As kushtetutë, as referendum
Prishtinë, 29.04.2001.
Në Kosovën e administruar nga Kombet e Bashkuara, askush ende nuk e di se a do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme brenda këtij viti dhe çka do të zgjedhet në ato zgjedhje? Kjo çështje do të duhej të zgjidhej me hartimin dhe miratimin e dokumentit kushtetues të Kosovës, i cili që në fillim u shndërrua në "mollë sherri" ndërmjet pjesëtarëve ndërkombëtarë dhe atyre shqiptarë të një grupi, i cili qe caktuar nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) Hans Haekkerup që të hartojë këtë dokument. Hartuesit e dokumentit biseduan, diskutuan dhe u fjalosën dhe në fund nuk u pajtuan as për emrin e dokumentit. Përfaqësuesit ndërkombëtarë thanë se dokumenti do të quhej "kornizë ligjore", ndërsa përfaqësuesit e shqiptarëve dhe të pakicës boshnjake kërkojnë vazhdimisht që dokumenti të emërtohet "kushtetutë e përkohshme". Mirëpo çështja e emrit doli se ishte problemi më i lehtë për t' u kapërcyer. Ndërkombëtarët propozuan, ndërsa vendorët pothuajse heshturazi u pajtuan, se dokumenti mund të quhej edhe "kornizë kushtetuese", në mënyrë që të kënaqte të dyja palët. Problemet dhe mospajtimet kanë të bëjnë me çështje të tjera "kyçe" për të ardhmen e Kosovës. Shqiptarët duan që Kosova të ketë institucionin e presidentit, të ketë Gjykatë Kushtetuese e mbi të gjitha të ketë të drejtën e vetëvendosjes nëpërmjet një referendumi gjithëpopullor me të cilin do të përcaktohej zgjidhja e statusit politik të saj në fund të periudhës kalimtare. Edhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera joserbe në Kosovë kanë ngulur këmbë që në këtë "kushtetutë" të njihet e drejta e vetëvendosjes për popullin e Kosovës. "Nëse kjo e drejtë u mohohet kosovarëve, kjo drejtpërdrejt e prejudikon statusin e ardhshëm të Kosovës - mbetjen nën Serbinë", thanë zyrtarët e Partisë Popullore Turke, të cilët deri tash kanë këkruar që statusi i tyre në Kosovës të jetë jo më pak se ai çfarë ishte përcaktuar me kushtteutën e vitit 1974. Përfaqësuesit e kësaj partie thanë se me "kushtetutën" që duhet të ketë Kosova ata do të kenë të drejta të barabarta me shumicën shqiptare, si gjuhën, shkollimin, flamurin etj. Prandaj ata kërkojnë që "dokumenti që po diskutohet të quhet kushtetutë e Kosovës dhe në brendi të saj të ketë të gjitha institucionet e nevojshme të një shteti".
Megjithë dëshirën e qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë të Kosovës, ajo nuk do të ketë tash për tash kushtetutë, meqë "ajo u takon shteteve sovrane dhe të pavarura", ndërsa Kosova nuk e ka një status të tillë. Administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Hans Haekkerup, duket se fitoi mbështetjen edhe të NATO-s në zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme sipas "mënyrës së tij". Kërkesat e shqiptarëve për "referendum në fund të periudhës kalimtare", përfundimisht nuk do të kalojnë, meqë siç u shpreh zoti Haekkerup "është jodemokratike që 51 përqindëshi të vendosë për fatin e 49 përqindëshit tjetër". Formula e tillë, thanë vëzhguesit e këtushëm, nuk i përgjigjet rastit të Kosovës. Qëndrimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë kundër referendumit ka të bëjë me faktin se "që më përpra dihet se mbi 90 për qind e shqiptarëve do të votojnë për shtetin e pavarur të Kosovës", ndërkaq misioni ndërkombëtar është këtu për "autonominë substanciale".
Ekspertët shqiptarë kanë propozuar edhe amendamente të tjera, shumë të diskutueshme për ekspertët ndërkombëtarë, siç është krijimi i një qeverie qe do të kishte të gjitha resoret e saj, në radhë të parë ministritë e mbrojtjes, rendit dhe atë të punëve të jashtme. Gjithashtu, ata kanë kërkuar që Trupat Mbrojtëse të Kosovës (oragnizatë kjo e cila ka trashëguar ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës) të shndërrohen në forcë mbrojtëse e të mos mbetet edhe më një organizatë civile, siç ishte përcaktuar me procesin e transformimit të saj. Mospajtimet e thella u shfaqën pikërisht në periudhën kur do të duhej të shënohej fundi i hartimit të këtij dokumenti dhe kur çështja e "miratimit" të tij llogaritej si "punë e kryer". Dy nga anëtarët e pavarur shqiptarë të grupit të përbashkët punues dhanë dorëheqje pasiqë një nga gazetat e përditshme botoi një variant të "dokumentit kushtetues" për të cilin pohohej se ishte teksti i autoriteteve ndërkombëtare, për të cilin nuk ishte pyetur askush nga ekspertët vendorë. Doli se në opsion ishin disa versione, ndonëse autoritetet thanë se ekziston vetëm dokumenti i punuar nga grupi i përbashkët.
Debatet rreth dokumentit u sforcuan deri në acarim ndërmjet subjekteve shqiptare, por edhe në raportet ndërmjet shqiptarëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë. Gazetat u mbushën më kritika të rrepta në adresë të anëtarëve shqiptarë të grupit punues.
Misioni i Kombeve të Bashkuara zgjodhi 'kërcënimin alegorik' për të ushtruar trysni mbi "zhurmaxhinjtë". Në një komunikatë për opinion Misioni u shpreh i dëshpëruar me kritikat që janë bërë në adresë të grupit të përbashkët për hartimin e këtij dokumenti, ndërsa tërhoqi vërejtjen se zvarritja e përfundimit të hartimit të dokumentit ligjor të Kosovës mund të dëmtoje procesin e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme të paralajmëruara për në muajin tetor të këtij viti. Një zëdhënës i këtij Misioni tha se "çdo vonesë në hartimin e dokumentit, mund të vonojë edhe përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve, duke dëmtuar të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai përsëriti qëndrimin e administratës së tij se procesi i organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme kërkon të paktën gjashtë muaj dhe se është shpresuar se deri në fund të muajit prill të miratohet korniza ligjore, në mënyrë që zgjedhjet të mund të mbahen në muajin tetor të këtij viti. Së këndejmi, tha zoti Keats, çdo javë kushton shumë shtrenjtë për këtë proces. Zyrtarët ndërkombëtarë ngulin këmbë se "korniza ligjore do të shërbejë si bazë për vendosjen e një vetadministrimi në të gjitha fushat thelbësore të jetës, duke ruajtur njëkohësisht përkrahjen ndërkombëtare për Kosovën". Ata theksojnë se, "sikundër thuhet edhe në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në këtë periudhë është paraparë vendosja e mirëfilltë e institucioneve vetëqeverisëse, përderisa të mos përcaktohet statusi përfundimtar i Kosovës".
Debatet në mesin e shqiptarëve megjithatë vazhdojnë të jenë shumë të rrepta. Përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Përkohshëm Administrativ (organi më i lartë i bashkëqeverisjes me ndërkombëtarët) ka kërkuar vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit të miratimit të dokumentit kushtetues, duke lënë të hapur mundësinë e pranimit të "kompromiseve", sigurisht për ta të dhimbshme. Vëzhguesit kanë tërhequr vërejtjen me kohë se teksti i dokumentit është hartuar asisoji që të lërë hapësirë të madhe për kompromise. Megjithatë, liderët krysorë shqiptarë kanë ngulur këmbë se "kushtetuta që nuk do të përcaktojë qartë strukturat vetadministruese në Kosovë dhe e cila, mbi të gjitha, nuk do të përcaktojë qartë mekanizmat e vendosjes do të jetë një zero kushtetutë". Ata ngulin këmbë se kërkesat e tyre nuk bien ndesh me dokumentet ndërkombëtare, ndërsa e drejta e vetëvendosjes është fituar gjatë periudhës së luftës dhe në Konferencën e Rambouilletit, prandaj "do të ishte absurde që kjo e drejtë të humbet në paqe". Ndonëse i konceptuar si dokument, i cili do të mundësojë bartjen e pushtetit nga autoritetet ndërkombëtare tek ato vendore, sipas përfaqësuesve shqiptarë dokumenti edhe më tej kufizon shumë pjesëmarrjen e shqiptarëve në institucionet e vendosjes, duke i lënë autorizime shumë të mëdha të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Vëzhguesit pohojnë, ndërkaq, se tash për tash dhe derisa Kosova të qeveriset në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara "është e natyrshme që pushteti të mbetet i përqendruar në duart e administratorit ndërkombëtar". Sipas tyre, shqiptarët duhet të angazhohen në krijimin e një "balanci të këtij pushteti", por kurrsesi të luftojnë për zvogëlimin e tij, meqë kjo vetëm sa mund të nxisë "ftohjen e marrëdhënieve me administratën ndërkombëtare". Për shumicën e vëzhguesve "zhurma e nxitur rreth dokumentit më shumë është një retorikë patriotike sesa shprehje e pakënaqësive me dokumentin, i cili nuk mund të jetë me i fuqishëm sa u përket institucioneve vendore të Kosovës". Ekzistimi i administratorit të Kombeve të Bashkuara, sipas tyre, e zbeh rëndësinë e ekzistimit të institucionit të presidentit të Kosovës, ndërsa çështja e emërtimit të dokumentit nuk do të duhej të ishte "mollë sherri".
Sidoqoftë, miratimi i dokumentit po zvarritet, ndërsa autoritetet ndërkombëtare duket se do të shfrytëzojnë kompetencat e tyre për t'u dhënë fund mospajtimeve dhe zhurmës mediale rreth tyre. Administratori Haekkerup tha se në rast të mosmarrëveshjeve ai do t'i drejtohet "shefit të tij, Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan", nga i cili mund të marrë autorizimin për miratimin e këtij dokumenti edhe pa pëlqimin e përfaqësuesve vendorë. Duket se Haekkerup do ta bëjë këtë tani pas marrjes edhe të vërejtjeve të përfaqësuesve të komunitetit serb, të cilët e kanë bojkotuar punën e grupit të përbashkët, mirëpo për shkak të pozitës specifike "kanë fituar të drejtën që punën e tyre ta bëjnë ndaras".
Muaji maj duhet të shënojë edhe fillimin e procesit të organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, të cilat janë cilësuar si ngjarja më e rëndësishme e këtij viti. Vetë organizimi i tyre duket se do të jetë "xhokeri" kryesor në duart e administratës ndërkombëtare, e cila shqiptarët e zemëruar mund t'i vërë para dilemës nëse duan zgjedhje, apo duan të bartin mbi supe fajin për dështimin e mundshëm të tyre!
AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA