i sigurisë së kësaj pjese të Ballkanit.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI