"Doganat" dhe trazira të reja në Mitrovicë

Pristina Apr 21, 2001

Prishtinë, 20.04.2001.

Mitrovica sërish është shndërruar në qytet të gurëve, plumbave, barrikadave, telave gjemborë e gazit lotsjellës. Kësaj radhe shkas ishin shërbimet doganore të vendosura në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në ditën e Pashkëve, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë vendosi në veri të Kosovës shërbimet për grumbullimin e taksave me qëllim që mallrat që hyjnë në Kosovë nga Serbia të mos kalojnë pa kurrfarë kontrolli. Mirëpo, përfaqësuesit e komunitetit serb thanë se vendimi i Misionit të Kombeve të Bashkuara është arbitrar dhe nuk është miratuar në konsultim me autoritetet në Beograd. Këshilli Kombëtar Serb dhe partitë politike serbe që veprojnë në veriun e Kosovës krijuan një "shtab të krizës", i cili menjëherë organizoi bllokimin e rrugëve veriore për të mos lejuar funksionalizimin e shërbimeve të taksave. Ata kërkuan që Beogradi të prononcohet lidhur me atë nëse për këtë kishte dhënë bekimin e tij. Autoritetet ndërkombëtare thanë se vendosja e shërbimeve për grumbullimin e taksave është në pajtim të plotë me aranzhimet e reja që vlejnë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Një zëdhënës i këtij misioni, Michael Keats, theksoi se "Qeveria Jugosllave dhe Komiteti i Përbashkët i saj për bashkëpunim me Misionin e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) jane njoftuar për këtë plan që në fillim të muajit shkurt", prandaj për të "është absolutisht e pakuptueshme pse këto plane po kundërshtohen tash dhe nuk pranohen si të domosdoshme për popullatën vendore". Misioni nguli këmbë se mospajtimet duhet të ngriten nëpërmjet kanaleve adekuate, e jo me veprime të paligjshme, sikur që është bllokimi i rrugëve.

Megjithatë, Shtabi i krizës në veri të Kosovës nënvizoi se vendosja e shërbimeve doganore mundëson pavarësimin gradual të Kosovës, duke shënuar kësisoji fillimin e ndarjes edhe formale të Kosovës nga Serbia. Mirëpo, UNMIK-u shpjegoi se vendosja e shërbimeve doganore nuk ka të bëjë me pohimet e tilla, por "me buxhetin e Kosovës, si në çdo vend tjetër në botë, i cili është duke humbur 2.7 milionë marka gjermane në javë për faktin se nafta dhe mallrat tjera që hyjnë në Kosovë nuk i nënshtrohen kurrfarë tatimi".

Shpjegimet e tilla duket se ishin të pamjaftueshme për përfaqësuesit e komunitetit serb, të cilët vazhduan bllokimin e rrugëve. Bllokada u drejtua kundër veturave dhe personelit të UNMIK-ut dhe të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja (KFOR).

Në ditën e katërt të bllokadës forcat paqerujatëse pasi kishin "shterrur" të gjitha mundësitë e zgjidhjes së çështjes me bisedime vendosën të veprojnë me forcë. Ky vendim u pasua nga veprimi i eskavatorëve dhe automjeteve të rënda ushtarake me të cilat paqërujatësit hoqën bllokadat në tri vende duke përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat e banorëve serbë që hodhën gurë mbi KFOR-in. Një grua 62 vjeçe vdiq nga sulmi në zemër, ndërsa të paktën dy qytetarë serbë u lënduan gjatë përplasjeve. Një natë më parë komandnati francez i paqeruajtësve, gjenerali Alen Tartanville i kishte lutur serbët që të lirojnë rrugët meqë "ushtarët e tij kishin mbetur edhe pa ushqime".

Të njëjtën ditë disa qindra serbë u hodhën në protesta të dhunshme duke ua vënë zjarrin dy shtëpive shqiptare në një lagje me popullatë të përzier, të cilën vendësit e quajnë "lagjia e boshnjakëve". Sërish gazi lotsjellës dhe të ashtuquajturat "bomba paralizuese" ishin mjeti kryesor që ndihmoi "qetësimin" e situatës. Mirëpo, ajo që mbeti e pasqaruar ishte se trazirat u përcollën me të shtëna nga armët e zjarrit për të cilat askush nuk e pranoi autorësinë. Mijëra qytetarë serbë vazhduan protestat e qeta duke ngulur këmbë se nuk do të lejojnë vendosjen e doganave në veri. Duket se sinjalin e blertë për këtë kundërshtim e kanë marrë edhe nga Beogradi, i cili zyrtarisht kundërshtoi ngritjen e doganave. Madje, ishte vetë presidenti i ri Jugosllav, Vojisllav Koshtunica, ai i cili kërkoi pezullimin e vendimit të UNMIK-ut. I 'përkëdheluri" i Perëndimit doli hapur kundër vendimeve të administratës së vendosur në Kosovë nga qeveritë e vendeve që u ngutën t'i hapin atij dyert e kthimit në boitën prej nga ishte përjashtuar shumë vite më parë në fillim të serisë së luftërave të nisura nga pararendësit e tij. Ky është komenti që më së shpeshti mund të dëgjohet në shtypin lokal të Prishtinës. Bllokimi i rrugëve dhe njëkohësisht aksioni për zhbllokimin e tyre nga forcat paqerujatëse paraqet përplasjen e parë të politikës së dirigjuar nga Koshtunica dhe forcave ndërkombëtare në Kosovë. Aksioni i KFOR-it ishte i dyti me radhë pas përfundimit të luftës në të cilin u shpreh vendosmëria për vënien nën kontroll të veriut të Kosovës. Gati një vit më parë trupat ushtarake ndërhynë në shkritoret e Kombinatit Trepça në Zveçan, komunë kjo në veri të Mitrovicës e dominuar nga popullata serbe. Shkas për ndërhyrjen me forcë ishte "ndotja e madhe e ambientit dhe rreziku që kjo ndotje paraqet për popullatën vendore". Ndërsa ndërhyrja e fundit synonte lirinë e lëvizjes në radhë të parë për forcat ndërkombëtare e pastaj edhe për qytetarët. KFOR- i tha se është i vendosur që të mbajë të hapura rrugët e veriut, ndërsa serbët thanë se janë të vendosur të mos lejojnë hapjen e doganave.

Trazirat e fundit në këtë qytet janë një përsëritje e skenareve të ngjashme të cilat vetëm i kanë lëshuar vendin njëri-tjetrit që prej përfundimit të luftës në Kosovë dhe ndarjes fizike të qytetit në veriun e dominuar nga serbët dhe jugun e dominuar nga shqiptarët. Administrata ndërkombëtare ka ndërruar shefat e misioneve në këtë qytet njëri pas tjetrit dhe ka hartuar plane pas planesh, por deri tash duket se nuk ka gjetur një "formulë" të saktë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Dhjetëra njerëz janë vrarë, ndërsa mijëra të tjerë janë dëbuar nga banesat e tyre në pjesën veriore, ngjashëm ka ndodhur edhe me banorët serbë të pjesës jugore të qytetit, në mungesë të një zgjidhjeje politike. Në fillim të muajit shkurt të këtij viti trazira të përgjakshme përfshinë këtë qytet pas të cilave autoritetet ndërkombëtare dhe përfaqësuesit kryesorë politikë të shqiptarëve të Kosovës hartaun një plan, i cili synonte zgjidhjen hap pas hapi të problemeve dhe ribashkimin e qytetit të ndarë. Mirëpo, plani asnjëherë nuk u vu në jetë meqë përfaqësuesit e komunitetit serb e kundërshtuan zbatimin e tij. Plani parashihte në radhë të parë zgjerimin e zonës së mirëbesimit (aktualisht ajo përfshin vetëm disa qindra metra te qendrës së qytetit), vendosjen e lirisë së lëvizjës për të gjithë dhe kthimin e personave të shpërngulur nga banesat dhe shtëpitë e tyre. Një nga pengesat deri tash të pakapërcyeshme për autoritetet ndërkombëtare janë "Rojat e Urës", një formacion paraushtarak serb i cili kontrollon urën kryesore mbi lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit, si dhe të tërë pjesës veriore. Të pajisur me radiolidhje "Motorola", ata vigjëlojnë çdo lëvizje të qytetarëve shqiptarë në veri dhe nuk lejojnë qarkullimin e "personave të padëshiruar".

Sidoqoftë, synimi për vendosjen e doganave edhe njëherë nxori në shesh problemet e rënda e të pazgjidhura në këtë pjesë të Kosovës. Qytetarët shqiptarë, por edhe ata serbë, vazhdojnë të mbeten peng i mungesës së vendosmërisë për zgjidhjen e problemeve, por edhe të kalkulimeve politike. Veriu i Kosovës tashmë kontrollohet në tërësi nga serbët, të cilët ndonëse nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të tetorit të vitit të kaluar, e kanë fituar pushtetin. Lidhja e tyre shumë e fuqishme me Beogradin, simbolikisht pritet nga forcat paqerujatëse që ruajnë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mirëpo brenda këtij kufiri veprohet në bazë të ligjeve serbe dhe me udhëzime nga Beogradi. Shqiptarët duken të frikësuar për mundësinë që ndarja faktike e veriut të sanksionohet dhe i drejtojnë thirrje të "dëshpëruara" administratës ndërkombëtare që të shfrytëzojë rastin për t' i dhënë fund kësaj ndarjeje. Burimet e Misionit të Kombeve të Bashkuara thanë se veriu është shndërruar sërish në vend trazirash që tash së fundi janë nxitur nga klanet mafioze, të cilat me vendosjen e doganave humbin profitet e tyre të jashtëzakonshme me mallra që nuk tatimohen. "Sovraniteti jugosllav mbi Kosovën s'është veçse hi syve për qytetarët serbë, që përdoret me mjeshtëri prej tyre", pohojnë ato.

AIM Prishtinë, Besnik BALA