Shqiptarët dhe pranimi i kufijve
Prishtinë, 22.04.2001.
Konflikti i paradokohshëm në Maqedoni e ashpërsoi nevojën e qartësimit maksimal të qëndrimeve të përfaqësuesve të shqiptarëve të të gjitha rajoneve të kësaj pjese të Ballkanit për çështjen e respektimit të kufijve. Problemi u bë akut për shkak të akuzave për eksport të turbullirave dhe të jostabilitetit, por edhe të presionit dhe kërcënimeve që iu bënë Kosovës, madje edhe me izolim të plotë dhe ndëshkim kolektiv. Fjala është për akuzat se shqiptarët veprojnë për bashkim në një shtet dhe, kështu, me dhunë synojnë t'i prishin kufijtë ekzistues. Dikur flitej për objektiva për ta formuar Shqipërinë e Madhe, kurse kohëve të fundit akuzohen edhe për synime për të formuar një Kosovë të Madhe.
Asnjëherë shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre, sidomos ata të Kosovës, nuk u ishin nënshtruar presioneve më të mëdha nga jashtë për deklarim pa mëdyshje për çështjet e kufijve dhe për marrëdhëniet me popujt dhe shtetet fqinje. Me ashpërsi të njëjtë, qartësim të këtillë të qëndrimeve këtë herë kërkuan edhe shumë miq të shqiptarëve. Dhe, duket sikur presionet e bënë të vetën. Por, shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë faktor serioz që me forca të veta t'i jetësojnë ëndrrat e Rilindjes Kombëtare për bashkim në një shtet. Prandaj, edhe pse, ndoshta pak ose shumë, një ëndërr e tillë ka ekzistuar në preokupimet e një pjese të shqiptarëve, ajo asnjëherë nuk ka arritur në faza të angazhimit për jetësim praktik. Thjesht, edhe politikanët shqiptarë edhe pjesa më e madhe e popullit kanë qenë të vetëdijshëm se një angazhim i tillë nuk ka gjasa reale. Ky fakt ka qenë vendimtar pse në trojet shqiptare të kësaj pjese të Ballkanit nuk ka lëshuar rrënjë të thella ideja e bashkimit të shqiptarëve në një shtet që do të ishte një Shqipëri e Madhe. Sa për idenë për një Kosovë të Madhe, me siguri të plotë mund të thuhet se ajo është produkt i kundërshtarëve të shqiptarëve dhe se ndër shqiptarë të Kosovës një ide e tillë nuk ka qenë e pranishme, as më heret, e as viteve të fundit.
Përkundër evoluimeve brendashqiptare në vështrimin realist të gjërave dhe peshimeve se çka mund të humbet e çka mund të fitohet me angazhimin për bashkim në një shtet, akuzat për Shqipëri ose Kosovë të madhe nuk kanë pushuar. Në periudha të marrëdhënieve të këqija ndërmjet fqinjëve, akuzat e tilla janë konsideruar gogolë më efikasë në luftërat diplomatike, propagandistike dhe me armë kundër shqiptarëve. Madje edhe atëherë kur është luftuar me armë për pushtimin dhe nënshtrimin e tyre, shqiptarët janë akuzuar se kanë çuar kokë për formimin e Shqipërisë së Madhe. Viteve të fundit këto gogolë janë përdorur sa herë që fqinjët e tyre kanë dashur t'i njollosin shqiptarët si turbullues të rehatisë rajonale, pengues të harmonisë shumetnike, prishës të proceseve demokratike dhe cenues të kufijve. Për shkak të fuqisë më të madhe ndikuese të fqinjëve dhe raporteve të caktuara ndërmjet fuqive lokale dhe të mëdha, në të kaluarën dhe në kohën më të re, për shkak të afiniteteve politike, kalkulimeve dhe interesave afatgjate ose afatshkurtra diplomatike, në disa vende këto akuza janë konsideruar kërcënime serioze, madje edhe akute për fqinjët e shqiptarëve. Por, pa marrë parasysh arsyetimet e palës shqiptare, nuk mund të mohohet se fqinjët i kanë pasur disa mbështetje për dyshime ndaj aspiratave strategjike të shqiptarëve.
Pas përvojave të 3-4 vjetëve të fundit dhe vendosmërisë së qendrave të mëdha diplomatike dhe ushtarake botërore që pas Kosovës të mos lejojnë më konflikte të armatosura, kurse raportet në këtë pjesë të Ballkanit t'i rregullojnë pa armë, shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre gjetën shumë arsye të deklarohen prerazi, pa asnjë mëdyshje, për çështjen e kufijve në Ballkan. E panë vetë se mosdeklarimi u sjell shumë dëme në raportet ndërkombëtare, kurse deklarimi sjell dobi në pikëpamje se i heq dyshimet dhe shkaset për akuza të paarsyeshme dhe, njëherësh, gradualisht mund të krijojë kushte për normalizim të plotë të marrëdhënieve me fqinjët. Duhet të supozohet se shkak i hezitimit gati njëqindvjeçar për t'i pranuar formalisht kufijtë ndërmjet shteteve të Ballkanit ka qenë çështja e Kosovës. Sado që nuk kanë pasur mundësi t'i ndërrojnë gjërat, duket sikur shqiptarët nga të gjitha anët e kufirit asnjëherë nuk janë pajtuar që Kosova të mbetet në Serbi. Ndër shqiptarë dhe përfaqësuesit e tyre mbretëron përshtypja se pas luftës në Kosovë gjërat kanë ndryshuar, së paku kur është fjala për fatin e Kosovës. Besohet se, marrë në përgjithësi, edhe në botë pranohet se në sistemin e tashëm ballkanik duhet të respektohen si gjendje faktike edhe kufijtë e Kosovës. Prioriteti i Kosovës që njëherësh ka gjasa reale për pavarësi, të mirat që mund t'i sjellë ndryshimi dhe qëndrimet e fuqive të mëdha dolën argumente bindëse që përfaqësuesit e shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike ku jetojnë ta bëjnë hapin historik që edhe formalisht t'i pranojnë kufijtë ekzistues të shteteve, duke përfshirë edhe Kosovën, në këtë pjesë të Ballkanit.
Me deklarata të tilla, të posaçme ose të përbashkëta, publikisht dolën forcat kryesore politike të pozitës dhe opozitës në Shqipëri, partitë shqiptare në Maqedoni, duke përfshirë edhe UÇK-në (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) e atjeshme, partitë e Luginës së Preshevës, duke përfshirë edhe UÇPMB-në (Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit) dhe partitë shqiptare në Mal të Zi. Pas shumë deklarimeve të veçanta partiake, edhe partitë kryesore shqiptare të Kosovës kolektivisht u deklaruan për respektimin e kufijve ekzistues në këtë pjesë të Ballkanit. Miratuan një dokument që ata e quajtën Memorandum për Sekretarin Amerikan të Shtetit, Kolin Pauel. Në atë dokument që ia dorëzuan atij gjatë takimit të paradokohshëm, udhëheqësit shqiptarë u angazhuan për siguri reciproke të kufijve rreth Kosovës, posaçërisht me Maqedoninë dhe me Serbinë, ku paraqiten tensione më të mëdha. Për arritjen e sigurisë, ata ofruan nënshkrimin e marrëveshjeve të posaçme me këto dhe të gjitha vendet fqinje për çështje të sigurisë rreth kufijve dhe dialog me të gjitha vendet që dolën nga ish Jugosllavia për ta forcuar sigurinë rajonale. Kështu, sado që tash dhe në të ardhmen nga anë të ndryshme të kufirit mund të paraqiten zëra për bashkim në një shtet, pas përvojave të këtyre viteve nuk duket se ata do t'i kapërcejnë margjinat politike ku gjenden edhe tash. Partitë kosovare, liderët e të cilave e nënshkruan memorandumin, në zgjedhjet e vitit të kaluar fituan rreth 93 për qind të votave kosovare. Në anën tjetër, disa parti kosovare që në forma të ndryshme angazhohen për bashkim kombëtar, për nga numri i votave të elektoratit, janë në margjina të politikës kosovare.
Se çfarë mund të jetë disponimi momental, së paku në Shqipëri, lidhur me çështjen e bashkimit kombëtar, mund të shihet nga reagimet e këtoditshme në Tiranë ndaj deklaratës të kryetarit të Këshillit Drejtues të Partisë Aleanca Demokratike (PAD), Arben Imami. Kohë më parë, ai publikisht tha se partia e tij është për një bashkim paqësor të Kosovës me Shqipërinë. Imami është aktualisht ministër i drejtësisë në qeverinë e koalicionit, në të cilën PAD-i ka edhe zyrtarë tjerë të lartë. Por, postet i mban vetëm në saje të pjesëmarrjes në koalcionin qeveritar. Numri i votave që vetë PAD-i i ka fituar në zgjedhjet e deritashme sillet rreth 3 për qind. Deklarata e Imamit u kontestua nga udhëheqës të vet PAD-it dhe u vlerësua si qëndrim i tij personal. Parti të tjera dolën me vlerësime se një deklarim i tillë mund të jetë provokim, punë dreqi e të tjera. Por, duket se kryesisht mbisundon mendimi se deklarata është dhënë në kontekstin e angazhimit në fushatën paraelektorale. Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri do të mbahen kah fundi i qershorit.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI