Kush dhe pse rekomandon zgjedhje të reja në Serbi
AIM, Beograd, 17.04.2001.
Është shumë reale të pritet që deri në fund të vitit të mbahen zgjedhjet presidenciale në Serbi, duke u rrumbullakësuar kështu gjithë procesi zgjedhor. Shenjimi i kandidatëve të ardhshëm edhe mëtej vazhdon. Lideri i Serbisë së Re Vello Iliç, nuk e fsheh dëshirën për ta parë veten në këtë funksion, duke u arsyetuar se “është i vetmi lider i ODS-së (Opozitës Demokratike të Serbisë) i cili asgjë nuk ka fituar pas 5 tetorit”. Njëri nga liderët e Partisë Demokratike, Çedomir Jovanoviç, pohon se ODS ende nuk ka kandidat zyrtar, por në rastin e shpërbërjes së shtetit federal demokratët e shohin në këtë funksion Vojisllav Koshtunicës. Kjo deklaratë e hidhëroi Vello Iliqin, kurse nga partia e Koshtunicës kumtojnë se për këtë është ende herët që të flitet.
Reagimet e krerëve të ODS çojnë në konkludimin se ofron me shpejtësi shpërbërja e ODS-së dhe se është e paevitueshme. Kjo çështje aktualizohet pas deklaratës së kryetarit të RFJ-së Voisllav Koshtunicës, në seancën e Këshillit Qendror të Partisë Demokratike të Serbisë ku tha se “Seanca e ardhshme e PDS-së do të shërbejë për përgatitjen e zgjedhjeve për parlamentin federal, kurse në rast se nuk do të mbetet shteti federal atëherë do të bëjë përgatitjet për zgjedhjet e Kuvendit të Serbisë"
"Nuk ka kurfarë nevoje për zgjedhje të shpejta në Serbi”, u përgjigj menjëherë Zoran Gjingjiqi. Edhe pse krerët e ODS publikisht mohuan çfarëdo perspektive të zbehtë për ODS-në, në opinionin publik u plasua informacioni nga “burimet e mirëinformuara të afërta me kreun e ODS-së” se në takimin mes Koshtunicës dhe Gjingjiqit do të bëhet fjalë edhe për këtë çështje si dhe për zgjedhjet presidenciale. Madje pohohet se Koshtunica ka insistuar që në rast të mbetjes së federatës do të mbahen zgjedhje të reja federale, presidenciale dhe parlamentare, kurse nëse Serbia mbetet “vetëm” atëherë do të duhej të mbaheshin zgjedhjet komplete republikane. Pra zgjedhje parlamentare dhe presidenciale të Serbisë. “Ana tjetër” ka insistuar që “Koshtunica të kalojë nga funksioni i kryetarit të RFJ-së në vendin e njeriut të parë të Serbisë" kurse zgjedhjet e reja parlamentare të mbaheshin brenda vitit. Si kompensim është kërkuar nga Koshtunica, në rast se bëhet kryetar i Serbisë, t'ia japë mandatin e kryeministrit Partisë Demokratike (PD) së Gjingjiqit. Koshtunica nuk ka pranuar kandidimin e ODS-së me arsyetimin se situata me Malin e Zi ende nuk është e sqaruar, ose mbase në zgjedhjet eventuale dëshiron të kandidohet ekskluzivisht si lider i PDS-së (Partisë Demokratike të Serbise).
Është vetëm çështje se për çfarë rasti dhe kur do të shpallen zgjedhjet e reja federale. Përndryshe në fushatën zgjedhore të ODS-së u tha se këto do të mbahen më së voni një vit pas shtatorit të vitit 2000. Rrjedha e zgjedhjeve në Mal të Zi që mbahen më 22 prill mund të ndërrojë gjërat në rast se fitojnë forcat e përqëndruara rreth Millo Gjukanoviqit, sepse atëherë pason referendumi për pavarësinë e kësaj republike. Në rast se ato vërtetojnë dëshirën e popullit malazez për të jetuar në shtet të pavarur atëherë nuk do të ketë kurfarë nevoje për zgjedhje federale
Në rast se fiton rryma e cila angazhohet për ekzistimin e shtetit të përbashkët, atëherë nuk do të ketë referendum, por kjo nuk do të thotë shpallje e drejtpërdrejtë e zgjedhjeve të reja federale. Është mjaft logjike që para zgjedhjeve të paraprijë një marrëveshje për të ardhmen e shtetit të përbashkët sepse është pak e besueshme se ajo që është e proklamuar në Kushtetutën e Zhablakut të dëshirohet nga dikush. Se sa kohë i duhet një marrëveshjeje të këtillë është vështirë të vlerësohet në këtë moment. Nuk duhet hudhur tërësisht nga fokusimi edhe mundësia që deri tek shpallja e zgjedhjeve të arrihet pavarësisht nga ky vendim në rast se forcat ekzistuese në Qeverinë federale do të tregoheshin si një frenuese në realizimin e premtimeve zgjedhore të ODS-së drejtuar qytetarëve të Serbisë. Sjellja parazgjedhore e Partisë Popullore Socialiste të Malit të Zi krijon bazë të fuqishme për të menduar edhe rreth kësaj mundësie, veçmas po të kemi parasyshë pasojat që prodhon.
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare në Serbi gjërat janë krejtësisht ndryshe. Madje edhe kritikuesit më të mëdhenj të pushtetit aktual e kanë vështirë të gjejnë argumente të mjaftueshme që të pohojnë se “nuk është plotësuar asgjë nga premtimet parazgjedhore të ODS”, sepse nuk duhet harruar se në Serbi, siç iu la trashëgim ODS-së, ishte vështirë të bëhej ndonjë përparim më i madh për vetëm dy muaj sa kanë kaluar nga formimi i qeverisë së re, që në të kundërtën do të ishte pjesë e domenit të fantastikës shkencore. Para së gjithash habit angazhimi i Koshtunicës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja shkaku se zgjedhjet e mbajtura në dhjetor, siç thotë ai, u bënë për "parlamentin e njërës nga dy republikat, kurse tani do të zgjedhet parlamenti i shtetit të pavarur".
Madje edhe sikur të gjendej mbështetje për këtë qëndrim nga aspekti juridik, shtrohet çështja se athua ata që dëshirojnë të bëjnë zgjedhje formale e kanë parasyshë se sa u kushton kjo qytetarëve të Serbisë? Natyrisht, jo vetëm sa do të kushtojnë zgjedhjet, por edhe sa do të ngec realizimi i reformave të filluara. Në rast se ndodh që gjatë këtij viti të ketë zgjedhje në Serbi, kjo do të nënkuptonte edhe fillimin e një fushate parazgjedhore disamujore që plotësisht do ta flakte në plan të dytë realizimin e punëve të filluara. Në situatën kur nuk është bërë asnjë promil nga ajo që i duhet Serbisë, sa shkaku i vështirësisë në të cilën u gjet, po aq shkaku i punëve që e presin, gjithashtu edhe shkaku i obstruksioneve të parlamentit republikan, shtrohet pyetja se athua Serbia mund të përballojë situatën qoftë edhe një ditë vonese të hyrjes së kapitalit të huaj ekonominë e saj. Nga ana tjetër këto para sigurisht se nuk do të arrijnë në Serbi në rast se ajo nis e preokupohet me zgjedhjet, që sigurisht se do të çojë edhe tek çarjet e paevitueshme në ODS.
Gjithashtu mund të mendohet edhe rreth asaj se athua Serbisë më parë i duhen zgjedhje apo ndryshime kushtetuese. Ideja e Koshtunicës rreth zgjedhjeve për Kuvendin kushtetues nuk e zgjidh këtë dilemë. Përkundrazi, e thellon edhe më sepse Serbia do të preokupohet me çështjen nga e cila qytetarët e saj nuk do të ndjejnë ndonjë përmirësim. Pra çështje thelbësore në këtë moment mbetet përgjigja dhënë pyetjes se kujt i levërdis fillimi i rrëfimit për zgjedhje të reja në Serbi.
Përgjigja e vetme logjike është se PDS-ja si duket ka vlerësuar që gjatë pesë muajve të fundit, prej kur është në funksionin e kryetarit të shtetit Voisllav Koshtunica, është forcuar aq shumë sa përmes pjesëmarrjes së pavarur mund të fitojë më shumë pushtet se sa ka fituar brenda kuadratit të ODS. Se është kështu dëshmojnë edhe disa hapa konkret të kësaj partie dhe kryetarit të saj që janë të pakënaqur me miratimin e Platformës në Kuvendin e Vojvodinës madje kanë deklaruar se në të ardhmen kjo parti do të veprojë si opozitë. Këtë e dëshmuan me daljen e pavarur në zgjedhjet plotësuese në Oxhaci ku përndryshe ODS-ja kishte kandidatët e vet, me paralajmërimin për formimin e grupit të veçantë parlamentar në parlamentin serb, ku disa deputetë të kësaj partie kanë votuar për disa amandmane të opozitës rreth pakos tatimore përkundër qëndrimit të grupit parlamentar të ODS-së, përmbajtjes rreth marrjes së imunitetit për Branisllav Ivkoviqin në Kuvendin serb dhe mosardhjes në seancën e Këshillit administrativ në Parlamentin federal ku duhej të bisedohej për marrjen e imunitetit të Nikola Shainoviqit dhe Jovan Zebiçit, me çka qëndruan në anën e njëjtë së bashku me deputetët e PSS, JUL, PRS dhe PPS, pastaj duhet shtuar qëndrimet e ministrave nga rradhët e kësaj partie të cilët ata që janë të pakënaqur me të ardhurat mujore brenda resorit që i udhëheqin i adresojnë tek kryeministri dhe ministri i finansave sepse ata “krijojnë buxhetin”.
Partitë tjera nga koalicioni 18 anëtarësh deri tani këto veprime të PDS-së i cilësojnë si të parrezikshme për të ardhmen e ODS dhe e tolerojnë këtë siç e pranoi zëdhënësi i partisë Milorad Jovanoviç se "PDS dëshiroi të provonte forcën e vet, kurse rezultatet janë vetëm shprehje e popullaritetit tonë gjatë disa muajve të fundit". Nëpunësi i lartë i ODS-së dhe i Partisë Demokratike Çedomir Jovanoviç thotë se simboli i unitetit të koalicionit qeveritar është politika që çon në zgjidhjen e çështjeve shtetërore. Nebojsha Çoviç, lider i AD-së bën pjesë tek ata që thonë se “këtë vit do të ketë lëvizje politike në ODS, por kjo nuk do të thotë se ODS-ja do të shpërbëhet, por me siguri se do vijë deri çarjet në ODS".
Tani kur njëri nga dy interesat strategjikë të këtij koalicioni (ndërrimi rrënjësor i sistemit) as që ka filluar të ndodhë praktikisht, gjendet dikush nga ODS-ja (Opozita Demokratike e Serbisë) që në këtë situatë të vështirë në të cilën gjenden qytetarët e këtij vendi që, siç pranohet edhe nga vet Koshtunica dhe ODS-ja, nuk kanë llogaritur kur e kanë marrë pushtetin, ta shpiejë Serbinë në pozitën që të marrë pjesë në vetmburrjen partiake, madje edhe të partisë në krye të së cilës gjendet edhe kryetari i RFJ-së i zgjedhur në këtë funksion me vullnetin jo vetëm të ithtarëve të tij.
AIM Beograd
TATJANA STANKOVIQ