Preshevë: ndërprerje dhe kushtëzim i negociatave

Pristina May 1, 2001

Prishtinë, 30.04.2001.

Dy pjesëtarë të policisë serbe u përjashtuan nga puna për shkak se i dhanë "flakaresha" një plaku të përkatësisë kombëtare shqiptare në Luginën e Preshevës. Ishte ky lajmi "sensacional" i emetuar nga Trupi koordinues i Qeverisë serbe për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, komuna këto me shumicë shqiptare në jug të Serbisë. Në të njëjtën kohë, ky trup i udhëhequr nga zëvendësministri serb, Nebojsha Çoviq, paralajmëroi "masa ndëshkuese për ata pjesëtarë të policisë që kanë plaçkitur e demoluar shtëpitë shqiptare në fshatin Lluçan të komunës së Bujanocit", fshati që u bë i "famshëm" si qendër negociuese ku janë mbajtur dy raunde bisedimesh ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre të qeverisë serbe. Megjithatë, këto shenja të "vullnetit të mirë" të palës serbe nuk mjaftuan që grupi i negociatorëve shqiptarë të ulej në atë që do të duhej të ishte raundi i katërt i bisedimeve. Derisa delegacioni i qeverisë serbe po priste në ndërtesën e shkollës fillore të Lluçanit, përfaqësuesit shqiptarë në fshatin fqinj Konçul po u shpjegonin ndërmjetësusve ndërkombëtarë, Pitter Faith, i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, dhe Stefan Lehnes, i dërguar i Bashkimit Evropian, se "nuk kishte kushte për bisedime të mirëfillta". Një nga komandantët e luftëtarëve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit tha se "tri raundet e para të bisedimeve nuk kishin dhënë asnjë rezultat, vetëm sa kishin humbur kohën kot". Të dymbëdhjetë anëtarët e delegacionit negociues shqiptar, pas anulimit të mbajtjes së raundit të katërt të bisedimeve shqiptaro-serbe për Luginën e Preshevës, i dorëzuan një rekomandim ndërmjetësuesit ndërkombëtar, Pitter Faith, lidhur me arsyet e mosmbajtjes së bisedimeve, ndrësa shtruan disa parakushte për vazhdimin e bisedimeve. Ata thanë se bisedimet u pezulluan meqë pikat e rendit të ditës që ishin planifikuar të diskutohen, për delegacionin shqiptar ishin të papranueshme. Raundi i katërt do të duhej të ishte vazhdim i diskutimeve për pikat e mbetura nga raundi i kaluar, siç ishte krijimi i një shërbimi të përbashkët të policisë multietnike dhe kthimi i personave të zhvendosur. Grupi negociues shqiptar ishte këmbëngulës në kërkesën e tij që në Luginën e Preshevës të zbatohet demilitarizimi i plotë i të dyja palëve dhe "kristalizimi" i statusit të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit pas çarmatosjes së saj. Përfaqësuesit shqiptarë ngulin këmbë që "kur bisedohet për kthimin e personave të zhvendosur duhet të përmenden dhe të dihen shkaqet e zhvendosjes dhe kushtet për kthimin e tyre. "Derisa në njërën anë diskutohet për kthimin e shqiptarëve në vatrat e tyre, në anën tjetër militarizohen lokalitetet ku ata duhet të kthehen, çka jep të kuptosh se ata nuk kanë guximin ta bëjnë një hap të tillë", tha një nga përfaqësuesit e partive politike që veprojnë në Preshevë.

"Shqiptarët janë për bisedime konstruktive dhe jo për bisedime të imponuara nga pala tjetër, prandaj sa më shpejt që kjo të kuptohet nga pala serbe dhe nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, aq më shpejt do të bëhet i mundur rifillimi i bisedimeve", deklaroi Naser Haziri, përfaqësues i Partisë Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve. Ndërkaq, përfaqësuesi i Këshilit Politik të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (një organizëm i krijuar me ndërmjetësimin amerikan që synon ta luajë rolin e njëfarë "Shin Feini" të luftëtarëve shqiptarë, Jonuz Musliu, pohoi se arsyeja themelore e mosmbajtjes së negociatave ishte mospërfillja e projektplatformës negociuese shqiptare. "Parakushti kryesor për fillimin e bisedimeve të mirëfillta-konstruktive është demilitarizimi i gjithë rajonit nga të gjitha forcat e armatosura që janë prezente në Luginën e Preshevës", tha Musliu.

Mirëpo, duket se tërë çështja qëndron në paralajmërimet për kthimin e forcave jugosllave në sektorin "BRAVO" të Zonës së Sigurisë Tokësore që përfshin zonën ku vepron Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Kjo zonë, e vendosur në fund të luftës në Kosovë me marrëveshjen tekniko-ushtarake të nënshkruar nga NATO-ja dhe oficerët jugosllavë, është ngushtuar në gjithë zonën tjetër të kufirit përveç në Luginën e Preshevës. Shqiptarët thonë se nëse pretendohet që me dhunë të kthehen forcat serbo-jugosllave në këtë zonë pa u arritur ndonjë kompromis politik, "do të ketë një luftë të madhe dhe të paparë deri tani". Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë u kanë shpjeguar shqiptarëve se Këshilli i Aleancës Veriatlantike ende nuk ka arritur konsenzus lidhur me kthimin e forcave jugosllave dhe se kjo nuk do të ndodhë deri në "krijimin e kushteve për një gjë të tillë". Njëkohësisht, ata kanë siguruar edhe organizatat humanitare ndërkombëtare se kthimi nuk do të jetë i ngutshëm, pas reagimeve të këtyre të fundit që kanë paralajëmruar "luftime të egra dhe vuajtje të reja të civilëve" nëse forcat jugosllave kthehen pa vendosjen e sigurisë për popullatën civile. Shqiptarët pohojnë "se kanë humbur kaherë besimin në forcat jugosllave", prandaj ata i quajnë "farsë politike" deklaratat e nënkryetarit të qeverisë së Serbisë, Nebojsha Çoviq, i cili "dënon policinë serbe për plaçkitjen e pasurisë së shqiptarëve në Lluçan". Në Këshillin Politik të Luginës së Preshevës pohojnë se "zoti Çoviq "me diskursin demokratik" të aplikuar kohën e fundit, dëshiron ta hutojë bashkësinë ndërkombëtare me qendrime gjoja qytetëruese, "ndonëse dihet se ai është njëri ndër bartësit e dhunës së kryer në Luginën e Preshevës".

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për prishje të armëpushimit dhe nxitje të konflikteve, ndërsa konfliktet ekzistojnë edhe brenda tyre. Derisa Çoviq flet për policë të "padëgjueshëm" që nuk kanë zbatuar urdhërat për tërheqje nga shtëpitë shqiptare në Lluçan, përfaqësuesit shqiptarë u ngutën që para gazetarëve të paraqesin grupin negociator në përbërje të plotë, meqë sindromi i përçarjes tashmë "po dërmonte unitetin e faktorit politik dhe ushatarak". Pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit kanë akuzuar komandantët e tyre për "bashkëpunim me palën serbe dhe për pajtim me kompromise të papranueshme". Ndërkohë, njëri nga drejtuesit e Partisë për Veprim Demokratik është ndaluar nga luftëtarët shqiptarë dhe është mbajtur për dy ditë me radhë në gjendje arresti. Tërë këto kanë ndodhur vetëm pak ditë para rifillimit të bisedimeve, prandaj përfaqësuesit e shqiptarëve u ngutën që në vend të negociatave me palën serbe të mbajnë një takim "kokë më kokë të të gjithëve së bashku". Megjithatë, pakënaqësitë brendashqiptare janë të mëdha. Luftëtarët e dinë se arritja e marrëveshjes nënkupton demilitarizimin, por jo edhe ndonjë transformim të tyre në ndonjë organizatë policore apo ushtarako-civile, siç ka ndodhur me luftëtarët shqiptarë në Kosovë. Për ta, demilitarzimi do të thotë fillim i "luftës" për sigurimin e "amnistisë", e nëse kjo sigurohet, atëherë duhet filluar lufta tjetër - ajo për ekzistencë.

AIM Prishtinë, Besnik BALA