Ku shpie korniza juridike e Kosovës?!
Prishtinë, 21.04.2001.
Pas daljes në opinion të projekteve të kornizës ligjore apo kushtetutës së përkohshme dhe reagimeve kryesisht kritike, në opinionin shqiptar është krijuar konfuzion për fazat e ardhshme të përgatitjes dhe të miratimit të versionit përfundimtar. Pas botimit të projektit të versionit që e përgatiti grupi i përbashkët kosovar-ndërkombëtar, 2-3 ditë më vonë, më 19 prill doli në shesh edhe versioni i UNMIK-ut, për të cilin anëtarët kosovarë të grupit thonë se nuk kanë ditur gjë dhe nuk është shtruar para grupit të përbashkët për shqyrtim, si një nga propozimet e mundshme. Anëtarët kosovarë të grupit të përbashkët ekzistimin e versionit të UNMIK-ut e konsiderojnë si sjellje jokorrekte të UNMIK-ut, i cili organizon grup të përbashkët për një version të harmonizuar, e në anën tjetër e mban të fshehur versionin rezervë. Prandaj, dy anëtarë shqiptarë të grupit të përbashkët dhanë dorëheqje, kurse anëtarët tjerë kosovarë nuk e nënshkruan as 99 përqindëshin e harmonizuar të versionit të grupit të përbashkët. Në mbledhjen e të mërkurës (18 prill) të Këshillit Kalimtar të Kosovës u shfaq droja se konfuzionet e këtilla dhe pakënaqësitë në opinionin shqiptar mund të shfrytëzohen për shtyrje të miratimit të tij. Zvarritja eventuale do të mund të ndikonte drejtpërdrejt në caktimin e datës së zgjedhjeve në nivel të Kosovës, çka padyshim do t'i ashpërsonte raportet politike brendakosovare dhe, sidomos, ndërmjet ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve. Edhe pse nuk ka kohë, disa argumentojnë se do të ishte në interes të UNMIK-ut dhe të kosovarëve që në versionin përfundimtar të dokumentit të mos vijë në shprehje fryma garuese për sa më shumë autorizime për UNMIK-un ose për kosovarët.
Konfuzion është krijuar edhe për përmbajtjen e projekteve, sidomos pas vlerësimit unanim të anëtarëve ndërkombëtarë dhe kosovarë të grupit se në versionin që e kanë përgatitur ata, është arritur pëlqimi për 99 për qind të përmbajtjes. Madje, dikush flet për 99.99 për qind. Megjithatë, pas botimit të versioni të grupit të përbashkët del se çështjet që janë lënë të hapura si: emërtimi-kornizë ligjore apo kushtetutë e përkohshme, pastaj presidenti, gjykata kushtetuese dhe mundësia e shprehjes së vullnetit të popullit, mund të përbëjnë më shumë se 1 për qind të çështjeve të paharmonizuara. Përfaqësuesit e shqiptarëve dhe të të gjitha partive të tjera, përveç atyre serbe, nënshkruan në mbledhjen në fjalë të Këshillit Kalimtar të Kosovës një deklaratë të përbashkët ku nga faktorët ndërkombëtarë në Kosovë dhe jashtë saj kërkuan që çështjet e hapura të zgjidhen në frymën e aspiratave të shumicës së madhe kosovare.
Kritikat drejtuar versionit që u përgatit nga grupi kosovar-ndërkombëtar zgjerohen edhe në 99 përqindëshin që politikanët dhe partitë nuk e problematizojnë, duke e marrë të harmonizuar. Kështu, drejtpërdrejt ose tërthorazi vërejtje u bëhen edhe anëtarëve shqiptarë të grupit punues për përgatitjen e projektit. Vërejtja e parë është pse i servojnë opinionit shpjegime që nuk kanë mbështetje në atë version dhe pse i prezentojnë si kompetenca të organeve lokale kosovare disa gjëra që mund të konsiderohen të tilla vetëm sipas interpretimeve të caktuara. Vërejtje e dytë është pse në një dokument juridik që duhet të ketë qartësi sa më të madhe, kanë pranuar formulime mjegulluese tipike politike. Deri tash nuk janë dëgjuar kritika për moskompetencë profesionale ose pse kanë bërë kompromise të shumta.
Fitohet përshtypja se pas gjithë punës së përbashkët që më 19 prill përfundoi me dorëheqjet e dy anëtarëve shqiptarë dhe mosnënshkrimin e versionit 99 për qind të harmonizuar nga anëtarët tjerë kosovarë të grupit të përbashkët, rrjedhat kanë filluar të marrin edhe dimensione më të gjera të padëshirueshme politike. Rrjedhat e tilla që tash dolën në opinion ka qenë e mundur të vërehen qysh më heret. Ato u imponuan që nga fillimi me qasjet politike shqiptare dhe të UNMIK-ut se do të përgatitet një dokument që mund të ketë rol të madh në rrjedhat e ardhshme të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ky ishte një gabim që solli garën për të fituar sa më shumë autorizime për të vendosur për rrjedhat e jetës në Kosovë. U zgjeruan ambicjet në anën e shqiptarëve, kurse në UNMIK, me njëfarë krenarie, flitej se do të bëhet kosovarizimi i institucioneve që do të vendosin për çështje të rëndësishme kosovare, sidomos të rrjedhave të brendshme. Kështu, u kapërcyen suazat dhe caqet reale që mund t'i kishte dokumenti në periudhën e tashme kalimtare: ta bëjë të mundshme mbajtjen e zgjedhjeve në nivel të Kosovës. Dhe, pastaj, zgjedhjet duhet të sigurojnë, së pari, formimin e organeve funksionale lokale që do ta plotësonin pushtetin e UNMIK-ut ose do të ishin partnerë të tij në punën e përbashkët dhe, së dyti, zgjedhjen e organeve kosovare që do të kishin legalitet dhe legjitimitet për të biseduar për të gjitha problemet e Kosovës, duke përfshirë edhe statusin përfundimtar. Prandaj, ambicjet dhe zhurma rreth kornizës ligjore ose kushtetutës së përkohshme duhej të ishin të një niveli shumë më të ulët.
Por, pa marrë parasysh këto supozime, nga 99 përqindëshi i harmonizuar duket sikur organet vetëqeverisëse të Kosovës, për shkak se nuk do të kenë farë autorizimesh të rëndësishme ose të paqartësive dhe të përzierjeve të autorizimeve, nuk do të mund të jenë funksionale, e aq më pak partnerë seriozë të UNMIK-ut për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta kosovare. Autorizimet janë tejet të kufizuara edhe sikur të lihen anash çështjet e sigurisë, të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme. Kështu, thelbësisht, edhe në të ardhmen nuk do të jenë bindëse fajësimet e palës kosovare për mosplotësimin e përgjegjësive të saj në Kosovë. Të drejtat e vendosjes për çështje thelbësore janë rezervuar për kryeadministratorin. Ai do të ketë mundësi ta stopojë, kur e vlerëson të arsyeshme, çdo akt të kuvendit të ardhshëm të Kosovës nga fusha e autorizimeve të kuvendit. Përveç kësaj, është e drejtë ekskluzive e kryeadministratorit t'i shpallë aktet që i miraton kuvendi në kuadër të autorizimeve të veta. Kjo do të thotë se po nuk i shpalli ai, ato nuk fuqizohen dhe për këtë nuk ka obligim të japë kurrfarë shpjegimesh. Tejet të papërcaktuara janë edhe çështjet e veprimit, të organizimit dhe të përgjegjësive të qeverisë.
Ka shumë çështje konkrete që dëshmojnë se, sa i përket vendosjes, organet e Kosovës do të jenë vetëm diçka më shumë se një formalitet. Në vend se të bëhen përpjekje për të përgatitur një dokument për funksionalizimin e institucioneve të përkohshme demokratike, nga projekti del sikur e gjithë puna është zhvilluar për të nxjerrë nga UNMIK-u sa më shumë autorizime për kosovarët ose që UNMIK-ut t'i mbeten autorizime sa më të mëdha. Në vend se të shikohen mundësitë për formimin e një partneriteti sa më racional në dobi të shoqërisë kosovare, doli sikur qëllim mbi qëllimet ishte interpretimi dhe jetësimi i Rezolutës 1244. Duket sikur Rezoluta është mbi mirëqenien, demokratizimin dhe përparimin shoqëror dhe ekonomik të popullsisë të Kosovës. Me qasje të këtilla u përfitua një përzierje ku ka edhe nuk ka materie kushtetuese. Nuk duket se kjo përzierje siguron mbështetje për funksionim normal të partnerit kosovar në punët e përbashkëta me UNMIK-un. Gjithashtu, fitohet përshtypja se dokumenti nuk mund të konsiderohet demokratik. Edhe me formulime konkrete edhe me frymën e tij imponon raporte jodemokratike ndërmjet kosovarëve dhe ndërkombëtarëve dhe, siç kanë pohuar analistë të këtushëm (jo pa teprime), përpiqet të inaugurojë një mbret të periudhave të monarkive absolutiste. Siç u tha këto ditë, kryeadministratori është shef i të gjitha aparateve dhe shërbimeve kosovare, kurse për të pasur shefllëk të plotë i mungojnë vetëm edhe titujt e udhëheqësve shpirtërorë të besimeve të këtushme fetare. Askund nuk duket se ka obligim t'i japë llogari për punën e vet ndonjë forumi vendor. Me raporte të këtilla nuk mund të vendosen marrëdhënie demokratike dhe vështirë mund të pritet që institucionet lokale të bëhen demokratike.
Kështu, që nga fillimi mbillet fara e rivaliteteve dhe konfrontimeve ndërmjet kosovarëve dhe ndërkombëtarëve. Me këtë përmbajtje, dokumenti nuk krijon mbështetje për raporte të shëndosha ndërmjet partnerëve që kanë interesa dhe detyra të përbashkëta. Rivalitetet dhe konfrontimet janë të dëmshme për të dy palët dhe vetëm mund t'i shtojnë dhe t'i ashpërsojnë sfidat që e presin Kosovën në rrugën e gjatë të normalizimit dhe të krijimit të rrethanave për të qëndruar në këmbë të veta. Nga ky këndvështrim më mirë do të ishte të mos bëhen premtime me fjalë të mëdha, që ashtu më vonë të mos krijohen pakënaqësi dhe dëshpërime në radhët e partnerëve. Por, tash është vonë të mendohet për qasje më modeste ndaj sfidave para të cilave gjendet aktualisht Kosova.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI