Doganat që dogana nuk janë
Prishtinë, 30.04.2001.
Sadoqë në letërkëmbimin ndërmjet z.Koshtunica dhe z. Haekkerup, kryetari i Jugosllavisë përmend nocionin "dogana" lidhur me kontestin që shpërtheu midis komunitetit serb në veri të Kosovës dhe zyrtarëve të Beogradit, në njërën anë, dhe administratës ndërkombëtare në Kosovë, në anën tjetër, lidhur me vendosjen e pikave të kontrollit kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, e vërteta është diçka krejt tjetër. "Unë mendoj se autoritetet e Beogradit e kanë keqkuptuar këtë pozicion dhe ajo që po ndodh në veri të Mitrovicës nuk është ndojë problem aq i madh. Për shkak të efikasitetit dhe aftësisë së tyre profesionale ne kemi angazhuar nëpunës të doganave, por ato nuk janë dogana", thotë z. Andy Bearpark, përgjegjës i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, e cila mban përgjegjësinë për ekonominë, përndryshe e njohur edhe si Shtylla e Bashkësisë Evropiane.
Vendosja e pikave për grumbullimin e tatimit në kufirin Kosovë - Serbi është vetëm një gjysmë hapi i UNMIK-u. Në fakt, aty nuk do të ketë dogana, as taksë doganore për mallrat me prejardhje nga Jugosllavia. Prandaj, edhe rebelimi i serbëve në veri të Kosovës, siç vlerësojnë vëzhguesit e këtushëm, është vetëm një farsë. UNMIK-u po tenton të mbyllë korridoret për kontrabandën e mallit, përkatësisht që atë ta fusë në qarkullim legal, prej nga do të vjelë tatimin në qarkullim, por kjo siç duket e godet një pjesë të popullatës në veri të Kosovës, përkatësisht strukturën që e kontrollon atë qarkullim dhe propagandë.
"Sa u përket qendrave të mbledhjes së tatimeve, ne jemi duke operuar njësoj në tërë Kosovën. Fatkeqësisht, ka disa keqkuptime. Kosova ka katër shtigje përmes të cilave komunikon me fqinjët. Ka kufij ndërkombëtarë me Shqipërinë dhe me Maqedoninë, dhe ka një vijë kufizuese me Serbinë dhe Malin e Zi. Doganimi sipas marrëveshjeve ndërkombëtare mund të bëhet vetëm në kufijtë ndërkombëtarë. Por, është normale të mbledhësh tatim në shitje brenda një territori, që është burimi kryesor për Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës. Gjatë këtyre 16-17 muajve, ne kemi bërë gjithçka që të mund të mbledhim tatimin në shitje. Është fakt që njerëzit nuk duan të paguajnë tatime. Dhe, sa herë që ne vendosim ndonjë pikë tatimore, disa thonë se kjo nuk është fer. Unë them se kjo është korrekte, meqenëse me hapjen e pikave të reja, ne mbledhim mjaft tatime", vlerëson Bearpark.
Me arsyetimin se të gjitha mallrat duhet t'i nënshtrohen tatimit në qarkullim, kurse dogana hapen vetëm në kufijtë ndërkombëtarë të Kosovës, do të thotë me Shqipërinë dhe Maqedoninë, UNMIK-u mohon tërësinë doganore të Kosovës. Prandaj, arsye për reagim kanë edhe shqiptarët, të cilët kanë shpresën për shtetin me të gjitha atributet e tij. Madje, koncepti i sistemit doganor që instalon UNMIK-u, pohojnë afaristët kosovarë, ka qasje diskriminuese ndaj qarkullimit të mallrave. Më të diskriminuara janë mallrat që importohen nga Shqipëria, për të cilat në buxhetin e Kosovës paguhet 26,5 për qind e vlerës së tyre të përgjithshme. Nga ana tjetër, për mallrat nga Maqedonia paguhet 16,5 për qind, kurse për ato nga Serbia dhe Mali i Zi vetëm 15 për qind. Sipas analistëve të këtushëm, fjala është për një qasje specifike me primesa diskriminuese ndaj mallrave që importohen. Madje, kjo sipas tyre nuk bëhet për interesa ekonomike, por vetëm për të kënaqur një kërkesë politike, e cila sipas përfaqësuesve ndërkombëtarë ka mbështetje në Rezolutën 1244.
"Nuk është e drejtë të përshkruhen Zyrat e Mbledhjes së Taksave si Doganë dhe taksat si "taksa kufitare". Faktikisht këto masa janë të njëjta ose shumë të ngjashme me ato të shfrytëzuara në vendet siç janë SHBA-të, Kanadaja, ku përqindjet e tatimit në qarkullim, akciza ose TVSH ndryshojnë midis shteteve brenda vendit", shkruan në një informatë të UNMIK-ut.
Do të thotë problemi vështrohet si çështje e brendshme e një shteti. Në këtë rast relacione të këtilla krijohen ndërmjet Kosovës me Serbinë dhe Malin e Zi.
Pra, UNMIK-u nuk vendos dogana dhe as kontroll doganor, që këtu konsiderohet se realisht do ta dëmtojë ekonominë dhe buxhetin e Kosovës.
Le ta përmendim këtu rastin e Maqedonisë. Me respektimin e një marrëveshje të arritur më heret ndërmjet këtij shteti dhe regjimit të Beogradit ( gjatë kohës së sundimit të Millosheviqit), mallrat me prejardhje maqedonase gëzonin preferenciale - ngarkesë tatimore vetëm një për qind. Kjo u keqpërdor pas qershorit të vitit 1999. Biznesmenë kosovarë, apo edhe të vendeve të tjera, pohojnë se me një pagesë simbolike mund të merret një dëshmi zyrtare se malli që hyn në Kosovë ka prejardhje nga Maqedonia. S'ka lidhje se prejardhja e tij ështe nga Azia, Afrika, apo nga vende të tjera.
Kështu edhe dogana dhe sistemi doganor mbetet peng i statusit politik të pazgjidhur të Kosovës, ndërsa rebelimi serb është vetëm kundërshtim ndaj një kontrolli që vendoset në qarkullimin e mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, afaristët kosovarë kërkojnë prej kohësh vërtet hapjen e pikave doganore me Serbinë dhe Malin e Zi, për t'i mbrojtur ashtu interesat e tyre ekonomike.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI